Me qëllim apo rastësisht presidenti francez Emanuel Makron, në konferencën e përbashkët me presidentin e Këshillit Evropian Sharl Mishel dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen maqedonasit e quajti maqedonas verior.
“Maqedonasit verior kanë bërë punë historike. Me guximin e disa liderëve si Zoran Zaev i cili me përpjekjet e tij ndërmori shumë rreziqe për të ndryshuar emrin e vendit dhe ndryshimet kushtetuese. Ndërsa pak me vonesë një vend anëtar kërkoi për ndryshime dhe ne nuk mund të bëhemi sikur nuk ekziston”, deklaroi Emanuel Makron, president i Francës.
Ndryshe me Marrëveshjen e Prespës, Republika e Maqedonisë e ndërroi emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut, por gjuha që flitet është maqedonase, e populli quhen maqedonas/maqedonase.
Megjithatë presidenti francez, shprehjen “maqedonas verior” nuk e përdori vetëm njëherë.
“Në orët e ardhshme do të ketë diskutim me maqedonasit verior për të arritur marrëveshje që gjithçka të shkojë përpara. Shpresojmë që javën e ardhshme do të kemi mundësinë për të pasur takime të vazhdueshme që procesi të ecë përpara dhe Maqedonia e Veriut e Shqipëria të ecin përpara”, tha Emanuel Makron, president i Francës.
Por sipas ministrit të Jashtëm Bujar Osmani ky formulim ka qenë i paqëllimshëm. Thotë se kështu i është thënë edhe në komunikimin nga delegacioni francez.
“Nuk ka asnjë dilemë se ajo ishte e paqëllimshëm, gabim në formulim dhe presidenti Makron absolutisht nuk ka dilema sa i përket identitetit dhe çështjeve që janë të definaura në Kombet e Bashkuara dhe në Bashkimin Evropian”, theksoi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
Në ndërkohë presidenti francez, Emanuel Makron, vendi i të cilit kryeson me BE-në deri në fund të këtij muaji, shpreson se ende është e mundur marrëveshja mes Shkupit dhe Sofjes për kornizën negociuese edhe pse dje kryeministri Dimitar Kovaçevski e refuzoi propozimin e Francës dhe tha se vetëm marrëveshje e cila i respekton linjat e kuqe të shtetit mund të jetë e pranueshme.
