Plus 14 ditë gjendje e jashtëzakonshme! Nëse liderët s’merren vesh për datë, ndërhyn shteti

TË FUNDIT

Duke nisur nga nesër, Maqedonia e Veriut do të jetë edhe për 14 ditë shtesë në gjendje të jashtëzakonshme. Kjo vjen me propozim të Qeverisë, të cilin e miratoi Presidenti Stevo Pendarovski, sipas së cilit ky vazhdim i gjendjes së jashtëzakonshme nuk po bëhet për shkak se partitë ende s’kanë rënë dakord për datën e zgjedhjeve.

“Vendimi për 14 ditët e reja lidhet veçanërisht me qëllimin që ti mundësohet qeverisë dhe institucioneve të tjera kompetente që në mënyrë më efikase të përballen para së gjithash me efektet shëndetësore si dhe me ato ekonomiko-sociale nga pandemia dhe nuk ka asnjë korrelacion me datën për zgjedhjet parlamentare që është lëndë marrëveshjeje në format të ndryshëm politik” deklaroi Presidenti i vendit Stevo Pendarovski.

Gjithsesi Pendarovski kërkoi nga liderët partiak të jenë të përgjegjshëm dhe të merren vesh për datën e zgjedhjeve, duke shtuar se shteti s’mund përgjithnjë të jetë në gjendje të jashtëzakonshme, por duhet të ketë institucione politike.

I këtij mendimi është edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi, i cili kërkoi që këto ditë të shtuara të gjendjes së jashtëzakonshme liderët t’i shfrytëzojnë për t’u marrë vesh për datë, në të kundërtën institucionet, siç është Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca, të ndërmarrin përgjegjësi për ta çuar përpara procesin zgjedhor. 

“Qeveria ka kompetenca tw mirarimit të dekret-ligjeve, drekteve me forcë të ligjit dhe këtu nuk ka kurrëfarë paqartësie rreth autorizimeve. Mënyra se si ne tre institucionet do të dakordohemi, si do të organizohemi që vendimin ta kthejmë në procedurë juridike s’do mend se do të bëjmë vlerësime shtesë të procedurva juridike, do të bëjmë këshillime shtesë me ekspertë të fushave juridike” u shpreh Xhaferi.

Marrjen e përgjegjësisë nga institucionet, nëse partitë s’merren vesh, e përmendi edhe kryeministri teknik Oliver Spasovski.

“Institucionet duhet të marrin përgjegjësinë para së gjithash edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, e në këtë mënyrë të vendosen në kapacitet të plotë demokratik të gjitha institucionet, Kuvendi, Qeveria e re politike e cila edhe më tej do të ndërmarrë aktivitetet në aspektin shëndetësor si dhe për pasojat ekonomike nga kriza” tha Spaovski.

Krahas kryeparlamentarit dhe kryeministrit teknik të pranishëm në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë ishin edhe ministri i Mbrojtjes, ministri i Brendshëm, i Jashtëm, profesorët anëtarë të këshillit si dhe ministri i Shëndetësisë i ftuar nga vetë Presidenti.