Inspektorati shtetërorë i Arsimit në Maqedoni gjatë ditës së sotme ka filluar me kontrolle të jashtëzakonshme në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin shtetëror të Tetovës pas denoncimit të marrë se në këtë fakultet janë bërë punime shkencore plagjiaturë.. Televizioni 21 gjatë ditës së sotme ka kontaktuar edhe me inspektorë të inspektoratit të ministrisë së Arsimit të cilët edhe e kanë konfirmuar se gjatë ditës së sotme veç më inspektorati është në këtë universitet dhe gjatë ditëve në vazhdim do të shikojnë me hollësi të gjitha dosjet e profesorëve dhe punimet shkencore.
“Gjatë kontrollit do të shqyrtohen të gjithë titujt shkencor të marrë nga profesorët dhe ligjëruesit si dhe bashkë me ta do të shqyrtohen edhe dosjet e mentorëve të tyre dhe komisionet përbërëse. Në këtë kontroll nuk është përcaktuar numri i profesorëve që do të kryhet kontrolli, por kontrolli do të behët ndaj të gjithë atyre që ligjërojnë dhe kanë marrë tituj shkencor”, thonë nga Inspektorati shtetëror i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Nga inspektorati thonë se kontrolli do të mund të zgjasë edhe disa ditë dhe se në denoncimin e bërë nuk ka emra të profesorëve që dyshohen për plagjiaturë apo parregullsi.
Gjatë ditës së sotme kontaktuam edhe me zyrën për informim të Universitetit të Tetovës. Nga atje na thanë se pas kontrollit që do të kryhen dhe pas daljes së inspektoratit me konkluzionet e tyre atëherë do të mund të prononcohen.
Ditë më parë revista “Veritas” doli me një hulumtim ku akuzonte disa profesor në universitetin e Tetovës, gjegjësisht në fakultetin e mjekësisë se punimet e tyre shkencore i kanë plagjiaturë. Më pas UT reagoi duke mbrojtur profesorët dhe duke thënë se veprimtaria hulumtuese në UT realizohet në përputhje me kriteret shkencore. Studentët akuzojnë se edhe një numër i profesorëve në UT i kanë detyruar studentët t’i blejnë librat e tyre.
