Në Tiranë është zhvilluar një takim mes njërit nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti dhe ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, përcjell TV21. Burime prezent në takim e kanë cilësuar atmosferën e takimit si konstruktive dhe në frymë mirëkuptimit.
Në lidhje me: Përplasje BDI-VLEN pas mesazhit të pretenduar të kryediplomatit shqiptar, Hoxha: Qëndrimet tona nuk komunikohen me WhatsApp
“Gjatë takimit është diskutuar për aktualitetin politik, si dhe për paqartësitë e deritanishme në komunikim mes shqiptarëve në Maqedonia e Veriut dhe Tiranës zyrtare. Palët kanë theksuar nevojën për qasje më të koordinuar dhe përkushtim të përbashkët drejt ideve konkrete që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve. Është arritur dakordim për intensifikimin e komunikimit dhe thellimin e bashkëpunimit institucional, me qëllim ndërtimin e urave të reja të besimit dhe forcimin e koordinimit për periudhën në vijim. Takimi vlerësohet si një hap drejt tejkalimit të dallimeve dhe keqkuptimeve të mëhershme, duke hapur rrugë për një qasje më të unifikuar mes faktorëve politikë shqiptarë në rajon. Gjithashtu, është theksuar se Shqipëria mbetet një partner dhe aleat i rëndësishëm për shqiptarët në Maqedonia e Veriut, ndërsa është nënvizuar edhe roli i përfaqësimit politik si zë i besueshëm në mbrojtje të interesave të komunitetit shqiptar”, thotë burimi brenda VLEN.
