Komisioni Rregullator për Energjetikë mori vendim që nga mesnata e kësaj nate dizeli të lirohet për 2,5 denarë për litër, ndërsa benzinat të shtrenjtohen për dy denarë. Me këtë, çmimi i dizelit do të jetë 91,5 denarë, Eurosuper BS–95 do të shitet me 82,5 denarë, ndërsa BS–98 do të jetë 84,5 denarë për litër — çmime pa zbritjen e Okta-s.
ÇMIMET E KARBURANTEVE:
Derivati Çmimi i vjetër Çmimi i ri Me zbritje (OKTA)
Benzinë BS-95 80,50 82,50 80,50
Benzinë BS-98 82,50 84,50 82,50
Dizel 94,00 91,50 88,50
Vaj ngrohjeje (EL-1) 97,00 96,00 96,00
Mazut (den/kg) 46,288 46,656 46,656
Ky vendim i Komisionit Rregullator nuk ishte befasi për kryeministrin Hristijan Mickoski, i cili edhe para shpalljes së tij i kishte llogaritjet për lëvizjen e çmimeve. Prandaj ai konsideron se nuk është i parakohshëm vendimi për kthimin e TVSH-së për dizelin nga 10 në 18 për qind. Njoftoi se po bëhen përpjekje që edhe pas 1 majit të vazhdojnë zbritjet që i jep Rafineria OKTA — dy denarë për litër benzinë dhe tre denarë për litër dizel.
“Për OKTA-n do të bisedojmë këtë javë, ende nuk e kemi hapur temën, por do të bisedojmë këtë javë. Do të bisedojmë me Ministren e Energjetikës dhe natyrisht, brenda mundësive, do të bëjmë çmos që ajo zbritje të vazhdojë”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Kryeministri Mickoski thotë se për momentin askush me siguri nuk mund të thotë kur do të përfundojë kriza në Iran dhe kur do të normalizohet furnizimi me naftë bruto. Sipas tij, analizat që shfaqen në opinionin publik nga banka dhe qendra analitike me reputacion bazohen në informacione jo të plota dhe shpesh janë edhe spekulative.
“Për momentin, ajo që mund të them unë është se askush nuk ka informacion të saktë, përveç, ndoshta, disa njerëzve në Botë. Dhe ata disa njerëz në Botë praktikisht vendosin nëse fund kësaj krize do t’i vihet sot, pas një muaji, pas një viti apo kjo krizë do të vazhdojë të funksionojë nga inercioni. Kështu që të bukura janë këto analiza. Ato analiza i shohim, i ndjekim me kujdes, personalisht i ndjek, por përsëri do të them, e ardhmja e Botës është në duart e disa njerëzve të cilët mund t’i japin fund sot, javën tjetër, muajin tjetër apo vitin tjetër”, shtoi Mikcoski.
Ndryshe, sot një ndër bankat më të mëdha botërore, Goldman Sachs, doli me vlerësimin se normalizimi i transportit nëpërmjet Ngushticës së Hormuzit, në vend të majit, do të ndodhte më së hershmi në qershor, duke bërë që çmimi i naftës bruto drejt fundit të vitit, në vend të rreth 80 dollarëve, të jetë rreth 90 dollarë për fuçi.
Mickoski nga ana e tij thotë se Maqedonia nuk ka problem me furnizimin me karburante dhe nuk pret një problem të tillë. Prandaj për tani nuk ka nevojë për kufizim të furnizimit me karburant në vend për shtetasit e huaj. Si argument për stabilitetin, ai theksoi se nga Maqedonia me kerosinë furnizohen edhe aeroportet në rajon.
