Duhet të jetë gati deri në fund të vitit 2027! Rifilloi rindërtimi i Sallës Universale, do të kushtojë 20 milionë €

TË FUNDIT

Filloi rindërtimi i Sallës Universale, e cila duhet të jetë gati deri në fund të vitit 2027. Do të kushtojë rreth 20 milionë euro dhe do të ruajë pamjen autentike. Ajo duhet të jetë pjesë e “Shkupi — kryeqyteti evropian i kulturës në vitin 2028”. Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, thotë se janë kapërcyer të gjitha pengesat juridike dhe administrative nga e kaluara, për shkak të menaxhimit të ndarë ndërmjet Qytetit të Shkupit dhe Ministrisë së Kulturës.

“Në këtë moment Ministria e Kulturës dhe Turizmit, nëpërmjet Qeverisë është investitor i Sallës Universale, sipas parimit çelës në dorë, sepse siç e dini në të kaluarën ishte e ndarë në tre faza, tani është sipas parimit çelës në dorë. Shuma është rreth 20 milionë euro të siguruara nga Qeveria nëpërmjet Ministrisë së Kulturës dhe, siç thashë, do të jetë gati deri në fund të vitit 2027 dhe në fund shkupjanët do të kenë përsëri një kujtim që e kanë pasur në të kaluarën”, tha Zoran Ljutkov — ministër i Kulturës dhe Turizmit.

Salla do të rindërtohet mbi të njëjtën konstruksion çeliku, pasi eksaminimet dhe ekspertiza kanë treguar se kupola nuk është dëmtuar nga zjarri. Ljutkov njoftoi se projekti parashikon ndryshime në hyrjen e Sallës Universale, në teknologjinë skenike dhe hidraulikën, si dhe izolim të ri akustik të kupolës, pasi siç tha ndodhet ndërmjet objekteve banesore dhe është shumë e rëndësishme të ketë izolim të mirë akustik.

“Meqenëse këtë aktivitet dhe realizimin e këtij projekti e bën Qeveria nëpërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ne si Shkupi në fund do të duhet ta marrim objektin, të na dorëzohet, por qëndrojmë në dispozicion logjistike për gjithçka që duhet në mënyrë të mëpasshme të ndihmojmë gjatë realizimit të këtij projekti grandioz, do të thosha për Qytetin e Shkupit”, u shpreh Orce Gjorgjevski — kryetar i komunës së Shkupit.

Ndryshe, Salla Universale filloi të rinovohej në fund të mandatit të ish-kryetarit të Shkupit, Petre Shilegov, në mes të vitit 2021. Me ardhjen e ish-kryetares Danela Arsovska, punimet u ndalën për rreth dy vite. Me vendim të Qeverisë, ndërsa ministre e kulturës ishte Kostadinovska-Stojçevska, Ministria e mori sallën nga Qyteti i Shkupit. Rindërtimi vazhdoi, por u ndal nga zjarri që shpërtheu në prill të vitit 2024.