Përplasje mes policisë dhe protestuesve në disa qytete iraniane

TË FUNDIT

Në disa qytete iraniane edhe sot ka përplasje mes demonstruesve dhe policisë, të cilët po protestojnë për vdekjen e Mahsa Amini.

Pavarësisht se shumë protestues u vranë dhe policia përdor municion të vërtetë dhe gaz lotsjellës, videot e postuara në mediat sociale tregojnë protestuesit që bëjnë thirrje për rrëzimin e sundimit klerik. Përleshje me policinë ka në Teheran, Tabriz, Karaj, Kom, Jazd, Sanandaj e vende të tjera.

Demonstruesit brohorasin “Vdekje diktatorit” dhe “Grua, jetë, liri”, dhe gratë djegin shamitë e tyre dhe presin flokët.

Më shumë se 300 të krishterë iranianë kanë nënshkruar në mbështetje të protestave që po zhvillohen në të gjithë vendin.

Autoritetet iraniane kanë bllokuar qasjen në internet në disa provinca për të kufizuar protestuesit që të postojnë video në mediat sociale.

Në protestat që zgjatën për 11 ditë, të paktën 41 persona humbën jetën dhe rreth 900 u plagosën.

Autoritetet iraniane krijuan një gjykatë speciale për pjesëmarrësit e protestave.

Amini, një vajzë nga provinca e Kurdistanit të Iranit, ra në koma dhe vdiq pasi u arrestua nga policia morale javën e kaluar për mosbindje ndaj rregullave të veshjes së hixhabit.