Me respekt dhe nderim është përkujtuar në 16 vjetorin e rënies së tij komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, ku vepra dhe ideali i tij për lirinë e Kosovës dhe popullit të saj, është vlerësuar lartë nga përfaqësuesit e institucioneve të vendit.
Me këtë rast, Posta e Kosovës lansoi pullën postare me figurën e komandantit Ilaz Kodra.
Të pranishmit i përshëndeti Krenare Kodra, e bija e komandantit Ilaz Kodra, tha se duhet nderuar dëshmorët e kombit, sepse vetëm kështu nderojnë edhe kombin.
“Përkujtimi për dëshmorët na bënë që të përpiqemi të punojmë e të kontribuojmë sa më shumë për shtetin tonë në mënyrë që të gjithë të rënët të pushojnë të qetë. Duke i nderuar dëshmorët dhe sakrificën e së kaluarës, nderojmë kombin tonë”, tha Kodra.
Ndërsa ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, në emër të kryeministrit Isa Mustafa, tha se asnjëherë nuk guxojnë të ndalen në nderimin e idealit të komandantit Ilaz Kodra dhe të gjithë dëshmorëve të tjerë.
Ai shtoi se ata asnjëherë nuk u lejohet të harrojnë atë që Ilaz Kodra dhe lajmëtarët e lirisë bënë për popullin dhe lirinë e Kosovës.
E kryeshefi i Postës së Kosovës Sejdi Hoxha, tha se pulla postare që po e promovojnë sot është e veçantë sepse bartë njërën prej figurave kyçe dhe njërit prej ideatorëve të UÇK-së.
Me këtë rast, Hoxha ia ka dorëzuar pullën postare të gdhendur në bronz, familjes së komandantit Ilaz Kodra.
Akademia përkujtimore për të nderuar figurën e komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra, u organizua nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.
