Haxhiu: Ç’kuptim ka ligji i miratuar në Kuvend nëse nuk zbatohet nga prokurori, gjykatësi apo policia?

TË FUNDIT

Në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për vrasjen e Arlindaj Zekajt, Albulena Haxhiu ka thënë se si Qeveri kanë bërë përparime në infrastrukturën ligjore porse asnjë ligj i miratuar në Kuvend, nuk mjafton nëse zyrtarët në Prokurori, Gjykata e Policinë e Kosovës nuk e zbatojnë.

Haxhiu është shprehur se në këtë rast nuk është faji i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla e as i ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla përderisa janë adresuar të gjithë mekanizmat që kanë në dispozicion.

“Si institucione kemi bërë përparime në infrastrukturën ligjore. Në vitin 2020 Kuvendi i Kosovës përfshiu Konventën e Stambollit në Kushtetutën tonë. Miratuam Ligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe lista e veprimeve që ne kemi ndërmarrë është e gjatë. Asnjëra prej të gjitha këtyre veprimeve që ne kemi ndërmarrë nuk po mjafton. Nuk po mjafton për sa kohë kemi ende zyrtarë në institucionet e Republikës së Kosovës, në Polici, në Prokurori, në Gjykata, në Qendrën për Punë Sociale apo kudo tjetër që e vendosin në diskrecionin e tyre a duhet të ndërmarrin një veprim apo jo. Ç’kuptim ka një ligj që miratohet në këtë Kuvend nëse atje një prokuror, e një gjyqtar, e një polic nuk e zbaton si të tillë. Çfarë faji ka ministrja Gërvalla ose ministri Sveçla, nëse Ministria e Drejtësisë e Ministria e Punëve të Brendshme i ka adresuar legjislacionin e mekanizmat që ka në dispozicion. Cila është përgjegjësia që ka këtu ministrja e Drejtësisë apo ministri i Punëve të Brendshme”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo tutje ka thënë se vrasjet e njëpasnjëshme të grave në Kosovë nuk mund të trajtohen të shkëputura nga njëra-tjetra dhe se një gjë e tillë është femicid. Tutje Haxhiu është shprehur se duhet angazhuar e gjithë shoqëria, në veçanti burrat që të ndalet kjo mendësi.

“Këto vrasje nuk mund t’i trajtojmë si tragjedi të shkëputura nga njëra-tjetra. Është femicid, forma më e skajshme e dhunës ndaj grave. Duhet të angazhohemi të gjithë si shoqëri kundër kësaj mendësie, në veçanti burrat, edhe burrat e këtij Kuvendi. Nuk mund të presim që vetëm gratë të flasin kundër dhunës që ushtrohet ndaj tyre. Edhe sot në këtë Kuvend si kryetare e Kuvendit pres që edhe burrat të flasin kundrejt vrasjes së grave e vajzave në vendin tonë. Kjo përgjegjësi na përket të gjithëve paravësisht bindjeve politike apo funksioneve që sot i ushtrojmë”, ka deklaruar Haxhiu.

Haxhiu ka përmendur edhe disa gra të vrara nga burrat e tyre ose familjarët burra. Ajo ka thënë se lista është e gjatë, plot 97 të vrara që nga paslufta.

“Në maj të vitit 2011, Diana Kastrati u vra pasi kishte kërkuar mbrojtje nga Gjykata. Hamide Magashi u vra në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë pak ditë para se të sillte në jetë fëmijën e saj. Erona Cokli u vra brenda Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj. Arlinda Zekaj u vra pak pasi ishte kthyer nga stacioni policor ku kishte raportuar për dhunë në familje. Mes tyre janë edhe Igballe Llalloshi, Gjyla Gashi, Antigona Morina, Donjetë Pajazitaj, Zejnepe Berisha, Dafina Zhubi, Flora Omuri, Feride Tahiri, Selvije Berisha, Albesa Rudi, Feride Prokshi, Arianita Zahiti, Emine Abazaj, Valbona Marku-Ndrecaj dhe vajza e saj nëntë vjeçare Klara Ndrecaj, Atije Dinaj, Armenda Aliu, Sabile Mavrovqani, Makfire Zuka, Sebahate Morina-Sopi, Marigona Osmani, Lirije Qerimaj, Besiana Rama, Shqiponja Isufi, Sadije Godeni, Hyrije Broqi-Hyseni, Maria Klara, Liridona Ademja, Gjyljeta Ukella, Nexhmije Haradini, Nafije Bogujevci. Kjo nuk është lista e plotë. Janë 97 gra që janë vrarë ose nga burrat e tyre, ose nga familjarët e tjerë burra që nga paslufta në Kosovë”, ka deklaruar Haxhiu.