Avokati Jovan Joanidis thotë se pasi të pranohet dorëheqja e Pavle Bogoevskit, ai do ta humbë imunitetin si deputet, i cili nuk do ta mbrojë në procedurën e mëtejshme gjyqësore. Por, çka do të thotë pranimi i tij në proces gjyqësor?
“Pranimi në kuptimin penalo-juridik nuk do të vlejë. Mund të revokohet, sepse nuk është dhënë në procesverbal para organit kompetent shtetëror, respektivisht para prokurorit publik në procedurë para-penale apo penale ose në Gjykatë”, tha Jovan Joanidis, avokat.
Joanidis ka vërejtje për drejtësinë selektive, sepse siç thotë, nuk janë bërë reforma në gjyqësor, që është prioritet për negociatat për anëtarësim në BE.
“Asnjë reformë nuk është bërë në gjyqësor, askush nuk është zëvendësuar. Së pari duhet të ndryshohen të gjithë kryetarët, kurse pastaj edhe gjykatës të caktuar, me qëllim që gjykatat të mund të funksionojnë”, u shpreh avokati Jovan Joanidis.
“Ne kemi person të gabuar i cili është kryetar i Këshillit për Reforma, e ai është zotëri Zoran Zaev. Ai nuk mund të jetë kryetar i Këshillit, sepse është kryeministër në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai mund të dirigjojë përmes ministrit dhe përmes personit që do të jetë kryetar”, potencoi Jovan Joanidis, avokat.
Avokati Joanidis thotë se nëse mund një ministër në Suedi i cili gabimisht ka shpenzuar 5 euro nga kartela zyrtare të japë dorëheqje, atëherë pse kjo të mos ndodhë edhe në vendin tonë. Ai këshillon se të gjithë politikanët, pa marrë parasysh nëse janë në opozitë apo pushtet, në qoftë se e shkelin ligjin patjetër të japin dorëheqje, e jo të kërkojnë justifikime se përndiqen nga arsye politike.
Përgatiti: Aleksandra Velinova
