Përfaqësues amerikanë dhe iranianë kanë zhvilluar sot në Islamabad takime të ndara me kryeministrin pakistanez Shehbaz Sharif, para bisedimeve për paqe.
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, J.D. Vance, u takua me Sharifin, ndërsa në takim morën pjesë edhe i dërguari special amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Sharif shprehu shpresën se bisedimet do të shërbejnë si hap drejt një paqeje të qëndrueshme në rajon, sipas një njoftimi të kabinetit të kryeministrit pakistanez.
Më herët, u zhvillua një takim midis delegacionit iranian dhe Sharifit, raportoi BBC.
Një burim nga qeveria pakistaneze i tha BBC-së se kryeministri Sharif ishte takuar me delegacionin iranian gjatë një dreke.
Si në negociatat e mëparshme, pritet që zyrtarët pakistanezë të zhvillojnë takime të ndara dhe me radhë me anëtarët e të dy delegacioneve, për të vlerësuar nëse mund të arrihet përparim në pikat e ndryshme të propozimeve të palëve.
