Pekini vendos karantinë për shkak të valës së dytë të koronavirusit

TË FUNDIT

Pekini vendos përsëri masa të rrepta kufizuese për shkak të valës së re të koronavirusit, ndërsa autoritetet janë duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos largohen nga shtëpitë e tyre, njofton gazeta “Saut Çajna Morning Post”.

Gazeta shkruan se të gjitha shkollat ​​fillore dhe të mesme në qytet do të mbyllen, ndërsa studentët do të vazhdojnë të mësojnë nga shtëpia. Universitetet, po mbyllen, gjithashtu, si edhe të gjitha objektet zbavitëse dhe sportive.

Gjendja me virusin në qytet vlerësohet si “serioze”.

“Autoritetet në kryeqytetin kinez u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos largohen nga qyteti, por që në rast urgjence, ata duhet të japin vërtetim se nuk janë të infektuar”, deklaroi zëvendës-sekretari i Qeverisë në Pekin, Çen Bei. Sipas tij, testi nuk duhet të jetë më i vjetër se shtatë ditë.

Disa ditë më parë, u zbulua vatër e re e koronavirusit në një nga tregjet më të mëdha në qytet. Përfaqësuesi i kryeqytetit deklaroi se të gjithë transmetuesit e zbuluar të rinj të koronavirusit kishin vizituar tregun, ndërsa përfaqësuesit e qarkut Fengtai thanë se si masë kujdesi, ata kanë izoluar tërësisht 11 lagje përreth tregut.

Në Pekin, dje u regjistruan 27 raste të reja me Kovid-19, dy muaj pasi nuk pati asnjë rast të sëmundjes. Që nga 11 qershori, gjithsej 106 pacientë të infektuar ndodhen në spitalet në tërë qytetin, në izolim të plotë./MIA