Partia Liberale shpalos programin: Ekonomia prioritet kryesor

TË FUNDIT

Në takim me mediet, Partia Liberale sot prezantoi aspektet kryesore të programit të saj ekonomik. Kryetari i Komisionit për Ekonomi dhe Financa pranë Partisë Liberale, Venko Gligorov theksoi se ekonomia është  prioritet kryesor i programit të tyre.

Sipas tij, për Maqedoninë është me rëndësi të ketë bashkësi të fuqishme të biznesit dhe një sektor civil aktiv, të cilët do të mund të përfaqësojnë në mënyrë të suksesshme interesat e firmave, punonjësve dhe qytetarëve.”Ekonomia Maqedonase në vazhdimësi prej 15 viteve po zhvillohet, nëse mund të thuhet se po zhvillohet, e themeluar në proteksionizëm, i cili është forcuar viteve të fundit. Ka nivel të madh të korrupsionit dhe gjithsesi presion ndaj biznesit real. Rezultatet nga investimet e huaja dhe strategjia e qeverisë në pjesën e ndërtimit të projekteve jofunksionale, projektet për punësim, qofshin private apo shtetërore edhe subvencionet në bujqësi nuk mund ta zëvendësojnë mungesën e përkrahjes zhvillimore të biznesit real”, tha Gligorov.

Mes tjerash, ai theksoi se kundërshtimet mes partive drejtpërdrejt ndikojnë në stabilitetin  dhe sigurinë e sistemit dhe çojnë në ngadalësim të proceseve ekonomike.

Nga Partia Liberale thonë që programin ekonomik do ta mbështesin me më shumë detaje në periudhën e ardhshme. Do të bisedojnë me ekspertë, do të organizojnë tribuna ku do t’i përfshijnë edhe  palët e interesuara. Ata janë të interesuar për bashkëpunim me parti të tjera, shoqata dhe organizata, me qëllim që të krijojnë masë kritike për reforma në Maqedoni.

Besian Leka