Kaos në Tabanocë! Të huajt presin me orë për të paguar gjobat nga “Safe City”

TË FUNDIT

Kolona kilometrike deri në pikën kufitare të Tabanocit dhe pritje të gjata në sportelet e kësaj pike.

Kjo për shkak se ata me makinë me targa të huaja në Maqedoni, duhet të ndalojnë për të paguar shkeljet në trafik që janë kapur nga sistemi “Safe City”.

“Radhë të gjata të pritjes, këtu në vendkalimin kufitar të Tabanocës, ku shtetasit e huaj, të cilët kanë qëndruar apo kanë kaluar nëpër vendin tonë dhe janë kapur nga kamerat e ‘Safe City’ tani po presin me orë të tëra për të paguar kundërvajtjet në trafik, të cilët nuk lejohen të lëshojnë vendin nga policia kufitare” – Adi Qaili, gazetar TV21.

Punohej në katër sportele.
Para kamerës së TV21, disa nga të huajt, thanë se po presin mbi një orë dhe ankohen për proces të ngadalshëm të punës në pikën kufitare.

“Nuk kam aplikacion, nuk më funksionon interneti këtu me zonën neutrale, a më kërkojnë të paguaj online. Përse nuk kanë vendosur kasë për pagesë fizike, pse na malltretojnë, na kanë mbledhur si të ishim kafshë!
-Si funksionon, ju duhet internet?
-Të detektojnë gjobën dhe të krijojnë fletëpagesë, por nuk pyesin a ki para të mjaftueshme në kartelë apo a ke internet. Dhe pasi të paguash sërish pret këtu për t’ju dëshmuar, që pastaj të na japin dokumentet.”

“Nuk kam ide se si funksionon, njerëzit presin këtu e thonë se përmes e-mailit na çojnë gjobat.
-Sa keni pritur?
-Diku një orë!
-A është në rregull kjo?
-Këtë nuk e kam parë askund! Kjo është katastrofë, kjo nuk duhej të ndodhë. Kështu do të shkoni në BE! ‘malo morgen’…!”

Ky qytetar gjerman thotë se do ta njoftojë Ambasadën në Shkup për pengesat po u shkaktohen!

-Ne jemi nga Gjermania, jemi bërë pushimet javën e fundit këtu dhe tani po kthehemi. Ne jemi këtu por nuk e dimë cili është problemi, na kanë ndalur pasaportat dhe ID e makinës. Ne po presim me tre makina këtu, mezi gjetëm parking dhe problemi është që nuk e dimë.”

“Po pres për të paguar tiketë për tejkalim shpejtësie, kemi pritur tani më një orë e gjysmë, asgjë s’po lëvizë. Bashkëshorti im është i sëmurë me astma dhe këtu bënë shumë vapë, por askush s’po ndërmerr masa. Nuk mendoj se kjo është mënyrë e mirë për t’i trajtuar turistët që po kalojmë nëpër MK, është hera e 50-të që vij këtu por hera 4 që po më ndodh kjo! Nëse e kam shkelur ligjin është OK të paguaj, por jo në këtë mënyrë.”

Në pikëkalimin Tabanocë ishte edhe Ministri i Brendshëm Panpe Toshkovski bashkë me eprorët kufitarë, i cili pranoi që kjo procedurë duhet të përmirësohet dhe nga 4 sportele që po punojnë, planifikojnë t’i bëjnë 8 pikëpagesa.

“Kjo do të jetë kryesisht të themi si zgjidhje teknike që do të zbatohet edhe në të gjitha vendkalimet tjera kufitare që do të mundësoj parakushte adekuate për ta zbatuar këtë masë ashtu siç duhet. Sfida do të ketë, sigurisht, por do të përmirësohemi në kuadër të asaj që duhet të avancojmë, por shpëtimi i një jete njerëzore krahasuar me të kaluarën, nuk ka çmim”, tha Toshkovski

Toshkovski, sqaroi se në pikën kufitare Tabanoc janë vendosur kamera inteligjente që lexojnë targat dhe identifikojnë automjetet me kundërvajtje të evidentuara në trafik. Sipas tij, automjetet pa shkelje do të kalojnë drejt kufirit me Serbinë pa kontrolle shtesë, ndërsa e njëjta zgjidhje teknike pritet të zbatohet edhe në vendkalimet e tjera kufitare.
Përndryshe, MPB-ja doli me njoftim se shtetasit e huaj që kanë kryer kundërvajtje në trafik do të ndëshkohen gjatë daljes nga vendi në pikën kufitare “Tabanoc”, ku do t’u dorëzohet procesverbali dhe urdhërpagesa për gjobën.