Komuna e Strugës me borxh €5 milionë! Borxhe të tjera ende në procedurë

TË FUNDIT

5 milionë euro është borxhi i Komunës së Strugës dhe nuk dihet shuma tjetër e borxhit që është në procedurë. Më këtë borxh është duke mbijetuar Komuna, tha kryetari Mendi Qyra.

“Borxhi i cili është në bazë të përmbarimit është 5 milionë euro, kurse borxhet tjera janë ekstra të cilat nuk janë të dokumentuara për shkak se janë në procedurë e sipër të cilat llogariten edhe harxhimet tjera si kamata etj. dhe tani për tani ne jemi fokusuar tek borxhi prej 5 milionë euro për të hequr kornizën e cila dëmton zhvillimin e komunës sonë”, tha Mendi Qyra.

Së fundmi transportuesit e nxënësve nga disa fshatra të Strugës paralajmëruan bojkotin e transportit të nxënësve për shkak të borxhit të papaguar nga Komuna. Kryetari Qyra për këtë fajin e adreson tek udhëheqja paraprake e komunës.

“Për fat të keq bëhet fjalë për një borxh të vjetër të cilin e kërkojnë transportuesit dhe i akumuluar me vite të tëra dhe sigurisht me ardhjen time në komunë kemi bërë pagesën prej 1 milion e 400 mijë denarë kurse kanë mbetur edhe 55 mijë ose 60 mijë euro për të paguar. Ajo që është më me rëndësi është të cekim se kjo është nxitur edhe nga LSDM-ja e cila ka dal me një sqarim për borxhin e tyre të cilin e kanë krijuar gjatë viteve te kaluara kur kanë qenë në pushtet dhe kërkojnë nga pushteti aktual që të bëjnë pagesën”, deklaroi Qyra.

Transportuesit kanë biseduar me Kryetarin e Strugës dhe bashkërisht kanë diskutuar se si mund të arrihet deri te një zgjidhje konkrete për situatën.