Parkimet e banesave bëhen parkime zonale! Kasami premtoi 425 vendparkime, janë bërë vetëm 130

TË FUNDIT

Në fillim të vitit, kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, u zotua se qyteti brenda 3 muajsh do të ketë 425 vendparkime të reja, zonale dhe të mbyllura.

 “Në tre mujorin e parë janar-mars në këtë fazë të tremujorit të parë të vitit 2022 do të realizohen vend parkime që kanë nevojë vetëm projekt komunikacioni dhe pëlqim nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme – sektori për punë të brendshme Tetovë, në këtë fazë do të kemi 195 parkime shtesë zonale,  ndërsa të mbyllura 230 vendparkime, por gjithsej në fazën e tremujorit të parë  do të kemi shtesë  prej 425 vende parkimi”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Tetovës.

Jemi në muajin maj, ndërsa nga Komuna thonë se deri më tani janë realizuar rreth 130 vend parkime.

“Të realizuara janë 130 vendparkime, ndërsa vendparkime të cilët janë duke u realizuar janë në rrugët “Strasho Pinxhur” dhe “19 Nëntori” (bllokun urban 42) e cila është pjesë e rrugës “Strasho Pinxhur” për rreth qendrës tregtare Lovec. Këto vendparkime do të jenë funksionale menjëherë pas mbarimit të punëve ndërtimore. Parkingjet në Bllokun urban 88 dhe Bllokun urban 74 janë në proces të inspektimit. Ka të bëjmë me disa objekte që paraqesin pengesë, për të njëjtit jemi në fazën e realizimit. Ndërkaq sa i përket ndërtimit të parkingjeve në kate, ato janë të parashikuara në fazën e 5, momentalisht është duke u punuar në çështjet pronësore juridike”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Pyetëm edhe Sektorin për Punë Të Brendshme nëse komuna ka dorëzuar ndonjë kërkesë për zgjerim të parkimit.

 “Sektori për punë të brendshme Tetovë në periudhën prej muajit janar deri më sot, nga organet kompetente të vetëqeverisjes lokale të Tetovës ka pranuar vetëm një kërkesë për zgjerimin e hapësirave të parkimit zonal në rrugën “120” tek Tregu i gjelbër në Tetovë e cila për shkak të dokumentacionit të pa kompletuar, gjegjësisht projekt planit, është kthyer për korrigjim dhe ri kompletim”, thonë nga SPB Tetovë.

E parkimi në bllokun urban i cili ka rreth 80 vendpakime dikur ka qenë pa pagesë.

“Ky parkim tash është shndërruar në parkim zonal ku një orë kushton 20 denarë, ndërsa muaj më parë i njëjti ka qenë pa pagesë për banorët e kësaj lagjeje”, raporton Senat Zylbehari, gazetar TV21.

Kryetari Kasami në 11 janar premtoi se për çdo familje katër anëtarëshe do të sigurohet nga një parkim, ndërsa  në fazën e pestë do të promovohen edhe parkimet në kate.