Ndërroi jetë ish deputeti Panço Minov

0

Ish-kryetari i komunës së Kavadarit dhe deputet në Kuvendin e Maqedonisë, Panço Minov, ka ndërruar jetë sot, në moshën 67-vjeçare.

Minov ka shërbyer si kryetar i komunës së Kavadarit për dy mandate, nga viti 2000 deri në 2009.

Në Kuvend, ai ka qenë deputet në dy periudha, së pari nga viti 1990 deri në 1998, dhe pastaj nga 2016 deri në 2024.

Gjatë aktivitetit të tij politik, Minov tregoi interes të veçantë për mbrojtjen e nevojave të bujqve, veçanërisht të vreshtarëve nga rajoni i Tikveshit.

Në rrjetet sociale, miq, politikanë dhe figura publike i kanë shprehur ngushëllimet e tyre.

Dyshimet për keqpërdorime në ndërtimin e Teatrit të Tetovës, seanca gjyqësore shtyhet për më 25 nëntor

0

Seanca gjyqësore për dyshimet për keqpërdorime në ndërtimin e Teatrit të Tetovës është shtyrë për më 25 nëntor, përcjell TV21. Arsyeja e anulimit ishte për shkak se në seancë mungoi i akuzuari Artan Arsllani ndërsa mbrojtësi i tij, Hamid Iseni, njoftoi gjykatën se nuk ka mundur të ketë qasje deri tek lënda për të pare akuzuar qe rëndojnë mbi te klientin e tije

Në këtë rast, përveç kompanisë “Urban Plan” si person juridik, të akuzuar janë edhe Sejdi Shasivari, ish drejtorët e Qendrës për Kulturë, Artan Asllani dhe Bujar Muça.

“Keqtrajtoheshin, vendoseshin burra e gra në një dhomë dhe u jepeshin ushqime me afat të skaduar”, paraburgim për pronaret e shtëpive të të moshuarve në Shkup

0

Ministria e Punëve të Brendshme ka parashtruar kallëzim penal ndaj N.J. (47) dhe T.I. (58), të dyja nga Shkupi, për shkak të dyshimeve të bazuara se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i vazhdueshëm i pozitës dhe autorizimit zyrtar” dhe “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës”, përcjell TV21. Nga MPB thonë se kanë siguruar prova që personat në fjalë, si pronare të shtëpive të të moshuarve, kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtje Sociale, me qëllim të përfitimeve personal, dhe se kanë dëmtuar rëndë të drejtat e banorëve të këtyre shtëpive. Të dy institucionet janë mbyllur, ndërsa në bashkëpunim me organet shtetërore kompetente është siguruar strehim i përshtatshëm për të gjithë banorët.

“Në periudhën nga viti 2022 e deri më sot, të dyja institucionet private nuk e kanë ushtruar veprimtarinë brenda kufijve të lejeve të lëshuara – kanë strehuar më shumë persona se kapaciteti i lejuar, nuk kanë mbajtur dokumentacion të rregullt për shërbimet sociale, nuk kanë pasur dosje me dokumente profesionale për të gjithë banorët, nuk kanë mbajtur evidenca për mirëmbajtjen e higjienës personale të tyre dhe nuk kanë punësuar numrin e nevojshëm të kuadrit profesional në turne. Përveç kësaj, kanë pasur të punësuar persona pa dokumentacion pune të rregullt dhe nuk kanë siguruar katër vakte ditore me specifikime të qarta për ushqimet e shpërndara, siç kërkohej nga rregullat për funksionim dhe kushtet e përcaktuara nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve. Të gjitha parregullsitë janë konstatuar në procesverbalin e kontrollit të jashtëzakonshëm inspektues. Për shërbime që nuk i plotësonin standardet dhe kushtet ligjore, ato u kishin marrë shuma të konsiderueshme parash banorëve dhe familjarëve të tyre, duke përfituar çdo muaj rreth 2.232.000 denarë nga të dy objektet. Gjatë kontrolleve në të dy institucionet – njëra në rrugën “Rudo” në Butel dhe tjetra në rrugën “Kozara” në qendër të Shkupit – është konstatuar se të dyja të dyshuarat, në cilësinë e personave përgjegjës, kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj banorëve, duke u shkaktuar atyre dhimbje fizike dhe vuajtje mendore, dhe i kanë ekspozuar ndaj trajtimit të ashpër, çnjerëzor dhe poshtërues”, thonë nga MPB.

Sipas MPB-së, e akuzuara e parë kishte strehuar 27 persona të moshuar në shtëpinë në Butel, por kishte leje vetëm për 21, ndërsa bashkë me të akuzuarën e dytë, në objektin në Qendrës kishin strehuar 33 persona, ndonëse leja ishte për 17.

“Në kundërshtim me të gjitha rregullat, në dhomat kishin strehuar bashkë burra dhe gra. Nuk kishte shtretër të mjaftueshëm për të gjithë, ndaj disa persona flinin në divane në dhomën e ditës ose nga dy veta në një shtrat të vetëm. Banorëve u shërbeheshin ushqime me produkte me afat të skaduar, për të cilat janë marrë mostra ushqimi dhe materiale që vijnë në kontakt me ushqimin Disa banorë ishin mbyllur në dhoma të veçanta, ndërsa të tjerëve u jepej terapi me barna që nuk ishin përshkruar nga mjeku”, shtojnë nga MPB.

Nga Prokuroria Themelore thonë se prokurori publik ka dorëzuar tek gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarave për trajtim jo-human, të ashpër, degradues, çnjerëzor dhe poshtërues ndaj personave të moshuar, për të cilët familjet kishin paguar për shërbime jashtë familjes. Propozimi është pranuar dhe ndaj të dyshuarave është caktuar masa e paraburgimit.

Katër të vdekur pas shembjes së së një ndërtese që po rinovohej në Madrid

0

Katër persona kanë humbur jetën pasi një ndërtesë në rikonstruksion u shemb në qendër të Madridit, raportoi transmetuesi shtetëror RTVE, duke cituar shërbimet e emergjencës, të cilat konfirmuan se të gjithë trupat janë gjetur, përcjell DPA.

“Sipas kryebashkiakut të qytetit, Hoze Martinez Almeida, dy trupa u gjetën nën rrënoja mbrëmë vonë, rreth 10 orë pas aksidentit, ndërsa dy të tjerë u nxorën pak para orës 3 të mëngjesit”, raportoi RTVE.

Fillimisht u raportuan të zhdukur katër persona — tre burra dhe një grua — ku kjo e fundit ishte arkitektja kryesore e projektit të rikonstruksionit.

Autoritetet njoftuan gjithashtu se tre punëtorë u plagosën gjatë shembjes së ndërtesës: dy prej tyre lehtë, ndërsa një tjetër pësoi thyerje të këmbës.

Ndërtesa gjashtëkatëshe u shemb pjesërisht të mërkurën, pranë Plaza de Isabel II, e njohur ndryshe si Plaza de Ópera. Ajo ishte në proces rinovimi prej disa kohësh, raporton DPA.

“Sipas zëdhënëses së shërbimeve të emergjencës së Madridit, Beatris Martin, disa struktura të tavanit të ndërtesës në rikonstruksion u shembën, por është ende herët për të spekuluar mbi shkaqet e aksidentit.”

Dëshmitarët raportuan një shpërthim të fortë të ndjekur nga një re e dendur pluhuri.

“Papritmas nuk mund të shihje asgjë,” tha për RTVE Hoze, një punëtor në një bar aty pranë.

“Tingëllonte si një bombë, të gjithë u frikësuam shumë,” shtoi Bojana, një punonjëse në një furrë buke afër vendit të ngjarjes.

Në vendngjarje u angazhuan 16 njësi të brigadës së zjarrfikësve të Madridit, të cilat punuan për të siguruar rrënojat, për të parandaluar shembje të tjera dhe për të kërkuar persona të bllokuar. U përdorën gjithashtu qen kërkimi dhe dronë, ndërsa zona u rrethua plotësisht nga shërbimet e emergjencës.

Sipas RTVE, ndërtesa — që më parë strehonte zyra — kishte marrë miratim për t’u shndërruar në objekt akomodimi turistik. Qyteti e kishte lëshuar licencën për përdorimin e ri në shkurt të këtij viti, raportoi transmetuesi, duke cituar DPA.

Izraeli ndalon edhe disa anije të tjera me ndihma për Gazën

0

Disa anije të tjera, që po përpiqeshin të dërgonin ndihma në Gazën e rrënuar nga lufta, janë ndaluar nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare të mërkurën, njoftoi koalicioni Flotila e Lirisë.

Kjo është hera e dytë që Izraeli ndalon anije të tilla brenda kësaj jave.

Koalicioni Flotila e Lirisë (FFC) është rrjet ndërkombëtar i grupeve aktiviste propalestineze që organizon misione detare civile, me qëllim për ta thyer bllokadën e Izraelit ndaj Gazës dhe për të dërguar ndihma humanitare për palestinezët në enklavë.

Ministria e Jashtme e Izraelit tha në X se anijet dhe udhëtarët e tyre janë të sigurt dhe se ata janë dërguar në një port izraelit, nga ku pritet të dëbohen menjëherë.

“Një tjetër përpjekje e kotë për ta shkelur bllokadën detare ligjore dhe për të hyrë në një zonë lufte, përfundoi pa rezultat”, tha Ministria izraelite.

Ky është incidenti i dytë i këtij lloji në ditët e fundit, pasi Izraeli kishte ndaluar rreth 40 anije dhe kishte arrestuar më shumë se 450 aktivistë në një tjetër konvoj ndihmash, Global Sumud Flotilla, i cili gjithashtu po përpiqej të dërgonte ndihma në Gazë.

FFC-ja tha se forcat izraelite “kanë rrëmbyer flotën humanitare”, duke shtuar se “anijet janë ndaluar në mënyrë të paligjshme… Pjesëmarrësit – humanitarë, mjekë dhe gazetarë nga e gjithë bota – janë marrë kundër vullnetit të tyre dhe po mbahen në kushte të panjohura”.

“Forcat ushtarake izraelite nuk kanë juridiksion ligjor mbi ujërat ndërkombëtare”, shtoi koalicioni.

“Flotilja jonë nuk paraqet asnjë rrezik”, tha ai.

Anijet bartnin ndihma me vlerë mbi 110.000 dollarë. Ndihmat përfshinin ilaçe, pajisje respiratore dhe furnizime ushqyese të destinuara për spitalet e Gazës, shtoi FFC në llogarinë e vet në Instagram.

Putin me dekret të ri, godet kompanitë perëndimore

0

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e nënshkroi një dekret javën e kaluar, i cili duket se synon asetet e kompanive të huaja që vazhdojnë të operojnë në Rusi dhe që ende nuk janë sekuestruar nga Qeveria ruse.

Dekreti kërkon përshpejtimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore për të siguruar kapacitetin e mbrojtjes së vendit, por i referohet drejtpërdrejt “veprimeve armiqësore” të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera e organizatave të lidhura me to, të cilat synojnë të vendosin “masa kufizuese kundër qytetarëve të Federatës Ruse dhe subjekteve juridike ruse”.

Gjithashtu ky dekret përcakton një procedurë të veçantë për regjistrimin, shitjen dhe transferimin e aseteve, përfshirë edhe një afat të përshpejtuar, dhe e emëron bankën PSB (më parë e njohur si Promsvyazbank) si organizatoren e vetme të shitjeve të pronave.

Putini e nënshkroi këtë dekret si përgjigje ndaj shqyrtimit nga BE-ja të një skeme për t’i dhënë Ukrainës miliarda dollarë në formë huaje, bazuar në asetet e ngrira ruse në BE, të cilat janë bllokuar qëkurse Moska e nisi pushtimin e Ukrainës në fillim të vitit 2022.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përmendi idenë e një “huaje dëmshpërblimi” në Parlamentin Evropian në fillim të shtatorit.

Meqë Shtetet e Bashkuara kanë lënë të kuptohet se mund të mos jenë të gatshme ta financojnë Ukrainën për kohë të gjatë për nevojat e saj për t’u mbrojtur, Bashkimi Evropian po shqyrton mënyra të ndryshme për ta mbuluar një pjesë më të madhe të kostove në vitet 2026 dhe 2027, duke hamendësuar se lufta do të vazhdojë.

Von der Leyen i dha argumentet e saj para liderëve të BE-së, të cilët u takuan me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në një samit joformal në Kopenhagë, më 1 tetor, për të diskutuar për Ukrainën.

Ministrat e Financave të BE-së pritet të shqyrtojnë më shumë hollësi rreth këtij plani kur të mblidhen në Luksemburg javën e ardhshme.

Edhe pse ende nuk janë përcaktuar të gjitha mekanizmat e huas, disa elemente tashmë janë të qarta.

Asetet ruse – të ngrira që prej pushtimit të plotë në vitin 2022 – do të përdoren për lëshimin e obligacioneve. Të ardhurat nga këto obligacione do të përdoren për rindërtimin e Ukrainës në formën e një huaje dëmshpërblimi.

Ukraina do të ishte e detyruar t’i kthente paratë vetëm pasi Rusia t’i ketë paguar dëmet e luftës, sipas një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ukraina do t’ia ripaguante BE-së huan e dëmshpërblimeve për t’i ripaguar mbajtësit e obligacioneve, dhe më pas asetet do të zhbllokoheshin. Nëse kjo skemë zbatohet, Ukraina mund t’i marrë 170 deri në 180 miliardë euro në këste gjatë viteve 2026 dhe 2027, sipas një dokumenti diskutimi të përgatitur nga Komisioni për vendet anëtare të BE-së, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë (REL).

“Përgjigjja simetrike” e Kremlinit
Kremlini e ka quajtur nismën evropiane formë konfiskimi dhe ka kërcënuar me “përgjigje simetrike”.

Megjithatë, ekzistojnë dallime themelore midis planit të BE-së për huan e dëmshpërblimeve dhe konfiskimit të aseteve të kompanive evropiane që vazhdojnë të operojnë në Rusi, bashkë me privatizimin e menjëhershëm të tyre.

Derisa masa evropiane nuk përfshin asnjë shtetëzim të aseteve federale ruse, dekreti i Putinit duket se synon shtetëzimin e pronave të kompanive private.

Vlerësohet se rreth 800 kompani perëndimore evropiane vazhdojnë të operojnë në Rusi.

Disa prej tyre përmenden në dekret, përfshirë degën ruse të Raiffeisen Bank International të Austrisë, UniCredit të Italisë dhe prodhuesin gjerman të çokollatës Ritter Sport.

Rregullatorët evropianë e kanë nxitur bankën Raiffeisen që nga viti 2022 të largohet nga tregu rus, por ajo ka ngurruar të heqë dorë nga fitimet e mëdha që ka gëzuar deri vonë si një institucion financiar pothuajse monopolist, që mundëson dërgimin e pagesave nga Rusia në Evropë.

Ajo gjithashtu ka hezituar ta humbasë mundësinë për ta llogaritur degën e saj ruse si humbje.

Një shitje e iniciuar nga vetë banka është praktikisht e pamundur për shkak të kushteve që përcaktojnë mënyrën se si të huajt mund të shesin asetet e tyre në Rusi. Një dekret tjetër i nënshkruar nga Putini kërkon zbritje prej 50 për qind dhe një kontribut të detyrueshëm prej 10 për qind në buxhetin rus.

Prej nesër nis stabilizim i motit

0

Më shumë reshje të shiut deri në ora 8 janë regjistruar në Demir Kapi (nëntë litra në metër katror), ndërsa më pak në Pretor (një litër në metër katror), tregojnë të dhënat nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.

Për sot, sinoptikët paralajmërojnë mot me vranësira me reshje të kohëpaskohshme të shiut, të cilat nga fundi i ditës do të ndërpriten. Do të fryjë erë mesatare deri e përforcuar nga drejtimi verior, e cila lokalisht do të fryjë edhe me shpejtësi prej mbi 60 km/h.

Temperatura maksimale sot do të lëvizë në interval nga 8 deri në 16 gradë.

Në Shkup, mot i ngjashëm me erë të përforcuar veriore dhe temperaturë maksimale deri në 14 gradë Celsius.

Nga nesër pritet stabilizim i motit me erë të lehtë deri mesatare nga drejtimi verior dhe rritje e temperaturave ditore. 

Përfitimet shëndetësore nga konsumimi i kanellës në mbrëmje

0

Kanella është përdorur si erëz në kuzhinë dhe në mjekësinë tradicionale, por së fundi shkencëtarët po studiojnë efektet e saj kur konsumohet rregullisht në sasi të vogla.

E zakonshme është përzierja e një luge çaji kanellë në ujë të ngrohtë para gjumit. Edhe pse nuk është ndonjë “ilaç mrekullie”, studimet sugjerojnë se kjo mund të ndihmojë në balancimin e sheqerit në gjak, tretjen si dhe mirëqenien e përgjithshme.

Times of India ka shkruar gjashtë arsye të mbështetura nga studimet pse disa njerëz e kanë futur këtë ritual të thjeshtë në rutinën e tyre të natës

Mund të ndihmojë në stabilizimin e sheqerit në gjak

Një lugë çaji kanellë me ujë të ngrohtë nuk zëvendëson ilaçet, por shumë studime dhe analiza kanë treguar se kanella mund ta ulë nivelin e glukozës dhe ta përmirësojë mënyrën se si trupi e përdor sheqerin, veçanërisht te personat me para-diabet ose diabet të tipit 2. Efekti shihet kur kanella merret rregullisht, jo rastësisht.
(Burimi: “Journal of Medicinal Food”, “Annals of Family Medicine”)

Mund të ngadalësojë tretjen dhe të ulë rritjen e shpejtë të sheqerit në gjak pas ushqimit

Sipas studimeve, kanella mund të vonojë zbrazjen e stomakut pas ngrënies së vakteve të pasura me karbohidrate, duke ndihmuar kështu në shmangien e rritjeve të menjëhershme të sheqerit në gjak. Kur merret në darkë, ky mekanizëm mund të ndihmojë në mbajtjen më të qëndrueshme të nivelit të glukozës gjatë natës.
(Burimi: “American Journal of Clinical Nutrition”)

Ka efekt antioksidues dhe ul lehtë inflamacionin

Kanella është e pasur me polifenole, si cinnamaldehyde dhe acid cinnamic, që kanë veti antioksiduese dhe anti-inflamatore. Këto substanca ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit të lehtë kronik në organizëm, duke përmirësuar ndjesinë e përgjithshme të mirëqenies.
(Burimi: “Food & Function Journal”, “Phytotherapy Research”)

  1. Mund të ndihmojë në ekuilibrin e baktereve në gojë dhe zorrë

Studimet laboratorike kanë treguar se vajrat esencialë dhe ekstraktet e kanellës mund të ndalojnë rritjen e disa baktereve dhe kërpudhave të zakonshme, prandaj përdoret edhe si konservues ushqimor. Një lugë kanellë në ujë të ngrohtë para gjumit nuk është trajtim mjekësor, por mund të ndihmojë në mbajtjen e higjienës natyrale të gojës dhe tretjes.
(Burimi: “Frontiers in Microbiology”)

  1. Mund të mbështesë metabolizmin dhe kontrollin e peshës trupore (në afat të gjatë)

Hulumtimet në kafshë dhe qeliza tregojnë se përbërësit aktivë të kanellës mund të ndikojnë në mënyrën se si trupi ruan dhe djeg yndyrën, si dhe në hormonet e urisë. Studimet te njerëzit japin rezultate të përziera, por disa kanë treguar përmirësime të vogla në nivelet e yndyrave në gjak dhe në funksionimin e metabolizmit. Kjo ndodh me përdorim të rregullt dhe afatgjatë, jo menjëherë.
(Burimi: “Lipids in Health and Disease”, “Nutrition Research Reviews

SHBA-ja i dha 21.7 miliardë dollarë ndihmë ushtarake Izraelit për dy vjet luftë në Gazë

0

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në administratat Biden dhe Trump i kanë ofruar të paktën 21.7 miliardë ndihmë ushtarake Izraelit që nga fillimi i luftës në Gazë dy vjet më parë, thuhet në një studim akademik.

Një studim tjetër ka nxjerrë se gati 10 miliardë dollarë më shumë i ka shpenzuar SHBA-ja në ndihmë për siguri dhe operacione në Lindjen e Mesme në dy vjetët e fundit. Të dy studimet janë publikuar nën projektin “Kostot e Luftës” nga Universiteti Brown, raportoi AP.

Aktualisht, presidenti Donald Trump po bën presion që t’i jepet fund luftës në Gazë. Zyrtarët izraelitë dhe të Gazës kanë nisur bisedimet në Egjipt këtë javë pasi Hamasi pranoi disa nga elementet e planit të SHBA-së.

Raportet thonë se pa ndihmën amerikane, Izraeli nuk do të kishte qenë në gjendje ta vazhdonte fushatën ushtarake kundër Hamasit në Gazë.

Në to thuhet se SHBA-ja i ofroi Izraelit 17,9 miliardë dollarë në vitin e parë të luftës dhe 3.8 miliardë në vitin e dytë.

Vuçiq: S’kemi çfarë të diskutojmë më me SHBA-në për sanksionet ndaj NIS-it

0

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Beogradi do të diskutojë me Rusinë, e cila ka shumicën e pronësisë në Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS), lidhur me zgjidhjen e problemit të sanksioneve amerikane ndaj kësaj kompanie.

“Nuk kemi më çfarë të diskutojmë me amerikanët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur qëllimin e tyre dhe Evropa do të mbështesë sanksionet amerikane”, tha Vuçiq më 7 tetor në Beograd.

Sanksionet amerikane ndaj NIS-it hyjnë në fuqi më 8 tetor.

“Jam i sigurt se pas një kohe të shkurtër JANAF-i do të ndalojë furnizimin me naftë. Shpresoj që NIS-i të mos shkarkojë një numër të madh punonjësish”, shtoi Vuçiq.

Si problem tjetër, Vuçiq përmendi sistemin financiar-bankar, i cili, sipas tij, nuk do të negociojë me NIS-in gjatë kohës që kompania do të jetë nën embargo të SHBA-së.

Rrjeti i Naftës Adriatike (JANAF) është një tubacion nga Omishal në ishullin Krk të Kroacisë, përmes të cilit transportohet, ndër të tjera, nafta deri te rafineria në Pançevë për nevojat e NIS-it. Shumicën e aksioneve në këtë naftësjellës e ka shteti i Kroacisë.

Industrisë së Naftës së Serbisë. Pronësi i tij kryesor është shteti kroat.

Serbia ka rezerva të mjaftueshme nafte dhe derivatesh të naftës, njoftoi të martën Ministria e Minierave dhe Energjisë.

“Do të bëjmë gjithçka që sistemi energjetik të mos rrezikohet sa i përket furnizimit të konsumatorëve dhe industrisë”, tha kjo ministri.

Katër ditë më parë, NIS-i dorëzoi në administratën amerikane në Uashington një kërkesë të re për shtyrjen e zbatimit të sanksioneve.

Që nga paralajmërimi për sanksione ndaj NIS-it në fund të vitit të kaluar e deri më tash, sanksionet ndaj kompanisë janë shtyrë gjatë herë, nga një muaj secilën herë, dhe më pas në fund të shtatorit u shtyn për dhjetë ditë të tjera.

Shtetet e Bashkuara e futën NIS-in në listën e sanksioneve në janar, me qëllim, siç njoftoi, Uashingtoni parandalimin e financimit të luftës në Ukrainë përmes parave që vijnë nga kompanitë ruse të energjisë.

Që nga futja në listë të sanksioneve, struktura e pronësisë së NIS-it ka ndryshuar disa herë, por pjesa e saj më e madhe është ende në pronësi të kompanive ruse.

Kompania shtetërore ruse, Gazprom, është larguar prej NIS-it në shtator dhe një tjetër kompani e kontrolluar nga Gazpromi – Inteligjenca prej Shën Petersburgut – është bërë njëra prej pronareve kryesore, me 11.3 për qind të aksioneve.

Pjesën më të madhe të aksioneve në NIS e ka Gazprom Neft, nëndegë e Gazpromit, diku rreth 44.9 për qind, ndërsa shteti i Serbisë i zotëron 29.9 për qind të aksioneve.

Pjesën tjetër të aksioneve në kompani e kanë hisedarë më të vegjël./REL