Prej nesër nis stabilizim i motit

0

Më shumë reshje të shiut deri në ora 8 janë regjistruar në Demir Kapi (nëntë litra në metër katror), ndërsa më pak në Pretor (një litër në metër katror), tregojnë të dhënat nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.

Për sot, sinoptikët paralajmërojnë mot me vranësira me reshje të kohëpaskohshme të shiut, të cilat nga fundi i ditës do të ndërpriten. Do të fryjë erë mesatare deri e përforcuar nga drejtimi verior, e cila lokalisht do të fryjë edhe me shpejtësi prej mbi 60 km/h.

Temperatura maksimale sot do të lëvizë në interval nga 8 deri në 16 gradë.

Në Shkup, mot i ngjashëm me erë të përforcuar veriore dhe temperaturë maksimale deri në 14 gradë Celsius.

Nga nesër pritet stabilizim i motit me erë të lehtë deri mesatare nga drejtimi verior dhe rritje e temperaturave ditore. 

Përfitimet shëndetësore nga konsumimi i kanellës në mbrëmje

0

Kanella është përdorur si erëz në kuzhinë dhe në mjekësinë tradicionale, por së fundi shkencëtarët po studiojnë efektet e saj kur konsumohet rregullisht në sasi të vogla.

E zakonshme është përzierja e një luge çaji kanellë në ujë të ngrohtë para gjumit. Edhe pse nuk është ndonjë “ilaç mrekullie”, studimet sugjerojnë se kjo mund të ndihmojë në balancimin e sheqerit në gjak, tretjen si dhe mirëqenien e përgjithshme.

Times of India ka shkruar gjashtë arsye të mbështetura nga studimet pse disa njerëz e kanë futur këtë ritual të thjeshtë në rutinën e tyre të natës

Mund të ndihmojë në stabilizimin e sheqerit në gjak

Një lugë çaji kanellë me ujë të ngrohtë nuk zëvendëson ilaçet, por shumë studime dhe analiza kanë treguar se kanella mund ta ulë nivelin e glukozës dhe ta përmirësojë mënyrën se si trupi e përdor sheqerin, veçanërisht te personat me para-diabet ose diabet të tipit 2. Efekti shihet kur kanella merret rregullisht, jo rastësisht.
(Burimi: “Journal of Medicinal Food”, “Annals of Family Medicine”)

Mund të ngadalësojë tretjen dhe të ulë rritjen e shpejtë të sheqerit në gjak pas ushqimit

Sipas studimeve, kanella mund të vonojë zbrazjen e stomakut pas ngrënies së vakteve të pasura me karbohidrate, duke ndihmuar kështu në shmangien e rritjeve të menjëhershme të sheqerit në gjak. Kur merret në darkë, ky mekanizëm mund të ndihmojë në mbajtjen më të qëndrueshme të nivelit të glukozës gjatë natës.
(Burimi: “American Journal of Clinical Nutrition”)

Ka efekt antioksidues dhe ul lehtë inflamacionin

Kanella është e pasur me polifenole, si cinnamaldehyde dhe acid cinnamic, që kanë veti antioksiduese dhe anti-inflamatore. Këto substanca ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit të lehtë kronik në organizëm, duke përmirësuar ndjesinë e përgjithshme të mirëqenies.
(Burimi: “Food & Function Journal”, “Phytotherapy Research”)

  1. Mund të ndihmojë në ekuilibrin e baktereve në gojë dhe zorrë

Studimet laboratorike kanë treguar se vajrat esencialë dhe ekstraktet e kanellës mund të ndalojnë rritjen e disa baktereve dhe kërpudhave të zakonshme, prandaj përdoret edhe si konservues ushqimor. Një lugë kanellë në ujë të ngrohtë para gjumit nuk është trajtim mjekësor, por mund të ndihmojë në mbajtjen e higjienës natyrale të gojës dhe tretjes.
(Burimi: “Frontiers in Microbiology”)

  1. Mund të mbështesë metabolizmin dhe kontrollin e peshës trupore (në afat të gjatë)

Hulumtimet në kafshë dhe qeliza tregojnë se përbërësit aktivë të kanellës mund të ndikojnë në mënyrën se si trupi ruan dhe djeg yndyrën, si dhe në hormonet e urisë. Studimet te njerëzit japin rezultate të përziera, por disa kanë treguar përmirësime të vogla në nivelet e yndyrave në gjak dhe në funksionimin e metabolizmit. Kjo ndodh me përdorim të rregullt dhe afatgjatë, jo menjëherë.
(Burimi: “Lipids in Health and Disease”, “Nutrition Research Reviews

SHBA-ja i dha 21.7 miliardë dollarë ndihmë ushtarake Izraelit për dy vjet luftë në Gazë

0

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në administratat Biden dhe Trump i kanë ofruar të paktën 21.7 miliardë ndihmë ushtarake Izraelit që nga fillimi i luftës në Gazë dy vjet më parë, thuhet në një studim akademik.

Një studim tjetër ka nxjerrë se gati 10 miliardë dollarë më shumë i ka shpenzuar SHBA-ja në ndihmë për siguri dhe operacione në Lindjen e Mesme në dy vjetët e fundit. Të dy studimet janë publikuar nën projektin “Kostot e Luftës” nga Universiteti Brown, raportoi AP.

Aktualisht, presidenti Donald Trump po bën presion që t’i jepet fund luftës në Gazë. Zyrtarët izraelitë dhe të Gazës kanë nisur bisedimet në Egjipt këtë javë pasi Hamasi pranoi disa nga elementet e planit të SHBA-së.

Raportet thonë se pa ndihmën amerikane, Izraeli nuk do të kishte qenë në gjendje ta vazhdonte fushatën ushtarake kundër Hamasit në Gazë.

Në to thuhet se SHBA-ja i ofroi Izraelit 17,9 miliardë dollarë në vitin e parë të luftës dhe 3.8 miliardë në vitin e dytë.

Vuçiq: S’kemi çfarë të diskutojmë më me SHBA-në për sanksionet ndaj NIS-it

0

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Beogradi do të diskutojë me Rusinë, e cila ka shumicën e pronësisë në Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS), lidhur me zgjidhjen e problemit të sanksioneve amerikane ndaj kësaj kompanie.

“Nuk kemi më çfarë të diskutojmë me amerikanët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur qëllimin e tyre dhe Evropa do të mbështesë sanksionet amerikane”, tha Vuçiq më 7 tetor në Beograd.

Sanksionet amerikane ndaj NIS-it hyjnë në fuqi më 8 tetor.

“Jam i sigurt se pas një kohe të shkurtër JANAF-i do të ndalojë furnizimin me naftë. Shpresoj që NIS-i të mos shkarkojë një numër të madh punonjësish”, shtoi Vuçiq.

Si problem tjetër, Vuçiq përmendi sistemin financiar-bankar, i cili, sipas tij, nuk do të negociojë me NIS-in gjatë kohës që kompania do të jetë nën embargo të SHBA-së.

Rrjeti i Naftës Adriatike (JANAF) është një tubacion nga Omishal në ishullin Krk të Kroacisë, përmes të cilit transportohet, ndër të tjera, nafta deri te rafineria në Pançevë për nevojat e NIS-it. Shumicën e aksioneve në këtë naftësjellës e ka shteti i Kroacisë.

Industrisë së Naftës së Serbisë. Pronësi i tij kryesor është shteti kroat.

Serbia ka rezerva të mjaftueshme nafte dhe derivatesh të naftës, njoftoi të martën Ministria e Minierave dhe Energjisë.

“Do të bëjmë gjithçka që sistemi energjetik të mos rrezikohet sa i përket furnizimit të konsumatorëve dhe industrisë”, tha kjo ministri.

Katër ditë më parë, NIS-i dorëzoi në administratën amerikane në Uashington një kërkesë të re për shtyrjen e zbatimit të sanksioneve.

Që nga paralajmërimi për sanksione ndaj NIS-it në fund të vitit të kaluar e deri më tash, sanksionet ndaj kompanisë janë shtyrë gjatë herë, nga një muaj secilën herë, dhe më pas në fund të shtatorit u shtyn për dhjetë ditë të tjera.

Shtetet e Bashkuara e futën NIS-in në listën e sanksioneve në janar, me qëllim, siç njoftoi, Uashingtoni parandalimin e financimit të luftës në Ukrainë përmes parave që vijnë nga kompanitë ruse të energjisë.

Që nga futja në listë të sanksioneve, struktura e pronësisë së NIS-it ka ndryshuar disa herë, por pjesa e saj më e madhe është ende në pronësi të kompanive ruse.

Kompania shtetërore ruse, Gazprom, është larguar prej NIS-it në shtator dhe një tjetër kompani e kontrolluar nga Gazpromi – Inteligjenca prej Shën Petersburgut – është bërë njëra prej pronareve kryesore, me 11.3 për qind të aksioneve.

Pjesën më të madhe të aksioneve në NIS e ka Gazprom Neft, nëndegë e Gazpromit, diku rreth 44.9 për qind, ndërsa shteti i Serbisë i zotëron 29.9 për qind të aksioneve.

Pjesën tjetër të aksioneve në kompani e kanë hisedarë më të vegjël./REL

63-vjeçarja kroate bie pre e mashtrimit! Bleu dy vetura online në vlerë 23 mijë euro që nuk i mori asnjëherë

0

Policia e qarkut Osijek-Baranja në Kroaci është në kërkim të një mashtruesi që ka dëmtuar një grua 63-vjeçare me më shumë se 23 mijë euro, gjatë një tentative për të blerë vetura online.

Sipas raportit të policisë, më 8 shtator, gruaja kishte rënë dakord me një person të panjohur për blerjen e dy veturave jashtë vendit, dhe kishte bërë pagesën prej 23,600 eurosh përmes bankës me kartelë, shkruan “Jutarnji”. 

Megjithatë, veturat nuk iu dorëzuan dhe as paratë nuk iu kthyen, ndërsa policia ka nisur hetimet për identifikimin e autorit të mashtrimit.

Autoritetet kroate u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos fusin të dhënat e kartelave bankare në faqe apo aplikacione të dyshimta, duke paralajmëruar se rastet e mashtrimeve në internet po shtohen ndjeshëm.

Ekspertët theksojnë se blerja e veturave online, edhe pse është bërë një trend global për shkak të komoditetit, mbart rreziqe serioze për mashtrime dhe humbje financiare.

Siria njofton për “armëpushim gjithëpërfshirës” me kurdët

0

Siria ka njoftuar se ka arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse armëpushimi me forcat kurde, pas një takimi më 7 tetor mes presidentit të përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, dhe udhëheqësit kurd, Mazloum Abdi.

Takimi u zhvillua pas përplasjeve vdekjeprurëse në qytetin verior të Alepos.

Autoritetet në Siri, që morën pushtetin vitin e kaluar pasi rrëzuan nga pushtetin sundimtarin Bashar al-Assad, kanë refuzuar kërkesat e kurdëve për një qeveri të decentralizuar që do t’u jepnin atyre më shumë autonomi.

Kjo çështje rriti tensionet me administratën kurde që kontrollon pjesë në veri dhe veriperëndim të Sirisë, ndërsa dallimet mes dy palëve kanë penguar zbatimin e një marrëveshjeje të arritur më 10 mars për integrimin e institucioneve civile dhe ushtarake kurde në shtet.

Përmes një deklarate të publikuar në X, ministri sirian i Mbrojtjes, Murhaf Abu Qasra, tha se është takuar në Damask me Abdin, kreun e Forcave Demokratike Siriane (SDF), që udhëhiqen nga kurdët dhe mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.

“Jemi pajtuar për një armëpushim gjithëpërfshirës në të gjitha frontet, si dhe për pikat për dislokimin e forcave ushtarake në veri dhe verilindje të Sirisë”, tha Qasra, duke shtuar se zbatimi i marrëveshjes do të nisë menjëherë.

Më pas, Sharaa u takua me Abidin, për herë të parë që nga korriku, kur të dy kishin diskutuar për “çështjet e sigurisë të lidhura me marrëveshjen e 10 marsit”, tha një burim për AFP-në.

Sipas burimit, i dërguari amerikan për Sirinë, Tom Barrack, dhe admirali i Komandës Qendrore të Ushtrisë amerikane, Brad Cooper, ishin të pranishëm në takim.

Një ditë më parë, Barrack shkroi në X se ai dhe Cooper kishin vizituar Sirinë verilindore për “bisedime thelbësore” me Abdin.

Ndërkaq, më herët gjatë të martës, Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut – që monitoron situatën në Siri – dhe media shtetërore raportuan se luftimet janë ndalur në Alepo.

Të hënën në Alepo të paktën një pjesëtar i forcave të sigurisë të Sirisë dhe një civil u vranë. Për sulmet në Alepo u fajësuan forcat kurdë.

Autoritetet e reja islamiste në Siri kanë qeverisur me qytetin Alepo që nga rrëzimi i Assadit në dhjetor. Por, disa lagje të qytetit janë nën kontrollin e kurdëve, pavarësisht se SDF zyrtarisht u tërhoq nga qyteti në prill pas një marrëveshjeje të arritur me ekzekutivin.

Kurdët, të cilët krijuan administratën e tyre gjysmë-autonome gjatë kaosit të luftës civile gjatë sundimit të Assadit, vazhdimisht kanë kërkuar decentralizim, kërkesë që autoritetet e reja të Damaskut e kanë refuzuar.

Ata po ashtu kanë kritikuar Kushtetutën e përkohshme të Sirisë, duke e cilësuar se ajo nuk pasqyron diversitetin e vendit, ndërkohë që provincat nën kontrollin kurd, Raka dhe Hasake, u përjashtuan nga votimi që u zhvillua gjatë fundjavës për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Parlamentit të ri sirian.

Ekstradohet të mërkurën nga Dubai në Shqipëri reperi Kleviol Ahmeti

0

Ditën e mërkurë pritet të ekstradohet nga Dubai në Shqipëri reperi Kleviol Ahmeti, i njohur me pseudonimin “Cllevio”.

Kleviol Ahmeti është ndaluar rreth 3 muaj më parë Emiratet e Bashkuara Arabe.

Trampi beson se do të arrihet marrëveshje paqësore për Rripin e Gazës

0

Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp sot deklaroi se është optimist për arritjen e marrëveshjes paqësore në Rripin e Gazës. 

Ai në brifing me gazetarët theksoi: 

“Mendoj se ka mundësi të kemi paqe në Lindjen e Mesme, jo vetëm në Gazë”, theksoi Trampi. 

Enis Bardhi bëhet baba

0

Futbollisti shqiptar nga Shkupi, që luan për ekipin turk Konyasport, Enis Bardhi është bërë baba për herë të parë, njofton TV21.

Lajmin e ka bërë të ditur ekipi, i cili ka zbuluar se futbollisti do të ketë një vajzë të cilën e ka emëruar me emrin Aja.

“Futbollisti ynë Enis Bardhi dhe bashkëshortja e tij e çmuar Festina sollën në jetë vajzën e tyre, të cilën e quajtën Aya. I urojmë familjes Bardhi përzemërsisht dhe i dëshirojmë vogëlushes Aya një jetë të lumtur dhe të shëndetshme”, shkruhet në njoftimin e ekipit.

Jetë të gjatë dhe me shëndet!

Ademi: 80% e fëmijëve nuk kanë transport nga shtëpia deri te shkolla! Limani: Komuna do ta merr përsipër organizimin dhe financimin e transportit të nxënësve

0

“Shkollat tona janë në kushte mizore”, kështu tha Visar Ademi, kandidat për komunën e Gostivarit, ndërkohë që shpalosi programin për arsimin. Ademi tha se do të përmirësohen kushtet në shkolla, që siç tha, janë mesjetare. Tutje, Ademi tha se do të vendosen panele solare, që energjia të mund të shitet, mënyrë kjo që sipas tij, do të gjenerohen të ardhura, ndërkohë që tha se do të sigurohet transport për nxënësit.

“Në çdo shkollë, do të vendosim panele solare që ata të gjenerojnë energji elektrike dhe t’ua shesim shtëpive përreth ose bizneseve që të mund të gjenerojmë të hyra dhe me ato të hyra të investojmë në riparimin, pajisjen e kabineteve apo klasave me pajisje moderne. 8 vite me radhe nuk ka transport të organizuar të nxënësve nga shtëpia deri te shkolla dhe kjo është barrë e madhe financiare për prindërit dhe joproduktivitet se pse ai duhet ta lë vendin e punës për ta çuar fëmijën në shkollë”, tha Ademi.

Iu kundërpërgjigj Valbon Limani, që siç tha, në 5 shkolla janë vendosur fotovoltaik dhe kjo nismë do të vazhdojë edhe në shkollat e tjera.

“Sa i përket transportit publik, gjithmonë ka pasur në komunën e Gostivarit, është evidente. Punojmë në një projekt, që komuna do të mundohet që të krijojë një lloj transporti enkas për nxënësit, por gjithsesi mund të përdoret edhe në dy akse kryesore në qytet, falas për qytetarët”, tha Limani