Presidentja e Kosovës bisedoi me komandantin e ri të KFOR-it për “kërcënimet me dronë” nga Serbia

0

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar gjatë një takimi të mërkurën me komandantin e ri të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë se vendi i saj po përballet me “kërcënime me dronë” nga Serbia.

Në takim me gjeneralmajorin turk Ozkan Ulutash, i cili u riemërua komandant i KFOR-it javën e kaluar, Osmani bisedoi për zhvillimet në fushën e sigurisë, tha Presidenca e Kosovës.

“Duke diskutuar për zhvillimet në fushën e sigurisë, si dhe kërcënimet që vijnë nga Serbia, përfshirë kërcënimet me fokus të veçantë te përdorimi i dronëve, presidentja potencoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të KFOR-it me institucionet tona të sigurisë me qëllim të parandalimit të taktikave destabilizuese të Serbisë”, thuhet në njoftim.

Zyrtarë të Kosovës thanë në fund të shtatorit se hapësira ajrore e Kosovës ishte shkelur nga dronë të dyshuar serbë.

Por, as ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, e as drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, nuk kishin dhënë hollësi rreth këtyre pretendimeve, apo kur kishin ndodhur këto shkelje të dyshuara me dronë.

KFOR-i, në anën tjetër, i tha Radios Evropa e Lirë më 26 shtator se nuk kishte vërejtur ndonjë hyrje të dronëve nga jashtë në hapësirën ajrore të Kosovës që mund të ndikonin në sigurinë e gjithë vendit.

Misioni paqeruajtës i NATO-s gjithashtu shtoi se “nuk donte të spekulonte mbi raportimet për fluturimin e dronëve të paautorizuar mbi hapësirën e Kosovës”.

Osmani u ankua për “kërcënime të vazhdueshme” nga Serbia edhe në një takim me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admiralin Stuart B. Munsch, javën e kaluar.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.

Misioni i NATO-s, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i hodhi poshtë pretendimet e Osmanit, duke thënë se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po “përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës” për t’i bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s t’ia mbajnë anën Prishtinës.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta veçanërisht nga fundi i vitit 2023, kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh të armatosur në veriun e banuar me shumicë serbe.

Një polic kosovar dhe tre sulmues serbë u vranë në atë sulm në fshatin Banjskë të Zveçanit, dhe përgjegjësinë për të e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe.

Kosova e cilësoi sulmin terrorist dhe e fajësoi Serbinë, por Beogradi e ka mohuar të ketë pasur gisht.

NATO-ja e shtoi praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, dhe tani ka 4.649 paqeruajtës nga 33 shtete.

Shtetet me më së shumti miliarderë në Evropë

0

Pabarazia në pasuri është një çështje shqetësuese që prek shumë vende në botë, përfshirë edhe Evropën.

Në shumicën e vendeve evropiane, vetëm 1% e popullsisë më të pasur zotëron të paktën 20% të pasurisë totale, dhe në disa vende kjo përqindje arrin të kalojë 25%, sipas të dhënave nga “Our World in Data”.

Kjo tregon se pasuria është shumë e përqendruar tek një pakicë e vogël njerëzish, ndërsa shumica tjetër ka akses shumë të kufizuar ndaj burimeve ekonomike.

Në Evropë, shumë vende kanë numër të konsiderueshëm miliarderësh, dhe kjo tregon përqendrimin e jashtëzakonshëm të pasurisë tek individë të caktuar.

Por cilat janë vendet evropiane me më shumë miliarderë dhe sa pasuri zotërojnë ata?

Euronews shkruan se sipas listës së Forbes për vitin 2025, numri total i miliarderëve në botë është mbi 3,000, me një pasuri neto prej rreth 16.1 trilionë dollarësh.

Megjithatë, kjo pasuri është shumë e përqendruar në disa vende kryesore: SHBA-ja, Kina dhe India mbajnë më shumë se gjysmën e miliarderëve dhe pasurisë së tyre.

Në kontekstin evropian, Gjermania kryeson listën me 171 miliarderë, me një pasuri totale neto prej rreth 676.4 miliardë eurosh.

Ky është numri më i madh i miliarderëve në Evropë, duke e bërë Gjermaninë një qendër kryesore të pasurisë së madhe.

Miliarderi më i pasur gjerman është Dieter Schwarz, me një pasuri prej 35 miliardë eurosh, i cili renditet i 37-ti në botë.

Pas Gjermanisë vjen Italia, me 74 miliarderë që zotërojnë një pasuri të kombinuar prej 289 miliardë eurosh.

Personi më i pasur i Italisë është Giovanni Ferrero, me 32.6 miliardë euro pasuri, i renditur i 41-ti në botë.

Në vendin e tretë qëndron Mbretëria e Bashkuar, me 55 miliarderë dhe një pasuri të kombinuar prej 203 miliardë eurosh.

Miliarderi më i pasur britanik është Michael Platt, me 14 miliardë paund (rreth 16 miliardë euro), duke zënë vendin e 106-të në renditjen globale.

Franca është në vendin e katërt me 52 miliarderë, ku më i pasuri është Bernard Arnault, kreu i perandorisë së luksit LVMH.

Ai zotëron pasuri prej 152 miliardë eurosh, duke u renditur i pesti më i pasur në botë në vitin 2025.

Arnault është gjithashtu një figurë qendrore në debatet mbi taksën mbi pasurinë në Francë, të cilën ai e kundërshton fuqimisht.

Përveç këtyre vendeve kryesore, Suedia dhe Zvicra gjithashtu kanë numër të konsiderueshëm miliarderësh, me përkatësisht 45 dhe 42.

Stefan Persson është miliarderi më i pasur suedez me 15.9 miliardë euro, ndërsa në Zvicër, Gianluigi Aponte dhe Rafaela Aponte-Diamant ndajnë vendin e parë me 32.2 miliardë euro secili.

Ndër vendet e mëdha evropiane, Spanja ka numrin më të vogël të miliarderëve — vetëm 34, duke u renditur e 7-ta në Evropë.

Miliarderi më i pasur spanjoll është Amancio Ortega, me pasuri neto prej 106 miliardë eurosh, që e bën atë të 9-tin më të pasur në botë.

Turqia, që ka një ekonomi në rritje, ka gjithashtu 32 miliarderë, ndërsa vendet e tjera si Norvegjia, Greqia, Holanda, Irlanda, Belgjika, Çekia, Polonia, Qiproja dhe disa të tjera kanë numër më të vogël miliarderësh, që varion nga 1 deri në 17.

Përqendrimi i miliarderëve në vendet më të zhvilluara të Evropës Perëndimore dhe Veriore thekson një hendek ekonomik midis rajoneve.

Vendet e Evropës Lindore kanë shumë më pak miliarderë, një tregues i zhvillimit ekonomik më të ngadaltë dhe të pabarazisë së pasurisë në kontinent.

Një nga arsyet kryesore që shpjegon këtë hendek është madhësia ekonomike e vendeve. Katër vendet kryesore evropiane në numrin e miliarderëve – Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca – janë edhe ekonomitë më të mëdha të kontinentit.

Po ashtu, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar shquhen si qendra financiare me ndikim të madh global.

Sipas kësaj liste Shqipëria renditet pranë Kroacisë, Luksemburgut dhe Portugalisë që kanë përkatësisht nga një miliarder.

Në fund, raporte të ndryshme si ai i Forbes dhe ai i UBS-së ofrojnë shifra disi të ndryshme për numrin e miliarderëve, për shkak të metodologjive të ndryshme dhe periudhave të analizës, por të gjitha tregojnë të njëjtën tendencë: pasuria është shumë e përqendruar tek një grup i vogël individësh dhe është e lidhur ngushtë me fuqinë ekonomike të vendeve.

Cristiano Ronaldo bëhet futbollisti i parë miliarder

0

Cristiano Ronaldo, ish-sulmuesi i Real Madrid, Manchester United, Juventus dhe sot lojtar i Al Nassr, është bërë futbollisti i parë miliarder, sipas “Bloomberg”, që e vlerëson pasurinë e tij në 1.4 miliardë dollarë (rreth 1.2 miliardë euro).

Për një kohë të gjatë, ai dhe Lionel Messi, me të cilin Ronaldo garoi për titullin e lojtarit më të mirë, morën afërsisht të njëjtat paga. Por në vitin 2023, të ardhurat e tyre ndryshuan ndjeshëm me transferimin e Ronaldos në Gjirin Persik dhe të Messit në klubin e MLS Inter Miami. Megjithatë, argjentinasi synon të blejë një aksion në klubin amerikan pas përfundimit të karrierës së tij, gjë që mund ta vendosë përsëri në të njëjtin nivel me rivalin e tij të hershëm.

PASURIA E RONALDOS

Rritja e pasurisë së 40-vjeçarit lidhet me kontratën e re me Al Nassr, firmosur në qershor 2025, që i ka sjellë mbi 400 milionë dollarë. Nga viti 2002 deri më 2023, Ronaldo ka fituar mbi 550 milionë dollarë vetëm nga pagat. Ai ka gjithashtu marrëveshje fitimprurëse me Nike, Armani dhe Castrol, që i shtojnë rreth 175 milionë dollarë të tjera në pasuri. Kontrata me Nike i garanton 18 milionë dollarë në vit, ndërsa transferimi tek Al Nassr më 2023 i solli 200 milionë dollarë në vit, plus një bonus 30 milionësh.

Pas dy javëve, paraqitet fituesi i 120 milionë € në Berlin

0

Rreth dy javë pas hedhjes së numrave fitues, është lajmëruar fituesi i lumtur dhe “misterioz” i lotarisë evropiane Eurojackpot, i cili fitoi çmimin prej 120 milionë eurosh. Ai është një burrë midis 30 dhe 60 vjeç, i cili dje personalisht u paraqit në zyrën e Lotarisë në Berlin, raportoi DPA.

“Ai nuk u nxitua, sepse dëshironte që lajmi të përhapej në mënyrë të qetë. Dukej i qetë dhe i përmbajtur,” deklaroi zëdhënësi i përfaqësuesit të Berlinit.

Fituesi nuk ka zbuluar ende asnjë plan për pasurinë e tij të re. Parashikohet që paratë të transferohen në llogarinë e tij javën e ardhshme, pas një verifikimi të detyrueshëm.

Para se të fitonte çmimin, ai kishte vendosur nëntë baste me një total prej 19 eurosh. Numrat fitues – 7, 8, 31, 32, 33, dhe numrat evropianë 10 dhe 11 – u hodhën në short më 23 shtator në kryeqytetin finlandez, Helsinki.

Pas shortit, zyrtarët e lotarisë nisën kërkimin për fituesin, i cili “nuk nxitoi” të kërkonte çmimin e tij.

Sipas rregullave të Eurojackpotit, fituesi ka tre vjet kohë për të kërkuar çmimin e madh.

Ndërroi jetë ish deputeti Panço Minov

0

Ish-kryetari i komunës së Kavadarit dhe deputet në Kuvendin e Maqedonisë, Panço Minov, ka ndërruar jetë sot, në moshën 67-vjeçare.

Minov ka shërbyer si kryetar i komunës së Kavadarit për dy mandate, nga viti 2000 deri në 2009.

Në Kuvend, ai ka qenë deputet në dy periudha, së pari nga viti 1990 deri në 1998, dhe pastaj nga 2016 deri në 2024.

Gjatë aktivitetit të tij politik, Minov tregoi interes të veçantë për mbrojtjen e nevojave të bujqve, veçanërisht të vreshtarëve nga rajoni i Tikveshit.

Në rrjetet sociale, miq, politikanë dhe figura publike i kanë shprehur ngushëllimet e tyre.

Dyshimet për keqpërdorime në ndërtimin e Teatrit të Tetovës, seanca gjyqësore shtyhet për më 25 nëntor

0

Seanca gjyqësore për dyshimet për keqpërdorime në ndërtimin e Teatrit të Tetovës është shtyrë për më 25 nëntor, përcjell TV21. Arsyeja e anulimit ishte për shkak se në seancë mungoi i akuzuari Artan Arsllani ndërsa mbrojtësi i tij, Hamid Iseni, njoftoi gjykatën se nuk ka mundur të ketë qasje deri tek lënda për të pare akuzuar qe rëndojnë mbi te klientin e tije

Në këtë rast, përveç kompanisë “Urban Plan” si person juridik, të akuzuar janë edhe Sejdi Shasivari, ish drejtorët e Qendrës për Kulturë, Artan Asllani dhe Bujar Muça.

“Keqtrajtoheshin, vendoseshin burra e gra në një dhomë dhe u jepeshin ushqime me afat të skaduar”, paraburgim për pronaret e shtëpive të të moshuarve në Shkup

0

Ministria e Punëve të Brendshme ka parashtruar kallëzim penal ndaj N.J. (47) dhe T.I. (58), të dyja nga Shkupi, për shkak të dyshimeve të bazuara se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i vazhdueshëm i pozitës dhe autorizimit zyrtar” dhe “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës”, përcjell TV21. Nga MPB thonë se kanë siguruar prova që personat në fjalë, si pronare të shtëpive të të moshuarve, kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtje Sociale, me qëllim të përfitimeve personal, dhe se kanë dëmtuar rëndë të drejtat e banorëve të këtyre shtëpive. Të dy institucionet janë mbyllur, ndërsa në bashkëpunim me organet shtetërore kompetente është siguruar strehim i përshtatshëm për të gjithë banorët.

“Në periudhën nga viti 2022 e deri më sot, të dyja institucionet private nuk e kanë ushtruar veprimtarinë brenda kufijve të lejeve të lëshuara – kanë strehuar më shumë persona se kapaciteti i lejuar, nuk kanë mbajtur dokumentacion të rregullt për shërbimet sociale, nuk kanë pasur dosje me dokumente profesionale për të gjithë banorët, nuk kanë mbajtur evidenca për mirëmbajtjen e higjienës personale të tyre dhe nuk kanë punësuar numrin e nevojshëm të kuadrit profesional në turne. Përveç kësaj, kanë pasur të punësuar persona pa dokumentacion pune të rregullt dhe nuk kanë siguruar katër vakte ditore me specifikime të qarta për ushqimet e shpërndara, siç kërkohej nga rregullat për funksionim dhe kushtet e përcaktuara nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve. Të gjitha parregullsitë janë konstatuar në procesverbalin e kontrollit të jashtëzakonshëm inspektues. Për shërbime që nuk i plotësonin standardet dhe kushtet ligjore, ato u kishin marrë shuma të konsiderueshme parash banorëve dhe familjarëve të tyre, duke përfituar çdo muaj rreth 2.232.000 denarë nga të dy objektet. Gjatë kontrolleve në të dy institucionet – njëra në rrugën “Rudo” në Butel dhe tjetra në rrugën “Kozara” në qendër të Shkupit – është konstatuar se të dyja të dyshuarat, në cilësinë e personave përgjegjës, kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj banorëve, duke u shkaktuar atyre dhimbje fizike dhe vuajtje mendore, dhe i kanë ekspozuar ndaj trajtimit të ashpër, çnjerëzor dhe poshtërues”, thonë nga MPB.

Sipas MPB-së, e akuzuara e parë kishte strehuar 27 persona të moshuar në shtëpinë në Butel, por kishte leje vetëm për 21, ndërsa bashkë me të akuzuarën e dytë, në objektin në Qendrës kishin strehuar 33 persona, ndonëse leja ishte për 17.

“Në kundërshtim me të gjitha rregullat, në dhomat kishin strehuar bashkë burra dhe gra. Nuk kishte shtretër të mjaftueshëm për të gjithë, ndaj disa persona flinin në divane në dhomën e ditës ose nga dy veta në një shtrat të vetëm. Banorëve u shërbeheshin ushqime me produkte me afat të skaduar, për të cilat janë marrë mostra ushqimi dhe materiale që vijnë në kontakt me ushqimin Disa banorë ishin mbyllur në dhoma të veçanta, ndërsa të tjerëve u jepej terapi me barna që nuk ishin përshkruar nga mjeku”, shtojnë nga MPB.

Nga Prokuroria Themelore thonë se prokurori publik ka dorëzuar tek gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarave për trajtim jo-human, të ashpër, degradues, çnjerëzor dhe poshtërues ndaj personave të moshuar, për të cilët familjet kishin paguar për shërbime jashtë familjes. Propozimi është pranuar dhe ndaj të dyshuarave është caktuar masa e paraburgimit.

Katër të vdekur pas shembjes së së një ndërtese që po rinovohej në Madrid

0

Katër persona kanë humbur jetën pasi një ndërtesë në rikonstruksion u shemb në qendër të Madridit, raportoi transmetuesi shtetëror RTVE, duke cituar shërbimet e emergjencës, të cilat konfirmuan se të gjithë trupat janë gjetur, përcjell DPA.

“Sipas kryebashkiakut të qytetit, Hoze Martinez Almeida, dy trupa u gjetën nën rrënoja mbrëmë vonë, rreth 10 orë pas aksidentit, ndërsa dy të tjerë u nxorën pak para orës 3 të mëngjesit”, raportoi RTVE.

Fillimisht u raportuan të zhdukur katër persona — tre burra dhe një grua — ku kjo e fundit ishte arkitektja kryesore e projektit të rikonstruksionit.

Autoritetet njoftuan gjithashtu se tre punëtorë u plagosën gjatë shembjes së ndërtesës: dy prej tyre lehtë, ndërsa një tjetër pësoi thyerje të këmbës.

Ndërtesa gjashtëkatëshe u shemb pjesërisht të mërkurën, pranë Plaza de Isabel II, e njohur ndryshe si Plaza de Ópera. Ajo ishte në proces rinovimi prej disa kohësh, raporton DPA.

“Sipas zëdhënëses së shërbimeve të emergjencës së Madridit, Beatris Martin, disa struktura të tavanit të ndërtesës në rikonstruksion u shembën, por është ende herët për të spekuluar mbi shkaqet e aksidentit.”

Dëshmitarët raportuan një shpërthim të fortë të ndjekur nga një re e dendur pluhuri.

“Papritmas nuk mund të shihje asgjë,” tha për RTVE Hoze, një punëtor në një bar aty pranë.

“Tingëllonte si një bombë, të gjithë u frikësuam shumë,” shtoi Bojana, një punonjëse në një furrë buke afër vendit të ngjarjes.

Në vendngjarje u angazhuan 16 njësi të brigadës së zjarrfikësve të Madridit, të cilat punuan për të siguruar rrënojat, për të parandaluar shembje të tjera dhe për të kërkuar persona të bllokuar. U përdorën gjithashtu qen kërkimi dhe dronë, ndërsa zona u rrethua plotësisht nga shërbimet e emergjencës.

Sipas RTVE, ndërtesa — që më parë strehonte zyra — kishte marrë miratim për t’u shndërruar në objekt akomodimi turistik. Qyteti e kishte lëshuar licencën për përdorimin e ri në shkurt të këtij viti, raportoi transmetuesi, duke cituar DPA.

Izraeli ndalon edhe disa anije të tjera me ndihma për Gazën

0

Disa anije të tjera, që po përpiqeshin të dërgonin ndihma në Gazën e rrënuar nga lufta, janë ndaluar nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare të mërkurën, njoftoi koalicioni Flotila e Lirisë.

Kjo është hera e dytë që Izraeli ndalon anije të tilla brenda kësaj jave.

Koalicioni Flotila e Lirisë (FFC) është rrjet ndërkombëtar i grupeve aktiviste propalestineze që organizon misione detare civile, me qëllim për ta thyer bllokadën e Izraelit ndaj Gazës dhe për të dërguar ndihma humanitare për palestinezët në enklavë.

Ministria e Jashtme e Izraelit tha në X se anijet dhe udhëtarët e tyre janë të sigurt dhe se ata janë dërguar në një port izraelit, nga ku pritet të dëbohen menjëherë.

“Një tjetër përpjekje e kotë për ta shkelur bllokadën detare ligjore dhe për të hyrë në një zonë lufte, përfundoi pa rezultat”, tha Ministria izraelite.

Ky është incidenti i dytë i këtij lloji në ditët e fundit, pasi Izraeli kishte ndaluar rreth 40 anije dhe kishte arrestuar më shumë se 450 aktivistë në një tjetër konvoj ndihmash, Global Sumud Flotilla, i cili gjithashtu po përpiqej të dërgonte ndihma në Gazë.

FFC-ja tha se forcat izraelite “kanë rrëmbyer flotën humanitare”, duke shtuar se “anijet janë ndaluar në mënyrë të paligjshme… Pjesëmarrësit – humanitarë, mjekë dhe gazetarë nga e gjithë bota – janë marrë kundër vullnetit të tyre dhe po mbahen në kushte të panjohura”.

“Forcat ushtarake izraelite nuk kanë juridiksion ligjor mbi ujërat ndërkombëtare”, shtoi koalicioni.

“Flotilja jonë nuk paraqet asnjë rrezik”, tha ai.

Anijet bartnin ndihma me vlerë mbi 110.000 dollarë. Ndihmat përfshinin ilaçe, pajisje respiratore dhe furnizime ushqyese të destinuara për spitalet e Gazës, shtoi FFC në llogarinë e vet në Instagram.

Putin me dekret të ri, godet kompanitë perëndimore

0

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e nënshkroi një dekret javën e kaluar, i cili duket se synon asetet e kompanive të huaja që vazhdojnë të operojnë në Rusi dhe që ende nuk janë sekuestruar nga Qeveria ruse.

Dekreti kërkon përshpejtimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore për të siguruar kapacitetin e mbrojtjes së vendit, por i referohet drejtpërdrejt “veprimeve armiqësore” të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera e organizatave të lidhura me to, të cilat synojnë të vendosin “masa kufizuese kundër qytetarëve të Federatës Ruse dhe subjekteve juridike ruse”.

Gjithashtu ky dekret përcakton një procedurë të veçantë për regjistrimin, shitjen dhe transferimin e aseteve, përfshirë edhe një afat të përshpejtuar, dhe e emëron bankën PSB (më parë e njohur si Promsvyazbank) si organizatoren e vetme të shitjeve të pronave.

Putini e nënshkroi këtë dekret si përgjigje ndaj shqyrtimit nga BE-ja të një skeme për t’i dhënë Ukrainës miliarda dollarë në formë huaje, bazuar në asetet e ngrira ruse në BE, të cilat janë bllokuar qëkurse Moska e nisi pushtimin e Ukrainës në fillim të vitit 2022.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përmendi idenë e një “huaje dëmshpërblimi” në Parlamentin Evropian në fillim të shtatorit.

Meqë Shtetet e Bashkuara kanë lënë të kuptohet se mund të mos jenë të gatshme ta financojnë Ukrainën për kohë të gjatë për nevojat e saj për t’u mbrojtur, Bashkimi Evropian po shqyrton mënyra të ndryshme për ta mbuluar një pjesë më të madhe të kostove në vitet 2026 dhe 2027, duke hamendësuar se lufta do të vazhdojë.

Von der Leyen i dha argumentet e saj para liderëve të BE-së, të cilët u takuan me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në një samit joformal në Kopenhagë, më 1 tetor, për të diskutuar për Ukrainën.

Ministrat e Financave të BE-së pritet të shqyrtojnë më shumë hollësi rreth këtij plani kur të mblidhen në Luksemburg javën e ardhshme.

Edhe pse ende nuk janë përcaktuar të gjitha mekanizmat e huas, disa elemente tashmë janë të qarta.

Asetet ruse – të ngrira që prej pushtimit të plotë në vitin 2022 – do të përdoren për lëshimin e obligacioneve. Të ardhurat nga këto obligacione do të përdoren për rindërtimin e Ukrainës në formën e një huaje dëmshpërblimi.

Ukraina do të ishte e detyruar t’i kthente paratë vetëm pasi Rusia t’i ketë paguar dëmet e luftës, sipas një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ukraina do t’ia ripaguante BE-së huan e dëmshpërblimeve për t’i ripaguar mbajtësit e obligacioneve, dhe më pas asetet do të zhbllokoheshin. Nëse kjo skemë zbatohet, Ukraina mund t’i marrë 170 deri në 180 miliardë euro në këste gjatë viteve 2026 dhe 2027, sipas një dokumenti diskutimi të përgatitur nga Komisioni për vendet anëtare të BE-së, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë (REL).

“Përgjigjja simetrike” e Kremlinit
Kremlini e ka quajtur nismën evropiane formë konfiskimi dhe ka kërcënuar me “përgjigje simetrike”.

Megjithatë, ekzistojnë dallime themelore midis planit të BE-së për huan e dëmshpërblimeve dhe konfiskimit të aseteve të kompanive evropiane që vazhdojnë të operojnë në Rusi, bashkë me privatizimin e menjëhershëm të tyre.

Derisa masa evropiane nuk përfshin asnjë shtetëzim të aseteve federale ruse, dekreti i Putinit duket se synon shtetëzimin e pronave të kompanive private.

Vlerësohet se rreth 800 kompani perëndimore evropiane vazhdojnë të operojnë në Rusi.

Disa prej tyre përmenden në dekret, përfshirë degën ruse të Raiffeisen Bank International të Austrisë, UniCredit të Italisë dhe prodhuesin gjerman të çokollatës Ritter Sport.

Rregullatorët evropianë e kanë nxitur bankën Raiffeisen që nga viti 2022 të largohet nga tregu rus, por ajo ka ngurruar të heqë dorë nga fitimet e mëdha që ka gëzuar deri vonë si një institucion financiar pothuajse monopolist, që mundëson dërgimin e pagesave nga Rusia në Evropë.

Ajo gjithashtu ka hezituar ta humbasë mundësinë për ta llogaritur degën e saj ruse si humbje.

Një shitje e iniciuar nga vetë banka është praktikisht e pamundur për shkak të kushteve që përcaktojnë mënyrën se si të huajt mund të shesin asetet e tyre në Rusi. Një dekret tjetër i nënshkruar nga Putini kërkon zbritje prej 50 për qind dhe një kontribut të detyrueshëm prej 10 për qind në buxhetin rus.