Katër persona kanë humbur jetën pasi një ndërtesë në rikonstruksion u shemb në qendër të Madridit, raportoi transmetuesi shtetëror RTVE, duke cituar shërbimet e emergjencës, të cilat konfirmuan se të gjithë trupat janë gjetur, përcjell DPA.
“Sipas kryebashkiakut të qytetit, Hoze Martinez Almeida, dy trupa u gjetën nën rrënoja mbrëmë vonë, rreth 10 orë pas aksidentit, ndërsa dy të tjerë u nxorën pak para orës 3 të mëngjesit”, raportoi RTVE.
Fillimisht u raportuan të zhdukur katër persona — tre burra dhe një grua — ku kjo e fundit ishte arkitektja kryesore e projektit të rikonstruksionit.
Autoritetet njoftuan gjithashtu se tre punëtorë u plagosën gjatë shembjes së ndërtesës: dy prej tyre lehtë, ndërsa një tjetër pësoi thyerje të këmbës.
Ndërtesa gjashtëkatëshe u shemb pjesërisht të mërkurën, pranë Plaza de Isabel II, e njohur ndryshe si Plaza de Ópera. Ajo ishte në proces rinovimi prej disa kohësh, raporton DPA.
“Sipas zëdhënëses së shërbimeve të emergjencës së Madridit, Beatris Martin, disa struktura të tavanit të ndërtesës në rikonstruksion u shembën, por është ende herët për të spekuluar mbi shkaqet e aksidentit.”
Dëshmitarët raportuan një shpërthim të fortë të ndjekur nga një re e dendur pluhuri.
“Papritmas nuk mund të shihje asgjë,” tha për RTVE Hoze, një punëtor në një bar aty pranë.
“Tingëllonte si një bombë, të gjithë u frikësuam shumë,” shtoi Bojana, një punonjëse në një furrë buke afër vendit të ngjarjes.
Në vendngjarje u angazhuan 16 njësi të brigadës së zjarrfikësve të Madridit, të cilat punuan për të siguruar rrënojat, për të parandaluar shembje të tjera dhe për të kërkuar persona të bllokuar. U përdorën gjithashtu qen kërkimi dhe dronë, ndërsa zona u rrethua plotësisht nga shërbimet e emergjencës.
Sipas RTVE, ndërtesa — që më parë strehonte zyra — kishte marrë miratim për t’u shndërruar në objekt akomodimi turistik. Qyteti e kishte lëshuar licencën për përdorimin e ri në shkurt të këtij viti, raportoi transmetuesi, duke cituar DPA.
