Siljanovska-Davkova: Ballkani Perëndimor është pjesë e historisë dhe sigurisë së Evropës

TË FUNDIT

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPQ), që u mbajt në Dublin, ku bashkë me 50 krerë të shteteve dhe qeverive evropiane diskutoi për të ardhmen e Evropës.

Në fjalimin e saj në panelin për ndërtimin e një Evrope konkurruese, ajo theksoi rëndësinë e ndërlidhjes, inovacionit, sigurisë energjetike dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Siljanovska-Davkova vlerësoi se konkurrueshmëria evropiane nuk varet vetëm nga kapitali dhe tregjet, por edhe nga aftësia për të ndërlidhur teknologjinë, infrastrukturën, energjinë dhe potencialin njerëzor.

Duke folur për Ballkanin Perëndimor, presidentja theksoi se rajoni nuk është jashtë Evropës, por pjesë e historisë, infrastrukturës dhe arkitekturës së saj të sigurisë.

Ajo e përshkroi Evropën dhe Ballkanin Perëndimor si një sistem të ndërlidhur, ku zhvillimet në njërën pjesë ndikojnë drejtpërdrejt në tjetrën.

Sipas saj, çështja nuk është vetëm se si Ballkani Perëndimor të lidhet më mirë me Evropën, por edhe nëse Evropa mund të lejojë të mbetet e pamjaftueshme e ndërlidhur me këtë rajon.

Ajo nënvizoi se Ballkani Perëndimor ndodhet në kryqëzimin e drejtimeve strategjike, korridoreve energjetike, tregjeve dhe potencialit njerëzor të Evropës.

“Çdo vonesë në ndërlidhje është një mundësi e humbur. Çdo investim i shtyrë ka pasoja ekonomike dhe çdo objektiv politik ka një kosto që nuk e paguajnë institucionet, por qytetarët”, deklaroi Siljanovska-Davkova.

Në fokus të fjalimit të saj ishte edhe siguria energjetike, për të cilën tha se krizat e fundit kanë dëshmuar se varësia ekonomike mund të shndërrohet në cenueshmëri strategjike.

Ajo theksoi se siguria energjetike kërkon diversifikimin e burimeve dhe rrugëve të furnizimit, ndërlidhjen e sistemeve dhe zhvillimin e kapaciteteve teknologjike.

Sa i përket tranzicionit të gjelbër, presidentja vlerësoi se ai nuk duhet të shihet si pengesë për konkurrueshmërinë, por si mundësi për inovacion teknologjik dhe zhvillim industrial.

Në përfundim, Siljanovska-Davkova theksoi se inovacioni duhet të trajtohet si kapacitet strategjik, që mund të kontribuojë në rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë e Evropës.