Saveski: Ndoshta paraburgimet caktohen pa bazë, duhet ta ndryshojmë praktikën

TË FUNDIT

Prokurori publik i shtetit, Nenad Saveski, vlerëson se sistemi i drejtësisë duhet të rishikojë praktikën e caktimit të paraburgimit, veçanërisht kohëzgjatjen e tij. Ai paralajmëroi se kjo masë nuk duhet të zbatohet për periudha të pajustifikueshme dhe se prokurorët duhet të kenë parasysh edhe shpenzimet që shkaktojnë.

Në emisionin Click Plus në TV21, Saveski theksoi se vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg janë të detyrueshme dhe se standardet e përcaktuara prej saj duhet të zbatohen edhe në sistemin vendor të drejtësisë.

“Ne duhet të ndryshojmë dhe të përballemi me faktin se ndoshta paraburgimet caktohen pa bazë. Kjo ndoshta nuk është aq problematike sa kohëzgjatja e kësaj mase”, deklaroi Saveski.

Ai theksoi se paraburgimi duhet të jetë zgjidhja e fundit dhe jo një masë që zbatohet automatikisht deri në përfundimin e afatit maksimal të përcaktuar me ligj.

“Kjo masë jo vetëm që duhet të jetë zgjidhja e fundit, por edhe kur caktohet, duhet të zgjasë aq sa është e nevojshme, jo pafundësisht dhe jo deri në afatin maksimal të përcaktuar me ligj”, theksoi prokurori publik i shtetit.

Sipas Saveskit, organet e drejtësisë duhet të zbatojnë më shpesh masa më të buta për sigurimin e pranisë së të dyshuarve dhe të akuzuarve, ndër të cilat edhe garancia, e cila në praktikën ndërkombëtare konsiderohet mekanizëm efikas.

“Do të më gëzonte nëse zbatimi i garancisë do të bëhej vërtet më i shpeshtë. Madje, as ajo nuk është masë e lehtë. Ka shumë masa më të buta se garancia”, u shpreh ai.

Saveski shpjegoi se gjatë marrjes së vendimeve fillimisht duhet të shqyrtohet mundësia e zbatimit të masës më të butë, ndërsa masat më të rrepta duhet të aplikohen vetëm nëse ato paraprake nuk mund ta përmbushin qëllimin.

Përveç mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ai ngriti edhe çështjen e pasojave financiare të paraburgimit, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një masë të kushtueshme, e cila rëndon më tej buxhetin e shtetit.

“Ne jemi shtet i varfër dhe si sistem, përfshirë edhe prokurorët publikë, duhet të kemi parasysh shpenzimet që shkaktojmë. Nëse mund ta arrijmë një qëllim me një masë më të lirë, e cila nuk do ta rëndojë buxhetin, duhet të mendojmë edhe për këtë”, tha Saveski.

Ai u dërgoi gjithashtu një mesazh të drejtpërdrejtë prokurorëve, duke theksuar se duhet të tregojnë përgjegjësi në përdorimin e mjeteve publike.

“Ne si prokurorë publikë nuk duhet, po shprehem në gjuhë të përditshme, të sillemi me arrogancë në një situatë kur është e padiskutueshme se kemi buxhet të varfër”, theksoi Saveski në “Click Plus” në TV21.

Sipas tij, sistemi i drejtësisë duhet të sigurojë njëkohësisht respektimin e të drejtave të njeriut, përmbushjen e qëllimeve të procedurës penale dhe përdorimin racional të mjeteve buxhetore.