Valixhe e dyshimtë pranë selisë së VMRO-DPMNE-së në Shkup, evakuohen të punësuarit në objektet përreth

0

Për shkak të një valixheje të dyshimtë të lënë pranë selisë së partisë VMRO-DPMNE në qendër të Shkupit, janë evakuuar të gjitha ndërtesat përreth, përcjell TV21. Janë evakuuar edhe punonjësit e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore që ndodhet menjëherë pranë selisë së VMRO-DPMNE-së.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thanë se sot, në orën 12:55, një person nga sigurimi i NPRSH-së ka raportuar se në kamerat e vëzhgimit janë parë dy persona që inspektonin zonën para zyrave të institucionit, dhe njëri prej tyre ka lënë një valixhe.

“Zyrtarët policorë janë dërguar në vendngjarje dhe po merren masa për zbardhjen e rastit”, shtuan nga MPB-ja.

Para ndërtesës ndodhet një numër i madh njerëzish që po evakuohen, si dhe forca të shumta policore.

Pas plagosjes reagon mjeku Shaini: Nuk kam armiqësi politike me askënd! Nuk kam hak ndaj askujt

0

Pulmologu Zekirija Shaini ka reaguar për herë të parë pasi u plagos gjatë ditës së djeshme në Kumanovë, përcjell TV21. Shaini thotë se rasti në fjalë nuk ka të bëjë me veprimtarinë e tij politike, ndërkaq bën apel deri te organet e rendit që të zbardhin rastin.

“Falënderimet i takojnë vetëm Allahut. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij kërkojmë ndihmë. Të nderuar familjarë, miq e shokë, Dje u godita në pabesi nga persona të maskuar. Dua t’ju siguroj se unë nuk kam hak ndaj askujt, e as nuk i kam prekur kujt familjen apo nderin — për këtë e kam dëshmitar vetëm Zotin. Jemi në periudhë fushate zgjedhore, por nuk dua që kjo ngjarje të marrë ngjyrime politike. Nuk kam armiqësi politike me askënd. Lus organet e rendit që ta zbardhin këtë rast sa më shpejt që të jetë e mundur.
Aktualisht, për shkak të gjendjes sime psikofizike, nuk mund të pranoj vizita.
Edhe njëherë, ju falënderoj nga zemra secilin veç e veç për kujdesin, respektin dhe përkrahjen që më keni treguar. InshaAllah shihemi së shpejti, më të fortë se kurrë”, ka shkruar mjeku Zekirija Shaini.


Identifikim biometrik i gishtit të madh të dorës së djathtë! Do të votojnë edhe personat me dokument të skaduar pas shpalljes së zgjedhjeve

0

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka miratuar Udhëzimin për zbatimin e Zgjedhjeve Lokale 2025. Votimi do të jetë personal dhe i njëhershëm, me identifikim përmes letërnjoftimit ose pasaportës, dhe do të mund të votojnë edhe personat me dokument që u ka skaduar pas shpalljes së zgjedhjeve, përcjell TV21. Para marrjes së fletës së votimit, votuesit do të kontrollohen me pajisje për identifikim biometrik të gishtit të madh të dorës së djathtë.

Votimi do të jetë i fshehtë, pas paravanit dhe me stilolaps blu, ndërsa fotografimi, votimi në grup ose familjar janë rreptësisht të ndaluara. KSHZ ka akredituar nëntë vëzhgues të rinj – pesë të huaj dhe katër vendas – dhe informon se afati për paraqitje përfundon nesër. Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, theksoi se Komisioni nuk ka kompetenca mbi rregulloren për reklamimin politik të paguar dhe se çështja është dërguar në Kuvend për sqarime shtesë./tv21.tv

Ushqim i pasigurt në disa kuzhina shkollore! Janë shqiptuar gjoba, është asgjësuar ushqim

0

Inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari gjatë shtatorit kanë kryer 91 kontrolle në çerdhe dhe 23 inspektime të jashtëzakonshme në shkolla. Në dy çerdhe është konstatuar higjienë e pakënaqshme në kuzhina, ndërsa njëra nuk ka kryer kontrollin shëndetësor të detyrueshëm të personelit, përcjell TV21. Janë shqiptuar tre gjoba monetare, dhe për shkak të ruajtjes së papërshtatshme janë asgjësuar 24 kilogramë ushqim.

Në shkolla, kushte të pakënaqshme janë gjetur vetëm në një kuzhinë, ndërsa në dy janë konstatuar devijime nga praktika higjienike. Për shkak të deklarimit të pasaktë janë asgjësuar edhe 59 kilogramë ushqim shtesë. Për parregullsitë e konstatuara është shqiptuar një gjobë monetare dhe janë marrë pesë vendime për eliminimin e tyre./tv21.tv

Shtetas i Maqedonisë humb jetën në një shpërthim në Beograd! Eksplozivi ishte i destinuar për likuidimin e anëtarëve të një grupi kriminal

0

Shtetasi i Maqedonisë, 21-vjeçari Martin Sipkovski, ka humbur jetën në shpërthimin që ndodhi më 1 tetor në një banesë në rrugën “Kosovska” në Beograd, përcjell TV21. Sipas mediave beogradase, ai kishte me vete rreth një kilogram e gjysmë eksploziv “Pentrik”, i cili e shpërtheu banesën e marrë me qira. Identiteti i tij është konfirmuar pas analizës së ADN-së dhe shkëmbimit të informacioneve midis policisë serbe dhe asaj të Maqedonisë.

Hetuesit kanë konstatuar se eksplozivi ishte i destinuar për likuidimin e anëtarëve të një grupi kriminal nga Novi Beogradi, ndërsa 26-vjeçari Filip V. është arrestuar nën dyshimin se ia kishte dorëzuar eksplozivin. Nga detonimi janë shkatërruar plotësisht tre banesa në ndërtesë. Sipkovski më herët ishte i njohur për policinë e Maqedonisë, ndërsa në publik përmendej si ish-hendbollist dhe model që studionte biznes dhe menaxhim në Shkup./tv21.tv

Burgimi i parë shtëpiak me hallkë elektronike! Model më i lirë dhe më human i ndëshkimit

0

Në komunën Çashkë, afër Velesit, për herë të parë është zbatuar një aktgjykim për dënim shtëpiak me mbikëqyrje elektronike, njoftoi Sektori i Provës. Personi i dënuar mori një byzylyk elektronik në kyçin e këmbës dhe do të duhet të qëndrojë në vendbanimin e tij për një periudhë prej tre muajsh, me leje për qëndrim jashtë deri në maksimum dy orë në ditë, përcjell TV21.

Nëse ai nuk i respekton rregullat ose kufizimet e vendosura nga gjykata, zyrtarët nga Sektori i Provës do ta njoftojnë gjykatën për veprimet e mëtejshme. Nga Ministria e Drejtësisë theksojnë se ky model i ekzekutimit të dënimit është më ekonomik për shtetin dhe më human për kryerësit, veçanërisht kur bëhet fjalë për persona në moshë më të shtyrë.

“Çerdhe të reja në Çair”, Mexhiti: Shkollë  e re në “Teneçe Mëhallë” për 1300 nxënës! Osmani prezanton projektin “Sheshi Liria”: Rruga nëntokësore, zgjidhje e kaosit në Çair

0

Kandidati i VLEN-it për kryetar komune në Çair Izet Mexhiti, e prezantoi planin për arsim cilësor në këtë komunë, ai tha se së pari do të investojnë në arsimin parashkollor dhe fillor, ku edhe kanë siguruar mjete për ndërtimin e tre çerdheve të reja si dhe do të angazhohen për krijimin e kushteve për mësim tërëditor në shkolla, përcjell TV21. Mexhiti paralajmëroi që do të ndërtojnë salla sportive për nxënësit e shkollës fillore “Jashar Beu” dhe “Hasan Prishtina”.

“Do të ndërojmë shkollë të re fillore në lagjen “Teneçe Mëhallë” për 1300 nxënës me emrin “Viktoria”, për shkak se edhe kulla e ndërtimit është në formën V. Do të ndërtojmë shkollë të re për fëmijët me nevoja të veçanta “Ardhmëria” apo “Idnina” siç ishte, duke siguruar kushte më të mira dhe në vendin e njejtë do të ndërtohet edhe një shkollë e re fillore që do të quhet “Mit’hat Frashëri”. Do të zgjerojmë kapacitetet e shkollave fillore “Hasan Prishtina” dhe “Ismail Qemali”, për t’i dhënë fund klasave të stërngarkuara”, tha Izet Mexhiti, kandidat i VLEN-it për kryetar komune në Çair.


Kandidati i AKI-së për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, prezantoi projektin infrastrukturor, “Sheshi Liria” dhe rrugën nëntokësore pranë “Çairçanjës”, që do të zgjidhte problemin më të madh të komunikacionit në Çair dhe do të krijonte një qendër moderne e funksionale urbane, përcjell TV21. Projekti “Sheshi Liria” dhe rruga nëntokësore, i përgatitur në bashkëpunim me arkitektin Mishel Rojkind, parasheh ndërtimin e një nënkalimi modern, që do të zhbllokonte plotësisht lëvizjen dhe do të lidhte Seravën dhe Gazi Babën.

“Zgjidhja të cilën ne e kemi propozuar është në fakt nën kalim, nën kalim në pjesën e Çairçanes dhe pastaj mbi të sheshin “Liria” që do të lidhë Seravën dhe Gazi Babën dhe do të krijoj një qendër sociale që do të jetë sheshi i dytë për nga madhësia pas sheshit “Skënderbeu” dhe do të krijon kushte për specializim dhe nga një trafik i ngarkuar që ndot ajrin çdo ditë nga ndalesat, do të kemi lëvizje fëmijësh, do të kemi lojëra për fëmijë do të kemi gjallërim të qytetit, funksionalitet të Komunës së Çairit”, tha Bujar Osmani, kandidati i AKI-së për kryetar të Çairit

Operacion antidrogë ndaj personazheve të njohur në Turqi! Ndalohen Irem Derici, Kubilay Aka, Birce Akalay, Hadise dhe Dilan Polat

0

Në një operacion të madh kundër drogës në Stamboll, autoritetet arrestuan disa figura të njohura të skenës turke.

Mes të arrestuarve janë İrem Derici, Hadise, Demet Evgar, Berrak Tüzünataç dhe Dilan Polat, raportojnë mediat turke.

Një nga të arrestuarit, İrem Derici, kishte planifikuar të fejohej në të njëjtën ditë që u arrestua.

Të gjithë janë ndaluar me akuzën e përdorimit të drogës ose substancave stimuluese.

Raportohet se autoritetet kanë kryer bastisje të kryera në mëngjes në vendbanimet e të dyshuarve. Ata janë marrë në zyrë për marrjen e deklaratave dhe marrjen e mostrave të gjakut për analiza laboratorike. Hetimi ka nisur pas një monitorimi të gjatë digjital dhe teknik, dhe disa prej të dyshuarve kishin dhënë më parë deklarata.

Lista e të ndaluarve përfshin emra të njohur të skenës, televizionit dhe rrjeteve sociale, përfshirë: Birce Akalay, Berrak Tüzünataç, Ceren Moray Orcan, Demet Evgar, Deren Talu, Derin Talu, Dilan Polat, Duygu Özaslan Mutaf, Engin Polat, Feyza Altun, Hadise, İrem Derici, Kaan Yıldırım, Kubilay Aka, Mert Yazıcıoğlu, Metin Akdülger, Özge Özpirinçci, Zeynep Meriç Aral Keskin, Ziynet Sali.

Të gjithë do të merren në pyetje pranë avokatëve të tyre. Autoritetet paralajmërojnë se hetimi mund të zgjerohet për të përfshirë edhe rrjetet e furnizimit me drogë, bazuar në provat e marra nga mesazhet telefonike dhe aktivitetet në rrjetet sociale.

Çmimi i arit vazhdon të arrijë rekorde

0

Çmimi i arit ka arritur një rekord prej më shumë se 4,000 dollarësh (2,985 paund) për ons, ndërsa investitorët kërkojnë vende të sigurta për të investuar paratë e tyre për shkak të shqetësimeve rreth pasigurisë ekonomike dhe politike në të gjithë botën.

Ari ka parë rritjen e tij më të madhe që nga vitet 1970, duke u rritur me rreth një të tretën që nga prilli kur Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi tarifat të cilat kanë shqetësuar tregtinë globale.

Analistët thonë se një çështje tjetër që shqetëson investitorët janë vonesat në publikimin e të dhënave kryesore ekonomike, ndërsa mbyllja e qeverisë amerikane hyn në javën e dytë, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

Ari shihet si një investim i ashtuquajtur “strehë e sigurt”, i cili pritet të ruajë ose rrisë vlerën e tij gjatë kohërave të turbulencave të tregut ose rënieve ekonomike.

Çmimi i arit në kohë reale – vlera e tregut në kohë reale e metalit të çmuar për dorëzim të menjëhershëm – u rrit në më shumë se 4,036 dollarë për ons të mërkurën pasdite në Azi.

Kontratat e ardhshme të arit – të cilat shërbejnë si një matës i ndjenjës së tregut – arritën të njëjtin nivel më 7 tetor. Kontratat e ardhshme janë marrëveshje për të blerë ose shitur asetin në një datë të paracaktuar në të ardhmen.

Mbyllja e qeverisë amerikane, e cila u shkaktua nga bllokime të përsëritura mbi shpenzimet publike, është një “erë shtytëse për çmimet e arit”, tha Christopher Wong i OCBC, i cili është strategu i normave të interesit i bankës me seli në Singapor.

Investitorët janë drejtuar drejt aseteve të sigurta si ari gjatë mbylljeve të mëparshme të qeverisë amerikane.

Ai u rrit me gati 4% gjatë mbylljes njëmujore në mandatin e parë të Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Por çmimet e arit mund të bien nëse mbyllja përfundon më shpejt nga sa presin disa investitorë, tha zoti Wong.

“Rritja e paparë” e arit në muajin e kaluar ka tejkaluar pritjet e analistëve, tha kreu i strategjisë së tregjeve të bankës UOB, Heng Koon How.

Ai shtoi se rritja është gjithashtu e lidhur me dobësimin e dollarit amerikan dhe më shumë blerës jo-profesionalë, të njohur si investitorë me pakicë, që blejnë ar.

Jo të gjithë ata që investojnë në ar e blejnë metalin e çmuar fizik.

Disa investitorë i investojnë paratë e tyre në produkte financiare, të tilla si fondet e tregtuara në bursë (ETF), të cilat mbështeten nga ari.

Një rekord prej 64 miliardë dollarësh është investuar në ETF ari deri më tani këtë vit, sipas shoqatës tregtare të Këshillit Botëror të Arit.

Gregor Gregerson, themeluesi i tregtarit dhe ofruesit të magazinimit të metaleve të çmuara Silver Bullion, tha se ka parë numrin e klientëve të jetë më shumë se dyfishuar vitin e kaluar.

Investitorët me pakicë, bankat dhe familjet e pasura janë kthyer gjithnjë e më shumë te ari, duke e parë atë si një mbrojtje kundër pasigurisë ekonomike globale, tha ai.

“Shumica e klientëve tanë janë mbajtës afatgjatë,” shtoi z. Gregersen, duke shpjeguar se shumica e klientëve të tij e ruajnë arin e tyre për më shumë se katër vjet.

“Ari do të bjerë në një moment, por besoj se duke pasur parasysh mjedisin ekonomik, ai është në një trend rritës për të paktën pesë vjet,” tha ai.

Siç theksoi z. Gregersen, çmimet e arit bien, si dhe rriten.

Çmimi i tij mund të bjerë nëse ka një rritje të normave të interesit ose tensionet gjeopolitike dhe pasiguritë politike zbuten, tha z. Wong i OCBC.

Në prill, për shembull, çmimi i arit ra me rreth 6% pasi Trump u tërhoq nga shkarkimi i Kryetarit të Rezervës Federale Jerome Powell, tha ai.

“Ari shpesh shihet si një mbrojtje kundër pasigurisë, por mbrojtja mund të zhbëhet.”

Dhe në vitin 2022, vlera e arit ra nga 2,000 dollarë në 1,600 dollarë për ons, pasi banka qendrore e SHBA-së rriti normat e interesit për të frenuar inflacionin që u shkaktua nga pandemia e Covid-19, tha zoti Heng i UOB.

Një rrezik kyç për rritjen aktuale të arit është një rigjallërim i papritur i inflacionit, i cili mund ta shtyjë Rezervën Federale të rrisë normat, shtoi ai.

Rritja e fundit e çmimeve të arit pasqyron pritjet se Rezerva Federale do të ulë normat e interesit, duke e bërë arin më tërheqës, tha zoti Wong.

Ndërkohë, Trump ka rritur presionin mbi Rezervën Federale, duke kritikuar publikisht zotin Powell për mos uljen e normave të interesit mjaftueshëm shpejt dhe për përpjekjen për të shkarkuar Guvernatoren e Rezervës Federale, Lisa Cook.

Synimi i presidentit ndaj Rezervës Federale mund të “minojë besimin në aftësinë e saj për të vepruar si një bankë qendrore e besueshme, që synon inflacionin”, tha zoti Wong.

Në një mjedis të tillë, roli i arit si një mbrojtje kundër pasigurisë “fiton rëndësi të re”, tha ai.

Dhëndri i Trump, pjesë e bisedimeve për paqe në Gazë

0

I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, do t’i bashkohen të mërkurën në Egjipt negociatave mes Izraelit dhe Hamasit për planin e paqes në Gazë.

Sipas BBC-së, bisedimet e së martës përfunduan pa përparim konkret, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi tërheqjen izraelite dhe garancitë që Hamasi kërkon kundër rifillimit të luftës. Një zyrtar palestinez i përfshirë në negociata i quajti bisedimet “të vështira, por të përqendruara”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se Izraeli ndodhet në “ditë vendimtare” dhe përsëriti objektivat e tij: kthimin e pengjeve, shkatërrimin e Hamasit dhe eliminimin e kërcënimit nga Gazë.

Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani, dhe kreu i inteligjencës turke pritet gjithashtu të marrin pjesë për të ndihmuar ndërmjetësimin.

Trump, duke e quajtur mundësinë e një marrëveshjeje “një hap drejt paqes në Lindjen e Mesme”, premtoi se SHBA-ja do të sigurohej që palët “t’i përmbahen marrëveshjes”.

Negociatat përqendrohen në pesë pika kryesore: armëpushim të përhershëm, shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve, tërheqjen izraelite nga Gaza, ndihmat humanitare, dhe qeverisjen pasluftës.

Sipas OKB-së, mbi 67.000 palestinezë janë vrarë në Gazë që nga tetori 2023, përfshirë mbi 20,000 fëmijë, ndërsa gjysmë milioni njerëz përballen me kushte urie ekstreme. Izraeli i ka mohuar akuzat për shkaktim urie apo gjenocid.

Sondazhet tregojnë se rreth 70% e izraelitëve mbështesin përfundimin e luftës në këmbim të lirimit të pengjeve.