Dy shtetas të Maqedonisë kapen me para të padeklaruara në Aeroportin e Tiranës

0

Dy shtetas të Maqedonisë së Veriut janë arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar në Tiranë, për shkak se tek ata janë gjetur euro dhe denarë, të cilat nuk i kanë deklaruar. 

Nga shtetasit e Maqedonisë, të cilët do të udhëtonin në Norvegji, u zbuluan dhe sekuestruan 22.805 euro dhe 2.600 denarë. 

Sipas njoftimit të policisë tek personi A.J. (33) u gjetën 11.800 euro dhe 2.600 denarë, ndërsa tek B.I. (43) 11.005 euro, të cilat nuk i kishin deklaruar.

Materialet procedurale janë dorëzuar nga Prokuroria e Tiranës për veprime të mëtejshme.

Erdogan përshëndet armëpushimin në Gaza: Turqia do të mbështesë Palestinën deri në krijimin e shtetit sovran

0

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka përshëndetur marrëveshjen e armëpushimit në Gaza midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas, transmeton Anadolu.

“Jam thellësisht i kënaqur që bisedimet Hamas-Izrael, të mbajtura në Sharm el-Sheik, ku kontribuoi edhe Turqia, përfunduan me një armëpushim në Gaza”, deklaroi Erdogan në platformën turke të mediave sociale NSosyal.

Ai shtoi: “Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për presidentin e SHBA-së, Trump, i cili tregoi vullnetin politik të nevojshëm për të inkurajuar qeverinë izraelite të pranojë armëpushimin, si dhe për vendet tona vëllazërore, Katarin dhe Egjiptin, për mbështetjen e tyre të rëndësishme në arritjen e marrëveshjes.”

Erdogan theksoi se Ankaraja do të monitorojë nga afër zbatimin e rreptë të marrëveshjes së armëpushimit dhe do të vazhdojë të kontribuojë në proces.

“Turqia do të vazhdojë të shprehë mbështetje derisa të krijohet një shtet i pavarur dhe sovran palestinez, me integritet të plotë territorial, mbi bazën e kufijve të vitit 1967, me kryeqytet Kudsin Lindor”, shtoi ai.

Presidenti Erdogan përshëndeti gjithashtu popullin palestinez: “U drejtohem me përzemërsi vëllezërve dhe motrave të mia palestineze, të cilët kanë duruar vuajtje të papërshkrueshme për dy vjet, duke luftuar për jetën dhe dinjitetin në kushte çnjerëzore, duke humbur fëmijët, nënat, baballarët, të afërmit dhe miqtë e tyre. Përkundër të gjitha tragjedive, ata nuk kanë komprometuar qëndrimin e tyre të ndershëm.”

Plani 20-pikësh, i njoftuar për herë të parë më 29 shtator, përfshin lirimin e të gjitha pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, një armëpushim, çarmatimin e Hamasit dhe rindërtimin e Gazës.

Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 67.200 palestinezëve në enklavë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë kthyer Gazën praktikisht në një zonë të pabanuar, duke shkaktuar uri dhe përhapje të sëmundjeve.

Për 9 muaj, Policia e Maqedonisë ka kapur 18,458 persona duke vozitur pa patentë shoferi

0

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se në periudhën nga 01.01.2025 deri më 30.09.2025, Policia ka shqiptuar gjoba për 18.458 shoferë që kanë marrë pjesë në trafik pa pasur patentë shoferi, përcjell TV21. Më së shumti shoferë pa leje janë kapur në rajonin e Shkupit dhe Strumicës.

“Më së shumti shkelje të këtij lloji janë evidentuar në zonat e Sektoreve për Punë të Brendshme Strumicë dhe Shkup, me përkatësisht 3.275 dhe 3.202 shkelje; më pas në territorin e SPB Manastir, janë ndëshkuar 2.811 drejtues për drejtim pa patentë, në SPB Tetovë janë marrë 2.086 masa, ndërsa në SPB Kumanovë janë ndëshkuar 1.660 drejtues për drejtim pa patentë”, shtojnë mes tjerash nga MPB.

Arrestohet Fatmir Sheholli, i dyshuar për spiunazh në favor të Serbisë

0

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se institucionet e sigurisë kanë arrestuar Fatmir Shehollin, i dyshuar për spiunazh.

Sveçla ka pohuar se pret trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti. 

“Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë ka arrestuar sot Fatmir Shehollin, me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh. Pres trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.

Tutje, ai ka shkruar se “Individë si ky që kanë pasur hapësira mediatike të pakufizuara në vendin tonë ka bashkëpunuar me akterë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj”.

“Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale”.

Lajmin për arrestimin e Fatmir Shehollit e ka konfirmuar edhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Pas zhvillimit hetimeve disa mujore, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të enjten hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës kanë arrestuar F.SH., nën dyshimet për veprën penale ‘Spiunazh’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Marrëveshja me Hamasin, Netanyahu: Një ditë e madhe për Izraelin

0

Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për fazën e parë të planit amerikan për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e përshëndeti këtë ngjarje dhe e konsideroi një “ditë të madhe për Izraelin”. Ai shtoi se do të mblidhte qeverinë për të miratuar marrëveshjen.

“Një ditë e madhe për Izraelin. Sot do të mbledh qeverinë për të miratuar marrëveshjen dhe për të sjellë të gjithë pengjet tona të dashura në atdheun e tyre”, tha Netanyahu.

“Falënderoj ushtarët e guximshëm të Forcave Mbrojtëse të Izraelit dhe të gjitha forcat e sigurisë. Falë guximit dhe sakrificës së tyre kemi arritur në këtë ditë”, shton Benjamin Netanyahu.

Fushata për Zgjedhjet lokale 2025 hyn në dhjetëditëshin e fundit

0

 Në ditën e njëmbëdhjetë të fushatës zgjedhore për Zgjedhjet lokale të vitit 2025, të cilat do të mbahen më 19 tetor, partitë politike, koalicionet dhe kandidatët e pavarur vazhdojnë t’u prezantojnë qytetarëve programet dhe kandidatët e tyre. Për sot janë paralajmëruar tubime dhe takime të drejtpërdrejta në disa komuna në të gjithë vendin.

VMRO-DPMNE dhe koalicioni do t’i prezantojnë kandidatët e tyre në Zelenikovë, Ilinden, Qendër dhe Kisella Vodë, ndërsa LSDM paralajmëruan aktivitete në Demir Kapi, Rosoman, Kavadar dhe Negotinë.

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Bujar Osmani, do të mbajë konferencë për shtyp në parkingun te Rruga e Plastikave, pranë Burdem 2, duke filluar në orën 12:00, ndërsa gjithashtu nga radhët e AKI-së konferencë për shtyp do të mbajnë edhe nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Adem dhe kandidati për kryetar të Komunës së Strugës, Arsim Dalipi në selinë e BDI-së në ora 11:30.

Ndërkohë, Bilall Kasami, kandidati për kryetari të Komunës së Tetovës, në ora 11:00 do të mbajë konferencë për media te parku pranë Xhamisë së Sahatit.

Kandidati për kryetar të Qytetit të Shkupit nga VMRO-DPMNE, Orce Gjorgjievski, do të mbajë konferencë për shtyp që do të mbahet në orën 11:00 në Komunën Qendër, përpara Limak.

E Majta do t’u drejtohet edhe qytetarëve në Rosoman dhe Kavadar, ku kryetari i partisë, Dimitar Apasiev, deputeti Sashko Jançev, bartësit e listave, Vllatko Trajkov dhe Krume Bogevski dhe kandidatët e tjerë për këshilltarë do t’u drejtohen qytetarëve.

Fushata zyrtarisht përfundon më 17 tetor në mesnatë, pas së cilës pason heshtje zgjedhore para votimit më 19 tetor. Raundi i dytë është planifikuar për 2 nëntor.

Këto janë zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e vendit, ndërsa të katërtat në të cilat zgjidhen kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit.

Votimi do të zhvillohet në 3,480 vendvotime për 309 kandidatë për kryetarë komune dhe 576 lista për këshilla komunalë – gjithsej 10.490 kandidatë.

Në zgjedhje marrin pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 kandidatura të pavarura.

Më shumë kandidatë për kryetarë ka Qyteti i Shkupit.

Finalizohet ekstradimi i reperit Cllevio

0

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se është finalizuar ekstradimi i reperit Kleviol Ahmeti, të njohur si Cllevio, nga Emiratet e Bashkuara Arabe. 39-vjeçari rezulton i kërkuar nga autoritetet në Tiranë dhe në Fier, për përndjekje dhe për thyerje të masës së sigurisë, akuza që lidhen me konfliktin mes tij dhe reperit Rigels Rajku (Noizy).

“Në vijim të bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit, me zyrën e Interpol Abu Dhabit, me objektiv kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, të cilët synojnë t’i fshihen drejtësisë shqiptare, duke qendruar në Dubai, u lokalizua dhe u kap, në kuadër të operacionit “The Ëanted”, shtetasi K. A., 39 vjeç, i lindur në Lushnjë. Ky shtetas kërkohej ndërkombëtarisht sepse në vitin 2024, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përndjekja”, pasi akuzohet se për disa vjet, ka përndjekur fizikisht dhe në rrjete sociale, shtetasin R. R. dhe familjarë të tij”, sqaron policia.

Gjithashtu, 39-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Fierit, në vitin 2024, me 9 muaj burgim, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Trump: Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar fazën e parë të planit për paqe në Gazë

0

Izraeli dhe organizata palestineze Hamas kanë rënë dakord për fazën e parë të planit të paqes për Gazën, të propozuar nga presidenti amerikan Donald Tramp, njoftoi vetë Trampi në platformën Truth Social.

“Kjo do të thotë që të gjithë pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në vijën e rënë dakord, si hapi i parë drejt një paqeje të fortë, të qëndrueshme dhe të përhershme,” shkroi Trampi.

Ai e cilësoi marrëveshjen si “një ditë të madhe për botën arabe dhe myslimane, për Izraelin, për vendet fqinje dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, duke falënderuar ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia për rolin e tyre në arritjen e këtij “moment historik dhe të pashembullt”.

Sipas mediave izraelite, rreth 48 pengje mbahen ende në Rripin e Gazës, prej të cilëve 20 besohet se janë gjallë.

Menjëherë pas njoftimit të Trampit, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu reagoi në rrjetin X, duke shkruar:
“Me ndihmën e Zotit, do t’i kthejmë të gjithë në shtëpi.”

Në një deklaratë tjetër, ai theksoi se kjo është “një fitore diplomatike, kombëtare dhe morale për shtetin e Izraelit”.
“Që nga fillimi kam thënë qartë: nuk do të pushojmë derisa të kthehen të gjithë pengjet tona dhe të arrihen të gjitha qëllimet tona. Falë vendosmërisë sonë, veprimit të fuqishëm ushtarak dhe përpjekjeve të mikut tonë të madh, presidentit Tramp, kemi arritur këtë moment kritik,” shtoi Netanjahu.

Ndërkohë, Hamasi konfirmoi arritjen e marrëveshjes, e cila, sipas tyre, “parashikon përfundimin e luftës në Gaza, tërheqjen e forcave pushtuese, hyrjen e ndihmave humanitare dhe shkëmbimin e të burgosurve”.
Në njoftimin e tyre, organizata falënderoi ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia, si dhe vlerësoi “angazhimin e presidentit Tramp për t’i dhënë fund luftës dhe pushtimit të Gazës”.

Bisedimet midis negociatorëve nga Izraeli dhe Hamasi po zhvillohen prej disa ditësh në Sharm el-Sheikh, Egjipt.

Plani i paqes me 20 pika i Trampit parashikon që Izraeli të tërheqë forcat e tij në një “vijë fillestare tërheqjeje” në këmbim të lirimit të pengjeve, të cilët janë mbajtur robër për më shumë se dy vjet.

Sipas planit, Izraeli pritet të lirojë rreth 250 palestinezë të dënuar me burgim të përjetshëm dhe 1.700 të tjerë të ndaluar pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Që nga ajo ditë, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore të kontrolluara nga Hamasi – të cilat OKB-ja dhe organizatat ndërkombëtare i konsiderojnë të besueshme – mbi 67.000 palestinezë janë vrarë në luftën në Gaza.

Ndërrimi i orës po afron – Këshillat për t’u përshtatur me orët e zgjatura pa dritë

0

Kur qielli fillon të errësohet që në orën 16:00 – 17:00 pasdite, humori juaj mund të perëndojë bashkë me diellin.

Sytë fillojnë e ju rëndojnë, dhe gjithçka që mund të dëshironi të bëni është të mbështilleni me batanijen tuaj të preferuar dhe të flini gjumë.

Por, nuk jeni vetëm! Kjo është një periudhë e vështirë për shumë njerëz.

Zgjatja e orëve të errësirës dhe ndryshimi i orës, mund të shkaktojë një sërë efektesh në shëndet, si për shembull sulmet në zemër.

Kjo është diçka çorientuese, dhe njerëzit do të vazhdojnë të përballen me këto ndryshime të pakëndshme dy herë në vit.

Fatmirësisht, studimet kanë treguar se ritmi cirkadian i njeriut, një cikël 24-orësh që rregullohet nga ora e brendshme e trupit tuaj, përshtatet më lehtë me tranzicionin e vjeshtës sesa me atë të pranverës.

Përfitoni nga orët me diell

Këshilla më e mirë për ata që përgjumen shpesh është që të ekspozohen sa më shumë në diell.

Përfitoni nga orët me diell të ditës, dhe veçanërisht në orët e para të pasdites.

Ekspozimi në atë kohë vonon ndjesinë e gjumit, që do të thotë se ju ndihmon të qëndroni zgjuar deri vonë.

Nëse mundeni, planifikoni një shëtitje 30-minutëshe jashtë para perëndimit të diellit. Edhe qëndrimi ulur pranë dritares mund të ndihmojë.

Përmbajuni orareve të rregullta të rutinës së zakonshme

Ndërsa errësohet më shpejt, ju mund ta gjeni veten të uritur më herët.

Është e rëndësishme të luftoni dëshirën për të ngrënë vaktin e fundit të ditës shumë herët.

Kjo mund t’ju bëjë të përgjumeni më shpejt se sa do të dëshironit, ose t’ju bëjë të hani më vonë, gjë që mund të pengojë edhe cilësinë e gjumit.

Studimet kanë treguar se ritmi juaj cirkadian ndikon në aftësinë e trupit për të përpunuar në mënyrë efikase ushqimin.

Kini kujdes që të mos konsumoni kafeinë vonë gjatë ditës, sepse edhe kjo mund të ndikojë në ciklin tuaj të gjumit.

Mos i ndërroni as rutinat e tjera. Për shembull, mbani të njëjtin orar për regjimin e kujdesit të lëkurës edhe nëse jeni të përgjumur një orë më parë, për shkak të ndryshimit të orës.

Nëse këto këshilla dështojnë, përqafoni letargjinë

Duam apo jo, dimri po vjen. Nëse gjithçka në planin tuaj dështon, rehatohuni: Merrni një batanije, ndizni një qiri, shtrihuni në divan për të parë një film ose luani një lojë tavoline me të dashurit tuaj.

Jepini vetes mundësinë për tu relaksuar ashtu siç keni nevojë ju./agroweb

Trump: Marrëveshja për Gazën është afër, ndoshta do ta vizitoj Lindjen e Mesme gjatë fundjavës

0

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sot se ekziston mundësia të vizitojë Lindjen e Mesme gjatë fundjavës së ardhshme dhe se një marrëveshje për armëpushim në Rripin e Gazës është shumë afër.

Gjatë një deklarate për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se bisedimet po ecin mirë dhe se ekziston një “mundësi e madhe” që të arrihet marrëveshja për t’i dhënë fund luftës në Gazë, bazuar në planin e tij.

Trump theksoi se ka mundësi të shkojë në Lindjen e Mesme të dielën, pasi, sipas tij, negociatorët po punojnë shumë mirë. “Kemi një ekip të shkëlqyer negociatorësh atje, por fatkeqësisht edhe pala tjetër ka negociatorë të mirë. Por mendoj se armëpushimi është diçka që ka shumë gjasa të ndodhë,” tha Trump.

Ai përsëriti se bota arabe dhe ajo myslimane e mbështesin planin e tij.

“Negociatat tona të fundit janë me Hamasin. Dhe duket se po ecin mirë. Nëse gjithçka shkon sipas planit, ndoshta do të nisem të dielën, ndoshta edhe të shtunën,” përfundoi Trump.