Rruga e Kombit, nesër pa pagesë

0

Ministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku ka njoftuar se nesër, më 17 tetor, Rruga e Kombit do të jetë pa pagesë.

Kjo nënkupton se udhëtarët që do të qarkullojnë në këtë autostradë, nuk do të duhet të paguajnë taksë rrugore.

“Rruga e Kombit pa pagesë në datë 17 Tetor”, thuhet në njoftimin e Ballukut.

Lirimi nga pagesa vjen për shkak të protestës që do të mbahet nesër në Tiranë.

Gjermania formon plan veprimi për t’u mbrojtur nga kërcënimet hibride ruse

0
Designated Chancellor Friedrich Merz reacts to the result of the first round of the voting during a session at the Bundestag (lower house of parliament), as MPs are to elect Germany's next Chancellor, in Berlin on May 6, 2025. (Photo by RALF HIRSCHBERGER / AFP)

Qeveria gjermane po zhvillon një plan gjithëpërfshirës veprimi për t’u mbrojtur nga kërcënimet hibride nga Rusia, tha të enjten kancelari Friedrich Merz.

Dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare i sapoformuar i vendit do të diskutojë planin në takimin e tij themelues në ditët në vijim.

Në një fjalim para ligjvënësve në Bundestag – dhoma e ulët e parlamentit të Gjermanisë – përpara samitit të Këshillit Evropian javën e ardhshme në Bruksel, Merz akuzoi Rusinë se dëshiron të destabilizojë Gjermaninë dhe Evropën.

Taktikat e Moskës përfshijnë sabotim, spiunazh dhe vrasje, sulme kibernetike dhe dezinformim të synuar, “përfshirë edhe nga radhët tuaja”, tha Merz për Alternativën e ekstremit të djathtë për Gjermaninë (AfD).

Kancelari tha se Gjermania do të “mbështesë luftën mbrojtëse të Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

Takimi i ardhshëm në Bruksel do të përfshijë diskutime se si të rritet më tej presioni mbi Rusinë për të hyrë në negociata paqeje me Ukrainën, tha Merz, përveç paketës së 19-të të sanksioneve që po negociohet.

Kryeministri i Francës e fiton votëbesimin pak ditë pasi u riemërua

0

Kryeministri i Francës, Sebastien Lecornu, u mbijetoi të enjten dy mocioneve të votëbesimit, vetëm disa ditë pasi e kishte emëruar kabinetin e tij qeveritar dhe e kishte bërë një lëshim të rëndësishëm politik për të qëndruar në pushtet.

Votëbesimi pasoi vendimin e Lecornut të martën për ta mbështetur pezullimin e reformës së vitit 2023 për pensionet, në përpjekje për ta mbajtur kabinetin e tij mjaftueshëm gjatë për ta miratuar një buxhet kursimesh deri në fund të vitit.

Partia Socialiste (PS) e krahut të majtë kishte kërcënuar se do të votonte për rrëzimin e kryeministrit nëse ai nuk do të pranonte ta pezullonte reformën, sipas të cilës, mosha e pensionimit do të zgjerohej nga 62 në 64 vjeç.

Pa mbështetjen e PS-së, dy mocione të ndara të paraqitura të enjten nga partia e majtë ekstreme, Franca e Panënshtruar,dhe ajo e djathtë ekstreme, Tubimi Kombëtar, nuk arritën numrin e votave të nevojshme për ta rrëzuar Lecornun. Pas votimit, Lecornu tha se është i gatshëm ta “fillojë punën” për bisedimet buxhetore, që pritet të fillojnë në Parlament javën e ardhshme.

“Mund ta shihni se sa serioze është situata… Debatet duhej të fillonin”, tha kreu i Qeverisë për BFMTV.

Por, lideri socialist Olivier Faure paralajmëroi se partia e tij mund ta mbështesë përsëri një mocion për rrëzimin e Qeverisë.

“Nëse Qeveria nuk i përmbush angazhimet e saj, veçanërisht për pezullimin e reformës së pensioneve, ne do të votojmë menjëherë kundër kabinetit”, tha Faure në X.

Franca, ekonomia e dytë më e madhe e eurozonës, është futur në një paralizë politike qëkurse presidenti Emmanuel Macron shpalli zgjedhje të parakohshme vitin e kaluar, me synimin për të konsoliduar pushtetin e tij.

Por, zgjedhjet rezultuan me një Parlament të bllokuar dhe me rritje për të djathtën ekstreme. Lecornu, kryeministri i shtatë i emëruar nga Macroni prej vitit 2017, tani duhet ta udhëheqë një buxhet kursimesh përmes një Parlamenti thellësisht të ndarë deri në fund të vitit.

Lecornu, i cili u bë kryeministër muajin e kaluar, dha dorëheqjen të hënën e kaluar pas kritikave ndaj kabinetit të tij të parë. Por, ai u riemërua disa ditë më vonë dhe e formoi një kabinet të ri qeveritar në kohë për ta paraqitur projektbuxhetin në Parlament.

E përballur me trysni nga Bashkimi Evropian për ta ulur deficitin dhe borxhin e vendit, Franca ballafaqohet me një betejë të vështirë për masat shtrënguese që rrëzuan dy paraardhësit e Lecornut.

Raporti borxh/PBB i Francës është i treti më i larti në Bashkimin Evropian pas Greqisë dhe Italisë dhe afërsisht dyfishi i kufirit të BE-së prej 60 për qind.

Lecornu është zotuar se nuk do ta përdorë një mjet kushtetues që është përdorur për të kaluar çdo buxhet pa votë që nga viti 2022, dhe ka premtuar se të gjitha ligjet do t’i nënshtrohen debatit.

“Qeveria do të bëjë propozime, ne do të debatojmë dhe ju do të votoni”, theksoi 39-vjeçari, i cili është besnik i Macronit, në një fjalim para deputetëve të martën.

Por, opozita ka sfiduar optimizmin e tij. Liderja e Tubimit Kombëtar, Marine Le Pen, akuzoi deputetët se i dhanë Lecornut një mundësi “për shkak të frikës nga zgjedhjet”, duke thënë se ajo “me padurim” po pret shpërndarjen e Parlamentit. E djathta ekstreme e sheh këtë si shansin e saj më të mirë deri tani për ta marrë pushtetin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, kur përfundon mandati i dytë dhe i fundit i Macronit.

Vritet kryeshefi i Shtatmadhorisë së huthëve

0

Kryengritësit jemenas huthë kumtuan se është vrarë “në kryerjen e detyrës” kryeshefi i Shtatmadhorisë, Muhamed Abd al Karim al Gamari.

Huthët pa e akuzuar drejtpërdrejtë Jerusalemin për vrasjen e Al Gamarit, publikuan se konflikti me Izraelin nuk ka përfunduar dhe se “do të ndëshkohet për krimet që i ka bërë”.

Izraeli në gusht e sulmoi kryeqytetin e Jemenit, Sanën me ç’rast targetoi Shtatmadhorinë, ministrin e mbrojtjes dhe zyrtarë tjerë të lartë. Në sulme u vranë kryeministri i qeverisë së huthëve në Jemen dhe disa ministra të tjerë.

Al Gamari ishte anëtar i “zyrës për xhihad” të huthëve, përgjegjëse për mbikëqyrjen e operacioneve ushtarak të udhëhequra nga Abdul Malik al Huthi, vëllau u themeluesit të vrarë të lëvizjes.

Nga tetori i vitit 2023, kur filloi lufta në Rripin e Gazës, huthët lëshuan raketa dhe dronë ndaj objektivave në Izrael dhe sulmuan më shumë se 100 anije në Detin e Kuq dhe atë Arabik, në ngushticën Bab-el-Mandeb dhe në Gjirin e Adenit, në një shenjë mbështetjeje për palestinezët. Në përgjigje të sulmeve, Izraeli ka sulmuar vazhdimisht objektiva në zonat e kontrolluara nga Huthët në Jemen.

Kryengritësit jemenas kontrollojnë pjesë të mëdha të vendit, përfshirë edhe Sanën, ku huthët kanë krijuar institucionet e tyre politike. Autoritetet e njohura ndërkombëtarisht të Jemenit janë dëbuar nga Sana në Aden.

Nga nesër në mesnatë, fillon heshtja zgjedhore në Maqedoni

0

Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale njoftoi radiodifuzerët se fushata zgjedhore për raundin e parë të Zgjedhjeve Lokale zgjat deri në orën 24:00 më 17 tetor të vitit 2025. Nga 18 tetori deri në orën 19:00 të 19 tetorit vlejnë rregullat për heshtje zgjedhore.

Gjatë heshtjes, mediat vazhdojnë të raportojnë për procesin zgjedhor, por ndërpriten të gjitha format e përfaqësimit zgjedhor mediatik, të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore.

Sipas Kodit Zgjedhor, për shkelje të heshtjes zgjedhore konsiderohet transmetimi i çdo lloj informacioni, fotografie, materiali audio dhe audiovizual që lidhet me ose që përfshin pjesëmarrësit në zgjedhje, çdo formë e raportimit mediatik që është hapur ose fshehurazi në shërbim të fushatës së dikujt dhe që mund të ndikojë në vendimin e votuesve, të dhëna që zbulojnë identitetin e subjekteve politike dhe/ose individëve të përfshirë në incidente ose parregullsi në ditën e votimit; si dhe deklarata nga kandidatët në procesin zgjedhor, nga përfaqësuesit e partive politike dhe nga mbajtësit e funksioneve në organet qeveritare. 

Tetovarja Erjona Jonuzi, kapitene dhe MVP që në javën e parë në Sllovaki!

0

Volejbollistja tetovare Erjona Jonuzi, është rikthyer përsëri për një sezon të dytë në kampionatin sllovak të volejbollit për femra “Extra Liga” në ekipin VK Nove Mesto nad Vahom.

Niveli i lartë dhe përvoja e pasueses tetovare ka bërë që brenda javës së parë Erjona të zgjidhet kapitene e ekipit sllovak dhe të rrëmbej çmimin MVP si lojtarja më e mirë e ndeshjes në xhiron e parë të kampionatit sllovak. Ku VK Nove Mesto si mysafire vitoi 0-3 me sete ekipin vendas Elba Preshov.

Kujtojmë që Erjona këputi ligamentin e kryqëzuar (ACL) në gjurin e majtë sezonin e kaluar, në “Extraligën” sllovake. Lëndim që e detyroi të ndërpresë sezonin. Sepse sipas prognozave mjekësore, rikuperimi i plotë do të zgjaste 10 deri në 12 muaj.

Megjithatë, falë përkushtimit dhe punës së palodhur, Erjona u rikthye në lojë pas vetëm gjashtë muajsh, edhe pse ende jo në formën e saj maksimale. Rikthimi i parë në parket erdhi me përfaqësuesen e Maqedonisë, pasi kampionati sllovak tashmë kishte përfunduar.

Sot, ajo është plotësisht e rikuperuar dhe po shkëlqen çdo ditë e më shumë në parketin e volejbollit sllovak.

Gjykata e ndaloi grevën e kontrollorëve të fluturimeve

0

Gjykata lëshoi ndalesë për mbajtjen e grevës në Kontrollin e Fluturimeve, e cila ishte paralajmëruar nga një nga katër sindikatat, nga 20 deri më 24 të këtij muaji. Një vendim të tillë, Gjykata Themelore Shkupi 2 e mori pas ankesës së drejtuesve të M-NAV, nga ku thonë se vendimi për grevë merret edhe pse nuk është përmbushur procedura për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve kolektive, si dhe se greva nuk buron nga kërkesa konkrete të marrëdhënieve të punës.

Sindikatat më herët kishin paralajmëruar se grevën e caktojnë për shkak se gjendja në ndërmarrjen përgjegjëse për sigurinë e trafikut ajror është shqetësuese dhe se bëhen punësime partiake. Por, para se M-NAV të publikojë vendimin e gjykatës, nga Sindikata e punonjësve të hotelerisë, turizmit, shërbimeve komunale dhe banesore deklaruan se nga njëra nga katër sindikatat e Kontrollit të Fluturimeve kanë marrë informata se mbeten në qëndrimin për grevën e paralajmëruar.

Kashikovski njëkohësisht informoi edhe se deri nesër është afati që sindikata i ka dhënë drejtuesve të “Florakom” dhe “Luna” – kompani bijë të “Paqeve dhe gjelbërimit” – për pagesën e rrogës për shtatorin. Nëse kjo nuk ndodh, ata kanë paralajmëruar se do të hyjnë në grevë. Kashikovski tha se situata është e ngjashme edhe me “Higjienën Komunale”.

Nga Sindikata paralajmëruan se pas zgjedhjeve, me kryetarin e ri të Komunës së Shkupit, do të kërkojnë mënyrë të re të financimit të ndërmarrjes publike, sepse fondet aktuale që arrijnë përmes llogarive të “Ujësjellësit” janë të pamjaftueshme.

Trumpi dëshiron fundin e luftës në Ukrainë pas arritjes së armëpushimit në Gazë

0

Me një armëpushim të brishtë midis Izraelit dhe Hamasit, presidenti amerikan, Donald Trump thotë se tani po e kthen vëmendjen e tij drejt përfundimit të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe po shqyrton mundësinë e furnizimit të Kievit me armë me rreze të gjatë veprimi, më qëllimin për ta nxitur Moskën të ulet në tryezën e negociatave.

Përfundimi i luftërave në Ukrainë dhe Gazë ishte premtimi kryesor në fushatën e Trumpit për rizgjedhje në vitin 2024, dhe ai vazhdimisht ka kritikuar ish-presidentin, Joe Biden për trajtimin e konflikteve.

Megjithatë, ashtu si paraardhësi i tij, Trumpi është penguar gjithashtu nga presidenti Vladimir Putin, pasi ka ushtruar pa sukses presion mbi udhëheqësin rus për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për t’i dhënë fund luftës që po i afrohet vitit të katërt.

Por, meqe është arritur armëpushimi në Gazë, Trumpi ka shprehur besimin e tij se më në fund mund të bëjë përparim në përfundimin e pushtimit rus.

Ai gjithashtu ka sinjalizuar se është gati të rrisë presionin mbi Putinin nëse ai nuk ulet në tryezë së shpejti.

“Është interesante që kemi bërë përparim sot, për shkak të asaj që ka ndodhur në Lindjen e Mesme”, ka thënë Trumpi për luftën Rusi-Ukrainë, në një ngjarje të mërkurën në mbrëmje.

Ndërkohë, në një fjalim që ka mbajtur të hënën në parlamentin izraelit, Trumpi ka parashikuar se armëpushimi në Gazë do të hidhte themelet për SHBA-në për të ndihmuar Izraelin dhe shumë nga fqinjët e saj në Lindjen e Mesme të normalizojnë marrëdhëniet.

Por Trumpi gjithashtu e ka bërë të qartë se përparësia e tij kryesore e politikës së jashtme tani është përfundimi i konfliktit më të madh të armatosur në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Së pari duhet të bëjmë çmos me Rusinë”, është shprehur Trumpi, duke iu drejtuar të dërguarit të tij të posaçëm Steve Witkoff, i cili ka shërbyer gjithashtu si bashkëbiseduesi kryesor i administratës së tij me Putinin.

“Duhet ta bëjmë këtë. Nëse nuk të shqetëson, Steve, le të përqendrohemi së pari te Rusia. Dakord?”, është shprehur Trump.

Trumpi do të presë Zelenskyn për bisedime të premten, takimi i tyre i katërt ballë për ballë këtë vit.

Përpara takimit, Trumpi ka thënë se po shqyrton shitjen e raketave lundruese Tomahaëk me rreze të gjatë veprimi për Kievin, të cilat do t’i mundësonin Ukrainës të godiste thellë në territorin rus – nëse Putini nuk e zgjidh luftën së shpejti.

E Zelensky, i cili prej kohësh ka kërkuar sistemin e armëve, ka thënë se kjo do ta ndihmonte Ukrainën të ushtronte llojin e presionit mbi Rusinë që nevojitet për ta bindur Putinin të angazhohet në bisedimet e paqes.

Kurti për filmin “Era” të Parta Kelmendit: Më i vërtetë se një film dokumentar! Sjell diskriminimin e egër që i parapriu gjenocidit serb

0

Mbrëmë në Prishtinë u shfaq premiera e filmit “Era” nga Parta Kelmendi. Mes shumë figurave publike, prezent ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kreu i ekzekutivit kosovar e cilësoi filmin si diçka që pasqyron të vërtetën për fundin e viteve 80-ta dhe fillimin e viteve 90-ta, respektivisht, siç shkruan Kurti, instalimin e apartheidit të Serbisë.

Shkrimi i plotë i kryeministrit Kurti:

“Era” e Parta Kelmendit është film artistik që ngjan më i vërtetë se një film dokumentar, duke prekur thellë me heshtje shtypëse, me kujtimet që na i ndez nga zërat e mbetur pezull në vorbullën e viteve ’90.

Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989, në vendin tonë u instalua apartheidi i Serbisë, dhe nisën përjashtimet e shqiptarëve nga puna, shkollat e spitalet, si dhe emigrimi masiv i detyruar i tyre.

Përmes syve të Era Gashit (me aktrim brilant të Zana Berishës) si dhe me shikimin tonë mbi të, filmi na sjell diskriminimin e egër të atyre viteve që i paraprinë si gjenocidit serb ashtu edhe luftës sonë çlirimtare. Nëpërmjet ankthit e fatit familjar e individual, shpalosen bukur dy lloje të guximit: për t’u larguar nga familja dhe për të qëndruar në Kosovë. Fjalia “Kjo është mbijetesë, Shpresë.” e përmbledh ndoshta në mënyrën më të ndjerë thelbin e filmit.

Mbrëmë, në Cineplexx AlbiMall, këto ndjesi u përjetuan fuqishëm nga aktorët, profesionistët e filmit dhe dashamirësit e kinemasë. Filmi “Era” na e përkujton se edhe para luftës nuk kishim paqe, se paralufta nuk ka më pak ndikim në formësimin tonë kolektiv sesa vetë lufta.

Pas suksesit në Brooklyn Film Festival dhe çmimit për Aktoren më të Mirë për Zana Berishën, “Era” vazhdon rrugëtimin e saj ndërkombëtar. E ftoj publikun tonë që ta shohë këtë film në kinematë në mbarë Kosovën ku do të shfaqet: sonte dhe çdo natë në Prishtinë si dhe premiera në Prizren.

Urime regjisores e skenaristes Parta Kelmendi, Zana Berishës e gjithë ansamblit të aktorëve si dhe ekipit të filmit për këtë arritje të rëndësishme artistike e cila i jep frymë të re kinemasë sonë.

Yjet e Real Madridit marrin veturat të reja nga BMW!

0

Sponsori i hershëm i Real Madrid, BMW, tradicionalisht në fillim të çdo sezoni jep modelet e saj më të fundit për t’u përdorur nga të gjithë lojtarët e klubit dhe kjo ka ndodhur edhe këtë vit.

Futbollistët morën veturat e tyre BMW në një ceremoni të mbajtur në Madrid.

Në sezonin e katërt të marrëveshjes me markën gjermane, lojtarët e Real Madridit do të përdorin gamën më të gjerë të automjeteve dhe opsioneve të motorëve, kryesisht modelet BMW i7 dhe BMW XM.

Këtë vit, fryma inovative e Neue Klasse të BMW bashkohet me klubin e futbollit.

Në ceremoninë e prezantimit, skuadra pozoi përkrah BMW iX3 të ri, modelit të parë në gjeneratën e re të automjeteve elektrike të markës, i cili mishëron në mënyrë të përsosur kombinimin e sportivitetit, teknologjisë dhe qëndrueshmërisë.