Eminem në lidhje dashurie me një shqiptare?

0

Reperi i njohur, Eminem, është raportuar se është në një lidhje me Katrina Malotën, një stiliste dhe grimere me origjinë shqiptare, e cila jeton dhe punon në Michigan, SHBA.

Burime për TMZ bëjnë të ditur se Katrina ka qenë pjesë e ekipit të ngushtë të Eminemit për vite me radhë, duke u kujdesur për pamjen e tij në videoklipe muzikore dhe sete fotografike.

Tani, marrëdhënia e tyre profesionale duket se është kthyer në një lidhje më të afërt personale.

Screenshot/TMZ

Përveç bashkëpunimit me Eminem, Katrina punon si stiliste flokësh në një sallon bukurie në Birmingham, Michigan.

Ajo ka gjithashtu një karrierë të suksesshme në fushën e bukurisë, duke punuar me artistë të njohur si Snoop Dogg, Robin Thicke dhe 50 Cent.

Në faqen e saj në Facebook thuhet se ajo është nga Detroit (Motor City), një detaj që e lidh edhe më shumë me reperin e “8 Mile”, i cili është vetë nga i njëjti qytet.

Ende nuk është e qartë se sa kohë kanë qenë bashkë, dhe asnjëri prej tyre nuk ka reaguar publikisht ndaj këtyre raportimeve.

Megjithatë, lajmi për lidhjen me stilisten me origjinë shqiptare ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe fansave në mbarë botën.

Këto janë disa nga komunat ku zgjedhjet mund të përfundojnë që në raundin e parë

0

Shtipi, Kratova, Kriva Pallanka, Vallandova dhe Dellçeva janë ndër 21 komunat ku në garë për kryetar komune janë vetëm dy kandidatë, dhe me shumë gjasa qytetarët do të zgjedhin udhëheqësin e vetëqeverisjes lokale që në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, respektivisht më 19 tetor. Zgjedhjet lokale do të mbahen në gjithsej 80 komuna dhe për Qytetin e Shkupit.

Në Komunën e Bogorodicës do të përballen Bllazhe Shapov, i mbështetur nga koalicioni i LSDM-së, dhe Marjan Peev nga VMRO-DPMNE. Në Bogovinë garojnë Feti Anazi nga VLEN-i dhe Besnik Emshi nga AKI; në Bosillovë – Mariçe Karmaziçeva nga LSDM dhe Risto Mançev nga VMRO-DPMNE; në Vallandovë – Pero Kostadinov nga LSDM dhe Gjoko Kamçev nga VMRO-DPMNE; në Vasillevë – Sllave Andonov nga VMRO-DPMNE dhe Vanço Novosellski nga LSDM.

Në Vrapçishtë përballen Mehmet Seferi nga VLEN dhe Isen Shabani nga BDI; në Gradsko – Kiro Nackov nga VMRO-DPMNE dhe Dragosllav Simonoviq nga LSDM; në Dellçevë – Ivan Gocevski nga VMRO-DPMNE dhe Dejan Glinxharski, i mbështetur edhe nga LSDM; në Zhelinë – Blerim Sejdiu nga VLEN dhe Emir Sulejmani nga AKI; në Zërnovcë – Vanço Mitev dhe Borço Kocev, të dy nga LSDM; në Karbincë – Viktor Paunov nga VMRO-DPMNE dhe Lubica Sokolovska nga LSDM; në Kratovë – Vllatko Spirovski nga LSDM dhe Todorçe Nikollovski nga VMRO-DPMNE; në Kriva Pallankë – Sashko Mitovski nga LSDM dhe Oliver Aleksovski nga VMRO-DPMNE.

Në Krivogashtan garojnë Igor Karaviloski nga LSDM dhe Sasho Graoroski nga VMRO-DPMNE; në Likovë – Nexhmedin Sadiki nga VLEN dhe Erkan Arifi nga AKI; në Mavrovë dhe Rostushë – Anes Ahmeti nga LSDM dhe Oner Jakupovski nga VMRO-DPMNE; në Novo Sellë – Gjorgje Bozhinov nga VMRO-DPMNE; në Petrovec – Borçe Mitovski nga VMRO-DPMNE dhe Elizabeta Zelenikovska nga LSDM; në Pllasnicë – Elsan Nurçeski nga Partia Demokratike e Turqve dhe Alia Jaoski nga AKI; në Tearcë – Nazim Taipi nga AKI dhe Daut Memishi nga VLEN; ndërsa në Shtip – Ivan Jordanov nga VMRO-DPMNE dhe Pavell Ivanov nga LSDM.

Sipas sondazheve dhe analizave matematikore, disa ekspertë dhe media vlerësojnë se në disa komuna zgjedhjet mund të përfundojnë që në raundin e parë, duke u zgjedhur kryetari i komunës pa pasur nevojë për raund të dytë. Këshilltarët e komunave zgjidhen në raundin e parë, përveç rasteve kur votimi duhet të përsëritet.

Nëse në raundin e parë asnjë kandidat nuk fiton shumicën e nevojshme të votave, sipas nenit 132, paragrafi 1 i Kodit Zgjedhor, organizohet raundi i dytë midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota. Ky raund zhvillohet brenda 14 ditëve nga përfundimi i raundit të parë, dhe fitues shpallet kandidati që merr më shumë vota.

Në rast se as pas raundit të dytë, për çfarëdo arsye, nuk zgjidhet kryetari i komunës, komisioni zgjedhor është i detyruar ta njoftojë Qeverinë brenda 15 ditëve nga përfundimi i zgjedhjeve.

Këshilltarët zgjidhen në raundin e parë sipas modelit proporcional, duke përdorur formulën D’Hondt. Sipas kësaj formule, numri i përgjithshëm i votave për listat e kandidatëve ndahet me vargun e pjestuesve 1, 2, 3… deri në numrin e anëtarëve të këshillit që do të zgjidhen. Kuotat e përfituara renditen nga më e madhja te më e vogla, derisa të plotësohet numri i vendeve në këshill. Një listë kandidatësh fiton aq vende sa kuota të mëdha ka ndër ato të marra në konsideratë.

Fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve fillon menjëherë të hënën, më 20 tetor, dhe përfundon më 30 tetor në mesnatë. Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 2 nëntor.

Nesër në Shkup marsh protestues për Palestinën

0

Iniciativa “Të gjithë për Palestinën” do të organizojë marshim proteste për të shprehur solidaritet me popullin palestinez. Ngjarja do të zhvillohet nesër, më 18 tetor 2025, duke filluar nga ora 12:00, para monumentit “Simfonia e Paqes” në sheshin e Lirisë.

Marshimi do të vazhdojë nëpër zonën qendrore të qytetit dhe do të përfundojë para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Përfaqësuesit e iniciativës “Të gjithë për Palestinën” do të jenë në dispozicion për deklarata për mediat në pikat e fillimit dhe të mbarimit të marshimit.

Ngjarja është pjesë e një lëvizjeje globale solidariteti me Palestinën, e cila tani po tërheq vëmendjen ndaj nevojës urgjente për qasje të papenguar humanitar në Gazë, si dhe ndaj një rindërtimi të drejtë të udhëhequr nga populli palestinez.

Organizatorët theksojnë se mbyllja ose kushtëzimi i ndihmës humanitare është një shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe se qeveritë dhe institucionet ndërkombëtare duhet të sigurojnë mbikëqyrje dhe përgjegjësi për çdo pengesë të ndihmës.

Qëllimi i protestës është të kujtojë se paqe pa liri nuk ekziston dhe se drejtësia për Palestinën është një parakusht për një botë të drejtë.

Çfarë ndodh kur çmimi i arit rritet? Historia na jep përgjigjen

0

Gjatë muajve të fundit, çmimi i arit është rritur vazhdimisht, duke tejkaluar të gjitha pritshmëritë e tregjeve financiare. Bankat qendrore po blejnë sasi rekord, investitorët po tërhiqen nga dollari dhe obligacionet, ndërsa njerëzit po e shohin sërish arin si strehën më të sigurt në kohë pasigurie globale. Por dukuri të tilla rrallë janë vetëm lajme ekonomike. Në histori, çdo ngritje e madhe e çmimit të arit ka paraprirë ndryshime të thella shoqërore, politike dhe sistemore.

Ajo që po shohim sot në tregje nuk është një luhatje e zakonshme e çmimeve – është simptomë e diçkaje shumë më të madhe. Kur shtetet në masë e zhvendosin besimin nga paraja e letrës te metali i çmuar, kjo zakonisht nënkupton se nën sipërfaqe po zhvillohet një proces që po e ndryshon vetë strukturën e rendit ekonomik. Ari gjithmonë reagon përpara institucioneve, politikës dhe opinionit publik – si një detektor natyror i frikës dhe tronditjeve të sistemeve. Dhe pikërisht për këtë arsye ia vlen të dëgjojmë sinjalin e tij.

Evropa në shekujt XVI dhe XVII – ari si katalizator i botës së re

Kur anijet spanjolle dhe portugeze nisën të ktheheshin në Evropë të ngarkuara me ar dhe argjend nga e ashtuquajtura “Bota e Re”, kontinenti nuk ishte më i njëjti. Ky “revolucion çmimesh” – shpërthimi i sasisë së metaleve të çmuara në qarkullim – shkaktoi një rritje të vazhdueshme të çmimeve, tronditi themelet e sistemit feudal dhe përshpejtoi lindjen e kapitalizmit. Metalet e çmuara jo vetëm që nxitën tregtinë, por edhe zbuluan brishtësinë e strukturave të vjetra ekonomike dhe politike. Ari nuk ishte vetëm pasuri – ishte sinjal se bota po hynte në një epokë të re.

Rusia, 1917 – ari si strehë gjatë revolucionit

Në prag të Revolucionit të Tetorit, ekonomia ruse po shkatërrohej nën peshën e luftës, urisë dhe trazirave politike. Besimi në rublën kishte humbur dhe ari ishte e vetmja vlerë e qëndrueshme. Aristokracia dhe borgjezia grumbullonin ar dhe e dërgonin jashtë vendit, duke u përpjekur të shpëtonin pasuritë nga kaosi revolucionar. Pas përmbysjes, pushteti i ri bolshevik përdori rezervat e arit si mjet kyç për mbijetesë dhe për financimin e shtetit të ri. Çdo gram ari atëherë vlente më shumë se paratë – ishte çështje jete a vdekjeje.

Kina në vitet 1930 – metali që shpëtoi perandoritë

Gjatë pushtimit japonez dhe shpërbërjes së Republikës Kineze, valuta e vendit humbi çdo kuptim. Inflacioni ishte shkatërrues, ndërsa besimi te shteti pothuajse i zhdukur. Njerëzit e zakonshëm i shndërronin kursimet në ar dhe e fshihnin në shtëpi, themele apo tempuj, duke ditur se ishte e vetmja vlerë që pushtuesi nuk mund ta shkatërronte. Edhe kur regjimet rrëzoheshin dhe kufijtë ndryshonin, ari mbetej i pandryshueshëm – një matës i palëkundur i besimit.

Vitet 1970 – fundi i standardit të arit

Kur në vitin 1971 presidenti amerikan Richard Nixon hoqi lidhjen e dollarit me arin, bota hyri në një realitet të ri monetar. Ari u rrit ndjeshëm në vlerë, duke treguar se paraja pa mbështetje fizike vlen vetëm aq sa besimi në shtetin që e emeton. Inflacioni në SHBA dhe Evropën Perëndimore doli jashtë kontrollit, ndërsa investitorët dhe shtetet u kthyen sërish te ari si strehë nga pasiguria financiare. Ishte fundi i një epoke – dhe fillimi i një tjetre.

Krizat financiare të shekullit XXI – përgjigjja e vjetër për botën e re

Nga Kriza e Madhe e vitit 2008, kriza e borxhit në Evropë, deri te goditjet e pandemisë dhe tronditjet bankare të vitit 2023 – çdo krizë e madhe ekonomike globale është shoqëruar nga i njëjti refleks i njohur: çmimi i arit rritet. Sa herë që besimi në banka, shtete apo tregje financiare lëkundet, investitorët i rikthehen këtij metali të lashtë. Ai nuk jep interes apo dividentë, por ofron diçka më të vlefshme – ndjenjën e sigurisë në një botë gjithnjë e më të pasigurt.

Rritja e çmimit të arit – një sinjal që s’mund ta injorojmë

Edhe sot po e shohim të njëjtin model: çmimi i arit nuk po rritet sepse bota po bëhet më e pasur, por sepse po bëhet më e paqëndrueshme. Bankat qendrore po blejnë sasi rekord, investitorët po ikin nga tregjet me rrezik, dhe njerëzit po humbin besimin në paranë e letrës. Historia na mëson se sa herë që ari “flet”, nuk e bën për të kaluarën – por për të paralajmëruar të ardhmen. Dhe sinjali i tij aktual është i qartë, themelet e vjetra po lëkunden, ndërsa një botë e re po afrohet më shpejt nga sa duam ta pranojmë.

Teksti bazohet në të dhëna historike nga disa enciklopedi ekonomike dhe historike.

Aksident mes dy kamionëve në autostradën Prishtinë-Prizren

0

Një aksident trafiku raportohet se ka ndodhur sot në orët e mëngjesit në autostradën Prishtinë-Prizren.

Sipas pamjeve që qarkullojnë në rrjetet sociale shihet një kamion që ka dalë nga rruga, ndërsa një tjetër në afërsi të aksidentit.

Bazuar në pamje shihet se në aksident janë përfshirë dy kamionë.

Dyshohet se i është rikthyer radikalizmit, autoritetet austriake e arrestojnë sërish adoleshentin me prejardhje nga Maqedonia

0

Dy të rinj, një me prejardhje nga Maqedonia dhe tjetri nga Çeçenia, të cilët gjatë verës së vitit 2023 u dënuan në Gjykatën Rajonale të Leobenit për planifikim të një sulmi ndaj një gjimnazi, janë arrestuar sërish nën dyshimet për terrorizëm, raporton portali austriak Heute.

Fillimisht, ata u dënuan me dënime pjesërisht me kusht, 15 dhe 16 vjet burg, për synimin e tyre për të “krijuar një kalifat” në Austri dhe për planet për të vrarë të krishterë. Njëri prej tyre, tashmë 17 vjeç, u lirua para kohe pasi kishte vuajtur dy të tretat e dënimit, ndërsa ishte nën mbikëqyrje përmes programeve të deradikalizimit dhe terapive psikologjike.

Megjithatë, sipas prokurorisë, ai ka shfaqur sërish shenja të radikalizimit – duke përfshirë plane për një masakër me armë automatike dhe përpjekje për të siguruar fonde për blerjen e armëve. Deri më tani, adoleshenti ka refuzuar të bashkëpunojë me autoritetet, shkruajnë mediat austriake.

Ndërkohë, bashkëpunëtori i tij, 18 vjeç, u ndalua në fund të gushtit në kufirin e Maqedonisë, gjatë kthimit nga vendlindja e tij. Edhe ai akuzohet për plane të reja dhe serioze për sulme, përfshirë përdorimin e bombave, dhe është rikthyer në burg pas shkeljes së dënimit me kusht nga procesi i parë gjyqësor.

Sonte në mesnatë fillon heshtja zgjedhore, kandidatët edhe sot kanë mundësi të prezantojnë programet e tyre

0

Sot është dita e fundit e fushatës zgjedhore para mbajtjes se rrethit të parë të zgjedhjeve lokale, që duhet të mbahen të dielën më 19 tetor. Partitë politike, kandidatët e pavarur dhe koalicionet edhe sot kanë mundësi të paraqesin veten dhe vizionet dhe programet e tyre për zgjedhjet lokale.

Sonte në mesnatë fillon heshtja zgjedhore, e cila do të zgjasë deri në përfundimin e zgjedhjeve. Nga dita e hënë më 20 tetor do të fillojë fushata për ato komuna, ku nuk do të zgjidhet kryetari në rrethin e parë zgjedhor.

Sot protestohet në Tiranë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë

0

Sot më 17 tetor, nga ora 17:00 sheshi “Skënderbej” në Tiranë do të jehojë nga thirrjet për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët mbahen në paraburgimin e Hagës.

Protesta me moton Liria ka emër, drejtësi për çlirimtarët në Tiranë pritet të jetë ndër më madhështorët ndonjëherë në përkrahje të krerëve të UÇK-së, me pjesëmarrje të qytetarëve, shoqërisë civile dhe figurave të njohura politike nga trojet shqiptare.

Qytetarët nga të gjitha trevat shqiptare po mobilizohen për të marrë pjesë në këtë tubim të cilin e shohin si detyrim moral dhe kombëtar ndaj atyre që udhëhoqën luftën për liri e sot po mbahen padrejtësisht në Hagë.

Përkrahje për protestë kanë deklaruar politikanë të ndryshëm shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, teksa nga Kosova pritet të nisen rreth 60 autobusë me qytetarë që do t’i bashkohen protestës në Tiranë.

Autoritetet në Shqipëri dje kanë deklaruar se ‘Rruga e Kombit’ do të jetë pa pagesë për qarkullim sot me 17 tetor për të gjithë qytetarët në shenjë solidarizimi me protestën.

Kujtojmë se protestë në përkrahje të ish krerëve të UÇK-së u organizua edhe në Prishtinë dhe në Hagë.

Mot kryesisht me vranësira dhe me reshje shiu

0

Moti sot do të jetë kryesisht me vranësira dhe me reshje të kohëpaskohshme të shiut, të cilat do të jenë më të mëdha në pjesët perëndimore, ku lokalisht pritet të reshin mbi 25 litra në një metër katror. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi juglindor, theksohet në kumtesën e Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike. 

Temperatura minimale do të jetë në interval prej 7 deri 12 gradë, ndërsa ajo maksimale prej 11 deri 15 gradë Celsius. 

Në Shkup, kryesisht me vranësira dhe me reshje të kohëpaskohshme, herë pas here më të mëdha. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi juglindor. Temperatura minimale do të ulet deri 12, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 14 gradë. 

Sipas parashikimit të DPHM-së, të shtunën moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale me intensitet të dobët. Pastaj vijon mot kryesisht i qëndrueshëm me temperatura nën mesataren për këtë periudhë të vitit. 

Përmbyllet numërimi i votave në 21 komuna të Kosovës, këto janë detajet

0

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në ora 21:30 është përmbyllur verifikimi e numërimi i votave në 21 Qendra Komunale të Numërimit.

“Hani i Elezit (e hënë), Junik, Mamushë, Zveçan (e martë), Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj (e mërkurë), Viti, Rahovec, Suharekë, Dragash, Kaçanik, Lipjan, Fushë Kosovë dhe Ferizaj (e enjte)”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi për Gazetën Express.

Ai ka treguar se në Qendrat Komunale të Numërimit zhvillohen 3 aktivitete të rëndësishme: “Verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave, verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale, dhe numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvende Komunale”.

Në platformën e KQZ-së për rezultate vazhdueshëm po prezantohen rezultatet nga QKN-të, vendvotim pas vendvotimi.