Pas 8 vitesh, Maqedonia miratoi strategjinë kombëtare për zhvillimin e TIK-ut

0

Pas tetë vitesh, Maqedonia ka miratuar strategjinë kombëtare për zhvillimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), e njohur si SMART/MK2030, e cila paraqet udhërrëfyesin se si shteti do ta realizojë të ardhmen digjitale. Ky është një dokument nacional i harmonizuar me Dekadën Digjitale Evropiane dhe Agjendën e Zhvillimit, përcjell TV21. Strategjia bazohet në katër shtylla kryesore: infrastruktura e TIK-ut, kompetencat digjitale – me synimin që deri në vitin 2030 të paktën 70% e popullsisë të ketë aftësi digjitale, qeverisja elektronike dhe shërbimet publike, si dhe inteligjenca artificiale si shtylla e katërt.

“Si vend kandidat, Maqedonia pranon kornizën e Dekadës Digjitale Evropiane, e cila parasheh katër objektiva deri në vitin 2030: qytetarë të trajnuar digjitalisht dhe ekspertë të kualifikuar të TIK-ut, infrastrukturë të sigurt dhe të lidhur, shërbime publike të digjitalizuara dhe biznese të integruara digjitalisht. Strategjia jonë ndjek drejtpërdrejt këto prioritete evropiane, forcon konvergjencën institucionale me vendet anëtare, krijon mundësi për pjesëmarrje në programet digjitale evropiane dhe mundëson qasje në instrumente financiare dhe ndihmë teknike nga BE-ja”, tha Stefan Andonovski – Ministër për Transformim Digjital.

📞 0800-54321, raportoni falas shkeljen e të drejtës suaj të votës

0

Të dielën, në raundin e parë të Zgjedhjeve Lokale, zyra e Avokatit të Popullit do ta aktivizojë linjën telefonike falas 0800-54321, në të cilën qytetarët nga ora 7 deri në 19 do të mund të raportojnë shkelje të të drejtës zgjedhore, përcjell TV21. Raportimet mund të bëhen edhe personalisht në të gjitha shtatë zyrat e Avokatit të Popullit – në Shkup, Manastir, Kërçovë, Kumanovë, Strumicë, Tetovë dhe Shtip, si edhe në numrat lokalë të telefonit të publikuar për çdo qytet.

Nga institucioni informojnë se do të ndërmerren masa urgjente për mbrojtjen e të drejtave të votuesve, ndërsa kujtojnë se e drejta e votës është e garantuar me Kushtetutë dhe se çdo shkelje e saj përbën vepër të dënueshme. Avokati i Popullit apelon që të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor të veprojnë me përgjegjësi dhe të respektojnë protokollet shëndetësore gjatë votimit./tv21.tv

UEFA hap hetim të ri ndaj Juventusit

0

Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka nisur një hetim të ri kundër Juventusit për shkelje të mundshme të rregullave të fer-plejit financiar, pas suspendimit të klubit nga garat evropiane në sezonin 2023/24 për shkelje të ngjashme.

Sipas njoftimit të klubit torinez, më 18 shtator Juventusi ka marrë informacionin zyrtar nga UEFA për hapjen e procedurës, lidhur me tejkalimin e mundshëm të limitit financiar për periudhën trevjeçare 2022/23–2024/25.

Epilogu i hetimit pritet në pranverën e vitit 2026 dhe mund të përfshijë gjoba financiare – që pritet të jenë më të ulëta – si dhe sanksione sportive, përfshirë kufizime në regjistrimin e lojtarëve të rinj për garat evropiane.

Klubi, i kontrolluar nga familja Anjeli përmes holdingut të tyre “Exor”, u përjashtua nga garat evropiane sezonin e kaluar për shkelje paraprake të rregullave të fer-plejit financiar.

BE miraton 16 milionë euro për Maqedoninë e Veriut, për reforma dhe projekte infrastrukturore

0

Bashkimi Evropian ka miratuar lëshimin e dytë të mjeteve për Maqedoninë e Veriut në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, në vlerë totale prej 16 milionë eurosh, përcjell TV21. Shuma përfshin grante të pakthyeshme dhe hua, nga të cilat 7,4 milionë euro do të paguhen direkt në buxhetin shtetëror, ndërsa pjesa tjetër do të shfrytëzohet për projekte infrastrukturore përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Vendimi vjen pas vlerësimit pozitiv të Komisionit Evropian për reformat e Qeverisë, duke përfshirë progresin në digjitalizim, sigurinë kibernetike, dokumentet elektronike dhe luftën kundër ekonomisë joformale. Për hapat që nuk janë përmbushur plotësisht, Komisioni ka caktuar një periudhë shtesë deri në qershor 2026.

Presidentja Osmani në Tiranë, por jo për protestën “Liria ka emër”

0

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar sot në Tiranë. Sipas Kosovapress Osmani shkoi në Shqipëri për një vizitë të shkurtër, për çështje private.

Në kryeqytetin shqiptar sot do të mbahet protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë, ndërkohë disa media e kanë lidhur vizitën e Osmanit me protestën.

Para dy ditësh Osmani ka deklaruar se e mbështet protestën në Tiranë, në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“E mbështes këtë protestë dhe e kam mbështetur secilën protestë e cila thërret për drejtësi. Qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët gjithandej, asnjëherë nuk kanë kërkuar asgjë tjetër përveç drejtësi. Drejtësi e cila respekton parimet më të larta të mbrojtjes se të drejtave të njeriut. Kosova dhe më konkretisht krerët të cilët tani përballen në Hagë pikërisht pse kanë pasur besim në drejtësi janë paraqitur para saj, tashmë po bëhen pesë vite, pa asnjë dyshim në drejtësinë ndërkombëtare por ne si institucione të Kosovës vazhdimisht kërkojmë qe parimet më te larta të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive të njeriut të respektohen dhe unë u jap plotësisht të drejtë qytetarëve tanë dhe i mbështes ata sa herë protestojnë për të kërkuar respektimin e këtyre standardeve”, ka thënë ajo.

Një tjetër protestë është mbajtur në Hagë, më 14 shtator, një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Protesta është mbajtur në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale, ku morën pjesë rreth 10 mijë shqiptarë nga e gjithë bota.

Po ashtu, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka mbledhur më 7 gusht në Prishtinë, ish-luftëtarë e qytetarë të tjerë në një protestë kundër padrejtësisë që vlerësojnë se po i bën Gjykata Speciale në Hagë.
Protesta në Tiranë organizohet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK). Gjatë ditës së djeshme në konferencë për media kanë njoftuar se nga Kosova do të nisen mbi 60 autobusë. Në këtë protestë është konfirmuar edhe pjesëmarrja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Protesta “Liria ka emër”, Rruga e Kombit pa pagesë! Kalimi kufitar Kosovë-Shqipëri pa kontrolle, kolona të gjata veturash në hyrje të Tiranës

0

Kalimi në pikën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë sot është zhvilluar pa kontrolle, si pjesë e masave lehtësuese për qytetarët që udhëtojnë drejt Tiranës për protestën madhështore në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.

Ministria e Infrastrukturës në Shqipëri ka njoftuar se “Rruga e Kombit” të jetë pa pagesë për 24 orë, për të lehtësuar qarkullimin drejt Tiranës.

Ndërkaq edhe në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri, nuk janë vërejtur kontrolle. Ndërsa në hyrje të Tiranës ka kolona të gjata veturash.

Ministri Aliu në Gostivar vaksinohet kundër gripit: Kemi siguruar numrin më të madh të vaksinave kundër gripit sezonal

0

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu vizitoi repartin e epidemiologjisë në Gostivar, ku gjithashtu mori vaksinën kundër gripit sezonal.

“Sot ndodhem në Gostivarin tim të lindjes dhe përmes shembullit personal dua të theksoj rëndësinë e vaksinimit në kohë, si masë më efektive parandaluese për mbrojtjen e shëndetit. Apeloj qytetarët, veçanërisht ata që bëjnë pjesë në grupet e rrezikut, të vaksinohen përmes aplikacionit vakcinacija.mk ose tek mjeku i tyre amë,” tha ministri gjatë vizitës.

Në nivel shtetëror, deri më tani janë paraqitur rreth 49 mijë qytetarë për vaksinim kundër gripit sezonal, ndërsa vetëm në ditën e parë janë vaksinuar mbi dy mijë persona.

“Ky interes i madh tregon vetëdije për rëndësinë e mbrojtjes nga gripi dhe konfirmon nevojën e kësaj mase parandaluese. Këtë vit, Ministria ka siguruar numrin më të madh të vaksinave kundër gripit sezonal – 80 mijë doza të vaksinës katërvalente nga prodhuesi i njohur ‘Abot’ nga Holanda,” shtoi Aliu.

Vaksinimi falas përfshin grupet e rrezikut: personat mbi 65 vjeç, ata me sëmundje kronike, punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna, fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç, si dhe banorët dhe punonjësit e institucioneve sociale për të moshuar.

FIFA: Janë shitur mbi një milion bileta për Kupën Botërore 2026

0

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) njoftoi se janë shitur më shumë se një milion bileta për Kupën Botërore, e cila do të mbahet verën e ardhshme në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Kërkesa më e madhe për bileta vjen nga tifozët në vendet nikoqire, ndërsa deri tani bileta kanë blerë tifozë nga 212 vende dhe territore të ndryshme. Megjithatë, deri më tani janë të konfirmuar vetëm 28 nga 48 ekipet pjesëmarrëse në turneun që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik të vitit të ardhshëm.

Sipas FIFA-s, Anglia, Gjermania, Brazili, Spanja, Kolumbia, Argjentina dhe Franca janë ndër 10 vendet kryesore sipas numrit të biletave të blera.

“Ndërsa kombëtaret nga e gjithë bota garojnë për një vend në Kupën Botërore historike, jam i mahnitur nga entuziazmi i tifozëve të futbollit që duan të jenë pjesë e këtij eventi në Amerikën e Veriut. Kjo është një përgjigje e jashtëzakonshme dhe një shenjë e mrekullueshme që Kupa më e madhe dhe më gjithëpërfshirëse në histori po kap imagjinatën e tifozëve”, tha kryetari i FIFA-s, Xhani Infantino.

Figura e Steve Jobs do të shfaqet në monedhën 1 dollarëshe

0

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se Steve Jobs, bashkëthemeluesi vizionar i Apple, do të nderohet me një monedhë përkujtimore 1 dollarëshe si pjesë e Programit Amerikan të Inovacionit 2026.

Monedha tregon Jobsin i ulur këmbëkryq para kodrave të mbuluara me lisa të Kalifornisë Veriore, duke simbolizuar vizionin e tij për ta bërë teknologjinë intuitive dhe organike, si natyra. Ajo mban citatin e tij të famshëm: “Bëj diçka të mrekullueshme.”

Jobs, i njohur për revolucionin e informatikës personale (Apple II, Macintosh) dhe industrinë e muzikës (iPod, iPhone), i bashkohet figurave të tjera të nderuara për arritjet e tyre në inovacion.

Monedhat me edicion të kufizuar, jo për qarkullim, do të jenë në dispozicion për 13.25 dollarë në faqen e U.S. Mint, duke u bërë koleksion i kërkuar për entuziastët e teknologjisë dhe numizmatët.

Skandali në shtëpinë e Schumacher, një pilot dyshohet se ka përdhunuar infermieren që kujdesej për legjendën e Formula 1

0

Sipas prokurorisë zvicerane, Joey Mawson, 29 vjeç, akuzohet se ka përdhunuar dy herë një infermiere që kujdesej për Schumacher-in, ndërsa ajo ishte në gjendje pa ndjenja pas një mbrëmjeje me kokteje. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 23 nëntor të vitit 2019.

Mawson ka mohuar akuzat, duke pretenduar se marrëdhënia me viktimën ishte konsensuale dhe se ata kishin pasur më parë kontakt romantik, përfshirë një puthje në një klub nate në Gjenevë.

Sipas aktakuzës zyrtare, infermierja – e cila ishte një kujdestare me banim në rezidencën e Schumacher-it – kishte konsumuar alkool pas një dite të lodhshme pune dhe ndjehej keq fizikisht. Ajo u shoqërua në dhomë nga kolegët, të cilët raportojnë se e lanë të shtrirë në shtrat pa e zhveshur dhe me dritat ndezur.

Në dokumentet gjyqësore thuhet se pas largimit të tyre, Mawson është kthyer në dhomë dhe ka kryer aktin e përdhunimit ndërsa viktima ishte në gjendje të pandërgjegjshme. Vetë infermierja nuk mban mend asgjë nga nata në fjalë dhe asnjë nga dëshmitarët e tjerë nuk raportuan të kenë parë apo dëgjuar ndonjë gjë të dyshimtë.

Procesi gjyqësor ishte planifikuar të niste këtë javë, por Mawson nuk u paraqit në gjykatë, duke e detyruar trupin gjykues të shtyjë seancën për në një datë të pacaktuar.

Aktualisht, Mawson është i pezulluar nga garat, si pasojë e një skandali të ndarë që lidhet me doping në Australi. Ai është një dy herë kampion i serisë australiane S5000 dhe dikur konsiderohej një talent premtues në botën e garave, ku garonte krahas emrave si Mick Schumacher, Lando Norris dhe George Russell.

Familja Schumacher nuk është e përfshirë në këtë çështje dhe ka refuzuar të komentojë mbi rastin. Bild raporton se Mick Schumacher dhe Joey Mawson nuk kanë pasur kontakte për shumë vite.

Ankesa penale u paraqit në vitin 2022, tre vjet pas ngjarjes së pretenduar, pasi infermierja u largua nga ekipi mjekësor që kujdesej për ish-kampionin e botës në Formula 1.