Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se kompania japoneze e automjeteve “Toyota” do të investojë mbi 10 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara gjatë pesë viteve të ardhshme për ndërtimin e fabrikave të reja të makinave.
“Kryeministrja (Sanae Takaichi) më tha se ‘Toyota’ do të ndërtojë fabrika në të gjithë SHBA-në, me një vlerë prej mbi 10 miliardë dollarësh. Na pëlqen kjo”, deklaroi Trump gjatë vizitës në aeroplanmbajtësen me energji bërthamore “USS George Washington” në bazën detare Yokosuka, pranë Tokios.
Ai falënderoi Japoninë për “investimet e saj të mëdha” në SHBA, duke theksuar se investimi i “Toyota”-s është pjesë e një “vale të madhe parash që po derdhen në vend”.
“Sipas llogarive tona, rreth 17 trilionë dollarë po vijnë nga e gjithë bota. Deri në fund të vitit të parë, presim të kemi mbi 20 trilionë dollarë që do të hyjnë në vendin tonë”, shtoi Trump.
Më herët, “Toyota” kishte njoftuar një investim prej 88 milionë dollarësh për të rritur prodhimin e makinave hibride në fabrikën e saj në Virxhinian Perëndimore, duke ruajtur vendet e punës për rreth 2.000 punëtorë.
Sipas të dhënave të SHBA-së, tregtia dypalëshe me Japoninë në mallra dhe shërbime ka arritur në 319.2 miliardë dollarë në vitin 2024. Tokio ka pranuar të investojë 550 miliardë dollarë në SHBA në këmbim të një tarife të reduktuar prej 15 për qind për importet japoneze — nga 24 për qind që Trump kishte propozuar fillimisht.









