AKI i quan shpifje akuzat e VLEN-it për bashkëpunim me Levicën

TË FUNDIT

Nga koalicioni AKi i kanë quajtur shpifje akuzat e koalicionit VLEN, për bashkëpunim të AKI-së me Levicën.

Në lidhje me: VLEN: Vota për AKI-në është votë për Levicën

“Koalicioni VLEN vazhdon të bëjë atë që di më së miri – mashtrimin. Duke u përpjekur të fshehë faktin e hidhur të fitores me votat e VMRO-DPMNE-së në Çair, Tetovë, Strugë, Dibër е kështu me radhë, ata tani shpifin se gjoja Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) mbështetet nga votat e Levicës. I bëjmë me dije opinionit publik se është vetë Hristijan Mickoski ai që hapur i ka kërcënuar liderët e VLEN-it të kenë kujdes në veprimet dhe deklaratat e tyre politike. Madje, nënkryetari i VMRO-së, Aleksandër Nikollovski e tha qartë: “Bilall Kasami nuk duhet të turpërohet apo të ndihet në siklet që maqedonasit në Tetovë votuan për të në raundin e parë. Tani ai duhet t’u përgjigjet atyre njerëzve, sepse ata janë mbështetësit e tij”. Kjo tregon se kush i komandon dhe kush i dirigjon”, thonë nga AKI.

Nga AKI thonë se do të korrin fitore në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale më 2 nëntor.

“Më 2 nëntor, shqiptarët do të flasin qartë dhe me dinjitet – do t’i thonë JO vasalëve të VMRO-së dhe Mickoskit, duke zgjedhur rrugën e dinjitetit dhe përfaqësimit të vërtetë politik. E për pak desh harruam një pyetje që kërkon përgjigje të sinqertë: Pse hoqët dorë nga mbështetja e kandidatit Haqim Ramadani në Bërvenicë?”, thuhet mes tjerash në kumtesën e AKI.