Qyra pret Kasamin në Strugë: Zotohen për mbështetje së ndërsjellë dhe bashkëpunimit në projekte

0

Fushata po vazhdon edhe në Strugë. Kandidatin e pavarur Mendi Qyra e vizitoi një nga liderët e VLEN-it, njëheri edhe kandidat për kryetar të Tetovës, Bilall Kasami, për t’i dhënë përkrahje. Gjatë takimit, siç njoftuan, u theksua rëndësia e mbështetjes së ndërsjellë ndërmjet komunave dhe bashkëpunimit për projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Unë mendoj se do të vazhdojmë edhe këto 2-3 ditë dhe të bëjmë më të mirën për të bërë ndryshimin më 2 nëntor dhe me të mirën për qytetin e Strugës”, tha Mendi Qyra.

“Jemi për të dhënë një mesazh që fitorja e Tetovës nuk do të jetë e plotë nëse në krye të Strugës nuk vjen një biznesmen i suksesshëm, një qytetar që ka kontribuuar për strugën, siç është miku im Mendi Qyra”, tha Kasami.

Dalipi vazhdon fushatën: Vota për AKI është për të ardhmen e Strugës

0

Arsim Dallipi, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për kryetar të Strugës, mbrëmë zhvilloi tubim në Ladorisht, ku mori përkrahje të madhe nga banorët e këtij fshati. Dalipi theksoi se vota për AKI është një votë për përmirësimin e jetës së qytetarëve, respektimin e sakrificës së të parëve dhe për një të ardhme më të mirë për fëmijët e Strugës. Ai konfirmoi se Aleanca Kombëtare për Integrim do të jetë zgjedhja e domosdoshme për zhvillimin e komunës. Së fundmi, në kuadër tëzotimeve të tij, shpalosi edhe premtimin që komuna e Strugës do të subvencionojë 10.000 denarë për marrjen e patentës së shoferit për të rinjtë të cilët bëjnë pjes te rastet sociale!

Siljanovska-Davkova në Paris: Eurointegrimi nuk duhet të jetë diktat, por dialog

0

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, gjatë pjesëmarrjes në Forumit të Tetë të Paqes në Paris, u drejtua në një seancë të dedikuar të rinjve dhe perspektivës evropiane të Ballkanit, ku theksoi se bashkëpunimi rajonal dhe dialogu janë çelësi për të ardhmen e rajonit. Ajo theksoi se eurointegrimi nuk mund të jetë diktat, por dialog, dhe se stabiliteti i rajonit varet nga mirëkuptimi i ndërsjellë dhe perspektiva evropiane.

“Bashkëpunimi rajonal për mua është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Nuk mund të ikim nga rajoni, ai është fati ynë; kjo vlen jo vetëm për ne që ende presim të bëhemi kandidatë ose për ato shtete që po përfundojnë negociatat me BE-në, por edhe për ata që tashmë janë në BE dhe i përkasin rajonit tonë. Në fund, unë bëra thirrje për dialog, sepse për mua eurointegrimi nuk mund të jetë diktat, por dialog; u referova tek perspektiva nga jashtë, nga profesori Joseph Weiler, që edhe ata që nuk janë në BE sigurisht kanë çfarë të thonë për të ardhmen e Evropës dhe ndoshta është mirë të dëgjohen”, tha Gordana Siljanovska-Davkova.

Mijëra shishe lundrojnë në Vardar! Kallëzim penal ndaj autorit të panjohur

0

Katastrofa ekologjike që ndodhi në lumin Vardar është rezultat i deponive të egra dhe qytetarëve të pakujdesshëm, thonë nga Inspektorati për Mjedis. Mijëra shishe plastike u derdhën dje në Vardar. Inspektorati njoftoi policinë dhe është ngritur kallëzim penal. Nga komuna e Jagunovcës thonë se kanë vendosur 10–15 kamera sigurie në pika kritike për të reduktuar deponitë e egra. Reaguan edhe ekologët, të cilët kërkojnë përgjegjësi dhe më shumë kujdes të qytetarëve ndaj mjedisit.

Siria njeh Kosovën!

0

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se Siria e ka njohur Republikën e Kosovës, shkruan TV21. Osmani falënderoi Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud për ndërmjetësimin si dhe presidentin e Sirisë Al Sharaa për vendimin.

Tutje, Osmani tha se Kosova tani njihet nga 120 shtete.

“Siria njeh Kosovën! 🇽🇰🇸🇾

Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot ne Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë.

Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë.

Falënderoj Princin e Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite që e bëri të mundshëm këtë akt historik ndërmjet dy shteteve tona. 🇽🇰🇸🇦

Tani Kosova njihet nga 120 shtete. Republika jonë po ecë përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë”, ka shkruar Vjosa Osmani!

Përplasje të armatosura në Rio de Janeiro, mbi 130 viktima

0

Të paktën 132 persona u vranë në një bastisje masive ndaj trafikantëve të dyshuar të drogës në Rio de Janeiro, sipas autoriteteve lokale.

Deri në 2,500 oficerë policie morën pjesë në bastisjen, e cila u krye duke përdorur disa automjete të blinduara dhe helikopterë.

Operacioni kishte në shënjestër trafikimin e drogës në dy zona të cenueshme të Rios.

Vrasjet u dënuan nga OKB-ja, e cila kërkon që ngjarjet të hetohen.

Shembet ndërtesa 7-katëshe në Stamboll/ Turqi, 5 persona të bllokuar nën rrënoja

0

Një ndërtesë 7-katëshe është shembur në distriktin Gebze të provincës Kocaeli në Turqi, duke lënë të paktën pesë persona të bllokuar nën rrënoja. Autoritetet po zhvillojnë operacione intensive kërkim-shpëtimi me ndihmën e 147 punonjësve, përfshirë ekipe nga AFAD, zjarrfikësit, policia dhe organizata të tjera.

Guvernatori İlhami Aktaş deklaroi se shkaku i shembjes ende nuk dihet, ndërsa prioritet mbetet shpëtimi i personave të mbetur poshtë rrënojave. Sipas raportimeve, pesë anëtarë të një familjeje ndodheshin në ndërtesë në momentin e incidentit.

Në vendngjarje janë angazhuar qentë shpëtimtarë, pajisje për zbulimin e rrënojave, dronë dhe automjete speciale. Dëshmitarët kanë dëgjuar zëra nga nën rrënoja, ndërsa dyshohet se ndërtesa mund të jetë shembur për shkak të punimeve nëntokësore që po kryheshin pranë saj.

Barcelona ndalon daljet publike të Yamalit pas deklaratës “Reali vjedh”

0

Barcelona ka vendosur ta bllokojë përkohësisht Lamine Yamalin nga paraqitjet publike dhe intervistat pas polemikave të fundit që shpërthyen pas El Clasicos.

17-vjeçari shkaktoi reagime të forta para ndeshjes kundër Real Madridit, kur në një emision deklaroi se “Reali vjedh dhe ankohet”. Pas fitores së Realit 3-1, lojtarët madrilenë, mes tyre Carvajal dhe Vinicius Junior, iu përgjigjën me gjeste ironike ndaj Yamalit në fund të ndeshjes.

Shoku i tij te Barcelona, Raphinha, e kritikoi publikisht duke thënë: “Ai është ende i ri dhe i mungon pjekuria. Fjalët e tij i dhanë Real Madridit motivim shtesë.”

Për shkak të situatës, klubi katalanas ka anuluar një aktivitet promovues të planifikuar me kompaninë OPPO dhe gjithashtu një intervistë të parashikuar me “Sky Italia”. Sipas gazetarit Victor Nahe, drejtuesit e Barcelonës i kanë kërkuar agjentëve të Yamalit që ta mbajnë atë larg mediave për momentin.

Ndërkohë, portieri Inaki Pena, aktualisht te Elche, ka folur me fjalë të mira për talentin e ri, duke e krahasuar me Lionel Messin dhe duke thënë se “është ndryshe nga të gjithë të tjerët”.

Muhamed Elmazi mori detyrën e kryetarit të komunës së Sarajit: Zoti na ndihmoftë!

0

Muhamed Elmazi edhe zyrtarisht ka marrë drejtimin e komunës së Sarajit, pas fitores në zgjedhjet e 19 tetorit, përcjell TV21. Funksionin ia dorëzoi ushtruesi i detyrës Iljas Veseli.

“Sot mora zyrtarisht detyrën e Kryetarit të Komunës së Sarajit, pas ceremonisë së pranim–dorëzimit të mandatit nga tani më ish-kryetari, z. Iljas Veseli. Ky moment për mua nuk është vetëm një përgjegjësi, por edhe një nder i madh për të shërbyer me përkushtim ndaj çdo banori të Sarajit, pa dallim përkatësie, ideje apo bindjeje. Zotohem se do të punoj me nder, transparencë dhe përgjegjësi, duke e bërë komunën tonë një vend të zhvillimit, mirëqenies dhe bashkëpunimit të ndërsjellë. Zoti na ndihmoftë!”, ka shkruar Elmazi.

SHBA-ja e heq Millorad Dodikun nga lista e zezë

0

Shtetet e Bashkuara i kanë hequr nga lista e sanksioneve ish-liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodikun, si dhe anëtaren e Presidencës së Bosnjës, Zhelka Cvijanoviq, njoftoi Departamenti i Thesarit të mërkurën, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Përveç tyre, nga lista e zezë janë hequr dhe anëtarët e familjes së Dodikut, kompanitë e tyre dhe bashkëpunëtorët e ngushtë.

Dodik, presidenti i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur, ishte sanksionuar dy herë për shkak shkeljes së Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe.

Përveç tyre, 48 individë dhe subjekte juridike, që më parë ishin sanksionuar sipas Programit të Sanksioneve për Ballkanin Perëndimor, u hoqën nga lista e sanksioneve.

Javë më parë, OFAC hoqi nga lista e sanksioneve katër individë nga entiteti serb i Bosnjës, Republika Sërpska, të cilët ishin përfshirë në organizimin e festimeve të ditës antikushtetuese të 9 janarit.

Bëhet fjalë për sanksione për Danijela Dragiçeviq, Jelena Pajiq Bastinac, Dijana Millankoviq dhe Goran Rakoviq.

Në dhjetor të vitit të kaluar, autoritetet e Republikës Sërpska nënshkruan një kontratë me firmën ligjore amerikane “Zell & Associates International Advocates” për të lobuar që SHBA-ja t’i heqë sanksionet kundër Millorad Dodikut dhe Zheljka Cvijanoviqit, të promovojnë dialogun midis administratës së Republikës Sërpska dhe Donald Trumpit, si dhe të rishikojnë Marrëveshjen e Dejtonit dhe rolin e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje.

Sipas dokumentit të regjistrimit në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë (RFE), firma ligjore do t’i arrijë këto qëllime në SHBA nëpërmjet komunikimit me përfaqësuesit e autoriteteve lokale ekzekutive dhe legjislative, si dhe sektorin joqeveritar.

Deri më tani, kontratat e Republikës Sërpska me firma lobimi dhe avokatie në SHBA kanë të bëjnë kryesisht me promovimin e investimeve dhe këshillat ligjore, dhe këto shërbime kanë kushtuar dhjetëra mijëra dollarë në muaj.