Sherri mes dy miqve në Maqedoni përfundoi tragjikisht! Dyshohet se pasi kishin pirë së bashku alkool, një person e rrahu për vdekje shokun e tij

0

Prokuroria Themelore Publike e Gjevgjelisë kërkon paraburgim për një person, i cili dyshohet se ka kryer vrasje, përcjell TV21. Sipas njoftimit të Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur paditen e 1 nëntorit.

“I dyshuari, më 1 nëntor pasdite, afër një lokali në fshatin Sretenovë, Komuna e Dojranit, qëllimisht i ka marrë jetën një personi. Viktima, Nikolla Timev, më parë ishte mik i tij, me të cilin kishin pirë së bashku ulur në shkallët e lokalit. Në një moment, mes tyre shpërtheu një debat verbal, i cili u shndërrua në konflikt fizik. Sipas hetimeve, i dyshuari e goditi viktimën fillimisht me duar dhe këmbë, dhe më pas me një shufër metalike, duke i shkaktuar mbi dhjetë fraktura në duar, këmbë dhe kafkë. Goditjet zgjatën rreth gjysmë ore, gjatë së cilës viktima nuk mundi të mbrohej dhe pësoi plagë të rënda dhe gjakderdhje të madhe. I dyshuari e la viktimën në shkallë dhe u largua. Viktimën e vunë re kalimtarë të rastit, të cilët thirrën ndihmën e shpejtë, dhe ai u transportua në Qendrën Mjekësore të Gevgelisë, por vdiq si pasojë e plagëve të marra”, thonë nga Prokuroria.

Trump mbështet Cuomo-n për kryetar të New Yorkut

0

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbështetur Andrew Cuomo-n në garën për kryebashkiakun e New York City-t, duke i nxitur votuesit të mos zgjedhin kandidatin kryesor të krahut të majtë, Zohran Mamdani-n.

“Pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo Andrew Cuomo personalisht, nuk keni zgjidhje tjetër. Duhet të votoni për të dhe të shpresoni se ai do të bëjë një punë fantastike”, postoi Trump në Truth Social të hënën në mbrëmje. “Ai është i aftë për këtë, Mamdani jo!”, shkruan BBC.

Kandidati i pavarur Cuomo, një kritik i gjatë i Trump-it, i cili më parë ishte guvernator demokrat i New York-ut, iu përgjigj mbështetjes së vakët: “Ai nuk po më mbështet mua. Ai po e kundërshton Mamdani-n”.

Presidenti më parë tha se do të ngurronte të dërgonte më shumë se fondet minimale federale në qytetin e tij të lindjes, New York, nëse Mamdani zgjidhet.

Gashi takoi ish-kryetarët e Kuvendit, mungoi Talat Xhaferi! Propozohet krijimi i këshillit joformal për shkëmbim të ideve

0

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot u takua me ish-kryetarët e shtëpisë ligjvënëse, respektivisht Tito Petkovskin, Savo Klimovskin, Nikolla Popovskin dhe Trajko Veljanoskin. Ndërsa siç shihet nga pamjet, mungon ish kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Gashi, në një postim në Fejsbuk thekson se ky ishte një takim i veçantë, i pari i këtij lloji, me karakter institucional, ku kanë ndarë përvoja dhe ide të vlefshme për të ardhmen e Kuvendit si një institucion i rëndësishëm i shtetit.

Kryetari Gashi informoi se në takim u propozua të krijohet një këshill joformal ku do të shkëmbehen ide dhe përvoja pa ndikim politik. 

“Biseduam për reformat dhe proceset që kanë për qëllim ta bëjnë Kuvendin më të pavarur, më transparent dhe më efikas në kryerjen e funksioneve të tij. U pajtuam që përvoja e ish-kryetarëve paraqet në përparësi për institucionin, prandaj u propozua krijimi i një këshilli joformal, ku mund të shkëmbehen ide dhe përvoja pa ndikim politik, në dobi të Kuvendit dhe demokracisë parlamentare. I falënderova sinqerisht për pjesëmarrjen dhe gatishmërinë e tyre për bashkëpunim. Kuvendi gjithmonë do të mbetet një shtëpi e përbashkët për të gjithë qytetarët dhe një vend ku proceset politike zhvillohen me dinjitet dhe përgjegjësi”, thotë Gashi në postim.

Ablacioni për takikardi ventrikulare kryhet për herë të parë në Klinikën e Kardiologjisë në Shkup

0

Për herë të parë, në Klinikën Universitare për Kardiologji në Shkup është kryer ablacioni për takikardi ventrikulare. Me këtë rast, klinikën sot e vizituan ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, dhe drejtori i përgjithshëm i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski.

Gjatë konferencës për shtyp në Klinikë, Aliu theksoi se ekipi i Kardiologjisë tregoi se shëndetësia në vend ka njohuri, guxim dhe vizion për rezultate kulminante. Ai shtoi se ky është një hap i madh përpara në shëndetësi.

Drejtoresha e Klinikës, Danica Petkoska Spirova, deklaroi se ky është një hap i rëndësishëm në zhvillimin e elektrofiziologjisë, si dhe një konfirmim i profesionalizmit të lartë dhe përkushtimit të ekipit të Klinikës.

“Me këtë procedurë mundësojmë trajtim të shpejtë dhe efikas për të gjithë pacientët me të gjitha llojet e aritmisë, të cilët deri më tani dërgoheshin jashtë vendit për trajtim, me kosto të mbuluar nga FSSH,” tha Petkoska Spirova.

Rama: Përveç bonusit të fundvitit, nga janari rritje pensionesh muaj për muaj

0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dhënë një lajm të rëndësishëm për pensionistët, duke njoftuar se përveç bonusit të fundvitit që do të shpërndahet në dhjetor, nga janari i vitit 2026 do të nisë një rritje mujore e pensioneve, përtej indeksimit të zakonshëm vjetor.

Pensionistët tanë, përveçse do të marrin këtë dhjetor bonusin e fundvitit, duke filluar nga janari do të kenë një rritje të shtrirë muaj pas muaji përmbi indeksimin e përvitshëm, natyrisht,” deklaroi Rama në një video të publikuar në rrjetet sociale.

Qeveria i ka përcjellë Kuvendit projektbuxhetin për vitin 2026, ku parashikohet jo vetëm shpërndarja e bonusit të fundvitit për pensionistët, por edhe nisja e një rritjeje të vazhdueshme mujore të pensioneve, përtej indeksimit të zakonshëm vjetor.

Fjala e plotë e Ramës:

Përshëndetje dhe një ditë sa më të mbarë të gjithëve!
Mbrëmë i përcollën parlamentit projekt buxhetin 2026 dhe jam realisht i lumtur sot, se kam përdorur ndonjëherë këtë fjalë, por jam i lumtur sot t’u them pensionistëve se mu ashtu siç u zotuam në zgjedhje, ky mandat do të jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve.
Siç e kam thënë gjithnjë, kjo është pjesa më e vështirë e politikës financiare të një vendi, pensionet, por më në fund, pikërisht sepse nuk jemi më ai vendi që mezi mbajmë këmbë, po jemi një vend me një ekonomi të qëndrueshme që rritet çdo vit, mund ta bëjmë atë për të cilën u zotuam. Të arrijmë vit pas viti të rrisim pensionet sipas objektivave të shpallura për secilën kategori.
Kështu pensionistët tanë, përveçse do të marrin këtë dhjetor, bonusin e fundvitit, duke filluar nga janari, do të kenë një rritje tanimë të shtrirë muaj për muaj, përmbi indeksimin e përvitshëm, natyrisht.
Konkretisht, sipas kategorive në fund të mandatit, duhet të arrijmë që pensioni mesatar të rritet si më poshtë:
Pensioni urban me vitet plota pune të shkojë 40 mijë lekë të reja nga 27 mijë 350, që është sot.
Pensioni urban i pjesshëm të shkojë mesatarisht 22 mijë lekë të reja nga 15 mijë e 850 lekë, që është sot.
Pensioni rural të shkojë 18 mijë lekë të reja nga 11 mijë e 500, që është sot.
Pensioni familjar të shkojë 18 mijë lekë të reja nga 11 mijë e 400, që është sot.
Dhe pensioni i invaliditetit të shkojë 30 mijë lekë të reja nga 20 mijë që është sot.
Prandaj nga janari i vitit të ri, 2026, pensionet do të rriten çdo muaj si vijon e përsërisë përtej indeksimit vjetor që do të jetë një tjetër gjë.
Pensioni urban në vitet të plota pune do të rritet 1 mijë e 800 lekë,
Pensioni urban i pjesshëm do të rritet 800 lekë,
Pensioni rural do të rritet 1 mijë lekë,
Pensioni familjar do të rritet 700 lekë,
Pensioni i invaliditetit do të rritet 600 lekë.
Në vitet në vijim, të njëjtat shifra do të dyfishohen për secilën kategori në 2027, do të trefishohen 2028, do të katërfishohen 2029 për të arritur vlerën e premtuar në qershor të këtij viti, ku shqiptarët na dhanë plot 83 mandate.
Ky jam unë, këta jemi ne.
Them dhe themi atë që bëjmë dhe bëjmë gjithnjë atë që themi.

Kapet marihuanë në hyrje të Zhelinës, arrestohen dy persona

0

Dy persona janë arrestuar në hyrje të fshatit Zhelinë, pasi në automjetin e tyre të tipit “Audi”, janë gjetur gjashtë qese me marihuanë, përcjell TV21. Nga MPB shtojnë se të dy personat ishin nga fshati Trebosh i Tetovës.

“Më 03.11.2025, rreth orës 21:00, në rrugën rajonale Tetovë – Shkup, pranë hyrjes për fshatin Zhelinë, policia nga Stacioni i Sigurisë së Trafikut në Tetovë arrestoi B.A. (37) dhe O.J. (26), të dy nga fshati Trebosh i Tetovës. Gjatë kontrollit tek ata dhe në automjetin “Audi” me targa të Tetovës, i drejtuar nga B.A., u gjetën dhe u konfiskuan gjashtë qese me marihuanë. Të arrestuarit janë mbajtur në stacion policor dhe pas dokumentimit të rastit, kundër tyre do të parashtrohet padia përkatëse”, thonë nga MPB.

Dafina Zeqiri po rikthehet me një koncert të madh në dhjetor

0

Artistja e njohur, Dafina Zeqiri, po përgatitet të rikthehet në skenë me një koncert të madh. Përmes platformave sociale, ajo ka njoftuar se koncerti i saj “Super Nova” do të mbahet në sallën “1 tetori” më 25 dhjetor, duke premtuar një spektakël të paharrueshëm.

Pas një periudhe gjashtëmujore, artistja është rikthyer me energji të reja dhe me një dëshirë të madhe për të ndarë muzikën e saj me fansat.

Ky koncert pritet të jetë një moment i rëndësishëm në karrierën e saj, duke shënuar një rikthim të fuqishëm dhe emocionues./21Media

I zhdukur prej 10 vitesh, shtetasi bullgar gjendet në malet e Pirinit! Dyshohet se fshihej nga fajdexhinjtë

0

Shtetasi bullgar Bojan Ivanov (62) nga Ruse u gjet së fundmi nga shërbimi pyjor në një kasolle të improvizuar në malet e Pirinit, mbi Bansko, 12 vjet pas shpalljes së tij të zhdukur, dhe gati pesë vjet që ishte shpallur i vdekur, raporton BTV.

Ivanov jetonte më parë në fshatin Novo Sellë, pranë Rusës, dhe nuk ishte i martuar. Më 9 qershor 2015, nëna e tij, Todora Aleksandrova, raportoi mungesën e tij për një kohë të gjatë, pas së çka ai u shpall i zhdukur.

Gjatë viteve të para pas zhdukjes, nëna dhe fqinjët e tij u interesuan aktivisht për fatin e tij, pasi nuk kishte asnjë gjurmë ose informacion për të. Pesë vjet më vonë, në 2020, nëna paraqiti kërkesë në gjykatë për shpalljen formale të vdekjes së Ivanovit. Gjykata vendosi se vdekja kishte ndodhur më 31 dhjetor 2013, bazuar në deklaratat e nënës.

Gjatë procesit gjyqësor u dëgjua një dëshmitar që e njihte Ivanovin që nga 2011. Ai deklaroi se e kishte punësuar Ivanovin si punëtor të përgjithshëm në shtëpinë e tij në 2013, por që nga vjeshta e atij viti nuk e pa më. Dëshmitari shtoi se Ivanov kishte një shtëpi botuese, por kishte pasur disa raste kur fajdexhinjtë por edhe gjykata e kërkonin për borxhe/

Pas gjetjes në Pirin, Ivanov u mor nga policia e Banskos për verifikimin e identitetit, por u lirua pasi nuk dyshohej për asnjë krim. Policia i ofroi strehim në një shtëpi sociale, por ai refuzoi, duke shpjeguar se kishte mjete financiare dhe nuk kishte nevojë për ndihmë. Aktualisht nuk dihet se ku është nisur pas largimit nga objekti policor.

Zelensky: Ukraina do të prodhojë armë në Berlin dhe Kopenhagë

0
Ukrainian President Volodymyr Zelenskyy speaks to journalists during press conference in Kyiv, Ukraine, Wednesday, Feb. 26, 2025. (AP Photo/Evgeniy Maloletka)

Ukraina do të hapë këtë vit zyra në Berlin dhe Kopenhagë për prodhimin e përbashkët të armëve dhe eksportin e tyre në vende të treta, deklaroi mbrëmë presidenti Volodymyr Zelensky.

Kievi po zgjeroi industrinë e vet mbrojtëse me ndihmën e partnerëve perëndimorë, ndërsa po hyn në vitin e katërt të mbrojtjes nga agresioni rus.

Zelensky njoftoi se Ukraina do të jetë në gjendje të eksportojë dronë detarë dhe sisteme artilerie.

“Bëhet fjalë për prodhim dhe eksport të përbashkët të armëve që ne mund t’i shesim, në mënyrë që të sigurojmë më shumë fonde për prodhimin e brendshëm të armëve që na mungojnë dhe nuk mund t’i përballojmë,” tha Zelensky.

Ukraina vazhdon të varet nga aleatët për armë të tilla si aeroplanë luftarakë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, por ka bërë përparim të konsiderueshëm në zhvillimin e dronëve dhe raketave.

Presidenti shtoi se deri në fund të vitit, Ukraina planifikon të fillojë prodhimin masiv të raketave “Flamingo” dhe “Ruta”.

Më shumë se tre milionë pasagjerë në SHBA janë prekur nga pengesat në trafikun ajror pas mbylljes së qeverisë

0
A commercial airliner takes off past the air traffic control tower at San Diego International Airport during the first day of a partial U.S. government shutdown in San Diego, California, U.S., October 1, 2025. REUTERS/Mike Blake

Për shkak të ndërprerjes së punës së qeverisë amerikane, mbi 3.2 milionë pasagjerë në SHBA janë prekur nga vonesat dhe anulimet e fluturimeve, që erdhën si pasojë e mungesës së personelit të kontrollit të trafikut ajror pas mbylljes së qeverisë më 1 tetor, njofton Shoqata e Linjave Ajrore.

Organizata “Airlines for America”, që përfshin kompani si American Airlines, United Airlines, Southwest Airlines, Delta Air Lines, JetBlue Airways dhe transportues të tjerë të mëdhenj, bëri të ditur se 16 për qind e vonesave në tetor janë shkaktuar nga probleme me personelin, një rritje e ndjeshme krahasuar me vetëm 5 për qind para mbylljes së qeverisë.

Vetëm të premten, që ishte dita më e keqe e krizës, janë prekur mbi 300 mijë pasagjerë, shtoi organizata.