Shtetasi bullgar Bojan Ivanov (62) nga Ruse u gjet së fundmi nga shërbimi pyjor në një kasolle të improvizuar në malet e Pirinit, mbi Bansko, 12 vjet pas shpalljes së tij të zhdukur, dhe gati pesë vjet që ishte shpallur i vdekur, raporton BTV.
Ivanov jetonte më parë në fshatin Novo Sellë, pranë Rusës, dhe nuk ishte i martuar. Më 9 qershor 2015, nëna e tij, Todora Aleksandrova, raportoi mungesën e tij për një kohë të gjatë, pas së çka ai u shpall i zhdukur.
Gjatë viteve të para pas zhdukjes, nëna dhe fqinjët e tij u interesuan aktivisht për fatin e tij, pasi nuk kishte asnjë gjurmë ose informacion për të. Pesë vjet më vonë, në 2020, nëna paraqiti kërkesë në gjykatë për shpalljen formale të vdekjes së Ivanovit. Gjykata vendosi se vdekja kishte ndodhur më 31 dhjetor 2013, bazuar në deklaratat e nënës.
Gjatë procesit gjyqësor u dëgjua një dëshmitar që e njihte Ivanovin që nga 2011. Ai deklaroi se e kishte punësuar Ivanovin si punëtor të përgjithshëm në shtëpinë e tij në 2013, por që nga vjeshta e atij viti nuk e pa më. Dëshmitari shtoi se Ivanov kishte një shtëpi botuese, por kishte pasur disa raste kur fajdexhinjtë por edhe gjykata e kërkonin për borxhe/
Pas gjetjes në Pirin, Ivanov u mor nga policia e Banskos për verifikimin e identitetit, por u lirua pasi nuk dyshohej për asnjë krim. Policia i ofroi strehim në një shtëpi sociale, por ai refuzoi, duke shpjeguar se kishte mjete financiare dhe nuk kishte nevojë për ndihmë. Aktualisht nuk dihet se ku është nisur pas largimit nga objekti policor.
