Kuvendi i Serbisë voton ligjin për projektin e dhëndrit të Donald Trumpit

0

Kuvendi i Serbisë pritet të miratojë një ligj të posaçëm për të përshpejtuar projektin e ndërtimit që Jared Kushner – dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump – planifikon në Beograd, pavarësisht kundërshtimeve lokale.

Ligji, i cili do të shqyrtohet më 4 nëntor, mbështetet nga partia në pushtet e presidentit Aleksandar Vuçiç, i cili e ka përshkruar projektin si “një hotel madhështor”, shkruan REL.

Kushner, bashkëshorti i Ivanka Trumpit dhe këshilltar në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të parë të Trumpit, vitin e kaluar bëri publik planin për një kompleks hotelier prej 500 milionë dollarësh në qendër të Beogradit.

Projekti përqendrohet në ish-godinën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, në zemër të kryeqytetit, e cila u bombardua nga NATO-ja në pranverën e vitit 1999, gjatë fushatës për të ndaluar sulmet serbe në Kosovë.

Me gjithë dëmtimet, ndërtesa mbeti nën mbrojtje, për shkak të vlerës arkitekturore, sipas aktivistëve lokalë.

Ligji i ri i propozuar e anashkalon këtë mbrojtje, duke e shpallur projektin “prioritet kombëtar”.

Ai parashikon që “të gjitha procedurat për zbatimin e projektit të rindërtimit të Shtabit të Përgjithshëm të trajtohen si urgjente” dhe që “të gjitha institucionet shtetërore të marrin vendime brenda kompetencave të tyre pa vonesa”.

Si erdhi deri këtu?

Ky ligj pason një sërë përplasjesh rreth projektit.

Në nëntor të vitit 2024, Qeveria serbe hoqi statusin e mbrojtur të ndërtesave, duke hapur rrugën që kompania e Kushnerit të vazhdonte me projektin.

Një gjë e tillë ngjalli zemërim te mbrojtësit e trashëgimisë kulturore.

Në maj, Prokuroria njoftoi se zyrtari përgjegjës për mbrojtjen e këtij objekti kulturor, kishte falsifikuar një nënshkrim në një dokument kyç dhe ishte arrestuar.

Goran Vasiç, drejtor në detyrë i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, pranoi se kishte sajuar një opinion ekspertësh, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

Kompania e Kushnerit, Affinity Partners, e mohoi çdo përfshirje në falsifikimin e dokumenteve dhe premtoi se do të ndërtojë një kompleks përkujtimor brenda objektit, kushtuar viktimave të bombardimeve të NATO-s.

Objekti u përfshi në listën e këtij viti të vendeve të trashëgimisë më të rrezikuara në Evropë nga Europa Nostra – organizata më e madhe e mbrojtjes së trashëgimisë në kontinent.

Kur një delegacion nga ky grup vizitoi objektin në muajin korrik, tha se ai është “simbol i përgjegjësisë kolektive për të mbrojtur trashëgiminë kulturore të shekullit 20”.

Brenda Serbisë, projekti ngjalli kritika të mëdha.

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Zdravko Ponosh, akuzoi presidentin Vuçiq se “po investon në të ardhmen e tij politike”, duke e krahasuar dhënien e kontrollit mbi këtë vend me “dorëzimin e një stolie familjare”.

Politikanë nga të gjitha anët e spektrit politik kërkuan që ndërtesa të ruhet si monument historik.

Mickoski në Samit për zgjerimin e BE-së në Bruksel

0

Kryeministri Hristijan Mickoski nesër në Bruksel do të marrë pjesë në Samit për zgjerimin e Bashkimit Evropian në Bruksel, të organizuar nga televizioni Euronjuz, i cili është menduar si një takim ku përfaqësues të lartë të BE-së dhe vendeve kandidate do të diskutojnë për të ardhmen e integrimit evropian.

Bëhet fjalë për ngjarje të parë të këtij lloji në të cilën me transmetim të drejtpërdrejtë televiziv do të transmetohen fjalimet dhe debatet e pjesëmarrësve në këto, siç thekson Euronjuz, “biseda revolucionare mbi të ardhmen e integrimit evropian”.

Përveç Mickoskit, në Samit është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e kryetarit të Këshillit Evropian, Antonio Koshta, presidentëve të Moldavisë, Serbisë dhe Ukrainës, Maja Sandu, Aleksandar Vuçiq dhe Volodimir Zelenski, e kryeministrave të Shqipërisë dhe Malit të Zi, Edi Rama dhe Milojko Spajiq, si dhe e Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

Mot me vranësira dhe me reshje shiu

0

Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme me reshje të herëpashershme lokale, veçanërisht në mëngjes. Do të fryjë erë e fortë veriore, përgjatë lumit Vardar. Temperatura minimale do të jetë në intervalin 6 deri në 11 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë 10 deri në 16 gradë.

Në Shkup, me vranësira të ndryshueshme në mëngjes me reshje të lehta të herëpashershme. Do të fryjë erë mesatare, herë pas here e fortë nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të bjerë në 10 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë 14 gradë.

Të mërkurën dhe të enjten do të mbizotërojë mot kryesisht i qëndrueshëm dhe priten përsëri reshje të reja lokale të premten dhe gjatë fundjavës.

Ushqimet e përpunuara që e dëmtojnë trurin më së shumti

0

Ushqimet e përpunuara që e dëmtojnë më shumë trurin, sipas një studimi të ri, janë mishi i përpunuar dhe pijet e gazuara me sheqer.

Studiuesit nga Universiteti Virginia Tech kanë zbuluar se personat që konsumojnë rregullisht këto produkte kanë rrezik dukshëm më të lartë për të zhvilluar probleme me aftësitë njohëse, përfshirë ato që lidhen me demencën dhe sëmundjen e Alzheimerit, ka raportuar Science Alert.

Në bazë të të dhënave të mbledhura nga studimi i Universitetit të Michiganit për Shëndetin dhe Pensionimin, u analizuan 4,750 amerikanë mbi 55 vjeç, duke ndjekur shëndetin e tyre për një periudhë deri në shtatë vjet, nga viti 2014 deri në vitin 2020. Çdo dy vjet, pjesëmarrësit iu nënshtruan testeve për vlerësimin e kujtesës, përfshirë kujtimin e menjëhershëm dhe të vonuar, si dhe ushtrime të tjera për llogaritje të thjeshta dhe përqendrim.

Rezultatet treguan se 1,363 pjesëmarrës zhvilluan probleme të kujtesës ose njohjes. Ata që konsumonin të paktën një racion shtesë mishrash të përpunuar në ditë kishin 17 për qind më shumë rrezik për çrregullime të aftësive njohëse. Ndërsa ata që pinin çdo ditë një pije të ëmbëlsuar, si kola, çaj i ftohtë me sheqer apo lëngje frutash industriale, kishin 6 për qind më shumë rrezik.

Në mënyrë interesante, studimi nuk gjeti lidhje të fortë mes konsumit të përgjithshëm të ushqimeve të shumëpërpunuara dhe rritjes së rrezikut për probleme njohëse, përveç mishrave të përpunuar dhe pijeve me sheqer. Kategoritë e tjera, si ushqimet e gatshme, ëmbëlsirat, grimcat e kripura apo produktet me bazë drithërash dhe bulmeti, nuk treguan ndikim të njëjtë negativ.

Autorët e studimit theksojnë se shmangia e këtyre dy kategorive kryesore mund të ndihmojë në mbrojtjen e shëndetit të trurit.

“Ka gjëra që mund t’i ndryshoni. Sekreti është moderimi dhe balanca në zgjedhjet ushqimore”, ka thënë profesoresha Brenda Davy, bashkautore e studimit.

Sipas saj, ndikimi i ushqimeve të përpunuara është më i madh sesa mendojnë shumica e njerëzve. Rreth 65 për qind e ushqimeve dhe 38 për qind e pijeve të blera nga familjet amerikane në vitin 2020 përbëheshin nga produkte ultra të përpunuara, që karakterizohen nga përmbajtje e lartë industriale, ngjyrues, aromatizues dhe përbërës artificialë që mungojnë në gatimet e shtëpisë.

Studimi thekson se si të rinjtë ashtu edhe të moshuarit marrin më shumë se gjysmën e kalorive të përditshme nga këto ushqime.

Një nga autorët, shkencëtari Ben Katz nga Virginia Tech, ka sugjeruar se edukimi ushqimor mund të jetë pjesë e zgjidhjes.

“Një gjë është të ndjekësh një dietë, por diçka krejt tjetër është t’u japësh njerëzve aftësitë për të gatuar sipas asaj diete”, ka thënë Katz.

Trump: Do ndërpriten financimet për New Yorkun, nëse Mamdani bëhet kryebashkiak

0

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se do të kishte hezitim të dërgonte fonde federale në qytetin e tij të lindjes, New York City, nëse kandidati kryesor i majtë, Zohran Mamdani, zgjidhet kryebashkiak i qytetit më të madh të Amerikës këtë javë.

“Do të jetë e vështirë për mua si president të jap shumë para për New York-un, sepse nëse ke një komunist që drejton New York-un, do shpenzojnë kot paratë, që do dërgojmë atje”, tha Trump në një intervistë televizive.

Administrata e Trump-it është përpjekur disa herë të prishë grante federale dhe fonde për projekte, kryesisht në zonat që udhëhiqen nga demokratët.

Anketat tregojnë se Mamdani është përpara rivalit të tij kryesor, ish-guvernatorit të New York-ut, Andrew Cuomo, në prag të votimit të së martës. Trump nuk sqaroi më tej komentet e tij për fondet, nëse Mamdani fiton. New York City mori 7.4 miliard dollarë në fonde federale këtë vit fiskal.

Në një intervistë të gjatë për programin CBS “60 Minutes” të dielën, Trump tha se një kryebashkiak si Mamdani, do të bënte që ish-kryebashkiaku i majtë si Bill de Blasio të dukej “shumë mirë”.

“Unë e pashë de Blasion, sa keq ishte si kryebashkiak dhe ky njeri do të bëjë një punë më të keqe se Blasio, për shumë gjëra”, tha presidenti për Mamdanin.

Trump, i cili u rrit në lagjen Queens të New York-ut, gjithashtu praktikisht mbështeti Cuomo-n, një demokrat, në intervistë.

“Nuk jam fans i Cuomos në asnjë mënyrë, por nëse duhet të zgjedh midis një demokrati të keq dhe një komunisti, unë do të zgjedh gjithmonë demokratin e keq, për të qenë i sinqertë me ju”, tha presidenti republikan.

Mamdani, i cili do të drejtojë një qendër financiare botërore, është një socialist demokrat, megjithëse ai ka mohuar akuzat se është komunist, duke bërë shaka në një intervistë televizive se ai është “paksa, si një politikan skandinav”.

Mamdani fitoi primaret e Partisë Demokratike, ndërsa Cuomo ishte i dyti. Ky deputet 34-vjeçar e ka quajtur ish-guvernatorin e New York-ut një kukull dhe papagall të Trump-it.

Trump ka vendosur trupa të Gardës Kombëtare në qytete që udhëhiqen nga demokratët si pjesë e një operacioni kundër krimit, ndërsa përpiqet të heqë fonde nga juridiksionet që kufizojnë bashkëpunimin me autoritetet federale të imigracionit.

Xhaka realizon gol në barazimin e Sunderlandit

0

Mesfushori i Sunderlandit, Granit Xhaka, e ka shënuar golin e parë këtë edicion në Premier League.

Xhaka shënoi gol në barazimin 1:1 të Sunderlandit në shtëpi ndaj Evertonit.
Kjo ndeshje i takoi xhiros së dhjetë të Premier Leagues.
Evertoni kaloi në epërsi në minutën e 15-të me golin që e realizoi Iliman Ndiaye.

Xhaka me fillimin e pjesës së dytë më saktësisht në minutën e 46-të i barazoi shifrat.
33-vjeçari Xhaka shënoi nga afërsia pas asistimit të Enzo Le Fees.
Ai e kompletoi ndeshjen.

Xhaka është edhe kapiten i Sunderlandit. Ai këtë edicion ka kontribuar edhe me tri asistime.

Sunderlandi ka 18 pikë dhe e zë vendin e katërt.
Evertoni është në pozitën e 14-të me gjashtë pikë më pak

Ish trajneri i FC Shkupit ndërron jetë në mes të ndeshjes në Serbi!

0

Mladen Žižović, ish-trajneri i Shkupit dhe trajneri aktual i Radnički Kragujevac, ka ndërruar jetë në moshën 44-vjeçare gjatë një ndeshjeje të kampionatit të Serbisë.

Žižović u ndje keq gjatë pjesës së parë të ndeshjes kundër Mladost Lučani. Edhe pse mjekët reaguan menjëherë dhe e transportuan në spital, trajneri fatkeqësisht nuk arriti të shpëtojë.

Ndeshja në Lučani u ndërpre menjëherë.

Žižović ishte trajner nga Bosnja dhe Hercegovina. Ai e drejtoi Shkupin në sezonin 2023/24, më pas ishte në stolin e Borac Banja Luka, me të cilin arriti suksesin më të madh në historinë e klubit — kualifikimin në Ligën e Konferencës sezonin e kaluar. Megjithatë, gjatë këtij viti ai u largua nga ekipi dhe para disa ditësh mori drejtimin e Radnički Kragujevac. Kjo ishte vetëm ndeshja e tij e dytë në stolin e klubit serb./TV21

Xhandarmëria serbe dyshohet se ka plagosur dhe rrëmbyer një person në veri, reagon Sveçla!

0

Sveçla: Serbia po vazhdon me veprime destabilizuese ndaj Kosovës – faktori ndërkombëtar të reagojë

Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla ka reaguar pas dyshimeve se një serb i Kosovës është plagosur e më pas rrëmbyer nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla tha se Serbia po vazhdon me veprimet e saj destabilizuese ndaj Kosovës, duke cenuar hapur integritetin territorial, kësaj radhe në zonën -0- të kufirit mes dy vendeve, e cila, thotë Sveçla, ka prani më të shtuar të KFOR-it.

“Në vazhdën e politikave të saj të frikësimit dhe përndjekjeve ndaj qytetarëve që nuk i binden regjimit të Vuçiqit, xhandarmëria serbe ka plagosur duke tentuar ta vrasë dhe më pas e ka rrëmbyer një qytetar me inicialet M.V, shtetas i Republikës së Kosovës”, shtoi tutje ministri në detyrë.

Pos tjerash, ai thotë se ky përbën edhe një akt tjetër të përsëritur dhe të pandëshkuar.

Sveçla ka shtuar se është koha e fundit që faktori ndërkombëtar të reagojë me veprime të qarta dhe ndëshkuese ndaj Serbisë, në mënyrë që këto akte armiqësore të mos përsëriten më kurrë.

“Dy vite më parë pjesëtarë të njësive speciale të Serbisë hynë brenda territorit tonë dhe kidnapuan tre pjesëtarë të policisë sonë, pas kësaj, ndodhi sulmi terrorist në Banjskë. Në anën tjetër është e vazhdueshme politika e terrorit dhe dhunës që ajo ushtron në vazhdimësi me figurat që nuk pajtohen me politikat agresore të Aleksandër Vuçiqit.  Kjo qasje agresive dhe provokuese e Serbisë është e papranueshme. Ajo përbën shkelje të rëndë të kufijve tanë shtetërorë dhe të të drejtave të qytetarëve tanë”.

_______________________

Ky dyshohet se është personi që u plagos dhe u rrëmbye nga xhandarmëria serbe në Leposaviq


Avokati në Serbi Ivan Niniq, e ka zbuluar identitetin e personit që dyshohet se u plagos dhe u rrëmbye nga xhandarmëria serbe në Leposaviq.

Sipas tij, ai është Millan Vukashinoviq, të cilit ia publikoi edhe fotografinë.

Për rastin, avokati e quajti përgjegjës presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, të cilit ia parashtroi edhe disa pyetje nëpërmjet llogarisë së tij zyrtare në “X”.

“Meqenëse përgjegjësit po heshtin, duhet të parashtroj disa pyetje për A. Vuçiqin, B. Gashiqin dhe drejtorin e VBA-së, Gjuro Jovaniq: A është qëlluar për vdekje të shtunën rreth orës 16:00 në fshatin Jelakce/Leposaviq MILAN VUKASHINOVIQ (1986), të cilit po i luftojnë për jetën në Qendrën Klinike të Nishit?”, pyeti ai.

“A iu është hequr Milanit në Qendrën Klinike të Nishit veshka e majtë dhe cipëza e zemrës?”, shtoi ai.

Avokati pyeti edhe se “a ka ende plumb në shtyllën kurrizore Milani apo nuk dihet ende?”.

“A do të mbetet invalid Milani dhe sa gjak ka humbur gjatë transportit nga Prokuplja në Nish? A është qëlluar Milani nga pas dhe pse? A kishin pjesëtarët e ushtrisë së Serbisë uniforma maskuese pa shenja dalluese? A ka marrë pjesë, përveç ushtrisë, edhe ‘dikush tjetër’ në aksionin e gjuetisë ndaj Milanit? A ishin 3 xhipat në terren pa targa? A është kryer ekspertiza në vendin e ngjarjes, kush e ka kryer dhe kur? Ku është ‘Lada Niva’-ja e Milanit? A menduat se kjo do të fshihej? A mendoni se askush, asnjëherë, nuk do të japë përgjegjësi?”, shkroi Niniq në “X”.

Për këtë incident, Policia e Kosovës para pak orësh lëshoi komunikatë, përmes të cilës njoftoi se shtetasi i Republikës së Kosovës, i nacionalitetit serb me iniciale M.V., dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës.

Rasti, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur të shtunën (1 nëntor) dhe për të njëjtin është njoftuar edhe KFOR-i, si përgjegjëse për zonën/brezin kufitar.

Spiropali flet pasi vizitoi Thaçin në Hagë: Lufta e çlirimtarëve nuk mund të baltoset

0

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali ka takuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në Hagë.

Në një prononcim, ajo thotë se Thaçin e gjeti në gjendje të mirë, dhe duke ndjekur zhvillimet në Kosovë e Shqipëri, transmeton Klankosova.tv.

“Në paraburgimin e Gjykatës Speciale këtu në Hagë, takova presidentin Thaçi, dhe përmes tij i dërgova të falat e mia por edhe të Qeverisë Shqiptare, dhe besoj që të gjithë popullit shqiptar, edhe të tre luftëtarëve të tjerë, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit”.

“Më vjen mirë që e gjeta presidentin Thaçi në gjendje të mirë, ndiqte zhvillimet në Shqipëri dhe në Kosovë, sigurisht me dëshirën për të parë dy vendet tona sa më mirë”, tha ajo.

Pos tjerash, Spiropali tha se lufta e drejtë e UÇK-së nuk mund të njolloset dhe baltoset, derisa tha se si ministre, Thaçit dhe të tjerëve ia dha mbështetjen e Qeverisë Shqiptare.

“I shpreha mbështetjen e Ministrisë së Jashtme, të qeverisë shqiptare, të kryeministrit Rama për një proces të rregullt dhe të drejtë, i cili në fund të prodhojë drejtësi historike, e jo padrejtësi historike”, tha tutje ajo.

Po ashtu, ministrja shqiptare uroi që pjekuria e Kosovës për të themeluar Gjykatën Speciale, të mos iu kthehet në të kundërtën e vet.

“Ne urojmë shumë që ai vendim i pjekurisë shtetërore të Kosovës për të votuar Dhomat e Specializuara dhe Gjykatën Speciale të mos kthehet në të kundërtën e vet”, u shpreh ajo.

Izraeli dorëzon trupat e 45 palestinezëve pasi Hamasi ktheu trupat e tre ushtarëve

0

Izraeli dorëzoi trupat e 45 palestinezëve të hënën, tha Kryqi i Kuq, një ditë pasi militantët kthyen eshtrat e tre pengjeve.

Zyrtarët izraelitë i identifikuan të tre si ushtarë që u vranë në sulmin e udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023, i cili shkaktoi luftën në Gaza, shkruan Associated Press.

Shkëmbimi shënoi një hap tjetër përpara për armëpushimin e brishtë të ndërmjetësuar nga ShBA, që synonte t’i jepte fund luftës më vdekjeprurëse dhe më shkatërruese të zhvilluar ndonjëherë midis Izraelit dhe Hamasit.

Që kur armëpushimi hyri në fuqi më 10 tetor, militantët palestinezë kanë liruar trupat e 20 pengjeve, me tetë që tani kanë mbetur në Gaza.

Për çdo peng të kthyer, Izraeli ka liruar trupat e 15 palestinezëve. Me kthimin e së hënës, trupat e 270 palestinezëve janë kthyer që nga fillimi i armëpushimit.