Mickoski në Bruksel takoi Koshtën: Presim lajme pozitive për Maqedoninë

0

Kryeministri Hristijan Mickoski në Bruksel u takua me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Koshta. Gjatë takimit, sipas Mickoskit, u ripërsëritën pozicionet e Maqedonisë në procesin e afrimit me Bashkimin Evropian. Ai theksoi se biseda ishte miqësore dhe produktive, dhe përveç çështjeve të eurointegrimit, u diskutuan edhe tema si interkonektori i gazit me Serbinë, dega drejt Kosovës dhe tarifat për çelikun të Maqedonisë. Mickoski njoftoi takime të reja në Bruksel, përfshirë edhe me komisioneren Marta Kos, duke pritur lajme pozitive për vendin.

“Përsëri biseduam për temat aktuale, natyrisht për afrimin e vendit tonë me Bashkimin Evropian dhe për nisjen formale të negociatave. Në takimin tonë ripërsëritëm plotësisht pozicionet tona të vetme, që janë pozicione të denja pas të gjitha poshtërimeve që na kanë ndodhur në të kaluarën, gjatë 25 viteve të fundit që kur praktikisht filloi ky rrugëtim i afërt me Bashkimin Evropian”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Raport i Komisionit Evropian: Maqedonia e Veriut ende nuk i ka bërë ndryshimet kushtetuese

0

Nuk ka hapa konkretë nga Maqedonia në procesin eurointegrues, thuhet në Raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit, përcjell TV21. Në të theksohet qartë se nuk është bërë asgjë për të miratuar ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, që është obligim nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë, dhe përmendet gjithashtu edhe zbatimi i Marrëveshjes me Greqinë, por siç theksohet, duhet të ketë vullnet të mirë nga të gjitha palët.

Në Raport thuhet gjithashtu se vendi ka vazhduar të punojë në udhërrëfyesit për sundimin e ligjit, reformat në administratën publike dhe funksionimin e institucioneve demokratike, si dhe në planin e veprimit për mbrojtjen e pakicave. Megjithatë, edhe në këtë Raport shprehet shqetësim për mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Si moment pozitiv theksohet edhe fakti që Maqedonia vazhdon të harmonizohet plotësisht me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, gjë që dëshmon për zgjedhjen e saj strategjike.

 “Përparim gjatë këtij viti është vërejtur në Maqedoni, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë, dhe arsyet janë të ndryshme. Komisioni do të vazhdojë t’i mbështesë në përpjekjet e tyre drejt BE-së”, tha Marta Kos – Komisionere Evropiane për Zgjerim.

Shkupi forcon digjitalizimin rajonal! Platforma për Interoperabilitet regjistron 2.6 milionë transaksione mujore

0

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, deklaroi se Shkupi po shndërrohet në një qendër rajonale për diskutime mbi digjitalizimin dhe inovacionin, pas Samitit Digjital të Ballkanit Perëndimor dhe Konferencës Rajonale për E-Tregti, përcjell TV21. Ai theksoi dy arritje kryesore: -Platforma për ndërveprim  – tashmë, sipas tij, po e përdorin mbi 76 institucione dhe kompani private, me mbi 2.6 milionë transaksione mujore, që paraqet rritje prej 260% krahasuar me vitin e kaluar. Dhe e dyta:  -Krijimi i Qendrës Evropiane për Inovacion Digjital – me mbështetje prej mbi 1 milion euro nga qeveria, e cila do të ndihmojë bizneset e vogla e të mesme me laboratorë, trajnime për inteligjencë artificiale dhe shërbime për transformim digjital.

“Njëra është Platforma për Interoperabilitet. Më shumë se 76 institucione dhe kompani private tashmë janë “të lidhura” në të. Dje mora të dhënat për muajin e kaluar dhe kemi mbi 2.6 milionë transaksione për muajin paraprak, që paraqet një rritje prej 260 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Ndryshe nga më parë, për herë të parë janë përfshirë më shumë se 10 kompani në Platformën për Interoperabilitet, që do të thotë shkëmbim më i lehtë, më i shpejtë dhe falas i të dhënave midis tyre dhe midis tyre dhe institucioneve shtetërore”, tha Stefan Andonovski – Ministri I Transformimit Digjital .

Sulejmani: Ashtu siç ka paralajmëruar Mexhiti, pasardhës i tij si zv/kryeministër do të jetë Bekim Sali

0

-Ashtu siç ka paralajmëruar z.Mexhiti, pasardhës i tij do të jetë Bekim Sali, tha mes tjerash Driton Sulejmani nga VLEN, i pyetur se kush do të jetë zëvendëskryeministër i parë në vend të Izet Mexhitit, përcjell TV21. Sulejmani nuk bëri të ditur se në cilin resor do ta ushtrojë detyrën e ministrit Sali, respektivisht tha se ende nuk është caktuar se kush do të jetë ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

“Sa i përket çështjes së zv/krymeinistrit të parë, ne vetëm se jemi duke funksionuar si VLEN. Të gjithë ministrat momental që janë e kanë përfaqësuar VLEN-in, jo subjektet e tjera politike dhe e tillë do të jetë situata edhe pas këtyre zgjedhjeve. Z. Bekim Sali do të jetë zëvendëskryeministri i parë që do ta përfaqësojë VLEN-in”, tha Driton Sulejmani nga VLEN, duke shtuar se për emërimet e tjera ende po bëhen vlerësime.

Do të negociohet një Kod i ri Zgjedhor, Gashi: Duhet të gjejmë zgjidhje, por e rëndësishme është të ketë konsensus

0

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, pas pauzës për zgjedhjet, mbajti një koordinim me koordinatorët e grupeve parlamentare, përcjell TV21. Gjatë takimit, mes të tjerash, u diskutua edhe për Kodin Zgjedhor, ku u konstatua se ndryshimet duhet të miratohen me një marrëveshje konsensuale.

“Tash edhe për këto zgjedhje pamë se ka mangësi, u shfaqën probleme me financimin e partive dhe prandaj duhet të biem dakord për të gjetur një zgjidhje të re,” tha Gashi në bisedë me gazetarët, duke shtuar se është e rëndësishme që të ketë konsensus.

Në propozimin e mëparshëm ishte përfshirë edhe kërkesa për ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke propozuar që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore.

Por nëse BDI do të pajtohet, Gashi tha se në koordinim ishte edhe zëvendësja Arbana Pasholli, e cila është dakord për miratimin e Kodit Zgjedhor. Për datën e shpalljes së zgjedhjeve në 4 komunat ku nuk arriti pragu, Gashi tha se do të harmonizohet që ato të mbahen brenda mandatit të KSHZ-së, i cili skadon më 15 janar.

“Nuk është mirë që gjatë zgjedhjeve të zgjidhet një përbërje e re e KSHZ-së,” theksoi ai.

Konfirmohen deputetët e rinj! Do t’i zëvendësojnë ata të cilët u zgjodhën kryetarë komunash

0

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i konfirmoi deputetët e rinj Aleksandra Nikolovska, Martin Stojanovski dhe Mitо Andonov, përcjell TV21. Ata do t’i zëvendësojnë Beti Stamenkovska Trajkovska, Jane Micevski dhe Dejan Prodanoski, të cilët u zgjodhën kryetarë komunash në zgjedhjet lokale të fundit. KSHZ do t’u lëshojë atyre certifikatat përkatëse, ndërsa Kuvendi më pas do të verifikojë mandatet e tyre. Është paralajmëruar ristrukturim i mundshëm të Qeverisë. Në vend të Izet Mexhitit, pritet të zëvendëskryeministër i parë të emërohet Bekim Sali, ndërsa pritet që VLEN të bëjë të ditur edhe emrin e ministrit të ambientit. 

Mexhiti mori detyrën e kryetarit të Çairit: Përpara nesh qëndron një kapitull i ri

0

Izet Mexhiti sot edhe zyrtarisht mori mandatin e kryetarit të komunës së Çairit, pas fitores në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 19 tetorit, përcjell TV21. Mexhitit thotë se përpara komunës qëndron një kapitull i ri.

Prononcimi i Mexhitit pas marrjes së mandatit:

Sot pranova detyrën si Kryetar i Komunës së Çairit.

Nga sot po rikthehem në vendin tim, mes njerëzve të mi, me nder, me përulësi dhe me mirënjohje të thellë.

Po rikthehem aty ku filloi gjithçka.

Aty ku mësova çfarë do të thotë të punosh për njerëzit, të dëgjosh hallet e tyre dhe të ndash me ta çdo arritje.

Çairi më ka mbështetur gjithmonë, në çdo hap të karrierës sime politike. Në momentet më të rëndësishme, Çairi ka qenë aty me besim, me përkrahje dhe me forcë. Edhe kësaj here, Çairi ishte bindshëm krah meje. Më dha një fitore të pakontestueshme, që edhe një herë e dëshmoi fuqinë dhe peshën tonë politike.

Ky votim masiv ishte një deklaratë e qartë nga qytetarët e Çairit, se duan vazhdimësi, duan zhvillim, duan punë. Ishte një mesazh besimi, vlerësimi dhe mbështetjeje që e ndjej si përgjegjësi të madhe ndaj secilit prej jush.

Unë e di çfarë pret Çairi.

Pret punë të ndershme, rezultate konkrete dhe një qeverisje që nuk njeh asgjë më të shenjtë se interesi publik. Dhe këtë do ta ketë.

Prandaj, sot kthehem për t’ia kthyer Çairit këtë besim me përkushtim, me vizion dhe me punë.

Rikthehem sepse Çairi është pjesë e identitetit tim. Është historia ime personale dhe misioni im publik. Në çdo fazë të jetës sime, Çairi ka qenë forca që më ka mbajtur drejt, që më ka kujtuar pse ia vlen të punosh për njerëzit e tu.

Çairi im,

Përpara nesh qëndron një kapitull i ri.

Një periudhë që do të përcaktojë jo vetëm si do të zhvillohet Çairi, por edhe çfarë modeli qeverisjeje do të ndërtojmë për gjithë vendin. Ne do të punojmë bashkë me ju, me plan të qartë, me transparencë dhe me guxim për të bërë ndryshime të mëdha.

E di që përpara kemi shumë punë. Por kam besim.

Kam besim te njerëzit e Çairit, te energjia, te talenti dhe te dashuria e tyre, për këtë vend. Dhe çdo arritje që do të vijë, do të mbajë vulën tuaj, juve, që nuk u dorëzuat kurrë.

Të dashur qytetarë,

Faleminderit për besimin. Faleminderit për mbështetjen. Faleminderit për fitoren e bindshme. Dhe unë ju premtoj se do ta udhëheq këtë komunë të çmuar me nder, me përgjegjësi dhe me dashuri të sinqertë për njerëzit e mi.

Nga sot fillon puna për Çairin që duam. Nga sot fillon KOHA jonë!

Konjufca: Një qeveri pa Albin Kurtin është kompromis i madh! Tash e ka radhën opozita

0

I mandatuari për kryeministër të Kosovës, Glauk Konjufca, ka folur në mbledhjen e Këshillit të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka thënë se një qeveri pa Albin Kurtin si kryeministër, është kompromis i madh nga ana e LVV-së, ndërsa shton se tash është radha e opozitës.

“Vetëvendosja po e bën kompromisin e vet. Më shumë se kaq nuk ka mundësi. Nuk ka mundësi sepse ne po e prezantojmë një qeveri ku nuk është kryeministër Albin Kurti. E ky mendoj që është një kompromis shumë i madh për LVV-në. Tash e ka radhën opozita për kompromisin e vet”, tha Konjufca.

Propozimi i Konjufcës për mandatar, Abdixhiku: Shfaqje teatrale, mandatar pa numra

0

Pasli Lëvizja Vetëvendosje propozoi nënkryetarin e kësaj partie, Glauk Konjufca për mandatar për kryeministër të Kosovës, ka reaguar kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përcjell TV21. Ai e cilësoi si “shfaqje teatrale” mbledhjen e LVV-së, që i cilësoi si “mandatar pa numra, pa shumicë e pa legjitimitet demokratik”.

“Dua të besoj se presidentja e Republikës, do të respektojë vullnetin e shumicës shqiptare, para mbledhjeve propaganduese të partive me mandatarë plot por pa shumicë paralamentare”, shkroi ai në Facebook.

Osmani u takua me përfaqësuesit e partive politike më 31 tetor për të diskutuar për çështjen e mandatarit dhe të zgjedhjeve.

Pas mbledhjes, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës argumentuan se nuk ka shumicë dhe se zgjedhjet duket të jenë opsion. Ndërkaq, Kurti nuk u prononcua për media.

LVV-ja e mandaton Glauk Konjufcën për kryeministër

0

Lëvizja Vetëvendosje e ka zgjedhur për mandatar Glauk Konjufcën për krijimin e qeverisë së re në Kosovë, përcjell TV21. Këtë e bëri të ditur kryetar i partisë, Albin Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm në LVV.

Nuk dihet nëse partia në pushtet i ka siguruar numrat, megjithatë emri i Konjufcës është miratuar.

“E bëj këtë propozim jo për të bërë lëshim. Pas diskutimeve të zgjeruara e të thelluara në kryesinë e VV-së, unë do të propozoj si kryetar i VV-së që mandatin e dytë për krijimin e qeverisë t’ia japim nënkryetarit, Glauk Konjufca”, tha Kurti.

Tani VV-ja ka 10 ditë për ta dërguar në Kuvend përbërjen e qeverisë së re dhe për t’i siguruar numrat.

VV-ja dështoi herën e parë me Albin Kurtin mandatar, duke marrë veç 56 vota.

Kurti ka zhvilluar takim me Osmanin gjer në ora 11:15, mëngjesin e së martës.

Kjo një ditë para se të finalizohet afati kushtetuese për të dërguar mandatar të ri për formim të qeverisë ose jo, për çka në takimin e fundit Kurti i ka kërkuar Osmanit që të presë në mos do të dërgojë mandatar të ri.