Trumpi dhe presidenti i Sirisë do të takohen të hënën në Shtëpinë e Bardhë

0

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të takohet me presidentin sirian, Ahmed al-Sharaa, të hënën në Shtëpinë e Bardhë.

Lajmin e ka bërë të ditur Sekretarja e Shtypit, Karoline Leavitt të martën në një konferencë për shtyp.

“Mund të konfirmoj se ky takim do të zhvillohet këtu në Shtëpinë e Bardhë të hënën”, u tha zëdhënësja Karoline Leavitt gazetarëve.

Leavitt e përshkroi takimin midis presidentëve amerikan dhe sirian si pjesë e përpjekjeve diplomatike të Trumpit për të promovuar paqen globale.

Ajo theksoi ndryshimet e fundit të politikës amerikane ndaj Sirisë pas vizitës së Trumpit në Lindjen e Mesme.

“Kur presidenti ishte në Lindjen e Mesme, ai mori vendimin historik për të hequr sanksionet ndaj Sirisë për t’u dhënë atyre një mundësi të vërtetë për paqe dhe mendoj se administrata, ne kemi parë përparim të mirë në këtë front nën udhëheqjen e tyre të re”, tha ajo.

Kryetari i ri  New Yorkut, Mamdani shfaqet duke bërë shqiponjën

0

Kryetari i ri  New Yorkut, Zohran Mamdani  është shfaqur duke bërë simbolin e shqiptarëve, shqiponjën.

Foto e realizuar nga një fotograf shqiptar në New York, Erzen Gashi, po bën xhiro në rrjet.

Zohran Mamdani fitoi garën për kryetar bashkie të qytetit të New Yorkut, ndërsa demokratët fitojnë zgjedhjet e para të mëdha të mandatit të dytë të Donald Trump./21Media

Janë parashtruar 16 ankesa për votimin në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, afati përfundon në 16:30

0

Deri më sot paradite në Komisionin shtetëror zgjedhor (KSHZ) janë parashtruar 16 ankesa për procedurën për grumbullim dhe konstatim të rezultateve nga rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, që u mbajt të dielën më 2 nëntor. Afati për parashtrim të ankesave përfundon sot në orën 16:30 përkatësisht 48 orë pas shpalljes së rezultateve fillestare të zgjedhjeve.

Ankesat u paraqitën nga Haqim Ramadani, i mbështetur nga VLEN-i, në lidhje me procedurën për përmbledhjen dhe përcaktimin e rezultateve në qendrat e votimit 2034, 2033, 2032, 2035, 2034, 2033, 2032, 2035 në Bërvenicë. Në këtë komunë, në raundin e dytë të zgjedhjeve, Jovica Ilievski, i mbështetur nga OBRM-PDUKM dhe koalicioni, fitoi me 4.374 vota, ndërsa Ramadani fitoi 4.224 vota.
Koalicioni “Maqedonia Juaj” paraqiti dhjetë ankesa në lidhje me qendrat e votimit 2956, 2971/1, 2973, 2959/1, 2955, 2956/1, 2959, 2961/1, 2961, 2971 në Shuto Orizare.

Unioni i Romëve ka paraqitur ankesa edhe për Shuto Orizaren, për qendrat e votimit 2966, 2962 dhe 2961.
Në këtë komunë, në raundin e dytë të zgjedhjeve, Kurto Dudush nga Unioni i Romëve fitoi me 3.894 vota, ndërsa Erxhan Demir i mbështetur nga Koalicioni i udhëhequr nga OBRM-PDUKM fitoi 3,406 vota.

Koalicioni “Përvojë për Sukses”, i cili mbështeti Stevço Jakimovskin për votimin në Karposh, paraqiti ankesa në lidhje me përmbledhjen dhe përcaktimin e rezultateve për qendrat e votimit 2631 dhe 2613.

Në Karposh, kandidati i mbështetur nga OBRM-PDUKM dhe koalicioni, Sotir Lukrovski, fitoi me 13.512 vota, ndërsa Jakimovski fitoi 12.378 vota.

KSHZ duhet të caktojë seancë në ditët në vijim për të shqyrtuar ankesat.

VLEN tha se reformat në BDI fillojnë dhe mbarojnë me Blerim Bexhetin

0

Pas deklarimeve së në BDI do të bëhen analiza e do të ketë reforma, VLEN tha se nuk do të ketë diçka të tillë, që siç thanë, fjalën “reformë” e zëvendësuan me “t’u japim hapësirë gjeneratave të reja”.

“Thonë se do të “analizojnë”. Por çfarë analize është kjo, kur para opinionit dalin po të njëjtat fytyra që e rrënuan partinë? Në vend të reflektimit, ata vazhdojnë me propagandë. Sërish në skenë del Blerim Bexheti, njeriu që simbolizon gjithçka që shqiptarët refuzuan mendjemadhësinë, imoralitetin dhe fyerjen e inteligjencës së qytetarëve. Në çdo dalje të tij publike, BDI e vulos edhe një herë dështimin e vet, duke dëshmuar se nuk ka më as ide, as moral, e as njerëz që mund ta shpëtojnë nga rënia. Madje tani hezitojnë ta përdorin edhe fjalën “reformë” dhe e zëvendësojnë me formulën “t’u japim hapësirë gjeneratave të reja”. Por si e fillojnë këtë? Duke shpallur si shenjë ndryshimi që Blerim Bexheti nuk do të jetë më koordinator i grupit parlamentar! Kjo është “reforma” që premton BDI t’i lëvizë karriget, por jo njerëzit që për dy dekada u bënë sinonim i arrogancës dhe abuzimit.  Nëse për ta “ndryshimi” fillon dhe mbaron me Blerim Bexhetin, atëherë BDI e ka vulosur vetë fundin e vet politik”, thotë VLEN.

Tre të mitur nga Tetova privohen nga liria, u është gjetur marihuanë

0

SPB Tetovë ka njoftuar se gjatëd itës së djeshme në Tetovë janë privuar nga liria tre të mitur, që siç bëjnë të ditur, gjatë kontrollit u është gjetur marihuanë. Policia po ndërmerr masa.

“Më 04.11.2025 në orën 21:30 në Tetovë, nëpunës policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria tre të mitur nga Tetova, për shkak se gjatë ndërmarrjes së veprimeve zyrtare në afërsi të tyre është gjetur dhe konfiskuar marihuanë. Ata janë ndaluar në stacionin policor, janë njoftuar prokurori publik dhe Qendra për Punë Sociale Tetovë, dhe në prani të prindërve është kryer bisedë zyrtare me ta. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse”, njoftoi SPB Tetovë.

Toyotës i bie fitimi pas tarifave të Trumpit

0

Toyota ka raportuar të mërkurën për rënie të fitimit vjetor për 7 për qind për periudhën prill-shtator, pasi tarifat e presidentit të SHBA-së, Donald Trump goditen prodhuesit e veturave të Japonisë, por rriti parashikimin e saj për gjithë vitin fiskal.

Fitimi neto për periudhën prill-shtator ishte 1.77 bilion yen ose 11.5 miliardë dollarë, nga 1.9 bilion yen sa ishte një vit më herët.

Por prodhuesit e modeleve Camry dhe Lexus rritën parashikimet e tyre të fitimet për gjithë vitin fiskal që përfundon në mars të vitit 2026 në 2.93 bilion yen ose 19 miliardë dollarë.

Edhe pse tarifat po e dëmtojnë biznesin, Toyota tha se shitjet u rriten në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në tregun vendor japonez.

Gjatë gjashtë muajve deri në shtator, ka shitur 1.5 milionë vetura në Amerikën veriore dhe 970.000 vetura në Japoni.

Pa ujë një pjesë e përdoruesve te bulevardi “Boris Trajkovski”

0

Përdoruesit e bulevardit “Boris Trajkovski”, seksionet 1, 3 dhe 5, sot do të jenë pa ujë.

Siç informoi NP “Ujësjellës dhe Kanalizim” – Shkup, ndërprerja është për shkak të një defekti në bulevardin “Boris Trajkovski” 1/18.

Furnizimi me ujë do të jetë i ndërprerë deri në sanimin e defektit. 

Xhaka udhëheq Zvicrën në ndeshjen me Kosovën

0

Granit Xhaka pritet ta udhëheqë përfaqësuesen e Zvicrës në ndeshjen e 18 nëntorit ndaj Kosovës në Prishtinë.

Selektori i Zvicrës, Murat Yakin, të mërkurën shpalli listën për dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Zvicra më 15 nëntor e pret Suedinë në Gjenevë, ndërsa më 18 nëntor luan në “Fadil Vokrri” me Kosovën.

Kapiteni Xhaka është në listë dhe pritet të startojë në të dy ndeshjet.

Zvicrës i mungon njëri prej lojtarëve më të mirë, Remo Freuler, që luan përkrah Xhakës në mesfushë.

Prej futbollistëve shqiptarë janë ftuar edhe Adrian Bajrami e Andi Zeqiri.

Dy xhiro para fundit, Zvicra udhëheq në grup me 10 pikë. Shtatë i ka Kosova, tri Sllovenia dhe vetëm një Suedia. Zvicra synon të kualifikohet direkt në Botëror përmes vendit të parë në grup. Vendi i dytë dërgon në barazh.

Nëse Zvicra nuk fiton me Suedinë dhe Kosova fiton në Lubjanë ndaj Sllovenisë, ndeshja në “Fadil Vokrri” do të jetë finale për vendin e parë në grup dhe kualifikimin në Botëror.

Do të ndryshohen lekturat në arsimin fillor – MASh fton për diskutim publik

0

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit organizojnë një debat publik për listën e re të propozuar të librave letrarë për arsimin fillor dhe ftojnë të gjitha palët e interesuara – mësuesit, shërbimet profesionale dhe faktorët e tjerë në arsim – “të përfshihen aktivisht në përcaktimin e një liste bashkëkohore, gjithëpërfshirëse dhe cilësore të librave, që do t’u përgjigjet nevojave reale të nxënësve dhe procesit mësimor.”

MASH në faqen e saj zyrtare ka publikuar listën e propozuar të librave, duke theksuar se nevoja për përditësim të kësaj liste vjen “nga synimi për përputhje të vazhdueshme të përmbajtjeve mësimore me qëllimet bashkëkohore arsimore, karakteristikat zhvillimore të nxënësve dhe kontekstin e tyre social e emocional.”

– Lista e propozuar është përgatitur mbi bazën e listës që zbatohej në mësim nga viti shkollor 2019/2020. Disa tituj janë hequr për shkak të lexueshmërisë së ulët, mospërshtatshmërisë me moshën apo përmbajtjen. Për shkak të ndryshimeve në programet mësimore dhe lidhjeve ndërdisiplinore në mësim, disa vepra janë zhvendosur në klasa të tjera ose kanë marrë status të ri – nga të detyrueshme janë bërë zgjedhore dhe anasjelltas. Në propozim janë përfshirë vepra që trajtojnë tema bashkëkohore dhe të rëndësishme, si: identiteti dhe vetëbesimi, miqësitë dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore, jeta shkollore dhe bullizmi, sfidat emocionale dhe psikologjike, shumëllojshmëria kulturore, përfshirja e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Qëllimi është që nxënësit të lexojnë përmbajtje që janë të afërta me realitetin e tyre, por, shton MASH, “edhe mjaftueshëm të thelluara për analizë dhe interpretim simbolik, që nxisin të menduarin kritik, diskutimin dhe zhvillimin personal.”

Lista e propozuar e librave për lexim është e hapur për sugjerime për të gjitha klasat nga e dyta deri në të nëntën. Parashihet gjithashtu mundësia e përfshirjes së një vepre nga letërsitë kombëtare të të gjitha gjuhëve mësimore, me kusht që çdo vepër të përkthehet në të gjitha gjuhët zyrtare të mësimdhënies në Maqedoninë e Veriut.

Në njoftimin e MASH është publikuar edhe formulari për propozimin e një libri, i cili duhet të dërgohet më së voni deri në fund të këtij muaji (30 nëntor) në adresën elektronike të Byrosë për Zhvillimin e Arsimit: bro.macedonia@bro.gov.mk.

Shkoi në motel me një grua, por ajo i bëri “kurth” – katër të dyshuar për grabitje me dhunë në Shkup

0

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka hapur hetim ndaj katër personave – dy burra dhe dy gra – për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Grabitje sipas nenit 237 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Sipas Prokurorisë, më 30 tetor të katërt kanë vepruar si grup dhe me përdorim të forcës fizike i kanë marrë 200 mijë denarë një personi. Ngjarja ka ndodhur në oborrin e një moteli në Shkup.

I dëmtuari fillimisht ka qenë në një dhomë moteli me njërën prej grave të dyshuara, pas çka ajo i ka propozuar të thërrasë edhe një vajzë tjetër. Pas pajtimit të tij, ajo e ka thirrur të dytën, dhe të dyja gratë bashkë e kanë bindur që të shkojnë në një “hotel më të bukur dhe më të lirë”.

Gjatë daljes nga dhoma, në oborrin e errët të motelit, i dëmtuari është pritur nga dy burra që kanë qenë në marrëveshje paraprake me gratë. Ata e kanë sulmuar, duke e goditur me grushta në kokë dhe trup derisa ai ka rënë në tokë. Më pas i kanë marrë paratë, telefonin celular dhe kartën e identitetit.

Prokurori publik ka paraqitur propozim tek gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup për caktimin e masës së paraburgimit për të katër të dyshuarit, për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë së përsëritjes së veprës.

Për njërën nga gratë e dyshuara, e cila është në arrati, masa e paraburgimit do të zbatohet pas gjetjes dhe arrestimit të saj.