Rritje në eksport dhe import! Më shumë është tregtuar me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Kinën, Greqinë dhe Serbinë

0

Vlera e përgjithshme e eksportit të mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut, në periudhën janar – shtator të vitit 2025, arriti në 5.978.9 milionë euro dhe shënon një rritje prej 2,0% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vlera e mallrave të importuara, ndërkaq, arriti në 8.494.3 milionë euro, që është 3,5% më shumë krahasuar me vitin e kaluar, njoftoi Enti Shtetëror i Statistikës.

Shkëmbimi tregtar sipas produkteve sipas Klasifikimit Standard të Tregtisë Ndërkombëtare tregon se pjesëmarrja më e madhe në eksport është: te katalizatorët në bartës me metale të çmuara ose përbërjet e tyre, grupe përçuesish ndezës dhe të ngjashme, për automjete, aeroplanë ose anije, pjesë të sediljeve dhe katalizatorë të tjerë të bartësve.

Në import më së shumti janë të përfaqësuara: vajrat e naftës dhe vajrat e përftuara nga mineralet bituminoze (përveç naftës bruto), metalet e tjera të grupit të platinës dhe lidhjet e tyre, të papërpunuara ose në formë pluhuri, platini dhe lidhjet e platinës, të papërpunuara ose në formë pluhuri, dhe automjete të tjera motorike për transportin e personave.

Në periudhën janar – shtator të vitit 2025, sipas vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme, më së shumti është tregtuar me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Kinën, Greqinë dhe Serbinë, të cilat përbënin 47.7% të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë. Vendet anëtare të Bashkimit Evropian përbënin 59.6% të shkëmbimit të përgjithshëm.

Aeroporti i Brukselit ndaloi rreth 80 fluturime pas dyshimeve për praninë e dronëve

0

Aeroporti kryesor i kryeqytetit të Belgjikës pritet ta rifillojë punën të mërkurën, pasi ndaloi rreth 80 fluturime për shkak të dyshimeve për praninë e dronëve, tha një zëdhënëse.

Rreth 400-500 udhëtarë u detyruan ta kalonin natën në aeroportin Zaventem për shkak të pranisë së dronëve, tha për AFP-në zëdhënësja e aeroportit të Brukselit, Ariane Goossens.

“Situata do të kthehet në normalitet gjatë ditës” me rifillimin e fluturimeve, shtoi ajo.

Inkursionet me dronë kanë detyruar aeroportet që të mbyllin disa aeroporte.

Të martën në mbrëmje, trafiku ajror u pezullua gjithashtu për arsye sigurie në aeroportin e dytë më të madh në Sharleua, njoftuan operatorët atje.

Skeyes, kompania përgjegjëse për kontrollin e trafikut ajror në Belgjikë, ndaloi fluturimet dy herë të martën në mbrëmje, rreth orës 20:00 dhe sërish rreth orës 22:00, pasi dronë të dyshuar u panë pranë aeroportit të Bruksel-Zaventem dhe atij të Liezhit.

Ndërprerjet e fluturimeve vijnë pas një sërë incidentesh misterioze me dronë që kanë shënjestruar aeroporte dhe zona të ndjeshme ushtarake në disa vende evropiane, përfshirë Gjermaninë dhe Danimarkën.

Një pasagjer shikon tabelën ku shfaqen fluturimet e Anuluara në aeroportin e Munihut. Fotografi ilustruese nga arkivi.
SHIKONI EDHE:
Rihapet Aeroporti i Munihut pas detektimit të dronëve
Dyshimet janë përqendruar mbi përfshirjen e mundshme ruse në rritjen e aktivitetit të dronëve në Evropë, në një kohë kur tensionet mbeten të larta ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon në vitin e saj të katërt.

Gjatë fundjavës, autoritetet belge raportuan aktivitet dronësh mbi bazën ushtarake Kleine-Brogel, ku besohet se ruhen një numër armësh bërthamore amerikane.

Inteligjenca ushtarake belge tha se po zhvillon një hetim për praninë e këtyre dronëve.

Ministri i Mbrojtjes, Theo Francken, të hënën nuk e akuzoi drejtpërdrejt Rusinë, por tha se duket të jetë një operacion i koordinuar i kryer nga “profesionistë”.

“Ata po përpiqen të përhapin panik në Belgjikë. Ky është destabilizim”, tha Francken për mediat lokale.

Autostrada Veles – Gradsko e mbyllur për qarkullim

0

LAMM ka njoftuar se segmenti autostradë A1 Veles – Gradsko është mbyllur që nga ora 01:20 dhe është e pakalueshme për automjete. Siç thotë LAMM, shkak është zjarri dhe mbetjet e një automjeti të rrëzuar.

Ata informuan se automjetet po devijohen në autostradën Gradsko – Drenovë

Trafiku në rrugët tjera të vendit po zhvillohet përgjatë pa pengesa. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare në anën maqedonase, nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.

LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për segmentet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.

Zohran Mamdani fiton zgjedhjet, New Yorku bëhet me kryebashkiakun e parë mysliman

0

Zohran Mamdani ka fituar garën për kryetar bashkie të qytetit të New Yorkut, teksa demokratët kanë fituar zgjedhjet e para të mëdha gjatë mandatit të dytë të Donald Trumpit.

Mamdani, 34 vjeç, është bërë kryetari i parë mysliman dhe personi më i ri në më shumë se një shekull që drejton qytetin më të madh në SHBA.

“Në këtë moment errësire politike, New Yorku do të jetë drita”, ka thënë Mamdani në një fjalim fitoreje ku përshkruan politikat e tij dhe sfidon presidentin Trump.

Trump ka kërcënuar të shkurtojë fondet federale të New Yorkut nëse Mamdani fitonte ndaj të pavarurit Andrew Cuomo dhe republikanit Curtis Sliwa.

Ndërkohë, demokratët parashikohet të fitojnë garat për guvernator në Virxhinia dhe New Yerseyt.

Kalifornianët votojnë për të rindarë distriktet kongresive të shtetit në favor të Partisë Demokratike përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Moti sot në Maqedoni

0

Gjatë ditës së sotme pritet mot i ndryshueshëm. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 5 deri në 8, ndërsa ajo maksimale do të arrij prej 12 deri në 17 gradë.

Mot i ngjashëm do të jetë edhe në kryeqytet, Shkup.

Merz: Sirianët nuk kanë më arsye për azil në Gjermani

0

Friedrich Merz deklaroi të martën se sirianët nuk kanë më arsye për të kërkuar azil në Gjermani pas përfundimit të luftës civile në vendin e tyre. Ai tha se ata do të inkurajohen të kthehen për të ndihmuar në rindërtimin e Sirisë.

Gjatë 14 viteve të luftës civile, Gjermania ka pranuar më shumë refugjatë sirianë sesa çdo vend tjetër i Bashkimit Evropian. Megjithatë, kancelari dhe anëtarët e kabinetit të tij argumentojnë se situata ka ndryshuar që nga rrëzimi i qeverisë së Bashar al-Asadit 11 muaj më parë.

“Tani nuk ka më arsye për azil në Gjermani, dhe prandaj mund të fillojmë edhe me kthimet”, tha Merz. Ai shtoi se ata që refuzojnë të kthehen mund të përballen me deportim “në të ardhmen e afërt”.

Deklarata e tij duket se bie ndesh me qëndrimin e ministrit të Jashtëm, Johann Wadephul, i cili pas një vizite në Damask javën e kaluar shprehu dyshime se shumë sirianë do të zgjidhnin të ktheheshin për shkak të shkatërrimit dhe pasigurisë që vazhdon të mbizotërojë në vend.

Çështja e kthimit të refugjatëve ka shkaktuar debate brenda Unionit Kristian-Demokrat, me disa politikanë që argumentojnë se kthimi i sirianëve mund të dëmtojë rindërtimin dhe shërbimet në vend.

Një sfidë tjetër për Gjermaninë është integrimi i sirianëve që tashmë jetojnë aty. Shumë prej tyre kanë mësuar gjermanisht, kanë marrë shtetësi ose leje qëndrimi dhe punojnë në sektorë kyç, përfshirë më shumë se 7 mijë mjekë që punojnë sidomos në zonat rurale.

Vetëm rreth 1 mijë sirianë janë kthyer vullnetarisht në vendin e tyre me ndihmën e qeverisë gjermane gjysmën e parë të këtij viti.

Debati ka marrë rëndësi edhe për shkak të zgjedhjeve të shtetit vitin e ardhshëm, ku partia Alternative für Deutschland (AfD) është në konkurrencë të fortë me kristiandemokratët dhe mund të sigurojë poste udhëheqëse në disa shtete.

Rritja e shqetësimeve për sigurinë e Gjermanisë ka nxitur debat pas arrestimit të një siriani 22-vjeçar për planifikim të një sulmi islamik vetëvrasës. AfD-ja e përdori rastin për të kritikuar qëndrimin e Wadephul, duke e quajtur atë “një shuplakë për viktimat e dhunës islamiste”.

Merz gjithashtu njoftoi se ka ftuar presidentin e përkohshëm të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, në Gjermani për të diskutuar çështjen e deportimeve të sirianëve me rekorde kriminale, një temë që ka qenë objekt debate për disa kohë.

Merr flakë shtëpia e pleqve, të paktën nëntë të vdekur në Tuzlë /VIDEO

0

Të paktën nëntë persona kanë mbetur të vdekur pas zjarrit që ka shpërthyer në një shtëpi pleqsh në Tuzla të Bosnjës të martën në mbrëmje, raporton “Avaz.ba”.

Sipas informacioneve të para, zjarri ka përfshirë një kat të ndërtesës.

Disa prej personave janë dërguar në spital shkaku i helmimit nga monoksidi i karbonit.

Policia ka thënë se janë në fazën fillestare të hetimeve dhe më vonë do të dalin me detaje.

Tahiri për Osmanin: U bind se do të mbështetet nga VV për mandatin e dytë për presidente

0

Ish-kryediplomatja e Kosovës, Edita Tahiri ka reaguar pas mandatimit të Glauk Konjufcës për kryeministër nga presidentja Osmani.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Tahiri ka thënë se presidentja mbështeti dy mandatarë të qeverisë nga VV, pa qenë e bindur se e kanë shumicën e votave në Kuvendit, por ajo u bind se do të mbështetet nga VV për mandatin e dytë si kandidate për presidente.

“Presidentja mbështeti dy mandatar të qeverisë nga VV pa qenë e bindur se e kanë shumicën e votave në parlament, mirëpo ajo u bind se do të mbështetet nga VV për mandatin e dytë të saj si kandidatë për presidente”, ka shkruar ajo.

Ndalohet nëndetësja me 1.7 tonë kok*ainë në ujërat e Atlantikut

0

Autoritetet portugeze kanë arrestuar katër persona pasi ndaluan një nëndetëse në Oqeanin Atlantik, që transportonte më shumë se 1.7 tonë kokainë drejt gadishullit Iberik.

Sipas zyrtarëve, mjeti u lokalizua dhe u sekuestrua gjatë ditëve të fundit, ndërsa pamjet e publikuara tregojnë momentin kur policia dhe marina portugeze e rrethojnë dhe hipin në bord, duke sekuestruar lëndën narkotike të klasës A dhe arrestuar ekuipazhin me katër anëtarë, të gjithë me origjinë nga Amerika e Jugut.

Policia njoftoi se të arrestuarit dy ekuadorianë, një venezuelas dhe një kolumbian, janë lënë në paraburgim pas paraqitjes në gjykatë në ishujt Azore të martën. Shefi i njësisë portugeze kundër trafikut të drogës, Vítor Ananias, deklaroi në një konferencë për shtyp se kombësitë e ndryshme të të dyshuarve tregonin se organizata që qëndron pas tyre nuk vepron vetëm nga një vend i vetëm.

Qendra për Analizë dhe Operacione Detare (MAOC), me seli në Lisbonë, kishte marrë ditët e fundit informacione se një organizatë kriminale po përgatiste nisjen e një nëndetëseje të ngarkuar me kokainë, e destinuar për tregjet evropiane.

Pak ditë më vonë, një anije portugeze arriti të lokalizonte mjetin rreth 1 mijë milje detare (rreth 1.850 kilometra) nga brigjet e Lisbonës, në një operacion të mbështetur nga Agjencia Kombëtare Britanike e Krimeve dhe Administrata Amerikane Kundër Drogës (DEA).

Sipas marinës, pas sekuestrimit, mjeti nuk mund të tërhiqej drejt bregut për shkak të motit të keq dhe strukturës së tij të brishtë, ndaj më vonë u fundos në det të hapur.
“Mes nxehtësisë, avujve të karburantit dhe dallgëve të larta, qëndrimi në bord është jashtëzakonisht i vështirë. Pas 15 apo 20 ditësh, gjithçka që dëshiron është të shpëtosh,” tha Ananias për gazetarët.

Sipas tij, raste të tilla janë bërë të përsëritura vitet e fundit. Në mars të këtij viti, një tjetër mjet i ngjashëm që transportonte 6.5 tonë kokainë u ndalua rreth 1 mijë e 200 milje detare nga Lisbona.

Ngjarja ndodh në një kohë kur administrata amerikane e ish-presidentit Donald Trump ka intensifikuar goditjet ndaj mjeteve që dyshohen se përdoren për trafik droge drejt SHBA-ve.
Vetëm javën e kaluar, tre persona u vranë në një sulm amerikan ndaj një mjeti të dyshuar për trafik droge në Karaibe, bëri të ditur sekretari amerikan i mbrojtjes, Pete Hegseth.

Veprimet e tilla kanë ngjallur debat për ligjshmërinë e tyre sipas së drejtës ndërkombëtare dhe janë kritikuar ashpër nga liderë të Amerikës Latine, qytetarët e të cilëve janë mes viktimave të këtyre operacioneve.

Dasma e Ronaldos dhe Georginas së shpejti? Futbollisti tregon detajet

0

Ylli portugez Cristiano Ronaldo ka folur për herë të rrallë rreth planeve për martesë me partneren e tij, Georgina Rodriguez.

Në një intervistë dhënë për DailyMail, Ronaldo i pyetur për planet për martesë me shaka tha se së bashku me partneren e tij planifikojnë ta bëjnë ceremoninë e dasmës pas Kupës së Botës, shkruan portali rtv21.tv

“Planifikojmë ta bëjmë pas Kupës së Botës me trofeun! Por ajo nuk është personi që i pëlqen festat e mëdha. Asaj nuk i pëlqen. Asaj i pëlqejnë gjërat private. Kështu që do t’i respektoj këto vendime”, tha ai.

Çifti, që prej vitesh jeton një histori dashurie të përfolur, ku para pak kohësh i propozoi edhe martesë Georginas me një unazë dimanti që u komentua shumë. /21Media