Në 2025 inflacioni 3,9%, ndërsa rritja e PBB-së 3,5%! Slaveski: Nëse duam norma më të ulëta të interesit, të mos ketë rritje administrative të pagave

0

Banka Popullore doli me projeksionet më të fundit për gjendjen makroekonomike. Sipas analizave të tyre, këtë vit 2025 ekonomia do të rritet për 3,5 për qind, që është pritshmëri e njëjtë si e Qeverisë, ndërsa për inflacionin ka një divergjencë serioze në projeksione. Qeveria shpreson për 2,8 për qind në nivel vjetor, ndërsa nga Banka Popullore presin që këtë vit ta përfundojnë me inflacion prej 3,9 për qind, ose për 0,9 pikë përqindjeje më shumë në krahasim me projeksionin e prillit.

“Rruga për rritjen e ekonomisë vendase është në ngritje. Rritja, siç përmenda më parë, për vitin 2025 është 3,5%. Pritjet e pandryshuara për rritje prej 4% afatmesëm. Mendoj për atë që kemi planifikuar ose pritur me projeksionet e prillit. Inflacioni nga viti i ardhshëm do të ndjekë rrugë në ulje, përshtatje. Afatmesëm do të kthehet në mesataren historike prej 2%”, tha Sllaveski.

Kjo do të thotë se në vitin 2026 Prodhimi i Brendshëm Bruto do të rritet për 4 për qind, ndërsa inflacioni do të jetë 2,5 për qind. Ndërkaq, për momentin norma bazë e interesit, nga e cila varen edhe normat e kredive për qytetarët dhe për kompanitë, mbetet e pandryshuar në 5,35 për qind. Banka Popullore lë hapësirë për uljen e saj, por vetëm nëse plotësohen kushte të qarta që tregojnë se presionet mbi çmimet dhe pritjet janë ulje e qëndrueshme.

“Megjithatë, nëse vazhdojnë lëvizjet pozitive me uljen e normës së inflacionit edhe në muajt në vijim, dhe në mungesë të ndërhyrjeve administrative në vendosjen e pagave, Banka Popullore është e gatshme të reagojë në mënyrë adekuate drejt normalizimit të mëtejshëm të politikës monetare”, tha Sllaveski.

Kjo do të thotë se nëse nuk ka rritje të pagave me vendim të qeverisë, atëherë është e mundur ulja e normës bazë të interesit. Guvernatori njoftoi se kreditimi do të jetë me rritje të qëndrueshme dhe nuk deshi të komentojë raportin negativ të Komisionit Evropian për politikat ekonomike të Qeverisë.

Pas Italisë, Kosova ndalon importin e shpezëve edhe nga Hungaria

0

Pas ndalesës ndaj Italisë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) ka marrë vendim për të ndaluar importin e shpezëve dhe produkteve të tyre edhe nga Hungaria, pas përhapjes së sëmundjes Avian Influenza (Gripi i Shpezëve) në këtë shtet.

Sipas njoftimit të AUV-it të mërkurën, duke u bazuar në raportin e fundit të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Komisionit Evropian të datës 4 nëntor 2025, sëmundja e llojit HPAI–H5N1, me patogjenitet të lartë, është konfirmuar në fermat komerciale dhe shpezët e egra në zonat Jasz, Nagykun dhe Szolnok të Hungarisë.

Në bazë të ligjeve në fuqi dhe masave parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore në Kosovë, AUV-i ka vendosur të ndalojë importin e shpezëve të gjalla dhe të produkteve të tyre që kanë origjinën nga zonat e infektuara të shtetit të Hungarisë, “përveç rasteve kur ato vijnë nga ferma të paprekura, të cilat ndodhen të paktën 50 kilometra larg zonave të prekura”.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në një vlerësim të ri të situatës nga autoritetet ndërkombëtare dhe AUV-ja.

Institucioni thekson se po vazhdon monitorimin e situatës epidemiologjike dhe bashkëpunimin me agjencitë vendore e ndërkombëtare për të parandaluar përhapjen e virusit.

Kërkohet vazhdim i paraburgimit për pronaret e “azileve të keqtrajtimit”! Të moshuarit janë rikthyer në familje ose vendosur në institucione publike

0

Prokuroria kërkon vazhdimin e paraburgimit për dy pronaret e Institucioneve private të mbrojtjes sociale “AKTIV” në qendër dhe “ARIJA” në Butel. Dyshohen se të moshuarit keqtrajtoheshin fizikisht dhe psiqikisht, mbaheshin në kushte të këqija dhe duke ju dhënë ushqime të skaduara. Nga organi i akuzës thonë se janë në fazë hetimore ndaj N.J. (47) dhe T.I. (58), të dyja nga Shkupi, për shkak të dyshimeve të bazuara se nga 2023 e deri më 6 tetor 2025, kur edhe u arrestuan të njëjtat, kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i vazhdueshëm i pozitës dhe autorizimit zyrtar” dhe “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës.”

“Është parashtruar kërkesën deri tek Gjykata Penale që t’u vazhdohet masa e paraburgimit të dy të dyshuarave si pronare të dy shtëpive të kujdesit të moshuarve në Shkup. Jemi në pritje rezultateve nga ekzaminimet mjekësore të pacientëve të keqtrajtuar dhe nga institucionet kompetente vazhdojnë trajtimet e posaçme shëndetësore ndaj atyre pacientëve. Posa të mbaroj faza hetimore, prokuroria themelore do të ngrit akuzat përkatëse për këtë rast”, thotë Prokuroria Themelore Publike.

Një muaj më pas, ekipi i TV21 vizitoi dy shtëpitë e pleqve, në Qendër dhe në Butel, të cilat ishin të mbyllura. Nga Ministria për Politikë Sociale thonë se të moshuarit që ishin në azilet private “AKTIV” dhe “ARIJA” janë rikthyer te familjet e tyre, e familjet kanë të drejtë të lidhin marrëveshje administrative me institucione të tjera të mbrojtjes sociale.

“Shumica e të moshuarve janë pranuar nga familjet e tyre, disa janë vendosur në shtëpi të tjera private që plotësojnë kërkesat në përputhje me standardet e përcaktuara, ndërsa një person është vendosur në Institucionin Publik për të Moshuarit “Zafir Sajto” në zonën e Kumanovës”, thotë ministria për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini.

Pas marrjes në shtëpi të pleqve nga familjarët e tyre, disa tanimë janë akomoduar edhe në Spitali e specializuar për Geriatri dhe mjekësi Paliative “13 Nëntori” në Shkup. Drejtoresha e këtij institucioni Lençe Nelloska, tha se janë të mbushura kapacitet me mbi 400 shtretër, por që kanë gjetur hapësira edhe për të moshuarit nga ato dy shtëpi private, të cilët kanë pasur edhe diagnoza.

“Nuk mund të ju them konkretisht as numrin dhe as gjendjen e tyre sepse ne kemi pranuar si pacientë që janë paraqitur për akomodim tek ne dhe gjendja shëndetësore e tyre është e ndryshme te njerëzit dhe nuk mund të jap përgjigje të qartë në pyetjen tuaj sepse nuk kam të dhëna të tilla. A kishte pacientë të sjell nga ato dy shtëpitë private të pleqve? Sigurisht që kishte, megjithatë jo aq shumë”, deklaroi Lençe Nelloska

Të dyja institucioneve u janë hequr lejet e funksionimit pasi është përcaktuar se nuk i plotësojnë standardet në përputhje me legjislacionin ekzistues. Sektori për Mbrojtje Sociale në kuadër të Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë ka përgatitur dhe dorëzuar Informacion në Qeveri, e cila është kompetente për të nxjerrë Vendim për revokimin e miratimit për themelimin e Institucionit Privat për Mbrojtje Sociale të të Moshuarve.

Mungojnë tumor-markerët në Onkologji! “Hema Onko” kërkon ndryshime në ligjin e prokurimit të ilaçeve

0

Të ndryshohet rregullorja, gjegjësisht ligji i prokurimit të ilaçeve për pacientët me kancer, kërkon shoqata “Hema Onko”. Kjo pasi që në rregulloren aktuale – për shkak të procedurave tenderuese – ekzistojnë boshllëqe në furnizimin e ilaçeve, thotë Ana Marjanoviq nga kjo shoqatë. Aktualisht nuk ka tumor-markerë në Klinikën e Onkologjisë, si dhe cisplatin dhe taksol për pacientët.

“Po kjo është një terapi që kohë pas kohe mungon te onkologjiku, problemi do të tejkalohet nëse ndryshohet mënyra e prokurimit të ilaçeve në këtë klinikë. Nuk bëhet fjalë për terapi të shtrenjtë por për terapi që nuk kushton shumë megjithatë procesi i prokurimit e vështirëson blerjen e saj në Klinikë e Onkologjisë”, tha Ana Marjanoviq.

Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu thotë se po ndryshojnë dhe përshtatin një zgjidhje ligjore për të eliminuar problemet me tumor-markerët.

“Fatkeqësisht, edhe për shkak të pengesave ligjore, e dini që nëse një procedurë vonohet, nuk ju lejohet ligjërisht të hapni një tjetër ose ta përshpejtoni atë. Dhe për këtë arsye, një nga ligjet në këto 12 ligje që po ndryshojmë dhe përshtatim, një nga çështjet që do të zgjidhim është fjalë për fjalë kjo. Unë njoftova disa muaj më parë se do të shqyrtonim fillimin e procedurave jo tre, por gjashtë muaj para përfundimit të procesit, në mënyrë që të kemi kohë për të gjetur shtesë nëse duhet të rihapim procedurën, në mënyrë që të mos arrijmë në momente të tilla kur, për shkak të procedurave administrative, pacientët do të presin për ilaçe”, tha Azir Aliu.

Për momentin, ministri tha se tumor-markerët mund të përpunohen në Biokimi, ndërsa për ilaçet tjera, si cisplatina dhe taksoli, tha se nuk është i informuar se ka mungesë.

Rasti “Onkologjia”, një dëshmitar pohon se kanë dhënë 500 euro ryshfet për të marrë terapinë

0

Ka vazhduar gjykimi për rastin “Onkologjia” me dëgjimin e dëshmitarëve, të cilët janë gjithashtu persona të dëmtuar në këtë rast. Në pyetjen e prokurores publike Ana Gogovska Jakimovska, nëse kishin pasur problem me sigurimin e terapisë, një nga dëshmitarët deklaroi se kanë qenë të detyruar të japin ryshfet prej 500 eurosh për të marrë çdo dozë të terapisë. Sipas dëshmitarit, ilaçi merrej nga frigoriferi në zyrën e Nikolla Vasevit dhe i dorëzohej infermieres që ta aplikonte. Ai tha se nuk kishte prova për këtë që pretendon dhe as nuk e kishte raportuar, pasi nuk dinte ku ta bënte denoncimin. Sipas dëshmitarit, procedura ka qenë e tillë: fillimisht “kafeja” në zyrën e doktor Vasevit, i cili, pasi pinin kafenë, ia dorëzonte ilaçin infermieres. Lënda zhvillohet kundër doktor Vasevit dhe dy onkologëve të tjerë, për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve.

Tashmë janë dy paga minus! Punonjësit e “Florakom” dhe “Luna” presin takim me kryetarin e ri të Shkupit

0

Tashmë nuk po protestojmë vetëm për një pagë, por për dy. Punonjësit e “Florakom” dhe “Luna” edhe sot u mblodhën në protestë para ndërmarrjes “Parqe dhe Gjelbërim” me parullën “Pagë për ju, pagë edhe për ne”. Ata janë të revoltuar edhe më shumë sepse, megjithëse drejtori i ndërmarrjes u kishte premtuar dje se paga do të paguhej, as sot nuk kanë marrë asgjë. Punonjësit tashmë po nënshkruajnë kërkesa për arbitrazh, ndërsa sindikalistët thonë se do të kërkojnë takim me kryetarin e ri të Shkupit, Orce Gjorgjievski, sapo ai ta marrë zyrtarisht detyrën.

“Po i kërkojmë pagat tona dhe sigurimin shëndetësor. Punëtorët nuk kanë mundësi t’i çojnë fëmijët e tyre te mjeku, të marrin ilaçe me recetë. Kërkojmë pagë, asgjë më shumë, kërkojmë dy paga. Kemi dorëzuar 150 kërkesa për arbitrazh”, tha Atanas Gjorgjevski.

“Dje gjatë protestës na priti drejtori, kur i shpjeguam kërkesat tona, të cilat edhe ai i di, dha premtim se paga do të paguhej dje gjatë ditës. Por ky ishte i njëjti premtim edhe të enjten e kaluar. Paga nuk është paguar. Punonjësit e “Parqeve dhe Gjelbërimit” nuk do të marrin pjesë në të ashtuquajturën “përgjithshme 72-orëshe” që e organizon Qyteti i Shkupit. Nuk ka para, nuk ka pagë, nuk ka shërbim”, deklaroi Goran Risteski.

Të shtunën PDSH mban mbledhjen e Kuvendit Qendror

0

Partia Demokratike Shqiptare ka njoftuar se ditën e shtunë në Tetovë do të mbahet mbledhja e Kuvendi Qendror. PDSH njoftoi se mbledhja do të mbahet nga ora 12:00.

“Ju njoftojmë se ditën e shtunë, në ora 12:00, tek Hotel NB në Tetovë do të mbahet mbledhja e Kuvendit Qendror të PDSH-së.

🗓 e shtunë, (8 nëntor) 🕘 12:00, 📍 Salla e konferencave- Hotel “NB” Tetovë”, tha PDSH

Aeroplani në SHBA shpërthen në flakë pas ngritjes, humbin jetë 7 persona

0

Shtatë persona kanë vdekur kur një aeroplan mallrash i UPS-së është përplasur ndërsa po ngrihej nga një aeroport në Louisville, Kentucky të martën në mbrëmje, ka thënë guvernatori i shtetit.

Të paktën 11 persona të tjerë janë lënduar kur aeroplani i mallrave u përplas teksa po nisej nga Aeroporti Ndërkombëtar i Louisville “Muhammad Ali” rreth orës 17:15 sipas kohës lokale, raporton BBC.

Guvernatori i Kentuckyt, Andy Beshear, ka thënë se tre anëtarët e ekuipazhit të aeroplanit ka të ngjarë të jenë midis të vdekurve.

Zyrtarët kanë paralajmëruar se njerëzit kishin pësuar lëndime “shumë të rënda” në incident dhe se numri i të vdekurve mund të rritet.

Fluturimi 2976 i UPS me destinacion Honolulu, Hawaii mbante 144,000 litra karburant kur rrëshqiti nga pista në Louisville dhe goditi ndërtesat afër.

Shpërthimi përfshiu të paktën dy biznese aty pranë, përfshirë një kompani riciklimi të naftës. Fillimisht u lëshua një urdhër për strehim në vend për personat brenda një rrezeje prej 8 kilometrash nga aeroporti për shkak të shqetësimeve për shpërthime të mëtejshme dhe ndotje të ajrit, por më vonë u rrezja u reduktua në pak më shumë se 1 kilometër.

“Kemi punuar në heshtje”! Kurti publikon letrën ku kishte kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së

0

Në pesë vjetorin e burgosjes të ish udhëheqësve të UÇK-së në Hagë Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha  se nuk ka as arsye ligjore e as morale të njëjtit të mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale në Hagë.

“Përveç tij, edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi po ndodhen në paraburgim tash e pesë vjet. Pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët”. Por Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim.”, ka shkruar Kurti.

Kurti  në Facebook ka publikuar një letër të cilën ka thënë se ia ka dërguar kryetaren e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova më 2022. Aty ai ka kërkuar lirimin e tyre, por kërkesat nuk kanë marrë përgjigje.

“Si Kryeministër, zyra ime dhe unë kemi kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Në vijim po bashkëngjes letrën që i është dërguar drejtpërdrejt znj. Trandafilova në lidhje me këtë çështje në shtator të vitit 2022. E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje. Kërkesat tona qëndrojnë akoma, e në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre”, ka shkruar Kurti në Facebook./21Media

Limir Abdixhiku: Në monarki mandati trashëgohet, nga babai tek i biri – nga Albini te Glauku

0

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se pas disa muajsh krize, qytetarëve po iu imponohet një qeveri e pakicës, me mandatimin e Glauk Konjufcës së Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e Qeverisë.

Ka thënë se janë vonë. Ka shtuar se qeveri të pakicës nuk mund të ketë më në Kosovë.

“LDK-ja rikujton se në demokraci, pakica nuk mund të qeverisë. Pakicës i thonë opozitë, jo qeveri. Në demokraci pakica nuk e ndan buxhetin, nuk miraton ligje”, ka thënë ai në një konferencë për media një ditë pasi presidentja Vjosa Osmani mandatoi Konjufcën, si mandatar të dytë pas dështimit të kryetarit të VV-së, Albin Kurti.

Ai ka thënë se Kosova duhet t’i kthehet sovranit. Abdixhiku e ka quajtur monarki propozimin e Konjufcës.

“Në monarki mandati trashëgohet, nga babai tek i biri, nga Albini te Glauku”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se në demokraci mandati sigurohet përmes votës qytetare.

“Nuk ka asnjë peshë zhvillimi i brendshëm në një parti politike. Për LDK-në ky proces është një lojë politike që ka për synim thellimin e krizës. Koha e axhamive politike ka marrë fund. Politikave të tilla duhet t’u dilet ballë. LDK-ja konsideron se çdo zvarritje e tillë e qëllimshme përbën zgjatje të krizës. Konjufca nuk ka shumicë”, ka thënë ai.