Rikonstruimi i qeverisë, PDSH: Do ta shqyrtonim ftesën për pjesëmarrje në qeveri

0

Pas mbajtjes së zgjedhje lokale pritet rikonstruim  i qeverisë. Por, a  do të bëhet PDSH-ja e Menduh Thaçit pjesë e ekzekutivit?! Imer Aliu nga kjo parti tha se ende nuk ka ftesë, por që të njëjtën nuk do ta refuzonin, duke shtuar se janë të hapur për bisedime.

 “Jo, mirëpo ne në fakt nuk do ta refuzojmë ftesën. Dialog apo debati më saktë ne do ta zhvillojmë me secilin tash e tutje, përfshi edhe qeverinë. Mirë po, një gjë është e qartë, rendi i ditës i Partisë Demokratike Shqiptare dhe rendi i ditës i Qeverisë dhe partive në qeveri duket se është i ndryshëm, por sigurisht, ne do të debatojmë me të gjithë”, theksoi Imer Aliu –  anëtar i Kryesisë PDSH-së.

Sipas Aliut partitë shqiptarë në pushtet tash duhet të mbajnë premtimet pasi më nuk kanë edhe asnjë arsyetim.

‘Janë bërë shumë premtime, tash është koha që të realizohen. Ne do të mbajmë përgjegjës sigurisht partinë shqiptare në pushtet, se ata kanë premtuar dhe sigurisht tash e tutje nuk kanë asnjë arsyetim që të mos-realizojnë. Ne si PDSH atë do të bëjmë, do të mbajmë përgjegjës ata që u kanë premtuar qytetarëve dhe që i kanë pozicionet tash e tutje në pushtetin lokal dhe qendror. Ajo që BDI ka humbur, nuk është tragjedi kombëtare”, u shpreh Imer Aliu –  anëtar i Kryesisë PDSH-së.

Plotësime të vendeve në qeveri pritet të ketë në postin Zv.Kryeministrit të parë dhe në ministrinë e  Ekologjisë, me të cilat  udhëhiqte Izet Mexhiti i cili në zgjedhjet e 19 tetorit  fitoi në komunën e Çairit. Një ndër emrta e mundshëm për zv.K ryeministër të parë përmendet Bekim Sali për të cilin kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se ende nuk është diskutuar dhe dakorduar duke theksuar se ai është mandatar i Qeveris dhe se fjalën e fundit do ta ketë ai.

Takimi i komisioneve mes RMV-së dhe Bullgarisë, dorëzohen tekste të reja shkollore

0

Ekpi i përbërë nga pala e RMV-së dorëzoi tekstet e reja të lëndës së Historisë dhe Shoqëri për klasat e V-ta dhe VI-ta, ku u diskutua për qasjen dhe metodologjinë e shqyrtimit të këtyre teksteve.  Gjatë takimit është nënshkruar procesverbali i mbledhjes së 31-të, ndërsa ka vazhduar harmonizimi i procesverbalit të mbledhjes së 32-të.

 “Gjatë takimit, pala maqedonase dorëzoi tekstet e reja të lëndës Histori dhe Shoqëri për klasat e V-ta dhe VI-ta. Duke marrë parasysh realitetin e ri, u diskutua për qasjen dhe metodologjinë e ardhshme lidhur me shqyrtimin e këtyre teksteve. Diskutimi mbi këtë temë do të vazhdojë në takimin e radhës. Theksojmë se ekipi maqedonas, përmes një qasjeje proaktive për ndërtimin e besimit, vazhdon të punojë për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme, mbi bazën e respektit të ndërsjellë për të drejtën sovrane të secilës palë për perceptime të ndryshme mbi të kaluarën”, njoftoi ekipi i RMV-së në komision.

Ndërkohë, mediat bullgare raportuan se nga takimi nuk ka pasur përparim. 

“Pavarësisht qëndrimit deklarativ të kolegëve nga Republika e Maqedonisë së Veriut për punë efikase të komisionit, u konfirmuan dallimet në kuptimin e natyrës së tij”, ka deklaruar për agjencinë BTA pala bullgare e komisionit.

Takimi i ardhshëm i komisionit do të mbahet në gjysmën e parë të dhjetorit në Sofje. Kujtojmë se si rezultat i nënshkrimit të Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë më 1 gusht 2017 i formua  Komisioni i Përbashkët maqedono-bullgar për Çështje Historike dhe Arsimore.

Izraeli kryen sulme vdekjeprurëse në Liban

0

Sulmet ajrore izraelite në Liban kanë vrarë tre persona dhe kanë plagosur disa të tjerë më 8 nëntor, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë. Ndërkaq, Izraeli njoftoi se një nga sulmet goditi trafikantë të armëve nga një grup i lidhur me Hezbollahun.

Hezbollahu është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka në listën e zezë krahun ushtarak të grupit libanez, por jo edhe partinë politike.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban raportoi se dy vëllezër nga qyteza Sheba u goditën nga sulmet teksa po udhëtonin në një rrugë rrëzë malit Hermon në juglindje të Libanit, “duke bërë që makina e tyre të përfshihej nga flakët, gjë që rezultoi me vdekjen e tyre”.

Ushtria izraelite konfirmoi se ka kryer sulme afër Shebës dhe tha se ka vrarë dy trafikantë nga Brigada për Rezistencë Libaneze, një grup i lidhur me Hezbollahun.

“Terroristët ishin të përfshirë në trafikimin e armëve që përdoren nga Hezbollahu dhe aktivitetet e tyre përbënin shkelje flagrante të mirëkuptimit mes Izraelit dhe Libanit”, tha ushtria izraelite duke iu referuar armëpushimit që i dha fund mbi një vit armiqësi mes Izraelit dhe Hezbollahut, grup që mbështetet nga Irani.

“Ushtria izraelite do të vazhdojë të operojë në mënyrë që të eliminojë çdo rrezik që i kanoset shtetit të Izraelit”, paralajmëroi ushtria.

Ministria libaneze e Shëndetësisë konfirmoi numrin e viktimave në Sheba dhe më vonë raportoi se gjatë një sulmi tjetër ajror ndaj një makine në fshatin Barashit në jug të Libanit u vra edhe një person dhe u plagosën katër të tjerë.

Një sulm i ngjashëm ajror izraelit goditi mëngjesin e së shtunës edhe një makinë tjetër pranë një spitali në Bint Jbeil, duke plagosur shtatë persona, tha Ministria e Shëndetësisë.

Sulmet e fundit vijnë teksa Bashkimi Evropian shprehu shqetësime lidhur me sulmet e vazhdueshme izraelite pavarësisht armëpushimit të arritur nëntorin e vitit të kaluar.

“Fokusi i të gjitha palëve duhet të jetë në ruajtjen e armëpushimit dhe përparimin e arritur deri më tani”, tha zëdhënësi për çështje të jashtme i Komisionit Evropian, Anouar El Anouni.

Izraeli argumenton se Libani po vepron shumë ngadalë për të çarmatosur Hezbollahun dhe insiston se ka të drejtë të kryejë operacione për të mbrojtur kufijtë e tij dhe qytetarët nga sulmet.

Të enjten, Izraeli kreu një sërë sulmesh ajrore në jug të Libanit dhe paraprakisht paralajmëroi civilët që të evakuoheshin nga zonat që do të shënjestronte.

Jasir Asani rikthen harmoninë me të dashurën, çifti shfaqet i lumtur

0

Lidhja e dashurisë së futbollistit të Kombëtares Shqiptare, Jasir Asani duket se është stabilizuar. Pas krisjes së marrëdhënies, ai dhe e dashura e tij, Giota, duket se kanë gjetur sërish rrugën e dashurisë.

Madje tani ata po shfaqen tejet të lumtur e më të dashuruar se kurrë.

Kështu ka lënë të kuptohet shkupjani Jasir Asani, i cili në rrjetet e tij sociale ka publikuar disa foto në të cilat çifti shihen në përqafimin e njëri tjetrit.

Nikollovski: Rrezikojmë 128 milionë euro! Tripunovski: Nuk do të japë dorëheqje, nuk ka rrezik për IPARD

0

Ministri i Bujqësisë Cvetan Tripunovski nuk do të japë dorëheqje pas arrestimit të drejtorit aktual të Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi, Ilija Stoilev, për marrje ryshfeti. Përgjegjësi kërkoi opozitarja LSDM, por Tripunovski thotë se Agjencia është institucion i veçantë. Hetimi tregoi se Xhevdet Nasufi, ish-ministër i drejtësisë dhe i vetëqeverisjes lokale në qeverinë e Ljupço Georgievskit, i ka premtuar 50 mijë euro Stoilevit për kompaninë e Nasufit e cila nuk i plotëson kushtet për të marrë para nga IPARD. Policia e kapi Stoilevin me 400 eurot e para të dhëna dorazi.

Opozita bën thirrje për dorëheqjen time, por dua të theksoj se Agjencia është institucion i veçantë, e cila ka menaxhment të veçantë dhe organ drejtues të veçantë që punon sipas planit dhe aktiviteteve të tyre, kështu që nuk shoh asnjë lidhje. Prandaj apeloj që ky rast të hetohet deri në fund dhe nëse ka përgjegjësi të veprohet në pajtim me ligjin dhe procedurën”, tha Cvetan Tripunovski – Ministër i Bujqësisë.

Ministri thotë se arrestimi i Stoilevit është tregues se ligjet duhet të vlejnë në mënyrë të njëjtë për të gjithë, pavarësisht nëse dikush është funksionar aktual apo i mëparshëm, ndërsa Qeveria ka treguar mos-selektivitet në luftën kundër korrupsionit.

LSDM paralajmëron – pas skandalit të korrupsionit është e mundur që Bashkimi Evropian të ndalojë financimet në programin IPARD-3, me vlerë 128 milionë euro.

Pas këtij skandali, sipas informacionit që kemi, tashmë ka një paralajmërim dhe është e mundur që Bashkimi Evropian të ndalë financimet në programin IPARD-3 nga Komisioni Evropian. Në rrezik janë vendosur 128 milionë euro nga e gjithë programi 7-vjeçar, para që duhej të ishin motor i bujqësisë sonë”, u shpreh Lupço Nikollovski – LSDM.

Tripunovski, nga ana e tij, siguron se Agjencia për mbështetje financiare në bujqësi do të vazhdojë të punojë pa pengesa. “Nuk shoh rrezik për fondet IPARD dhe pagesat kombëtare që i kemi si shtet”, thotë ai. Ndër të dyshuarit në skandalin me agjencinë e pagesave është edhe një punonjës shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, si dhe një referent tatimor i punësuar në DAP. Nasufi, si menaxher i kompanisë, ndiqet për dhënie ryshfeti dhe dhënie shpërblimi për ndikim të paligjshëm. Drejtori Stoilov për marrje ryshfeti. Të dy janë në paraburgim 30-ditor së bashku me dy të dyshuar të tjerë, ndërsa e pesta e dyshuar është në arrest shtëpiak.

​Berlini synon të bëhet me 1 milion pemë deri në vitin 2040

0

Qindra-mijëra pemë shtesë do të mbillen në Berlin gjatë 15 vjetëve të ardhshëm, pasi qeveria miratoi me shumicë dërmuese një ligj për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike këtë javë.

Vetëm Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë votoi kundër masës, e cila u iniciua nga një iniciativë qytetare.

Ligji synon të sigurojë që Berlini të ketë një milion pemë deri në vitin 2040, më shumë se dyfishi i numrit sot.

Janë planifikuar gjithashtu masa shtesë, të tilla si krijimi i më shumë hapësirave të gjelbra dhe përdorimi më i mirë i ujit të shiut, dhe i gjithë projekti pritet të kushtojë 3.2 miliardë euro.

Iniciativa qytetare BaumEntscheid e sheh ligjin si një moment historik në rrugën drejt një Berlini më të gjelbër, duke e bërë qytetin gjerman më rezistues ndaj ngrohjes globale.

Zëdhënësi Heinrich Strössenreuther tha se zbatimi i tij duhet të fillojë menjëherë pas vendimit parlamentar.

“Koha është një faktor i rëndësishëm në përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike”, theksoi ai.

Shqipëria bllokon kamionin me 25 ton misër, që vinte nga Serbia

0

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në Shkodër të Shqipërisë ka bllokuar një kamion me 25 ton misër që vinte nga Serbia, në doganën e Hanit të Hotit, teksa hynte në Shqipëri nga Mali i Zi. Sasia e misrit u ndalua pasi u konstatua prania e aplatoksinës B1 mbi normat e lejuara për Shqipërinë.

Ndërsa për vendet e BE-së kjo substancë është brenda normave të pranueshme, në Shqipëri normat janë më strikte. Destinacioni final i kamionit ishte Elbasani, dhe bëhet fjalë për misër blegtoral refuzho.

Në një zhvillim tjetër, AKU Shkodër ka bllokuar edhe një ferm qumështi në fshatin Trush, bashkia Shkodër, për shkak të disa parregullsive të konstatuara gjatë kontrollit.

Bisedimet Pakistan-Afganistan në Stamboll përfundojnë pa marrëveshje, armëpushimi vazhdon

0

Bisedimet e paqes në Stamboll mes Pakistanit dhe sundimtarëve islamistë talibanë të linjës së ashpër në Afganistan kanë përfunduar pa marrëveshje, por armëpushimi mes dy shteteve fqinje do të vazhdojë të jetë në fuqi.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, fajësoi Pakistanin për kolapsimin e bisedimeve, duke thënë se delegacioni i Islamabadit kishte “sjellje të papërgjegjshme dhe kishte mungesë të bashkëpunimit”.

Përmes një postimi në X, Mujahid e akuzoi Pakistanin se “nuk shfaqi gatishmëri për të marrë ndonjë përgjegjësi për sigurinë e Afganistanit, apo edhe të veten”.

Ai shtoi se armëpushimi “deri më tani nuk është shkelur nga ne dhe ai do të vazhdohet që të respektohet”.

Disa runde bisedimesh të ndërmjetësuara nga Turqia dhe Katari janë mbajtur në Stamboll që nga muaji i kaluar. Rundi i fundit u mbajt më 6-7 nëntor dhe u udhëhoq nga Abdul Haq Wasiq, shefi i inteligjencës të talibanëve dhe nga gjenerallejtënant, Asim Malik, kreu i Shërbimit të Inteligjencës të Pakistanit.

Më herët, zyrtarët pakistanezë, përfshirë ministri e mbrojtjes, Khawaja Asif, thanë se dështuan bisedimet në Stamboll, duke shtuar se nuk ka plane për negociata të tjera.

Asif tparalajmëroi se nëse territori i Afganistanit përdoret për të sulmuar Pakistanin, armëpushimi do të përfundojë.

Ai paraprakisht kishte paralajmëruar se dështimi për të arritur një marrëveshje do të çonte në një “luftë të hapur”.

Rundi i fundit i bisedimeve në Stamboll u përball me probleme që në fillim. Për shembull, kur nisën bisedimet pati këmbim zjarri më 6 nëntor në Spin Boldak mes ushtarëve talibanë dhe forcave pakistaneze.

Edhe pse të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për inicimin e zjarrit, sipas raportimeve lokale, civilët e pësuan rëndë gjatë këtij incidenti. Të paktën pesë civilë, përfshirë katër gra, u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën.

Ndërkaq, gjatë përleshjeve të tetorit mes Pakistait dhe talibanëve u vranë të paktën 50 civilë afganë dhe 450 të tjerë u plagosën. Luftimet u ndalën pas ndërmjetësimit të Turqisë dhe Katarit dhe palët arritën një armëpushim.

Pakistani po ashtu ka konfirmuar se gjatë përleshjeve janë vrarë të paktën 23 ushtarë të tij dhe janë plagosur 29 të tjerë.

Dhuna erdhi pas shpërthimeve në Kabul më 9 nëntor, për të cilat autoritetet talibane fajësuan Pakistanin.

Dikur aleatë të ngushtë, që ndajnë një kufi prej 2.600 kilometrash, të dyja palët përkeqësuan raportet pas pretendimeve të Islamabadit se Afganistani strehon grupe militante, përfshirë Tehrik‑e Taliban Pakistan (TTP). Pakistani pretendon se autoritetet talibane po lejojnë TTP-në që të përdorë territorin afganë për t’u trajnuar dhe si qendër logjistike për sulme brenda Pakistanit. Qeveria talibane mohon këto pretendime.

NP “Rrugët dhe rrugicat” Shkup: Do të punojmë derisa të përfundojë pastrimi i shtratit të lumit Vardar

0

Ekipet e Ndërmarrjes Publike “Rrugët dhe rrugicat” – Shkup po zhvillojnë këto ditë një aksion intensiv për pastrimin e shtratit të lumit Vardar, përcjell TV21. Sipas ndërmarrjes, është angazhuar e gjithë mekanizimi i disponueshëm, dhe puna do të vazhdojë derisa të përfundojë pastrimi i plotë i bregut.

Nga pamjet dhe fotografitë nga terreni shihet se materialet e grumbulluara dhe dheu po largohen me makineri nga pjesa qendrore e lumit, ndërsa ekipet me dorë mbledhin mbeturinat plastike dhe mbeturinat e vogla nga bregu.

“Në këtë aksion janë të angazhuara të gjitha ekipet e Ndërmarrjes Publike ‘Rrugët dhe rrugicat’ Shkup me kapacitet të plotë punues. Do të punojmë derisa të përfundojë pastrimi i plotë i hapësirës”, informuan nga ndërmarrja.

Ky pastrim është pjesë e aksionit të paralajmëruar për përmirësimin e higjienës dhe rregullimin e hapësirave publike në qytet, i iniciuar nga kryetari i sapo zgjedhur i Shkupit, Orce Gjorgjievski. Sipas njoftimeve, aktivitete të ngjashme do të realizohen edhe në lokacione të tjera në kryeqytet.

Aliu: Shëndetësia e shekullit XXI funksionon me infrastrukturë digjitale që ndjek pacientin

0

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu theksoi se sistemi shëndetësor i shekullit XXI nuk ndërtohet vetëm me mure, aparatura dhe procedura, por edhe me të dhëna, integrim, parashikim dhe infrastrukturë digjitale, përcjell TV21. Deklaratën ai e bëri gjatë hapjes së Panairit të Mjekësisë, Stomatologjisë dhe Farmacisë – Health Innovation Expo 2025, që po mbahet sot dhe nesër në Shkup, në organizim të Odës së Shëndetësisë Private të Maqedonisë.

Ministri Aliu theksoi se digjitalizimi po vendos bazën e një sistemi shëndetësor që mëson, analizon dhe reagon në kohë reale – një sistem që nuk pret problemet të shfaqen, por i parashikon dhe i parandalon ato.

“Ngjarje të tilla kanë shumë më tepër rëndësi se një takim i zakonshëm midis profesionistëve dhe institucioneve shtetërore. Ato tregojnë se të dhënat duhet të lëvizin bashkë me pacientin, jo pacienti me të dhënat. Ne do të punojmë në këtë drejtim. Mjekët do të kenë qasje të menjëhershme dhe të saktë në historinë mjekësore të çdo pacienti, ndërsa pacienti do të ketë kontroll, qartësi dhe siguri mbi të dhënat e veta shëndetësore”, tha Aliu.

Ai shtoi se ky model është i njohur globalisht dhe synon krijimin e një infrastrukture shëndetësore parandaluese, jo vetëm reaguese.

Ministri sqaroi gjithashtu se teknologjitë moderne jo vetëm që kujdesen për pacientët, por edhe për punonjësit shëndetësorë, duke mundësuar telemjekësinë – një formë konsultimi që e sjell shëndetësinë në çdo shtëpi. Pacientët me sëmundje kronike mund të ndiqen në kohë reale përmes sistemit digjital. Aliu shtoi se përdorimi i protokolleve digjitale, inteligjencës artificiale dhe algoritmeve të lidhura me sistemin shëndetësor mundëson zbulimin e hershëm të rreziqeve shëndetësore.

“Me digjitalizimin do të kemi më pak pritje për pacientët, më pak hospitalizime të panevojshme, dhe më shumë kujdes dhe dinjitet për ta. Për këtë arsye po punojmë në transformimin digjital të shëndetësisë, për të arritur standardizim si shtet, disiplinë dhe profesionalizëm si punonjës shëndetësorë, dhe për t’u shërbyer qytetarëve me ndershmëri dhe në kohë”, tha ministri.

Ai përfundoi duke theksuar se do të vazhdojë integrimi i të gjitha institucioneve dhe shërbimeve shëndetësore në vend, si dhe sigurimi i një dosjeje kombëtare elektronike për çdo qytetar.