Sot mbahen zgjedhje në 5 bashki të Shqipërisë 

0

Në Shqipëri sot votohet në bashkitë Vlorë, Tepelenë, Berat, Mat dhe Cërrik, ku këtë të diel po mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore për të zgjedhur të parin e qytetit.

473 qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe qytetarët do kenë mundësi të shprehin vullnetin e tyre deri në orën 18:00, kur siç përcakton edhe Kodi Zgjedhor mbyllen qendrat e votimit.

Në Vlorë, numri i qytetarëve me të drejtë vote është afro 172 mijë, në Berat mbi 82 mijë, në Cërrik afro 39 mijë, në Mat 29 mijë ndërsa në Tepelenë, 12 mijë. Opozita nuk ka propozuar asnjë emër politik, por do të mbështesë kandidatët e pavarur.

Kosovë, 18 komuna votojnë për ta zgjedhur kryetarin e komunës

0

Tetëmbëdhjetë komuna janë pjesë e balotazhit për kryetar sot në Kosovë.

Qytetarët do t’iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur njërën nga dy kandidatët potencialë për udhëheqjen e ardhshme katërvjeçare.

Pjesë e garës janë Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Peja, Rahoveci, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Kllokoti dhe Mamusha.

Një milion e 316 mijë e 672 qytetarë kanë të drejtën e votës në këto 18 komuna. Ky numër i votuesve është i shpërndarë në 507 qendra votimi, me gjithsej 1.628 vendvotime, të cilat do të hapen në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.

Prishtina do të zgjedhë midis kryetarit aktual Përparim Rama LDK dhe Hajrulla Çekut VV. Këta të dy kanë diferencë prej 518 votash nga raundi i parë – Përparim Rama 33.71 për qind ose 35.595 vota, Hajrulla Çeku 33.21 për qind ose 35.077.

Betejë interesante pritet edhe në Mitrovicën e Jugut ndërmjet Faton Pecit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Arian Tahiri PDK. Diferenca mes tyre në garën e raundit të parë ishte vetëm 122 vota.

Garë e ngushtë pritet edhe në Obiliq midis Xhafer Gashit LDK dhe Halil Thaçit Lëvizja Vetëvendosje, ku diferenca nga raundi i parë është vetëm 233 vota.

Kryetari aktual Alban Hyseni nga VV dhe Arbër Ismajli LDK do të përballen në Gjilan. Alban Hyseni më 12 tetor kishte rreth 7 mijë vota më shumë.

Gjakova do të vendosë ndërmjet dy kandidatëve me të njëjtën emër – Ardian Gjini AAK dhe Ardian Gola VV. Kandidati i partisë së Ramush Haradinajt në raundin e parë ka mbi 6500 vota epërsi.

Bexhet Xheladini LDK e Shaban Shabani PDK do të garojnë për Dragash. Xheladini në raundin e parë ka mbi 2500 vota më shumë se kundërkandidati i tij.

Shaqir Totaj PDK ka mbi 7 mijë vota epërsi ndaj kundërkandidatit Artan Abrashi nga VV-ja nga gara e 12 tetorit në Prizren.

Bali Muharremaj nga AAK në raundin e parë ka më shumë se 4 mijë vota ndaj Ardian Shalës nga LDK-ja para balotazhit në Suharekë.

Vitia është në garë të ngushtë ndërmjet Sokol Halitit të LDK-së dhe Arsim Ademit nga VV. Kandidati i LDK-së ka epërsi nga raundi i parë prej vetëm 944 votash.

Ferit Idrizi nga PDK-ja hyn në garë për kreun e Vushtrrisë me epërsi prej më shumë se 4400 votash nga raundi i parë përballë Sylejman Mehollit nga Lëvizja Vetëvendosje.

Me një diferencë me më pak se 400 vota garës së balotazhit në Junik më 9 nëntor i hyjnë Ruzhdi Shehu nga LDK-ja dhe Agron Kuçi nga AAK-ja.

Valon Prebreza hyn me rreth dy mijë vota epërsi nga raundi i parë në raport me kandidatin e LDK-së Besnik Osmani për kryetar të Fushë-Kosovës.

Smajl Latifi nga AAK dhe Ali Dula Lëvizja Vetëvendosje garojnë në Rahovec, me epërsinë e kandidatit nga partia e Ramush Haradinajt nga raundi i parë me 2879 vota.

Në Kaçanik gara është midis Sabedin Vishit nga PDK-ja dhe Jeton Rakës nga Lëvizja Vetëvendosje, me epërsi prej rreth 300 votash nga kandidati i partisë së Memli Krasniqit nga raundi i parë më 12 tetor.

Peja vendos midis Gazmend Muhaxherit nga LDK-ja dhe Taulant Kelmendi nga Lëvizja Vetëvendosje. Më 12 tetor, kandidati i partisë së Lumir Abdixhikut ka epërsi prej 7903 votash.

Në Klinë do të vendoset midis Zenun Elezajt nga AAK-ja dhe Sokol Bashtosë nga PDK-ja, me diferencë prej 2454 votash.

Në Mamushë garojnë Abdülhadi Krasniç nga KDTP, i cili ka epërsi prej vetëm 32 vota ndaj Fikret Morina Mamuşa Halk Hareketi. Kllokoti do të vendosë ndërmjet Bozhidar Dejanoviq – Lista Serbe dhe Sreçko Spasiq – Srpska Narodna Sloga (SNS), me diferencë 219 vota nga raundi i parë, ndonëse ky i fundit pati njoftuar se “tërhiqet nga gara”. Megjithatë KQZ ka sqaruar se tërheqja e tij është e vonshme dhe se emeri i tij tashmë ndodhet në fletëvotim.

Votuesit që votojnë jashtë Kosovës, të cilët janë regjistruar tashmë në raundin e parë të zgjedhjeve më 12 tetor, kanë pasur mundësi të votojnë me postë nga 27 tetori deri më 8 nëntor. Votuesit me nevoja të veçanta kanë pasur mundësi të regjistrohen për të votuar nga data 29 tetori deri më 4 nëntor.

Kujtojmë, këto janë zgjedhje të rregullta komunale me mandat katërvjeçar për kryetar. Në raundin e parë është votuar për kryetar dhe asamblistë të komunave.

Rutte: NATO është e gatshme të mbrohet nga çdo kërcënim bërthamor që vjen nga Rusia

0

Kreu i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se suksesi i ushtrimeve të përvitshme bërthamore të aleancës ushtarake, që u zhvilluan më herët këtë muaj, i ka dhënë atij “vetëbesim të plotë në kredibilitetin e parandalimit bërthamor të NATO-s” në garën kundër kërcënimeve ruse.

“Kur Rusia përdor retorikë bërthamore të rrezikshme dhe të pakujdesshme, popullatat tona duhet të dinë se nuk ka nevojë për panik, sepse NATO ka një të forta parandaluese”, u citua të ketë thënë Rutte në deklaratë për revistën gjermane Welt am Sonntag.

Stolitë e vjedhura në vlerë të 88 milionë eurove, Macron: Do t’i rikthejmë, autorët do të gjykohen

0

Presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë vizitës së tij në Meksikë u shpreh se xhevahiret e vjedhura nga muzeu i Luvrit do të rikuperohen dhe u zotua të rishikojë sigurinë e muzeut në Paris. Ai njoftoi se autoritetet kanë nisur arrestimin e disa pjesëtarëve të bandës përgjegjëse për vjedhjen.

“Xhevahiret do të gjenden, autorët do të arrestohen dhe do të gjykohen”, deklaroi Macron.

Duke folur për vjedhjen e muzeut, presidenti theksoi se incidenti përbën një mundësi për të dalë më të fortë dhe e quajti ngjarjen një tronditje për të gjithë botën.

Më 19 tetor, hajdutët hynë në muzeun e Luvrit dhe vodhën disa bizhuteri me vlerë 88 milionë euro, të cilat ende nuk janë gjetur. Aktualisht, katër të dyshuar janë në paraburgim dhe ndaj tyre janë ngritur akuza.

Gjykata e Auditorëve ka kritikuar ashpër menaxhimin e muzeut në vitet e fundit, duke theksuar se Luvri ka lënë pas dore sigurinë në favor të promovimit të veprave të tij më prestigjioze.

Emërimi nga qeveria i u.d. së kryetarit në Gostivar dhe Vraçishtë, Taravari: Kryetarë të popullit janë Limani dhe Shabani

0

Arben Taravari ka reaguar përmes një shkrimi në rrjetet sociale për dështimin e zgjedhjeve në Gostivar dhe Vrapçishtë, përcjell TV21. Taravari detyrimin ligjor për emërimin e ushtruesit të detyrës nga ana e qeverisë në këto komuna e cilëson si “nënshtrim të vullnetit të popullit”.

“Njihet rëndom në histori se si pushtete kokëfortë kanë kërkuar të nënshtrojnë vullnetin e popullit. Kështu po ndodh edhe me kryetarët Ushtrues Detyre që duan të sjellin në Gostivar e Vrapçisht… Sado paradoksale, njihet po prapë në histori se lëvizje të tilla e bëjnë edhe më të fortë vullnetin e sovranit! Fitues e kryetarë të popullit të Gostivarit dhe Vrapçishtit janë Valbon Limani dhe Isen Shabani! Këto manovra të shtetit ndaj tyre po i bëjnë këta djem Fitus Historikë!”, ka shkruar Taravari.

Avioni gjigant bllokoi rrugët e Bukureshtit, banorët mbetën të habitur

0

Një skenë surrealiste u regjistrua në Bukuresht mbrëmjen e 7 nëntorit, përcjell TV21. Avioni, i cili dikur i përkiste kompanisë “Blue Air”, po transportohej drejt Brașovit për t’u shndërruar në një hotel, u shoqërua nga një eskortë e veçantë e Policisë përgjatë qytetit. Ngjarja u filmua nga shoferë që kalonin pranë aeroportit. Konvoji shkaktoi bllokim të rëndë të trafikut në qytet, pothuajse deri në mesnatë.

Me Rolls Royce në rrugët e Shkupit, Ghetto Geasy dhe Fero publikojnë këngën e tyre të përbashkët

0

Dy reperët e njohur, Fero dhe Ghetto Geasy, kanë publikuar bashkëpunimin e tyre të fundit me titull “Rolls Royce”. Tekstin e këngës e kanë shkruar vetë dy reperët. Prodhimi i këngës është realizuar nga ZZAP, ndërsa video muzikore është punuar nga SEKUENCE, ku shihet se një pjesë e klipit është xhiruar në Shkup. Rinor Hykolli figuron si producent ekzekutiv i projektit.

Këngën mund ta dëgjoni në linkun e mëposhtëm.

Trump kërkon që stadiumi “Washington Commanders” të mbajë emrin e tij

0

Presidenti amerikan, Donald Trump dëshiron që Washington Commanders ta vendosin emrin e tij në stadiumin e tyre të ardhshëm. Një burim nga Shtëpia e Bardhë i tha ESPN se Trump ia ka shprehur dëshirat e tij grupit të pronarëve të ekipit të NFL-së, të udhëhequr nga Josh Harris.

“Është ajo që dëshiron presidenti dhe ndoshta do të ndodhë”, tha burimi.

Trumpi është i njohur me vendosjen e emrit të tij në ndërtesa, hotele, kazino dhe fusha golfi si zhvillues i pasurive të paluajtshme, përveç shitjes së artikujve të markës Trump, duke filluar nga atletet te Biblat.

“Ky do të ishte një emër i bukur, pasi ishte Presidenti Trump ai që e bëri të mundur rindërtimin e stadiumit të ri”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt për ESPN.

Stadiumi i planifikuar me kupolë prej 3.7 miliardë dollarësh do të ndërtohet në Uashington DC në ish-vendin e stadiumit RFK, shtëpia e ekipit të atëhershëm Washington Redskins nga viti 1961 deri në vitin 1996. Stadiumi me 65,000 vende parashikohet të hapet në vitin 2030.

Kardiokirurgët Kolev dhe Xhelili trajnohen për teknika të avancuara robotike në Francë, me sistemin ‘Da Vinci’

0

Kardiokirurgët e Klinikës Universitare për Kardiokirurgji në Shkup, Aleksandar Kolev dhe Kujtim Xhelili, po qëndrojnë në Spitalin Universitar të Kardiokirurgjisë në Bordo, Francë, ku po marrin pjesë në një punëtori për trajnim dhe njohje me disa prej teknikave më inovative në kardiokirurgjinë moderne, përcjell TV21.

“Bashkë me kolegun tim, Kujtim Xhelili, patëm një mundësi jashtëzakonisht të çmuar të marrim pjesë në këtë punëtori edukative në Spitalin Universitar të Kardiokirurgjisë në Bordo, e organizuar nga Peters. Nën mentorimin e profesorëve të njohur Thomas Modine, Louis Labrousse dhe Julien Peltan, u njohëm nga afër me disa nga teknikat më të avancuara në kardiokirurgjinë bashkëkohore. Ndër to, më sofistikuara dhe më e rafinuara ishte përdorimi i sistemit robotik ‘Da Vinci’ për riparimin e valvulës mitrale, si edhe procedura të tjera minimalisht invazive. Përmes sesioneve praktike të trajnimit, ushtruam realizimin e anastomozave në modele reale, duke përdorur pajisjet më të fundit ndihmëse kirurgjikale”, shkroi kardiokirurgu Kolev në profilin e tij në Facebook.

Ai veçoi faktin se kardiokirurgjia, si një nga degët më të reja të mjekësisë, vazhdon të zhvillohet me shpejtësi.

“Për ne, si kardiokirurgë që vijmë nga një vend i vogël si Maqedonia, është me rëndësi të madhe të jemi në hap me këto inovacione, me qëllim që t’u ofrojmë pacientëve tanë cilësinë më të lartë të trajtimit”, theksoi dr. Kolev.

Mexhiti: Çairi po pastrohet! Së shpejti do të vendosen kontejnerët nëntokësor në të gjitha lagjet!

0

Pas aksionit për pastrimin e Shkupi, kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti përmes një prononcimi në rrjetet sociale, thotë se edhe komuna që udhëheq ai tashmë po pastrohet, përcjell TV21. Mexhiti thotë se pa pastrimit, vijon vendosja e kontejnerëve nëntokësorë në çdo lagje të kësaj komune.

“Sot Çairi po ndryshon. Po pastrohet, po rregullohet, po merr frymë ndryshe. Pas javësh të vështira për të gjithë Shkupin. Ekipet janë në terren. Po pastrohen rrugët, kontejnerët, hapësirat publike dhe çdo cep i Çairit. Por ky është vetëm fillimi. Së shpejti do të vendosim kontejnerë nëntokësorë në Çair. Një sistem modern, i pastër dhe efikas, që do t’i japë fund pamjes së mbeturinave të shpërndara dhe erës së keqe që e ka lodhur qytetin. Ky proces do të marrë pak kohë, por ne po punojmë me përkushtim që të sjellim një zgjidhje të përhershme”, tha mes tjerash Mexhiti.