Arrestohet prifti që shiste kokainë dhe kanabis, drogën e fshihte në kishë

0

Një prift 46-vjeçar, i njohur edhe si një personazh i YOUTUBE është arrestuar me akuzën për trafik kokaine dhe kanabisi.

Ngjarja u shënua në ishullin grek Rodos, ku priftit i gjetën dhe sekuestruar kokainë me peshë 2,238 gramë dhe kanabis i papërpunuar me peshë 9,092.6 gramë. Një tjetër klerik është arrestuar gjithashtu në të njëjtin rast, i cili duket se i ka dhënë drogë një personi të tretë në Rodos për ta transportuar atë në Athinë.

Sipas policisë greke, prifti 46-vjeçar, i cili ka një precedent penal për dhunë fizike, duket se ka pasur bashkëpunim të drejtpërdrejtë me kreun e dyshuar të bandës, pasi ai mori pjesë, ndër të tjera, në trafikun e drogës. Informacionet tregojnë se sasi kokaine dhe kanabisi të papërpunuar ruheshin brenda një kishe në Atikë.

Po shqyrtohen tre opsione për Qendrën e re Klinike në Shkup! Brenda 2 javësh spitali “8 Shtatori” pritet të ofrojë shërbime onkologjike

0

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, konfirmon se në procesin e planifikimit për sistemin shëndetësor po diskutohen tre opsione për të ardhmen e Qendrës së re Klinike në Shkup. Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, ai theksoi se vendimi përfundimtar do të varet nga analiza profesionale e ekspertëve, ndërsa aspektet infrastrukturore dhe financiare do të jenë vendimtare. Sipas ministrit, një nga opsionet është rinovimi i Qendrës Klinike ekzistuese. Alternativa e dytë përfshin ndërtimin e një Qendre Klinike tërësisht të re në një lokacion të ri gjeografik, ndërsa opsioni i tretë është zhvendosja dhe ndërtimi i kompleksit të ri klinik në hapësirat e spitalit “8 Shtatori”.

Në këtë moment po mendohet mes Qendrës Klinike ekzistuese – nga infrastruktura dhe mundësitë e tjera. Një nga opsionet është ndërtimi i një qendre klinike tërësisht të re në një pozicion gjeografik të ri. Dhe momenti i tretë është „8 Shtatori“, që do të thotë të ndërtohet kompleksi aty ku do të zhvendoset e gjithë Qendra Klinike si e tillë te „8 Shtatori“. Megjithatë, kjo është fazë shumë e hershme. Ekspertët në fund të ditës do të duhet të na thonë edhe nga këndvështrimi infrastrukturor, sa i përket fleksibilitetit dhe krijimit të proceseve të duhura që lidhen midis pjesës administrative, asaj klinike dhe pjesës akademike. E dini që Qendra Klinike është e lidhur ngushtë me fakultetin për shkak të asaj pjese të orientuar drejt kërkimit. Pra, jemi të kujdesshëm që kur të krijohet Qendra e re Klinike, të mos dëmtohet asnjë nga këto tre degë”, theksoi Azir Aliu – Ministër i Shëndetësisë.

Sa i përket trajtimit të pacienteve të  onkologjisë, ministri bëri të ditur se brenda një deri në dy javë, shërbimet onkologjike do të funksionojnë edhe në spitalin “8 Shtatori”, ndërsa po punohet që ato të jenë së shpejti të disponueshme edhe në spitalin e Manastirit. Sipas tij, shërbimet po zgjerohen gradualisht edhe në Tetovë, ndërsa Shtipi mbetet ende në përgatitje.

“Po, të jem i sinqertë, për “8 Shtatorin” prisja që puna të ecte më shpejt. Administrativisht, nga ana jonë kishim inspektorë që shkuan dhe përgatitën raport, kishte kërkesë nga këndvështrimi infrastrukturor. Shpresoj që pas raportit të dytë të mund të hapet ambulanca te “8 Shtatori”. Pres që të jetë për një deri në dy javë. Nuk pres të zgjasë më shumë se aq. Gjithashtu po punohet edhe në Tetovë dhe në Shtip. Shtipi është më larg për terapitë onkologjike pasi ende nuk jemi të përgatitur. Ndërsa në Tetovë, gjithashtu, disa nga procedurat ofrohen atje. Tani kolegët së bashku me klinikën universitare po bisedojnë që të mund të zgjerohet ai spektër i shërbimeve shëndetësore nga onkologjia atje”, u shpreh Azir Aliu – Ministër i Shëndetësisë.

Ndërkohë, ministri informoi edhe për investimet që po realizohen me marrëveshjen me Mbretërinë e Bashkuar, përmes së cilës me 205 milionë euro po ndërtohen dhe rinovohen kapacitete spitalore në Shtip, Tetovë dhe Kërçovë. Në Kërçovë dhe Tetovë pritet të ndërtohen ndërtesa të reja, ndërsa në Shtip do të riorganizohen objektet ekzistuese dhe do të ndërtohen hapësira të reja për fakultetin.

LSDM: Maqedonia në fund të standardit të jetesës! VMRO-DPMNE: Në kohën e LSDM-së, shteti u përball me inflacion dyshifror

0

Qeveria dhe opozita me akuza të ndërsjella për inflacionin, i cili në tetor arriti në 4,5%. Sipas partisë opozitare LSDM, Maqedonia gjendet në fund të standardit të jetesës, në kundërshtim me sigurinë e qeverisë se inflacioni po bie, ai mbetet i lartë dhe zvogëlon fuqinë blerëse të qytetarëve.

“Qeveria nuk pranoi asnjë nga propozimet konkrete të LSDM-së – as propozimin për pagë minimale prej 500 eurosh, as heqjen e TVSH-së për produktet ushqimore. Dhe kështu vazhdon – në Buxhetin e ri për vitin 2026 nuk është parashikuar rritje e pagës minimale në 500 euro, as masa për uljen e çmimeve. Kjo do të thotë se gjatë gjithë vitit të ardhshëm qytetarët dhe punëtorët mund të presin një jetë edhe më të shtrenjtë, ndërsa Qeveria nuk do të ndërmarrë asgjë”, tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënese e LSDM.

Nga VMRO-DPMNE thonë – nëse qytetarët do të ishin vërtet të pakënaqur me punën e VMRO-DPMNE-së, nuk do t’i jepnin një mbështetje kaq të madhe dhe bindëse në zgjedhjet lokale.

Ky është mesazhi më i qartë nga populli se ka besim në politikat që sjellin rezultate. Si mundet pikërisht partia që për vite me radhë dëmtoi buxhetin e shtetit për interesa personale dhe partiake, sot të mbajë konferenca për shtimin e standardit të jetesës dhe ekonomisë. Sa ironike është që LSDM flet për inflacionin, kur pikërisht në kohën e tyre shteti u përball me inflacion dyshifror dhe paqëndrueshmëri ekonomike”,s htojnë nga VMRO-DPMNE.

Statistikat kanë bërë të ditur se inflacioni vjetor në tetor është 4,5%. Nëse krahasohen dhjetë muajt e këtij viti me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, inflacioni ishte 4,1%. Rritje e madhe ka te çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, për 7%.

Janevska: Presioni i prindërve pengon arsimtarët! Kasami: Duhet të investojmë edhe në ngritjen e kapaciteteve te mësimdhënësit

0

Nën moton “Magjia është në dituri”, në Tetovë Ministria e Arsimit së bashku me komunën e Tetovës kanë organizuar panel diskutimi për rritjen e cilësisë në arsimin. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, tha se qeveria duhet të mendojë që arsimtarët të mos kenë presion nga prindërit, ndërsa qeveria duhet të organizojë trajnime të posaçme. Sipas Janevskës, duhet që edhe arsimtarëve t’u jepet mundësi që vetë ta organizojnë procesin arsimor dhe metodologjinë e punës.

“Në të kaluarën, profesioni i arsimtarit është devalvuar jo vetëm nga qeveria, por edhe nga presionet që i kanë nga prindërit, nga forca të ndryshme, nga pjesë të caktuara të shoqërisë, diçka që duhet të ndryshojë. Si do të ndryshojë, hartën do ta ndryshojmë, se do t’i lirojmë arsimtarët nga presionet që janë përgjegjësi e prindërve. A shteti është e domosdoshme të marrë masa tjera që do t’i motivojë, do t’i lirojë të punojnë në atë mënyrë që ata mendojnë se është më mirë për çka edhe janë trajnuar, do të ndryshojnë metodologjinë e mësimdhënies në bazë të dëshirës së tyre, por edhe do të vendosin mësim individual për grupe të caktuara të fëmijëve”, tha Vesna Janevska – Ministre e Arsimit.

Ndërsa për Kasamin, cilësia në arsim nuk është vetëm në objektet shkollore, por edhe në cilësinë e arsimit.

“Investimi në procesin mësimor nuk është vetëm në objektet shkollore, por në ngritjen e kapacitetit të arsimtarëve dhe punëtorëve arsimorë. Në përfshirjen e çdo fëmije në procesin e mësimdhënies, duke përfshirë çdo fëmijë, ne do të vlerësojmë angazhimin dhe kontributin e tyre nesër në shoqëri, se atë që ne sot ndërtojmë në bankat shkollore është e ardhmja ajo që na pret”, pohoi Bilall Kasami – kryetar i komunës së Tetovës.

Ministrja e Arsimit foli edhe për mungesën e librave në shkolla, duke hedhur topin tek drejtorët, ku sipas saj, problemi është tek drejtorët e shkollave dhe jo tek Ministria e Arsimit.

Njëri përplasi kontejnerët me veturë, dy të tjerë paraqitën dokumente të falsifikuara! Regjistrohen tre incidente në Maqedoni, ku ishin të përfshirë shtetas të Turqisë

0

Brenda dy ditëve janë regjistruar tre incidente në Maqedoni ku kanë qenë të përfshirë shtetas të Turqisë, përcjell TV21. Policia ka konstatuar që personi që mbrëmë vonë përplasi kontejnerët me një veturë BMW në kullat Xhevahir, ishte shtetas i Turqisë.

“Më 08.11.2025, në orën 22:50, në SPB Shkup është raportuar se në një rrugë ndihmëse të rrugës “Mateja Matevski” në Shkup, një automjet BMW 5 me targa të Shkupit, i drejtuar nga M.A.A. (22) nga Turqia, me qëndrim të përkohshëm në Shkup, ka goditur kontejnerë dhe një automjet Alfa Romeo me targa të Demir Kapisë. M.A.A. e ka braktisur vendin e ngjarjes, por pas ndërmarrjes së masave nga policia, ai është kapur. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë procedura përkatëse”, thonë nga MPB.

Ndërkaq, në dy raste të tjera, shtetas të Turqisë kanë paraqitur dokumente të falsifikuara gjatë kontrolleve nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.

“Më 08.11.2025, Sektori i Punëve të Brendshme – Stacioni Policor Kufitar Gjevgjeli paraqiti kallëzim penal me procedurë të shpejtë në Prokurorinë Themelore Publike Gjevgjeli, kundër K.M. (40) nga Turqia, me qëndrim të përkohshëm në Kosovë, për dyshim të bazuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim dokumenti” sipas nenit 378 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal. Të njëjtën ditë, rreth orës 07:50, në Vendkalimin Kufitar Bogorodicë, gjatë kontrollit në dalje nga shteti, ai ka paraqitur patentë shoferi të falsifikuar, deri sa udhëtonte me automjet të tipit Mercedes me targa të Kosovës”, thonë nga MPB.

“Sot (09.11.2025) rreth orës 11:00, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupi, policia arrestoi M.G. (33) nga Turqia, i cili gjatë kontrollit në dalje nga shteti ka paraqitur letërnjoftim të falsifikuar të Bullgarisë. Pas dokumentimit të rastit, do të ngritet kallëzimi përkatës penal”, shtojnë nga MPB.

Në vend ku shpejtësia e lejuar ishte 60 km/h, vozisnin 136 km/h! Policia ndalon dy persona në Ferizaj

0

Policia e Kosovës njofton se ka ndaluar dy persona për gara ilegale në rajonin e Ferizajt. Shtojnë se për këto kundërvajtje në trafik, ndaj tyre janë shqiptuar gjoba prej 500 euro, 5 pikë negative dhe masa mbrojtëse, ndalim i të drejtës për të drejtuar automjetin për 12 muaj.

“Me datën 08.11.2025 rreth orës 23:50 ka ndaluar dy shoferë, të cilët po zhvillonin gara shpejtësie në rrugën Gërlicë-Varosh të Ferizajt Shoferët me inicialet Sh.L. (25 vjeç), me veturë të tipit BMW 318 dhe N.H (64 vjeç) me veturën VW Golf, me targa vanedore, janë kapur në flagrancë duke bërë gara shpejtësie. Në zonë me kufizim 60 km/h, ata po zhvillonin shpejtësi 136 km/h”, thonë nga Policia e Ksoovës.

Rrëzohet helikopteri në Rusi, në mesin e viktimave dhe drejtues të një kompanie që prodhon pajisje ushtarake

0

Pesë persona, mes tyre katër drejtues të lartë të kompanisë ruse Kizlyar Electromechanical Plant (KEMZ), e cila prodhon pajisje ushtarake, humbën jetën të premten, kur helikopteri me të cilin po udhëtonin u rrëzua në Dagestan.

Sipas mediave ruse dhe ukrainase, aksidenti ndodhi pranë një fshati në brigjet e Detit Kaspik.

Helikopteri Ka-226, në të cilin ndodheshin drejtuesit e KEMZ, u rrëzua në një zonë të banuar, duke shkaktuar vdekjen e gjithsej pesë personave dhe plagosjen e dy të tjerëve.

Ministri Sveçla kritikohet pasi fotografoi dhe e postoi në rrejte sociale një aktivist të LDK-së

0

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, është kritikuar pasi e kishte fotografuar dhe më pas postuar në rrjetet e tij sociale një aktivist të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Sveçla, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, në videot e postuara në rrjetet sociale dëgjohet duke i thënë aktivistit se nuk i lejohet të qëndrojë përreth një qendre votimi në Prishtinë, duke bartur simbole të partisë.

Aktivisti dëgjohet duke iu përgjigjur atij se ndodhet jashtë rrethojave të qendrës së votimit dhe në video ai mund të shihet duke qëndruar në trotuar.

Sveçla i postoi dy fotografi të aktivistit në fjalë në Facebook-un e vet, ku shkroi : “‘Institucionalistët’ në shkelje të ligjit për zgjedhjet para qendrës së votimit me simbol partiak. Panik!”

Ndaj veprimit të Sveçlës reagoi LDK-ja, e cila e dënoi veprimin e tij si “të papranueshëm, arrogant dhe kërcënues”.

“Një reagim i tillë, i shoqëruar me tone agresive dhe sjellje denigruese, është shenjë e qartë e panikut dhe humbjes së kontrollit politik të atyre që për vite kanë keqpërdorur institucionet e shtetit, e sot ndjehen të zhveshur nga mbështetja qytetare. Përballë qytetarëve dhe simboleve tona, z. Sveçla ka zgjedhur arrogancën në vend të maturisë, kërcënimin në vend të kulturës demokratike”, tha LDK në një reagim.

Ndërkohë, Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus, shkroi në Facebook se ndërhyrja e Sveçlës është “presion politik dhe intimidim ndaj qytetarëve apo zyrtarëve të partive”.

“Ky veprim është i papranueshëm dhe bie ndesh me parimet themelore të neutralitetit institucional gjatë procesit zgjedhor. Ministri i Punëve të Brendshme, si përfaqësues i një institucioni që ka rol kyç në sigurinë publike gjatë zgjedhjeve, duhet të ruajë neutralitet të plotë politik”, shkroi Krasniqi.

Sipas rregullave zgjedhore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, hapësira e qendrave të votimit ku ndalohet të shfaqen materiale të fushatës zgjedhore përfshin vetëm hapësirën e brendshme të qendrës deri në rrethojat e saj.

“Sot, Ministri i Punëve të Brendshme, në vend se të garantojë rendin dhe sigurinë për të gjithë qytetarët njësoj, fotografon dhe kërcënon një zyrtare të një partie politike që po kalonte rrugës pranë një qendre votimi – pa asnjë shkelje të rregullave zgjedhore”, shtoi ai.

AUV konfiskoi dhe shkatërroi 37 ton ushqim! Fasule, arra, lajthi me afat të skaduar 2 vjet më parë

0

Fasule, lente, spec të kuq, piper, arra, lajthi me afat të skaduar deri në dy vjet… Këtë e kanë konstatuar javën e kaluar inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari gjatë një kontrolli të jashtëzakonshëm tek një operator ushqimor. Janë konfiskuar dhe shkatërruar pa rrezik për shëndetin afërsisht 37 ton ushqim. Bëhet fjalë për sasi të mëdha arrërash, produkte drithërash dhe bishtajore, si dhe erëza të ndryshme, pa etiketa, të cilave u kishte skaduar afati i përdorimit nga një deri në dy vjet – njoftuan nga AUV.

“Në lidhje me produktet drithërore bëhet fjalë për sasi më të madhe fasule dhe lente. Nga erëzat kemi spec të kuq, piper. Arrërat, produktet që janë konfiskuar janë arra dhe lejthi. Gjobë prej 3.500 euro në kundërvlerë në denarë iu është vendosur operatorit dhe ndalim për kryerjen e veprimtarisë për shtatë ditë”, tha Oliver Milanov, Drejtor i AUV.

Kontrolle të jashtëzakonshme të forcuara gjatë javës së kaluar u kryen edhe tek operatorë të tjerë ushqimorë, përfshirë mishtoret, restorante, sanduiçari dhe supermarkete. U konstatuan disa parregullsi, si operatorë ushqimorë të paregjistruar, mungesë e trajnimeve të detyrueshme të punonjësve për sigurinë ushqimore, dhe vendosja në qarkullim e ushqimit të pasigurt.

“Në lidhje me kontrollet e jashtëzakonshme që kryem në mishtoret, gjatë përgatitjes së mishit pa etiketë dhe me afat të skaduar, janë konfiskuar gjithsej 130 kilogramë, përfshirë qebapë, pleskavica dhe qofte”, u shpreh Oliver Milanov, Drejtor i AUV.

Operatorët dhe personat përgjegjës janë gjobitur dhe u janë vendosur ndalime shtesë të përkohshme për kryerjen e veprimtarisë. “Janë dhënë gjithashtu urdhra për largimin e mangësive të konstatuara gjatë kontrolleve, dhe ushqimi i pasigurt që u gjet u shkatërrua pa rrezik”, thanë nga AUV.

Kryeparlamentari Gashi mori Çmimin Global për Diplomaci në Turqi

0

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, njoftoi sot përmes një postimi në Facebook se në Alanya të Turqisë ka marrë Çmimin Global për Diplomaci nga Këshilli Global për Gazetari (GJC), përcjell TV21. Çmimi iu dorëzua Gashit nga Mevlut Çavusoglu, deputet aktual dhe ish-ministër i Jashtëm i Turqisë. Gashi thekson se ky vlerësim është njohje për përkushtimin e Kuvendit në fuqizimin e diplomacisë parlamentare, transparencës dhe përgjegjshmërisë.

“Në Alanya, Turqi, në një ceremoni të jashtëzakonshme dhe atmosferë të ngrohtë miqësore, pata nderin të pranoj Çmimin Global për Diplomaci nga Këshilli Global i Gazetarisë (GJC). Ky vlerësim është një mirënjohje për përkushtimin tonë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të forcuar diplomacinë parlamentare, transparencën dhe llogaridhënien. Në një kohë kur zërat shpesh ngrihen më shumë se argumentet, dhe kur informacioni ndonjëherë humbet drejtësinë përballë shpejtësisë, ky çmim më kujton se diplomacia e vërtetë dhe puna e përgjegjshme ndërtohen mbi respekt, mirëkuptim dhe dialog të hapur.Jam thellësisht mirënjohës Këshillit Global të Gazetarisë, organizatorëve dhe jurisë për këtë nder të madh!”, shkroi Gashi në postimin e tij.