Jotova fiton zgjedhjet presidenciale në Bullgari

0

Ilijana Jotova është fituese e zgjedhjeve presidenciale në Bullgari, sipas rezultateve të numërimit paralel të votave nga agjencia “Alpha Research”, të publikuara nga Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT).

Sipas rezultateve nga 100% e mostrës së përpunuar të numërimit paralel, deri në orën 20:00 sipas kohës lokale, Jotova dhe kandidati për nënpresident, Kiril Vëlçev, kanë siguruar 57,4% të votave.

Kundërkandidatët e tyre, Andrej Gjurov dhe Georgi Kandev, kanë marrë 39,6% të votave.

Rezultatet bazohen në numërimin paralel dhe jo në rezultatet përfundimtare zyrtare

Grabitje në shtëpinë e Eder Militaos gjatë El Clasicos, vidhen sende luksoze mbi 350 mijë euro

0

Shtëpia e mbrojtësit të Real Madridit, Eder Militao, është bërë cak i një grabitjeje gjatë zhvillimit të El Clasicos së fundit, ndërsa hajdutët kanë arritur të vjedhin sende luksoze me vlerë mbi 350 mijë euro.

Sipas gazetës spanjolle “El Mundo”, në mesin e sendeve të vjedhura janë dy orë luksoze të markave Rolex dhe Richard Mille, tri çanta Chanel, si dhe unaza e byzylykë Cartier.

Ajo që e bën edhe më shqetësuese ngjarjen është se familjarët e futbollistit ndodheshin në katin e poshtëm të shtëpisë, duke ndjekur ndeshjen, pa e kuptuar se në katin e sipërm po kryhej grabitja.

Alarmi i sigurisë ishte i çaktivizuar, ndërsa familjarët u njoftuan për atë që kishte ndodhur vetëm pas mbërritjes së policisë.

Militao ka angazhuar tashmë një specialist për të ndihmuar në gjetjen dhe rikuperimin e sendeve të vjedhura, disa prej të cilave kanë edhe vlerë të madhe sentimentale për futbollistin.

Arkin Jahiji shpalli fitore, feston në Bërvenicë

0

Festimet kanë nisur në Bërvenicë, ku kandidati i AKI-së, Arkin Jahiji, së bashku me simpatizantë dhe aktivistë të partisë, kanë dalë për të festuar me daulle pas përfundimit të votimit në zgjedhjet lokale.

Festimi ka nisur ende pa u publikuar rezultatet e para zyrtare nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), i cili pritet të mbajë konferencë për media në orën 21:00.

Fitorja në Bërvenicë, Ali Ahmeti ndjek festën nga selia e BDI-së në Tetovë

0

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani ka publikuar një fotografi të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, pasi Arkin Jahiji nga koalicioni i AKI-së, shpalli fitore në Bërvenicë, përcjell TV21. Ahmeti shihet duke ndjekur festën nga Selia e BDI-së në Tetovë.

Stojanoska: VLEN luajti rolin e kalit të Trojës në favor të BDI-së!

0

Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanoska, akuzoi koalicionin VLEN se në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Bërvenicë mbështeti kandidatin e AKI-së, në vend që të dëshmonte se dallon politikisht nga BDI-ja.

Gjatë një paraqitjeje në televizionin Sitel, Stojanoska vlerësoi se VLEN, me këtë veprim, shpërndau votat dhe luajti në favor të BDI-së.

“Mendoj se luajtën rolin e kalit të Trojës dhe vepruan në favor të BDI-së, përkatësisht shpërndanë votat e elektoratit”, deklaroi Stojanoska.

“Ultimatumi i popullit”, protesta e pestë për Arlindën, qytetarët me thirrje të ashpra ndaj institucioneve

0

Me pankartat “Ultimatumi i popullit” dhe “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”, e me fishkëllima dhe lëshim të altoparlantit, ka nisur sonte marshi protestues nga sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, në shenjë revolte ndaj vrasjes së grave.

“Burrat vrasin gratë, shteti iu ndihmon”, “Shteti i ka duart me gjak”, ishin disa nga thirrjet në protestë.

Protestuesit me këtë rast vazhduan të kërkojnë dorëheqjen e ministrave të Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe atij të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Në marshin drejt Qeverisë, ata lexuan letrën e Arlinda Zekajt që ia kishte dërguar kryeprokurores para se të ndodhë tragjedia. Ndërkohë gjatë gjithë kohës, në të gjitha hapësirat drejt destinacionit ka prani policore për të ruajtur rendin e protestës. 

Protesta e pestë radhazi po mbahet pas vrasjes makabre së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, më 25 tetor, nga kunati i saj.

Kujtojmë, 11 zyrtarë policorë janë suspenduar në lidhje me rastin tragjik në Vitomiricë të Pejës.

Po ashtu, janë suspenduar kryeprokurorja dhe prokurorja e Pejës, ndërsa dorëheqje ka dhënë drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Rusët kapin të riun pasi morën informacionin nga amerikanët për sulme në Moskë

0

Një i mitur rus është ndaluar sot për shkak të kërcënimit për kryerjen e një sulmi terrorist në një park të Moskës.

Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) i Rusisë kishte marrë dje informacione nga SHBA-ja lidhur me përgatitjen e një sulmi në kompleksin Tsaritsyno, i cili u mbyll përkohësisht.

I mituri kishte postuar foto në TikTok, ku shfaqej i veshur me uniformë taktike dhe maskë, duke mbajtur në dorë një objekt që ngjante me një armë automatike.

Ai gjithashtu publikoi foto të shkrepura në Muzeun Historik të Moskës dhe në Parkun Tsaritsyno, me mbishkrimin: “E gjeta vendin”.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, autoritetet gjetën veshje dhe pajisje që përputheshin me ato të shfaqura në postimet në rrjetet sociale. Në telefonin e tij u gjet një abonim në një kanal neonazist në aplikacionin Telegram, si dhe “një numër i konsiderueshëm kërkimesh në lidhje me sulme terroriste, vrasje masive dhe akte të tjera dhune”.

Komiteti Hetimor i Rusisë po shqyrton hapat ligjorë që duhen ndërmarrë, njoftoi FSB-ja.

Bërvenicë, deri në orën 18:30 kanë votuar 53% e qytetarëve

0

Deri në orën 18:30, në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Bërvenicës kanë votuar 8.595 qytetarë, apo 53% e votuesve.

Në krahasim me raundin e parë, pjesëmarrja është më e lartë. Në të njëjtën kohë, në raundin e parë kishin votuar 7.241 qytetarë, apo 44%.

Më shumë votues në raundin e dytë, 7.902 qytetarë votuan në Bërvenicë deri në orën 17:00

0

Në rrethin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Bërvenicës, deri në orën 17:00 kanë votuar 7.902 qytetarë ose 48.64% e votuesve të regjistruar, tregojnë të dhënat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), përcjell TV21. Me këtë, është tejkaluar pjesëmarrja e përgjithshme në raundin e parë, kur votuan 7.572 qytetarë ose 46.58%.

Deri në orën 17:00, në raundin e dytë kanë votuar 330 qytetarë më shumë sesa në të gjithë raundin e parë, ndërsa dalja në votime është rritur për 2.06 pikë përqindjeje. Votimi do të zgjasë deri në orën 19:00.

Mund të tërheqin vetëm 10.000 denarë në javë! Sllaveski: Qytetarët deri dje kanë tërhequr 2 milionë euro nga “Alta Banka”!

0

Në konferencën e sotme të jashtëzakonshme për shtyp, guvernatorit Trajko Sllaveski foli lidhur me funksionimin e Alta Bankës në Maqedoni, përcjell TV21. Ai tha se deri dje, qytetarët kanë tërhequr rreth 2 milionë euro nga kjo bankë.

“Ata na informuan se deri në mabrimin e ditës së djeshme, në para të gatshme dhe transfere të tjera janë tërhequr rreth 2 milionë euro nga banka. Siç e dinë qytetarët, VISA qendra, për shkak të shumës, suspendoi përkohësisht punën me kartelat, ky shërbim u mundësua, u rivitalizua sot në ora 12 në mesditë”, tha mes tjerash Sllaveski.

Sllaveski njoftoi se qytetarët që kanë llogari në “Alta Banka” SHA Manastir, në periudhën e ardhshme do të mund të përdorin maksimumi 10.000 denarë në javë nga mjetet e tyre, përmes kartelave të pagesës të lëshuara nga banka, kjo vjen si masë e përkohshme.

“Me interes të qytetarëve dhe me qëllim të kryerjes së pagesave të përditshme, është përcaktuar një limit javor për tërheqjen e mjeteve nga llogaritë e personave fizikë, në vlerë prej 10.000 denarësh, i cili mund të shfrytëzohet përmes kartelave të lëshuara nga banka”, theksoi Sllaveski.

Vendimi vjen pas informacioneve për heqjen e licencës së punës “Alta Bankës” SHA Beograd dhe plotësimit të kushteve për nisjen e procedurës së falimentimit në Serbi.

Sllaveski bëri të ditur se Bordi Ekzekutiv i Bankës Popullore, në mbledhjen e mbajtur më 1 nëntor 2026, ka miratuar vendimin për vendosjen e administrimit të përkohshëm në “Alta Banka” SHA Manastir, i cili tashmë ka hyrë në fuqi.

Me këtë vendim, administrimi i pasurisë së bankës përkohësisht kalon në kompetencë të personave të emëruar nga Banka Popullore, të cilët do të veprojnë në kuadër të autorizimeve të dhëna. Ai nënvizoi se të gjitha pagesat e brendshme ndërmjet llogarive të personave fizikë dhe juridikë brenda bankës do të vazhdojnë të kryhen pa kufizim të shumës.

Sipas guvernatorit, “Alta Banka” SHA Manastir ka kapital dhe likuiditet të lartë, cilësi solide të portofolit të kredive dhe i përmbush të gjitha standardet mbikëqyrëse. Nga Banka Popullore sigurojnë se masat janë të karakterit të përkohshëm dhe po vendosen me qëllim të mbrojtjes së pasurisë së bankës dhe interesave të depozituesve. Njëkohësisht, guvernatori rikujtoi se qytetarët dhe kompanitë që kanë kredi në këtë bankë duhet të vazhdojnë t’i përmbushin rregullisht dhe me kohë detyrimet e tyre.