“Një prokuror punon sa për tre”, Saveski kërkon të miratohet shpejt Ligji për prokurorinë publike

0

Mungesa e prokurorëve publikë, kushtet e papërshtatshme hapësinore dhe financimi i kufizuar janë sfidat kryesore për Prokurorinë Publike, vlerësoi kryeprokurori Nenad Saveski, gjatë prezantimit të raportit vjetor, përcjell TV21. Ai theksoi se, për shkak të mungesës së kuadrit, një prokuror shpesh punon për tre persona, gjë që ndikon në shpejtësinë e procedurave.

Saveski rikujtoi se Ligji për Prokurorinë Publike prej kohësh ka mbetur i bllokuar në procedurë parlamentare dhe bëri apel për miratimin e tij të shpejtë, duke respektuar rekomandimet e Komisionit të Venecias, veçanërisht në pjesën e përqindjes së buxhetit që duhet të ndahet për Prokurorinë.

Sipas Saveskit, rregullorja e re për zgjedhjen e kreut të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion sjell më shumë transparencë në procesin zgjedhor./tv21.tv

Përplasje për pensionet, LSDM: Deficit 1 miliard euro, VMRO: Fondi është stabil

0

LSDM-ja akuzon Qeverinë se e ka rritur deficitin e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor në rreth 1 miliard euro dhe paralajmëron rrezik për pagesën e pensioneve. Nga partia thonë se rritja e kontributit për Fondin me 1 për qind nuk e ka zgjidhur problemin dhe se Fondi vazhdon të varet nga buxheti i shtetit. LSDM-ja shpreh shqetësim edhe për të ardhmen e shtyllës së dytë pensionale, duke pretenduar se qytetarët mund të rrezikojnë kursimet e tyre pensionale.

“Pensionistët kërkojnë një fond që funksionon, dhe jo histori boshe dhe premtime nga hajduti dhe banda e tij. Prandaj kërkojmë përgjigje publike: si do të mbushet vrima prej 1 miliard eurosh? Nga do të mbulohen saktësisht, cilat masa e ulin deficitin dhe deri në cilën datë. Pa një plan të qartë dhe masa konkrete, sigurimet e VMRO-së janë vetëm mbulesë politike për një pushtet që pensionet i përdor si parullë, ndërsa barrën financiare ua transferon qytetarëve”, tha Jovana Trençevska – nënkryetare e LSDM-së.

U kundërpërgjigjën nga VMRO-DPMNE-ja duke thënë se në 24 muajt e parë të qeverisjes së saj pensionet janë rritur për 7 mijë denarë, ndërsa në dy vitet e para të qeverisjes së LSDM-së rritja ka qenë 540 denarë, duke theksuar se Fondi Pensional është stabil dhe pensionet paguhen në kohë.

“Sa i përket histerisë dhe panikut që krijojnë LSDM-ja dhe Trençevska, se marrja e pensioneve është vënë në pikëpyetje, kemi një lajm të keq për ta, por të mirë për qytetarët: absolutisht, Fondi Pensional është stabil, ndërsa LSDM-së dhe Trençevskës u vjen keq që sot pensionistët marrin rritje prej 7.000 denarësh, ndërsa në kohën e tyre e njëjta ishte 180 denarë. Për më tepër, pensionet do të jenë në llogaritë e pensionistëve çdo të parë të muajit dhe absolutisht nuk ka asnjë të vërtetë në atë se ka një vrimë në Buxhet”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Sipas të dhënave për vitin 2026, Fondi Pensional do të mbështetet ndjeshëm në transferet nga Buxheti i përqendrohet te mënyra se si do të sigurohet qëndrueshmëria financiare e pensioneve në vitet e ardhshme shtetit, ndërsa paralelisht po diskutohen ndryshime në sistemin pensional, përfshirë shtyllën e dytë, ku po shqyrtohen ndryshime, përfshirë multifonde dhe mundësinë për blerje të stazhit.

Grenell kërkon mbylljen e Gjykatës Speciale: Dënimi i Thaçit, skandaloz

0

I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për misione të posaçme, Richard Grenell, ka reaguar ashpër pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Në një postim, Grenell e cilësoi dënimin e Thaçit si “skandaloz” dhe kritikoi ashpër funksionimin e Gjykatës Speciale, duke argumentuar se vendimet e saj janë të motivuara politikisht.

“Dënimi i shpallur nga Gjykata e Hagës ndaj Hashim Thaçit për një luftë të zhvilluar 25 vjet më parë është skandaloz”, shkroi Grenell.

Ai kritikoi gjithashtu gjyqtarët dhe prokurorinë e çështjes, ndërsa përmendi edhe gjyqtarin zviceran Guénaël Mettraux, të cilin e akuzoi se ka ndikuar në proces përmes konsideratave politike.

Grenell kërkoi që gjykatave ndërkombëtare t’u ndërpritet financimi dhe bëri thirrje që Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche, të ndërmarrin veprime.

“Amerikanët po paguajnë për këto ndjekje penale politike dhe kjo duhet të marrë fund”, deklaroi ai.

Në reagimin e tij, Grenell iu drejtua edhe institucioneve të Kosovës, duke kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe deputetët e Kuvendit që të veprojnë për shpërbërjen e Gjykatës Speciale.

“Albin Kurti duhet gjithashtu të veprojë shpejt për ta shpërbërë këtë gjykatë të huaj. Deputetët duhet të punojnë me Kurtin që kjo të ndodhë. Kosovës nuk i duhet një gjykatë në Holandë”, përfundoi Grenell.

Reagimi i plotë:

Dënimi i shpallur nga Gjykata e Hagës ndaj Hashim Thaçit për një luftë të zhvilluar 25 vjet më parë është skandaloz. Askush nuk është i sigurt nga këto gjykata ndërkombëtare, ku elitat akademike marrin vendime politike. Këta tre gjyqtarë dhe prokurori amerikan janë të çmendur të së majtës. Ata qartazi nuk i dëgjuan këshilltarët e Bill Clintonit, të cilët e bënë të qartë se Thaçi nuk e drejtonte luftën.

Gjyqtari zviceran Guenael Mettraux ishte udhëheqësi i vërtetë, duke injoruar çështjet ligjore dhe duke zgjedhur politikën e Jack Smith.

Të gjitha këto gjykata duhet t’u ndërpritet menjëherë financimi. Departamenti i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche duhet të veprojnë shpejt. Amerikanët po paguajnë për këto ndjekje penale politike dhe kjo duhet të marrë fund.

Albin Kurti duhet gjithashtu të veprojë shpejt për ta shpërbërë këtë gjykatë të huaj. Deputetët duhet të punojnë me Kurtin që kjo të ndodhë. Kosovës nuk i duhet një gjykatë në Holandë.

21 të vdekur nga shembja e një ndërtese në Gazë, e dëmtuar nga lufta

0

Të paktën 21 persona kanë vdekur, përfshirë tetë fëmijë, ndërsa dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur, pasi një ndërtesë e dëmtuar nga lufta është shembur gjatë natës në Rripin e Gazës, kanë bërë të ditur ekipet lokale të shpëtimit dhe mjekët.

Dëshmitarët i kanë thënë BBC-së se ndërtesa gjashtëkatëshe në zonën Tal al-Haëa të qytetit të Gazës kishte mbetur e anuar në mënyrë të rrezikshme në njërën anë, pas një sulmi izraelit më shumë se një vit më parë. Ata kanë thënë se brenda saj po jetonin familje të zhvendosura, sepse nuk kishin zgjidhje tjetër.

Agjencitë e OKB-së dhe një ekip egjiptian i janë bashkuar kërkimit për të mbijetuar, por zyrtarët thonë se operacioni po zhvillohet ngadalë për shkak të mungesës së pajisjeve.

Në përpjekjet fillestare të shpëtimit, pjesëtarët e agjencisë së Mbrojtjes Civile, e drejtuar nga Hamasi, u detyruan të përdornin duart e tyre.

“Ende po dëgjojmë zëra nën rrënoja, kështu që ka ende shpresë për të gjetur njerëz”, ka thënë Raed al-Dahshan, drejtori i Mbrojtjes Civile në qytetin e Gazës.

“Mundësitë e kufizuara për strehim i detyruan banorët të zhvendoseshin në këtë ndërtesë, duke besuar se ishte e sigurt. Megjithatë, në një moment ajo u shemb plotësisht, duke rënë tragjikisht mbi njerëzit teksa flinin”, ka shtuar ai.

Banorët kanë thënë se rreth 10 familje kishin jetuar në ndërtesë, pavarësisht paralajmërimeve se ajo ishte e pasigurt.

Një grua që jetonte në një tendë aty pranë, Umm Mohammed Bakrun, ka thënë se po fliste me djalin e saj kur ndërtesa u shemb papritur në orët e para të së mërkurës.

“U ndje si një tërmet. Kishte një zhurmë të madhe dhe nuk mund të qëndroja në këmbë. Gurët binin mbi ne dhe kur pashë jashtë, pashë shumë pluhur”, i ka thënë ajo BBC-së. 

Drejtuesi i zyrës së Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Gazë, Alessandro Mrakiq, u ka thënë gazetarëve në vendngjarje se besohej se nga 70 deri në 100 persona ishin bllokuar nën rrënoja.

“Situata, siç e shihni, është tragjike, sepse nuk kemi pajisjet dhe makineritë e nevojshme. Në fakt, ka njerëz që po gërmojnë me duart e tyre”, ka thënë ai.

Mrakiq ka paralajmëruar gjithashtu se rreth 400 ndërtesa të tjera të dëmtuara nga lufta në të gjithë Gazën rrezikojnë të shemben së shpejti, veçanërisht me afrimin e dimrit.

Ai u ka bërë gjithashtu thirrje autoriteteve izraelite të miratojnë dërgimin në Gazë të makinerive të rënda për operacionet e shpëtimit, si dhe të tendave, mbulesave të papërshkueshme nga uji dhe artikujve të tjerë jo ushqimorë për personat e zhvendosur, përpara reshjeve të dimrit.

Izraeli thotë se kufizimet e tij synojnë të parandalojnë që pajisjet të bien në duart e grupeve të armatosura palestineze, të cilat mund t’i përdorin ato edhe për qëllime ushtarake.

SHBA-ja: Respektojmë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

0
WASHINGTON, DC - SEPTEMBER 12: A sign stand outside the U.S. State Department September 12, 2012 in Washington, DC. U.S. Ambassador to Libya J. Christopher Stevens and three other Americans were killed in an attack on the U.S. Consulate in Benghazi, Libya. (Photo by Alex Wong/Getty Images)

Shtetet e Bashkuara thanë se e respektojnë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe u bënë thirrje të gjitha palëve që ta pranojnë vendimin e gjykatës.

“Ne e respektojmë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Departamenti i Shtetit tha se SHBA-ja mbështet drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre dhe ritheksoi mbështetjen për llogaridhënien, procesin e rregullt ligjor dhe sundimin e ligjit.

Washingtoni bëri thirrje, gjithashtu, për shmangien e retorikës nxitëse pas shpalljes së aktgjykimit.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Mbrojtja e ish-komandantëve do të apelojë! Avokatët: Jemi të zhgënjyer me aktgjykimin

0

Avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit kanë paralajmëruar apel ndaj aktgjykimeve të Dhomave të Specializuara në Hagë.


Avokati i Thaçit, Pierre-Richard Prosper, e cilësoi vendimin si “tallje me drejtësinë” dhe tha se mbrojtja do të kërkojë rrëzimin e tij në apel.
Edhe avokati i Veselit, Rodney Dixon, tha se janë të zhgënjyer, duke këmbëngulur se nuk ka prova për përfshirjen e tij në krimet për të cilat u shpall fajtor.


Mbrojtja e Rexhep Selimit e cilësoi vendimin si zhgënjyes, duke theksuar se bëhet fjalë për një aktgjykim të shkallës së parë.
Ndërsa avokatja e Jakup Krasniqit konfirmoi se edhe për të do të bëhet apel, me synim lirimin e tij.

“Besimi në gjyqësor në nivelin më të ulët”! Kostadinovski: Duhen hapa radikalë

0

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, tha se besimi në gjyqësor dhe në të gjithë sistemin shtetëror është në nivelin më të ulët historik dhe se nevojiten hapa radikalë.
Sipas tij, përgjegjësia duhet të jetë individuale dhe nuk mund të krijohet një imazh i përgjithshëm për të gjithë gjyqësorin për shkak të rasteve të veçanta.


Kostadinovski theksoi se një gjyqtar i korruptuar nuk mund të përdoret si argument se të gjithë gjyqtarët janë të tillë.
Ai tha se një nga hapat për rikthimin e besimit është hapja e Gjykatës Kushtetuese, duke u mundësuar qytetarëve të ndjekin drejtpërdrejt seancat dhe argumentet juridike mbi të cilat bazohen vendimet.
Këto komente u bënë në një konferencë ndërkombëtare për besimin në gjykatat kushtetuese, që u mbajt në Ohër.

Ahmeti: Vendim i padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes! Mexhiti e Kasami: Zhgënjyes, keqardhje e thellë për aktgjykimin

0


Për kreun e BDI-së, ish-komandantit të UÇK-së, Ali Ahmeti, vendimi i Gjykatës së Hagës ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit është i padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes. Ai bën thirrje për maturi dhe unitet, duke kërkuar që të mos bihet në asnjë grackë që synon të krijojë tensione, përçarje apo të njollosë luftën çlirimtare të popullit në Kosovë. Ahmeti rikujton se UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj shtypjes dhe luftoi për lirinë e Kosovës, ndërsa akuzat e dikurshme për trafikim organesh dhe krime kundër njerëzimit nuk u vërtetuan në këtë proces.

“Aktakuza i ngarkonte Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin me përgjegjësi për një sërë krimesh të pretenduara gjatë viteve 1998-1999. Besojmë se edhe këto akuza do të rrëzohen në procesin e mëtejshëm gjyqësor, ashtu siç nuk u materializuan pretendimet e dikurshme për trafikim organesh. Procesi nuk përfundon këtu. Besojmë se mbrojtja do ta vazhdojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit, duke kundërshtuar gjetjet e shkallës së parë dhe duke kërkuar drejtësi deri në fund. Lufta e UÇK-së ishte luftë për liri. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe sakrifica e një populli të tërë nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve. Me besim në drejtësi, beteja vazhdon në apel”, tha Ali Ahmeti.

Reaguan edhe dy bashkëkryetarët e partisë në pushtet VLEN, Izet Mexhiti – i cili vendimin e Hagës e quajti zhgënjyes dhe thellësisht të padrejtë; si dhe Bilall Kasami, i cili shprehu keqardhje të thellë për aktgjykimin.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një luftë të pastër, mbrojtëse dhe të drejtë për liri, pavarësi dhe dinjitet. Historia e lavdishme e popullit tonë nuk mund të tjetërsohet, as të njolloset me vendime që i shërbejnë padrejtësisë e jo të vërtetës. Beteja për historinë e vërtetë dhe për drejtësi meriton dhe duhet të vazhdojë deri në fitoren e saj. Jo dënimit të UÇK-së në emrin tonë”, tha Izet Mexhiti.

“Ky është një vendim i rëndë për katër njerëz që kanë dhënë kontributin e tyre në luftën për çlirimin e Kosovës dhe që sot vazhdojnë të jenë larg familjeve të tyre. Ky aktgjykim nuk e ndryshon të vërtetën historike për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lufta çlirimtare në Kosovë është pjesa më e lavdishme e historisë sonë kombëtare. Presim që Apeli ta rishqyrtojë dhe ta rrëzojë këtë vendim”, tha Bilall Kasami.

Kryetari i Lidhjes Shqiptare Ziadin Sela vlerëson sakrificën e tyre për lirinë dhe shtetin e Kosovës, duke thënë se drejtësia ka dështuar, por se mllefi duhet të shndërrohet në gjykim dhe se fjala e fundit ende nuk është thënë. Sela thekson se sakrifica e tyre ishte për një Kosovë sovrane e të pavarur dhe u bën thirrje qytetarëve ta respektojnë atë me qetësi e durim, duke përmbyllur reagimin me mesazhin: “Liria ka emër!”.

Marrëveshje dypalëshe për çështjen e transportuesve! Vitin e ardhshëm BE-ja me strategji të re të vizave, shoferët me viza afatgjata

0

Në bazë dypalëshe do të gjenden zgjidhje për çështjen që transportuesit të mund ta kryejnë papenguar veprimtarinë e tyre në vendet e zonës Shengen. Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, thotë se duhet të bëhen marrëveshje me sa më shumë shtete, edhe pse në zonën Shengen nuk ka kufizim se nga cili shtet anëtar do të merret viza, pasi ajo është e vlefshme edhe në shtetet e tjera.

“Duke pasur parasysh se tani u njohën si profesionistë, mund të marrin viza afatgjata dhe për këtë arsye ne duhet të punojmë me sa më shumë shtete për të arritur një marrëveshje të tillë. Kjo është zgjidhja e vetme, ka disa shtete anëtare të zonës Shengen që nuk duan të ketë një zgjidhje të përbashkët për të gjitha shtetet anëtare. Fatkeqësisht, edhe rregullat e vizave janë rregulla që miratohen me konsensus në nivel të Bashkimit Evropian, përkatësisht në këtë rast të zonës Shengen, dhe për këtë arsye zgjidhja është dypalëshe dhe ne po punojmë në mënyrë dypalëshe”, tha Nikolloski.

Megjithatë, një pjesë e shteteve të zonës Shengen nuk kanë qëndrim të përbashkët se si të zgjidhet kjo çështje. Gjermania kërkon që zgjidhja të jetë e përbashkët, ndërsa Çekia, Greqia, Rumania dhe Kroacia konsiderojnë se nevojitet marrëveshje në bazë dypalëshe. Për mundësinë e tejkalimit të problemeve të transportuesve të shkaktuara nga sistemi i paralajmëruar EES i Bashkimit Evropian, kërkuam qëndrim edhe nga Biljana Muratovska nga MAKAM TRANS.

“Tashmë janë gati, thanë se do të shikojnë që sa më shpejt t’i lëshojnë vizat. Rumania tha se ajo do të llogarisë sipas orëve dhe jo sipas ditëve, Greqia dhe Çekia po bëjnë ndryshime në ligj, kështu që jemi në proces të zgjidhjes së problemit”, tha Bilijana Muratovska, MAKAM TRANS.

Muratovska thotë se, krahas marrëveshjeve dypalëshe, Bashkimi Evropian planifikon që gjatë vitit të ardhshëm të njohë qëndrimin profesional në vendet e BE-së, ku përfshihen edhe transportuesit.

“Bashkimi Evropian tha se, sipas planit të tyre, ashtu siç po shkon, në gjysmën e dytë të vitit 2027 do të miratohet strategjia e re e vizave, përkatësisht me të cilën do të njihen shoferët, artistët dhe shkencëtarët se mund të kenë qëndrim më të gjatë në zonën Shengen. Ndërsa tani, jozyrtarisht lexova, nuk e di në cilën faqe ishte, se 9 shtete në mënyrë aktive kërkojnë që përkohësisht të pezullohet sistemi i ri, sepse shkakton kolona të mëdha në aeroporte dhe në kufij”, deklaroi ajo.

Problemi me transportuesit lindi pas paralajmërimeve të Bashkimit Evropian për vendosjen e sistemit EES, me të cilin transportuesit kanë të drejtë qëndrimi prej 90 ditësh brenda një periudhe prej 180 ditësh. Pas presionit të madh nga transportuesit, ku pati edhe bllokime të kufijve, Bashkimi Evropian vendosi t’i njohë ata si profesionistë dhe me këtë të kenë të drejtë të kërkojnë viza afatgjata.

Kurti: Aktgjykimi i Speciales duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit! Udhëheqësit e UÇK-së nuk u dënuan me vullnetin e popullit

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se shpallja fajtorë dhe dënimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është padrejtësi dhe ndëshkim i madh, që siç tha, ky aktgjykim duhet ndryshuar dhe korrigjuar sa më parë në shkallën e apelit. Kurti tha se dënimi nuk është dhënë me vullnetin e popullit të Kosovës ndërkohë që akuzoi Gjykatën Speciale edhe për gjykim njëetnik dhe mungesë të transparencës.

“Kosova do të vazhdojë të mbështesë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin në procedurën e apelit, në mbrojtje të plotë, dinjitoze dhe institucionale. Kjo është përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë dhe besim në të drejtën për ta kundërshtuar një aktgjykim që ende nuk është përfundimtar. Sot u gjykuan akuza dhe veprime të caktuara; nuk u gjykua dhe nuk mund të dënohet arsyeja pse lindi UÇK-ja e as të njolloset ajo. Sepse kur atdheu nuk duroi më gjakatarë, ai thirri çlirimtarë, dhe emri i tyre ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Kurti.