Ahmeti: Vendim i padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes! Mexhiti e Kasami: Zhgënjyes, keqardhje e thellë për aktgjykimin

TË FUNDIT


Për kreun e BDI-së, ish-komandantit të UÇK-së, Ali Ahmeti, vendimi i Gjykatës së Hagës ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit është i padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes. Ai bën thirrje për maturi dhe unitet, duke kërkuar që të mos bihet në asnjë grackë që synon të krijojë tensione, përçarje apo të njollosë luftën çlirimtare të popullit në Kosovë. Ahmeti rikujton se UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj shtypjes dhe luftoi për lirinë e Kosovës, ndërsa akuzat e dikurshme për trafikim organesh dhe krime kundër njerëzimit nuk u vërtetuan në këtë proces.

“Aktakuza i ngarkonte Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin me përgjegjësi për një sërë krimesh të pretenduara gjatë viteve 1998-1999. Besojmë se edhe këto akuza do të rrëzohen në procesin e mëtejshëm gjyqësor, ashtu siç nuk u materializuan pretendimet e dikurshme për trafikim organesh. Procesi nuk përfundon këtu. Besojmë se mbrojtja do ta vazhdojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit, duke kundërshtuar gjetjet e shkallës së parë dhe duke kërkuar drejtësi deri në fund. Lufta e UÇK-së ishte luftë për liri. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe sakrifica e një populli të tërë nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve. Me besim në drejtësi, beteja vazhdon në apel”, tha Ali Ahmeti.

Reaguan edhe dy bashkëkryetarët e partisë në pushtet VLEN, Izet Mexhiti – i cili vendimin e Hagës e quajti zhgënjyes dhe thellësisht të padrejtë; si dhe Bilall Kasami, i cili shprehu keqardhje të thellë për aktgjykimin.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një luftë të pastër, mbrojtëse dhe të drejtë për liri, pavarësi dhe dinjitet. Historia e lavdishme e popullit tonë nuk mund të tjetërsohet, as të njolloset me vendime që i shërbejnë padrejtësisë e jo të vërtetës. Beteja për historinë e vërtetë dhe për drejtësi meriton dhe duhet të vazhdojë deri në fitoren e saj. Jo dënimit të UÇK-së në emrin tonë”, tha Izet Mexhiti.

“Ky është një vendim i rëndë për katër njerëz që kanë dhënë kontributin e tyre në luftën për çlirimin e Kosovës dhe që sot vazhdojnë të jenë larg familjeve të tyre. Ky aktgjykim nuk e ndryshon të vërtetën historike për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lufta çlirimtare në Kosovë është pjesa më e lavdishme e historisë sonë kombëtare. Presim që Apeli ta rishqyrtojë dhe ta rrëzojë këtë vendim”, tha Bilall Kasami.

Kryetari i Lidhjes Shqiptare Ziadin Sela vlerëson sakrificën e tyre për lirinë dhe shtetin e Kosovës, duke thënë se drejtësia ka dështuar, por se mllefi duhet të shndërrohet në gjykim dhe se fjala e fundit ende nuk është thënë. Sela thekson se sakrifica e tyre ishte për një Kosovë sovrane e të pavarur dhe u bën thirrje qytetarëve ta respektojnë atë me qetësi e durim, duke përmbyllur reagimin me mesazhin: “Liria ka emër!”.