Zjarri gjatë protestave në Tiranë dëmtoi edhe dosjet gjyqësore, Gjykata e Lartë shtyn seancat

0

Gjykata e Lartë në Shqipëri ka shtyrë seancat gjyqësore, me përjashtim të çështjeve urgjente, pas dëmeve materiale dhe në infrastrukturë të shkaktuara nga zjarri gjatë protestave të 17 tetorit, përcjell TV21. Nga zjarri janë dëmtuar edhe dosje gjyqësore, ndërsa institucioni po verifikon gjendjen e dokumentacionit dhe po vlerëson dëmet para rikthimit të plotë të veprimtarisë. Gjykata njofton se palët dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë, çështjet e të cilëve janë prekur, do të informohen individualisht. Datat e reja të seancave do të publikohen përmes kanaleve zyrtare të institucionit.

“Si pasojë e zjarrit të shkaktuar gjatë protestave, më 17 tetor 2026, ambientet e Gjykatës së Lartë kanë pësuar dëmtime materiale dhe në infrastrukturë, përfshirë edhe dosje gjyqësore. Kjo situatë e jashtëzakonshme ka ndikuar në kushtet e zhvillimit normal të veprimtarisë gjyqësore, duke bërë të domosdoshme marrjen e masave për vlerësimin e plotë të dëmeve dhe garantimin e integritetit të dokumentacionit gjyqësor. Në këto rrethana, seancat gjyqësore të planifikuara për t’u zhvilluar në Gjykatën e Lartë, përveç çështjeve me natyrë urgjente, do të shtyhen deri në përfundim të procesit të verifikimit të dëmeve, evidentimit dhe vlerësimit të gjendjes së dosjeve gjyqësore, si dhe për të rikthyer kushtet e nevojshme për vijimin e rregullt të veprimtarisë së institucionit”, thuhet mes tjerash në njoftimin e gjykatës.

Barcelona drejt Parisit mes trazirave, autoritetet u përgjigjet shqetësimeve të katalanasve

0

Barcelona do të udhëtojë drejt Parisit mes tensioneve sociale që kanë përfshirë Francën, por autoritetet franceze kanë garantuar se situata nuk do të ndikojë në qëndrimin e skuadrës katalanase apo në zhvillimin e ndeshjes së Ligës së Kampionëve.

Pas protestave të dhunshme, të shoqëruara me zjarre, plaçkitje dhe mbi 2 mijë arrestime, masat e sigurisë në kryeqytetin francez pritet të jenë më të forta.

Sipas raportimeve, policia franceze ka komunikuar me përfaqësuesit e Mossos d’Esquadra, duke i siguruar se vizita e Barcelonës do të zhvillohet normalisht dhe se nuk ka arsye për të vënë në dyshim zhvillimin e takimit.

Skuadra katalanase pritet të mbërrijë në Paris të hënën pasdite, një ditë para sfidës së rëndësishme evropiane.

Pavarësisht situatës së tensionuar në vend, autoritetet franceze synojnë të garantojnë qetësinë dhe sigurinë për ekipin, stafin dhe të gjithë të përfshirët në organizimin e ndeshjes.

Shasivari paralajmëron lehtësime gjuhësore! Studentët nuk heqin dorë nga kërkesa për provim tërësisht në shqip

0

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, paralajmëron zgjidhje për dhënien e Provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e cilësuar si reformë të rëndësishme gjuhësore. Shasivari, paralajmëron lehtësime maksimale gjuhësore për kandidatët në Provimin e jurisprudencës, përmes mekanizmit “Active Language Support”, të cilin e cilëson si standard ndërkombëtar. Sipas tij, mbështetja do të përshtatet sipas nevojave të kandidatëve dhe do të përfshijë sqarime gjuhësore. Megjithatë, studentët kishin kërkuar përkthimin e lëndëve në shqip, kërkesë që, sipas diskutimit, nuk u është plotësuar.

“Me rregullore ku mënyra e mbajtjes së provimit mbahet me rregullore aty do të shoh lehtësim maksimal gjuhësor aktiv language support, se është standard ndërkombëtar, dmth mbështetje gjuhësore maksimale për kandidatët sipas nevojave që i ka. Sqarim gjuhësor i lëndës së arkivuar gjuhësore e cila thamë nuk ka lënë të arkivuar gjuhësore këtë e sqarua. Po studentët kishin kërkuar që t’i përkthejnë lëndët, ju këtë nuk ua keni mundësuar. Active language support, çka do të thotë sqarim gjuhësor”, tha Jeotn Shasivari.

Shasivari, thotë se motoja e studentëve “Fol shqip, o taj” është përfshirë në modelin ligjor për Provimin e jurisprudencës. Sipas tij, kandidatët do të kenë mundësi të flasin shqip para komisionit, ndërsa pjesa me shkrim e provimit do të zhvillohet në gjuhën maqedonase.

“Motoja e studentëve ishte fol shqip o taj, unë jam tetovar, dialekt tetovar është marrë motoja e studentëve është përfshirë në modelin ligjor, dhe ai student kur do dalë para komisionit do flasë shqip o taj, do flasë pak shqip dhe në fund pak maqedonisht, jo do flasë shqip para komisionit, para komisionit po po në letër do shkruaj maqedonisht”, deklaroi Shasivari

Nga ana tjetër Mevlan Ademi nga Lëvizja Studentore vlerëson se propozimi për Provimin e jurisprudencës nuk garanton mbajtjen e tij tërësisht në gjuhën shqipe dhe nuk parasheh afate konkrete për zbatim. Ai paralajmëron se studentët mund t’u rikthehen protestave nëse nuk arrihet një zgjidhje e plotë.

“Si përfundim, provimi i jurisprudencës mbetet në gjuhën maqedonase! Për një zgjidhje të plotë është i domosdoshëm bashkëpunimi dhe angazhimi i përbashkët i të gjithë përfaqësuesve shqiptarë. Por ne studentët s’kemi kohë të humbim me lojëra politike dhe ndoshta do të organizohemi sërish t’i kthehemi rrugës”, tha Ademi.

Ministria e Drejtësisë propozoi modelin 12 provime në shqip dhe 2 provime në maqedonisht për Provimin e jurisprudencës. Palët nuk arritën marrëveshje, ndërkohë propozimi pritet të dërgohet për mendim në Komisionin e Venecias përpara se të procedohet në Kuvend.

Shasivari thirrje deputetëve: Jepini shans Ligjit për përfaqësim të drejtë

0

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, u ka bërë thirrje deputetëve që ta votojnë Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke theksuar se ai nuk duhet të mbetet peng i procedurave parlamentare dhe përplasjeve partiake. Shasivari tha se pas miratimit do të formohet një trup koordinues dhe do të përcaktohet metodologjia e zbatimit. Ai gjithashtu kundërshtoi pretendimet e opozitës se ligji nuk parasheh kuota etnike.

“Vazhdimisht thuhet se nuk kota nuk ka sanksione ligji ne themi jepni mundsi ligjit të votohet të hyje në fuqi e marrëm ne përgjegjësinë ta zbatojmë, ta formojmë trupin koordinues ta miratojmë metoodologjin e planifikimt të punësimeve në sektorin publik se si do ta zbatojmë ligjin, mos rie peng në kuvend se nuk është mirë për shqiptarët”, tha Shasivari

100 autoambulanca të reja! Me pajisje moderne për trajtimin dhe monitorimin e pacientëve

0

Ndihma e shpejtë mjekësore pajiset me 100 automjete të reja me vlerë prej 460 milionë denarë.

Ministri i shëndetësisë Sasho Klekovski bëri të ditur se automjetet mundësojnë monitorimin e EKG-së dhe të segmenteve ST/QT, si dhe ndjekjen e pulsit dhe të tensionit arterial jo-invaziv.

“Shpërndarja e këtyre automjeteve do të bëhet sipas kritereve të përcaktuara, të cilat janë demografia, territori i mbuluar nga institucioni, numri i ndërhyrjeve në vit, numri i transporteve dhe qëndrueshmëria e automjetit, e kështu me radhë, pra është bërë një analizë dhe kriteret e shpërndarjes janë përcaktuar qartë.

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se mbeten ende shumë probleme për t’u zgjidhur, për shkak të neglizhencës së gjatë të infrastrukturës së kujdesit shëndetësor.

“Dua të theksoj gjithashtu se prioriteti ynë në periudhën e ardhshme janë investimet në shëndetësi dhe do të vazhdojmë të investojmë. Ka shumë fusha ku duhet të investohet dhe nuk mund t’i zgjidhim të gjitha, ndoshta as gjatë një mandati të plotë të një qeverie. Por për atë që planifikojmë në periudhën e ardhshme, tashmë jemi drejt përfundimit të negociatave me partnerët tanë dhe institucionet financiare, sa i përket investimeve në shëndetësi”, tha Mickoski.

Përveç kësaj, në vitin 2027 pritet që të blihen edhe 50 automjete të tjera.

Do të vendosen mbi 200 kamera në Shkup, synohet parandalimi i deponive ilegale dhe vandalizmit

0

-Më shumë se 200 kamera planifikohet të vendosen në pika kritike në Shkup, në lokacione ku krijohen deponi ilegale dhe në parqe që janë cak i vandalizmit, njoftoi sot kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.

Për vendosjen e tyre, siç tha ai, pritet miratimi përfundimtar nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

“Tani po presim miratimin përfundimtar nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Do të vendosim më shumë se 200 kamera në pika kritike në të gjithë Qytetin e Shkupit. Do të përfshihen lokacionet ku krijohen deponi dhe parqet që vazhdimisht janë cak i dëmtimeve”, tha Gjorgjievski.

Si shembull, ai përmendi fontanën e rinovuar “Lotos” në Parkun e Qytetit dhe dëmtimin e pajisjeve urbane me grafite.

“E rinovuam pas kaq shumë vitesh dhe tani duket e mrekullueshme. Ajo është një nga simbolet e Shkupit. Që nga rinovimi, tri herë deri më tani, bankat janë vizatuar me grafite, ndërsa ne vazhdimisht i lyejmë përmes ndërmarrjes sonë publike”, tha Gjorgjievski.

Sipas tij, përveç marrjes së masave, është e domosdoshme të punohet edhe për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për ruajtjen e hapësirave publike.

“Qyteti i Shkupit nuk është i Orces dhe as i ndonjë partie politike. Qyteti është i të gjithë shkupjanëve dhe, ashtu siç e ruajmë shtëpinë tonë, duhet ta ruajmë edhe qytetin”, theksoi Gjorgjievski.

Ai nënvizoi se paratë që shpenzohen për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga sjelljet e papërgjegjshme mund të përdoreshin për projekte të tjera, përfshirë ndërtimin e parqeve të reja.

Gjorgjievski bëri të ditur se në Butel është drejt përfundimit ndërtimi i një parku me sipërfaqe prej 86.000 metrash katrorë, në një hapësirë ku më parë kishte deponi ilegale. Ai përmendi gjithashtu një park në Karposh me sipërfaqe prej mbi 70.000 metrash katrorë.

“Nëse vetëm i pastrojmë këto vende, sipas meje, kjo nuk mjafton. Duhet t’u japim përmbajtje të re lokacioneve që në të kaluarën kanë qenë cak i krijimit të deponive ilegale”, tha Gjorgjievski.

Ai paralajmëroi edhe rregullimin e një hapësire në Aerodrom me sipërfaqe prej rreth 100.000 metrash katrorë, me synimin që ajo të vihet në funksion deri në fund të vitit të ardhshëm.

Sa i përket deponisë së Vardarishtes, Gjorgjievski tha se bëhet fjalë për një sipërfaqe prej më shumë se 600.000 metrash katrorë. Sipas tij, një fazë e punimeve ka përfunduar, ndërsa në vijim pritet dekontaminimi i tokës me mbështetjen e Qeverisë.

“Besoj se nga pranvera do të nisnim procedurën për rregullimin e kësaj hapësire, me qëllim që aty të krijohet një park i ri i përmasave të tilla për Qytetin e Shkupit”, theksoi kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski.

Mickoski: Pjesa me shkrim e provimit të jurisprudencës në gjuhën e studimeve, në sistemin gjyqësor “lingua franca” mbetet maqedonishtja

0

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se pjesa me shkrim e provimit të jurisprudencës duhet të jepet në gjuhën në të cilën studenti ka përfunduar arsimin e lartë, ndërsa pjesa me gojë në maqedonisht, përcjell TV21. Ai theksoi se e drejta për arsim në gjuhën amtare nuk kontestohet, por sipas tij, funksionimi i sistemit gjyqësor kërkon një gjuhë të përbashkët, që në Maqedoni është maqedonishtja.

“Nuk e di se cilat janë përqindjet apo si i llogarisin atje. Qëndrimi i Qeverisë është i qartë. Sistemi i drejtësisë në Maqedoni është një gjë, ndërsa e drejta për të përfunduar arsimin e lartë në gjuhën amtare është një gjë tjetër. Askush nuk e konteston të drejtën për të përfunduar arsimin e lartë në çdo gjuhë që shteti e mundëson. Në Maqedoni, arsimi i lartë në fakultetet e drejtësisë zhvillohet në tri gjuhë të tjera, përveç maqedonishtes. Për ne si Qeveri, siç kam thënë shumë herë edhe në të kaluarën, është logjike që pjesa me shkrim të zhvillohet në gjuhën në të cilën është kryer arsimi i lartë, ndërsa pjesa me gojë, ku simulohet një mosmarrëveshje civile dhe penale, të zhvillohet në gjuhën e sistemit gjyqësor, sepse kjo përfaqëson një simulim para sistemit gjyqësor. Kjo nënkupton ligjin, ose më saktë, drejtësinë. Kur flasim për ligjin dhe sistemin gjyqësor, kemi parimin e lingua franca, domethënë përdorimin e një gjuhe të përbashkët. Në Maqedoni, kjo gjuhë është maqedonishtja. Në përputhje me rekomandimin e Komisionit të Venecias, të dhënë për Ligjin e atëhershëm për Gjuhët, të cilin Qeveria e mëparshme e miratoi në formën që ishte, duhet të respektohen opinionet e institucioneve ndërkombëtare. Kjo do të thotë se sistemi gjyqësor në Maqedoni duhet të mbetet me një gjuhë të përbashkët, lingua franca, ku gjuha maqedonase do të jetë gjuha zyrtare”, tha Mickoski.

Drojë për luftë hapësinore: Sateliti ushtarak rus i afrohet njërit që përdoret nga Ukraina

0

Pak pas mesnatës së 18 tetorit, pothuajse 1.000 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës, një satelit ushtarak rus, i njohur si Kosmos-2612, bëri diçka jashtëzakonisht të pazakontë.

Ai iu afrua një sateliti tjetër – të regjistruar në Shtetet e Bashkuara, që operohet nga një kompani finlandeze dhe që, mes tjerash, ofron informacione të inteligjencës për Ukrainën.

Sa afër u afrua?

Sipas disa vlerësimeve, 200 metra. Ndoshta edhe më pak.

“Kjo është provokuese. Por, sipas meje, është tipike për gjërat që Rusia bën vazhdimisht”.

Incidenti ka tërhequr vëmendjen e vëzhguesve amatorë të satelitëve dhe kompanive komerciale, por edhe të agjencive perëndimore të inteligjencës, në një shkallë që nuk është parë që një kohë të gjatë.

Ky është po ashtu rasti më i fundit në një seri veprimesh gjithnjë e më përshkallëzuese që përfshijnë jo vetëm Rusinë, por edhe SHBA-në, Kinën dhe vende të tjera që operojnë në hapësirë dhe kanë kapacitete satelitore, duke nxitur frikën për një garë armatimi në hapësirë.

Ose, edhe më keq: një luftë në hapësirë.

“Ajo që është e re është se nuk besoj se ka pasur ndonjëherë një afrim të tillë mes dy satelitëve pa koordinim paraprak”, tha Victoria Samson, analiste e hapësirës në Fondacionin Secure World, një institut me seli në Uashington.

“Rusia mund ta bëjë këtë afrim për të ndërhyrë në transmetimin e satelitit finlandez, për ta bllokuar atë, për të përgjuar atë që po përgjon ai, për ta ngacmuar apo edhe për ta dëmtuar fizikisht”, tha ajo.

“Unë do të thosha se kjo po shihet si shqetësuese dhe agresive, me qëllime potencialisht armiqësore”, tha Douglas Loverro, ish-zyrtar i lartë për politikat hapësinore në NASA dhe Departamentin amerikan të Mbrojtjes. “Por, mendoj po ashtu se ata që po e gjykojnë situatën me gjakftohtësi besojnë se kjo është një formë sinjalizimi nga ana e rusëve. Ndërkohë, mendoj se rusët po na mësojnë se si sillemi ne”.

“Nëse është i saktë, afrimi në një distancë prej 150 metrash është jashtëzakonisht i afërt dhe nuk ka gjasa të jetë një veprim rutinë operacional”, tha Bruce McClintock, gjeneral brigade në pension i Forcave Ajrore amerikane, i cili tani është studiues i politikave hapësinore në institutin RAND. “Ky është një shqetësim i ligjshëm për sigurinë dhe mbrojtjen, por nuk duhet të përshkruhet automatikisht si sulm apo si provë e qëllimeve armiqësore”.

Mickoski: Nëse nuk promovohen familjet me shumë fëmijë, Maqedonisë çdo vit do t’i duhen më tepër se 50,000 punëtorë të huaj

0

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se nëse vendi nuk u kthehet vlerave familjare dhe nuk promovon familjet me shumë fëmijë, ekonomia e Maqedonisë do të jetë e para që do të goditet, përcjell TV21. Ai komentoi deklaratën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolloski, sipas të cilit deri në vitin 2030 vendit do t’i nevojiten 50 mijë punëtorë të huaj në vit për të ruajtur nivelin aktual të Bruto Prodhimit të Brendshëm (BPB-së). Mickoski tha se ndoshta do të duhen më tepër se 50,000 punëtorë të huaj në vit.

“Po, ndonjëherë njeriu duhet t’i analizojë gjërat në thellësi. Dhe kur një vit e gjysmë më parë fola për vlerat familjare dhe fertilitetin, më etiketuan si të prapambetur, retrograd. Thanë se nuk dija për çfarë po flisja dhe nuk mbeta gjë pa lexuar për veten. Por, fatkeqësisht, kjo sfidë mbetet ende. Nëse nuk kthehemi drejt vlerave familjare dhe familjeve me shumë fëmijë, dhe nëse nuk i promovojmë ato vlera, fatkeqësisht, ekonomia e Maqedonisë do të jetë e para që do të goditet. Dhe ajo që thoshte zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit mund të jetë një nënvlerësim. Mund të na duhet shumë më tepër për të ruajtur aktivitetin ekonomik. Shikoni çfarë po ndodh në Evropën Perëndimore, ku për të ruajtur nivelin aktual të ekonomisë dhe për të pasur një rritje të lehtë të BPB-së nominale, është e nevojshme të lëshohen qindra mijëra, apo madje do të thoja miliona, leje pune për emigrantë çdo vit. Prandaj, sado që të duan të më tallin, unë do t’u qëndroj besnik politikave familjare, politikave për familjet e mëdha dhe politikave që nënkuptojnë një të ardhme për Maqedoninë si shtet, vende të reja pune për punëtorët e Maqedonisë dhe një ekonomi maqedonase më konkurruese, që rritet dhe jo vetëm mbahet në këmbë”, deklaroi Mickoski.

LSM: Shporta minimale sindikale për muajin tetor arrin në 70.358 denarë

0

Vlera e shportës minimale sindikale për muajin tetor 2026 arrin në 70.358 denarë. Krahasuar me muajin shtator, kur shporta kushtonte 69.432 denarë, ajo është rritur për 926 denarë, njoftoi Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM).

Me përfshirjen e qirasë për një banesë prej 60 metrash katrorë, vlera e shportës minimale për tetorin arrin në 85.733 denarë.

Sipas shportës minimale të LSM-së, familjet shpenzojnë 26.170 denarë për ushqim dhe pije, 6.379 denarë për fatura dhe 5.468 denarë për transport.