Protestat në Tiranë/ Jurgen Uldedaj anulon ndeshjen kundër Caparello: Shqipëria mbi çdo titull dhe fitore personale

0

Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj ka njoftuar shtyrjen e ndeshjes për mbrojtjen e titullit botëror IBO World Cruiserweight Champion, e cila ishte planifikuar të zhvillohej më 23 tetor në Tiranë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Uldedaj bëri të ditur se përballja do të zhvillohet në një datë të re brenda vitit 2026. Sipas tij, vendimi është marrë për shkak të një dëmtimi të lehtë të pësuar gjatë sparring-ut, por edhe për shkak të situatës së krijuar në vend.

Shtyrja, siç bëri të ditur boksieri, është koordinuar me organizatën IBO dhe është vendosur me mirëkuptimin e kundërshtarit të tij, Blake Caparello.

Në mesazhin e tij, Uldedaj theksoi se situata që po kalon Shqipëria ka ndikuar në këtë vendim, duke nënvizuar se për të vendi është më i rëndësishëm se çdo sukses personal në ring.

“Për mua, Shqipëria është mbi çdo titull dhe fitore personale. Nuk do ta ndieja të drejtë të festoja në ring, ndërsa bashkëkombësit e mi protestojnë për të drejtat e tyre dhe vendi kalon momente të vështira”, u shpreh boksieri.

Uldedaj shprehu gjithashtu respekt për të drejtën e qytetarëve për të protestuar, ndërsa vlerësoi edhe punën e Policisë së Shtetit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

Pavarësisht shtyrjes, kampioni shqiptar theksoi se ëndrra e tij për të mbrojtur titullin botëror në atdhe mbetet e pandryshuar. Ai premtoi se do të rikthehet në ring për të ngritur lart flamurin kuqezi, duke shpresuar që kjo ngjarje të zhvillohet në një moment më të përshtatshëm për vendin.

Në përfundim të mesazhit, Uldedaj bëri thirrje për qetësi dhe respekt, duke falënderuar të gjithë tifozët dhe mbështetësit për mirëkuptimin.

Witkoff dhe Zelensky drejt takimit në Oslo, tensionohen marrëdhëniet SHBA-Ukrainë

0

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet të takohen në Oslo, në një kohë kur marrëdhëniet mes Kievit dhe administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, po përballen me tensione të shtuara.

Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store, bëri të ditur se Zelensky i kishte kërkuar Norvegjisë dhe Finlandës që të organizonin një takim me përfaqësuesit amerikanë dhe aleatët evropianë. Sipas tij, takimi zhvillohet në një moment kritik për Ukrainën, ndërsa vendi vazhdon të përballet me luftën dhe nevojën për mbështetje ndërkombëtare.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cilësoi si “skandaloze” dhe “të papranueshme” akuzat se SHBA-ja po mbante të fshehura nga Kievi informacione të inteligjencës, duke shkaktuar humbje jetësh në radhët e ukrainasve.

Reagimi i Rubios erdhi pasi Serhii Beskrestnov, këshilltar teknik ushtarak i presidentit Zelensky, deklaroi për BBC-në se mungesa e paralajmërimeve të besueshme nga ana e SHBA-së po kontribuonte në humbjen e jetëve.

Takimi i pritshëm në Oslo shihet si një mundësi për të diskutuar bashkëpunimin mes SHBA-së, Ukrainës dhe aleatëve evropianë, në një periudhë kur shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës dhe mbështetja amerikane mbeten çështje të rëndësishme për Kievin.

Rama reagon sërish: Dialog, po me kë?

0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka postuar një tjetër video në rrjetet sociale teksa shikon thyerjen e karrigeve para Kryeministrisë, të cilat i vendosi gjatë paradites së sotme ku kërkonte dialog.

“Dialog, po me kë?”, ka shkruar Rama në përshkrimin e videos.

Ndërkohë, ai në video flet edhe më shumë. Shprehet i gatshëm nëse për dialog. 

“Tani, kush do dialog, unë jam në dispozicion së bashku me qeverinë. Dorëheqje! Poshtë diktatura! Poshtë komunizmi! S’duam dialog! Deri tani këto janë idetë e pedagogëve dhe të intelektualëve që janë mbledhur këtu poshtë”, dëgjohet të thotë Rama. 

Përpjekje për nxitjen aktive të konsumit

0

Organi kryesor i planifikimit ekonomik në Kinë theksoi të martën që do të punojë për të zgjeruar kërkesën e brendshme me një forcë më të madhe dhe me masa më efektive.

Autoritetet do të rrisin pjesën e shpenzimeve për shërbimet publike në shpenzimet fiskale, do të forcojnë politikat përfshirëse që ndikojnë drejtpërdrejt te konsumatorët, si edhe do të nxitin zgjerimin dhe përmirësimin e konsumit të mallrave, përfshirë automjetet me energji të re dhe produktet inteligjente, shtoi ai.

Kjo masë ndërmerret ndërkohë që konsumi ka treguar shenja përmirësimi të qëndrueshëm. Shitjet totale me pakicë të mallrave dhe shërbimeve u rritën 2.6 për qind në bazë vjetore në periudhën janar- shtator , prej të cilave shitjet me pakicë të shërbimeve u rritën më shpejt se ato të mallrave, ndërsa forma të reja konsumi po vazhdojnë të shfaqen, treguan të dhënat zyrtare. Shpenzimet për konsumin përfundimtar kontribuuan më shumë në rritjen e përgjithshme ekonomike në periudhën janar-shtator.

Kina do të investojë si në asetet fizike, ashtu edhe në kapitalin njerëzor për të zgjeruar investimet efektive.

Konkretisht, NDRC-ja do të nxisë zbatimin e 109 projekteve kryesore të përfshira në Planin e 15-të Pesëvjeçar (2026-2030) dhe nismën e “gjashtë rrjeteve”, që përfshin rrjetin ujor, energjetik, informatik, të komunikacionit, tubacioneve nëntokësore urbane, si edhe rrjetin logjistik.

Fokusi i investimeve kineze po pëson një ndryshim të thellë, duke kaluar nga sektorët tradicionalë drejt atyre në zhvillim, thonë analistët, duke vënë në dukje që inteligjenca artificiale dhe infrastruktura e re do të shërbejnë si forca kryesore nxitëse për raundin e ardhshëm të investimeve efektive.

Të dhënat zyrtare treguan se investimet kineze në sektorët e drejtuar nga inovacioni patën një paraqitje të mirë në tre tremujorët e parë të vitit 2026, edhe pse vlera e përgjithshme e investimeve në asetet fikse vazhdoi të tkurret. Investimet në produktet e pronësisë intelektuale në periudhën janar-shtator u shtuan 9.3 për qind në bazë vjetore, ndërsa investimet në industritë e teknologjisë së lartë u rritën 4.9 për qind.

Mourinho me paralajmërim për lojtarët e Real Madridit

0

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka theksuar se asnjë lojtar nuk e ka të garantuar vendin në formacionin titullar.

“Askush nuk është i paprekshëm”, ka deklaruar trajneri portugez, shkruan të martën “Goal”. 

63-vjeçari Mourinho ka konfirmuar se Vinicius Junior do të luajë në krahun e majtë në përballjen e së mërkurës kundër RB Leipzigut. 

Ndërkohë, për Yan Diomanden trajneri ka lënë të hapur mundësinë që të jetë titullar.

Reali nga ora 21:00 e pret Leipzigun, në ndeshjen që i takon xhiros së tretë të fazës së ligës në “Champions”.

Mourinho ka thënë se ajo që e bën një lojtar të paprekshëm është paraqitja në fushë. 

Reali i ka fituar dy ndeshjet e para në Ligën e Kampionëve. Ka mposhtur dy kundërshtarë të fortë, si Interi dhe Roma.

Franca do të angazhojë forcat ushtarake në protesta

0

Franca do t’i dislokojë forcat ushtarake për të përforcuar policinë gjatë protestave që do të mbahen të shtunën, ka thënë ministri i Brendshëm, Laurent Nunez. 

Ai ka theksuar se përgjigja ndaj trazirave do të jetë “e vendosur”. 

“Ne do të dislokojmë forcën ‘Sentinelle’, natyrisht si zëvendësuese e forcave të sigurisë së brendshme… kryesisht për të çliruar policët dhe xhandarmërinë në misionin e tyre për ruajtjen e rendit”, ka thënë Nunez.

Gjatë ditës nga qeveria franceze ishte thënë se prezenca policore gjatë fundjavës do të ishte “masive”, raportoi Guardian. 

Grevat dhe demonstratat e nxënësve të shkollave të mesme kundër rënies së cilësisë dhe përkeqësimit të kushteve në arsim janë ndërthurur me një valë më të gjerë pakënaqësie për rritjen e çmimeve dhe ndjesinë se nevojat për shëndetësi, strehim dhe mirëqenie sociale nuk po plotësohen më.

Ushtarët profesionistë që mbushin 45 vjeç do të mund të qëndrojnë në Armatë, do të angazhohen në njësitë për sigurimin e kazermave dhe garnizoneve

0

-Me reformën në Armatë zgjidhet përfundimisht statusi i ushtarëve profesionistë që mbushin 45 vjeç, duke u mundësuar atyre të vendosin nëse dëshirojnë të vazhdojnë të shërbejnë në Armatë si personel civil, përmes transformimit të marrëdhënies së punës nga afat i caktuar në afat të pacaktuar, njoftoi ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, Vendimi, sqaroi Misajllovski, është marrë sot në mbledhjen e Qeverisë, ndërsa zgjidhja është dakorduar dhe harmonizuar bashkërisht me Armatën dhe sindikatat e ushtarëve.

“Zgjidhja nënkupton që ushtarët profesionistë maqedonas më në fund dhe me të drejtë të mund të jenë të kënaqur dhe të sigurt për të ardhmen e tyre edhe pas moshës 45-vjeçare. Mbeten të gjitha mundësitë si deri më tani – dëmshpërblimi në vlerë prej dy pagash mesatare ose transferimi në një institucion tjetër shtetëror, por me këtë reformë krijojmë një zgjidhje që çdo ushtar profesionist të mund të qëndrojë në Armatë si personel civil”, deklaroi Misajllovski.

Kjo është një zgjidhje krejtësisht e re dhe, siç theksoi Misajllovski, nuk është pjesë e Marrëveshjes Kolektive, për të cilën negociatat vazhdojnë dhe pritet të nënshkruhet së shpejti.

“Vazhdojmë edhe me reformat e tjera. Sot pata një takim me ministren e Financave, ku dakorduam edhe disa lajme të mira. Së shpejti do të nënshkruhet marrëveshja kolektive. Natyrisht, vazhdojmë të punojmë me sindikatat dhe mendoj se në një të ardhme të afërt do të ketë edhe rritje të pagave. Këtë do ta bëjmë të ditur në periudhën e ardhshme. Mendoj se lajme të mira e presin Armatën, por edhe qytetarët maqedonas”, deklaroi Misajllovski.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, Lafçiski, theksoi se këto janë lajme të shkëlqyera për ushtarët profesionistë, duke pasur parasysh se kjo çështje e rëndësishme është zvarritur për më shumë se 15 vjet.

“Detyra e sigurimit të pronës dhe personave në kazermat dhe garnizonet e Armatës në mbarë vendin është përgjegjësi e komandave dhe njësive të vendosura në ato komanda, garnizone dhe kazerma. Kjo, pa përjashtim dhe sipas rregullit, është detyrë dytësore ose tretësore, pra një përgjegjësi shtesë për këto komanda dhe njësi. Duke pasur parasysh misionin dhe detyrat e tyre thelbësore, kjo gjithmonë përbën ngarkesë shtesë. Me këtë zgjidhje të propozuar, kjo përgjegjësi shumë e rëndësishme do t’u besohet pikërisht ushtarëve profesionistë që do të sistemohen në këto njësi”, deklaroi Lafçiski.

Ai siguroi se nuk ka personel më të përshtatshëm sesa ushtarët profesionistë që do të vendosin ta transformojnë marrëdhënien e tyre të punës për të kryer këtë detyrë.

“Kjo nuk është vetëm pikëpamja ime personale, por edhe qëndrimi i të gjithë gjeneralëve, komandantëve dhe të gjithë atyre që janë të përfshirë në komandimin dhe drejtimin e Armatës. Nuk ka personel më të përshtatshëm sesa ushtarët profesionistë që mbushin 45 vjeç dhe që do të vendosin ta transformojnë marrëdhënien e tyre të punës në këto njësi, për të kryer këtë detyrë të rëndësishme të sigurimit të kapaciteteve të Armatës”, deklaroi Lafçiski.

Siç u theksua, të ardhurat mujore, përfshirë të gjitha shtesat e pagës, do të mbeten të pandryshuara. Ata do të kenë mundësi të dalin në pension sipas të njëjtave kushte si pjesëtarët e tjerë, përkatësisht në përputhje me Ligjin për Shërbim në Armatë dhe Marrëveshjen Kolektive.

Vlerësimet janë se nga viti i ardhshëm rreth 100 ushtarë do ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Siç theksoi Lafçiski, nuk do të ketë asnjë problem për përfshirjen e kësaj numri, pavarësisht se sa do të jetë ai.

“Struktura do të dimensionohet në mënyrë që të mund të përfshijë secilin që dëshiron. Nëse gjatë pesë viteve të ardhshme analizat tregojnë se do të kemi 500 ushtarë profesionistë që do ta plotësojnë kushtin dhe të gjithë 500 dëshirojnë të qëndrojnë dhe të jenë pjesë e Armatës, ne do ta mundësojmë këtë përmes strukturës së formacionit. Këtë mund ta bëjmë menjëherë: sapo ta mbushë moshën 45-vjeçare, që të nesërmen t’i transformohet marrëdhënia e punës dhe të përfshihet në atë njësi. Për më tepër, ata do të kenë mundësi të qëndrojnë në kazermat ku kanë punuar edhe deri më tani”, sqaroi Lafçiski.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me protestën e paralajmëruar nga Sindikata e Pavarur më 7 nëntor, Misajllovski tha se secili ka të drejtë demokratike të protestojë, por theksoi se përballë tij janë sindikatat që përfaqësojnë 99,9 për qind të të punësuarve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Armatë.

“Secili ka të drejtë të protestojë për çështje të ndryshme. Konkretisht, kjo sindikatë që nga dita e parë vetëm përhap urrejtje dhe negativitet, çdo ditë me gënjeshtra dhe manipulime, veçanërisht kundër meje. Por kjo është pjesë e politikës dhe demokracisë dhe nuk kam asnjë problem me këtë. Për mua është më e rëndësishme t’i zgjidh çështjet e ngritura nga sindikatat, punonjësit dhe ushtarët. Ajo që është interesante është se kjo sindikatë asnjëherë nuk ka propozuar ndonjë zgjidhje të mirë dhe as nuk dëshiron të negociojë, por vetëm dërgon njoftime në media për çështje që nuk janë zgjidhur prej 35 vitesh. Unë këtu publikisht tregoj se çfarë do të bëjmë dhe ju e shihni se ato realizohen”, deklaroi Misajllovski.

Paralajmërime për marrëveshje të re kolektive dhe paga më të larta për Armatën e Maqedonisë

0

Ministri i Mbrojtjes, Vlado Misaillovski, paralajmëroi se së shpejti do të nënshkruhet marrëveshje e re kolektive për Armatën, e cila parasheh edhe rritje të pagave. Ai informoi se dje është mbajtur një takim tjetër me sindikatat, ku është diskutuar për përmirësimin e rreth 20 neneve të marrëveshjes kolektive.

“Ka mendime të ndryshme, por besoj se së bashku do të gjejmë një mënyrë, pasi secila prej sindikatave propozon zgjidhje për përmirësime. Ne, natyrisht, shohim se si mund t’i mundësojmë këto ndryshime, duke pasur parasysh implikimet financiare. Por, ajo që është e mirë, shumë shpejt do të ketë lajme të bukura, e ato janë rritja e pagave dhe marrëveshja e re kolektive”, deklaroi Misaillovski.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneral-majorin Sashko Lafçiski, dhe përfaqësuesit e sindikatave në mbrojtje, ministri tha se këto sindikata përfaqësojnë 99,9 për qind të të punësuarve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Armatë. Misaillovski theksoi se marrëveshja kolektive tani po respektohet në masën më të madhe dhe shprehu pritjen që me kalimin e viteve të zvogëlohen paditë dhe humbjet financiare.

“Vetëm gjatë këtyre dy viteve sa jam ministër, nga buxheti janë paguar mbi 26 milionë euro për padi. Kjo ka ndodhur sepse punonjësit e Ministrisë dhe Armatës është dashur t’i marrin ato mjete. Tani po humbim në gjykata për shkak të çështjeve që datojnë nga viti 2019. Por, me pagesën e mjeteve po zvogëlohen edhe paditë”, tha Misaillovski.

Ai bëri të ditur se sot, në një takim me ministren e Financave, ka arritur marrëveshje për sigurimin e mjeteve financiare për rritjen e pagave.

“Shumë shpejt do t’i dëgjoni lajmet e mira. Do të duhet ta rishikojmë buxhetin, pasi do të marrim mjete shtesë. Qëllimi im është që Ministria e Mbrojtjes dhe Armata të jenë institucioni më i mirë”, deklaroi ministri.

Sipas tij, buxheti për vitin e ardhshëm do të rritet, ndërsa paralajmëroi edhe projekte të reja, investime kapitale dhe paga më të larta.

“Do të fillojmë me ndërtimin e Shtëpisë së Armatës, ndërsa në çdo kazermë do të ketë objekte të reja që do t’i modernizojmë. Së bashku me shefin e Shtabit kemi rënë dakord që programi i modernizimit të NATO-s të ketë mjete shtesë. Gjithashtu, do të sigurojmë uniforma të reja luftarake dhe do të rinovojmë gjithçka që është e nevojshme gjatë vitit të ardhshëm”, tha Misaillovski.

Ministri paralajmëroi gjithashtu se janë paraparë mjete shtesë për blerjen e dronëve dhe sistemeve kundër dronëve. Ai shtoi se muajin e ardhshëm pritet të mbërrijnë edhe dy helikopterë të rinj.

Stërvitje e përbashkët detare Shqipëri–Turqi në Gjirin e Vlorës

0

Në kuadër të stërvitjes së NATO-s “Neptune Strike-26”, Forcat Detare Shqiptare dhe ato Turke zhvilluan një stërvitje të përbashkët në Gjirin e Vlorës dhe në Bazën Detare të Pashalimanit.

Në këtë stërvitje morën pjesë anija shqiptare “Oriku” P-132 dhe grupi i bordingut, si dhe anijet turke TCG Anadolu dhe TCG Gaziantep.

Stërvitja kishte si qëllim rritjen e gatishmërisë luftarake dhe ndërveprueshmërisë mes dy forcave detare, si dhe unifikimin e procedurave operacionale për zhvillimin e misioneve të përbashkëta.

Përmes këtyre stërvitjeve synohet forcimi i bashkëpunimit mes forcave aleate dhe rritja e kapaciteteve për përmbushjen e detyrave në kuadër të angazhimeve të NATO-s.

Britania po dërgon avionë ushtarakë për të mbrojtur Arabinë Saudite nga sulmet e Houthive

0

Mbretëria e Bashkuar do të dislokojë avionë luftarakë Typhoon të Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) për të mbrojtur Arabinë Saudite, si përgjigje ndaj përshkallëzimit të sulmeve me raketa dhe dronë nga rebelët Houthi, ka bërë të ditur sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting.

Misioni mbrojtës do të ndihmojë në mbrojtjen e qyteteve dhe infrastrukturës saudite nga sulmet ajrore të grupit të mbështetur nga Irani, ka thënë Streeting në një deklaratë me shkrim të publikuar të martën.

Ky vendim vjen pas sulmeve të Houthive me dronë dhe raketa balistike ndaj kryeqytetit saudit, Riadit, si dhe ndaj objekteve energjetike në bregdetin e vendit.

“Këta avionë do të veprojnë në rol mbrojtës dhe nuk do të kryejnë sulme kundër Houthive”, thuhet në deklaratë.

Houthitë janë të përfshirë në një luftë civile me qeverinë e Jemenit, e cila njihet ndërkombëtarisht dhe mbështetet nga Arabia Saudite.

Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë gjithashtu këshilltarë ushtarakë dhe një avion transporti A400M të Forcave Ajrore Mbretërore.

Londra zyrtare po i ofron Arabisë Saudite pajisje mbrojtëse ushtarake për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore, si dhe furnizim me karburant në ajër për operacionet mbrojtëse saudite. Mbështetja për furnizimin me karburant është zgjatur tashmë edhe për 90 ditë

Në një deklaratë të veçantë, Streeting ka thënë se shënjestrimi i aeroportit të Riadit “tregon deri në çfarë mase po shkojnë Houthitë për ta përshkallëzuar situatën në rajon”.

“Prandaj, sot kam miratuar mbështetje të mëtejshme ushtarake nga Mbretëria e Bashkuar”, ka shtuar ai.

Houthit kanë kryer sulme me raketa dhe dronë ndaj aeroporteve, objekteve të naftës dhe gazit, si dhe bazave ushtarake në Arabinë Saudite, në shenjë hakmarrjeje për sulmet ndaj territoreve që ata kontrollojnë në Jemenin perëndimor, përfshirë kryeqytetin Sana.