Përpjekje për nxitjen aktive të konsumit

TË FUNDIT

Organi kryesor i planifikimit ekonomik në Kinë theksoi të martën që do të punojë për të zgjeruar kërkesën e brendshme me një forcë më të madhe dhe me masa më efektive.

Autoritetet do të rrisin pjesën e shpenzimeve për shërbimet publike në shpenzimet fiskale, do të forcojnë politikat përfshirëse që ndikojnë drejtpërdrejt te konsumatorët, si edhe do të nxitin zgjerimin dhe përmirësimin e konsumit të mallrave, përfshirë automjetet me energji të re dhe produktet inteligjente, shtoi ai.

Kjo masë ndërmerret ndërkohë që konsumi ka treguar shenja përmirësimi të qëndrueshëm. Shitjet totale me pakicë të mallrave dhe shërbimeve u rritën 2.6 për qind në bazë vjetore në periudhën janar- shtator , prej të cilave shitjet me pakicë të shërbimeve u rritën më shpejt se ato të mallrave, ndërsa forma të reja konsumi po vazhdojnë të shfaqen, treguan të dhënat zyrtare. Shpenzimet për konsumin përfundimtar kontribuuan më shumë në rritjen e përgjithshme ekonomike në periudhën janar-shtator.

Kina do të investojë si në asetet fizike, ashtu edhe në kapitalin njerëzor për të zgjeruar investimet efektive.

Konkretisht, NDRC-ja do të nxisë zbatimin e 109 projekteve kryesore të përfshira në Planin e 15-të Pesëvjeçar (2026-2030) dhe nismën e “gjashtë rrjeteve”, që përfshin rrjetin ujor, energjetik, informatik, të komunikacionit, tubacioneve nëntokësore urbane, si edhe rrjetin logjistik.

Fokusi i investimeve kineze po pëson një ndryshim të thellë, duke kaluar nga sektorët tradicionalë drejt atyre në zhvillim, thonë analistët, duke vënë në dukje që inteligjenca artificiale dhe infrastruktura e re do të shërbejnë si forca kryesore nxitëse për raundin e ardhshëm të investimeve efektive.

Të dhënat zyrtare treguan se investimet kineze në sektorët e drejtuar nga inovacioni patën një paraqitje të mirë në tre tremujorët e parë të vitit 2026, edhe pse vlera e përgjithshme e investimeve në asetet fikse vazhdoi të tkurret. Investimet në produktet e pronësisë intelektuale në periudhën janar-shtator u shtuan 9.3 për qind në bazë vjetore, ndërsa investimet në industritë e teknologjisë së lartë u rritën 4.9 për qind.