Kina dominon tregun e veturave elektrike në Kosovë! 780 vetura elektrike u importuan në Kosovë, 665 nga Kina

0

Importi i veturave elektrike në Kosovë është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, ndërsa Kina është bërë burimi kryesor i tyre, shkruan Radio Evropa e Lirë. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, nga janari deri në gusht të vitit 2026 janë importuar 780 vetura elektrike, prej të cilave 665 kanë ardhur nga Kina. Në vitin 2022, nga Kina ishin importuar vetëm 13 vetura elektrike.

Në të njëjtën periudhë, Gjermania ka humbur primatin. Në vitin 2022, nga Gjermania ishin importuar 49 vetura elektrike, duke qenë burimi kryesor i këtij lloji automjetesh.

Edhe vlera e importeve është rritur. Në tetë muajt e parë të vitit 2026, veturat elektrike të importuara kanë pasur vlerë prej më shumë se 11.5 milionë euro, rreth 500 mijë euro më shumë se gjatë gjithë vitit 2025. Krahasuar me vitin 2022, vlera e importeve është më shumë se dyfishuar.

Ndryshim ka pasur edhe në raportin mes veturave të reja dhe të përdorura. Në vitin 2022 u importuan 145 vetura elektrike të reja dhe vetëm 20 të përdorura, ndërsa në vitet e fundit kërkesa për vetura të përdorura është rritur dhe ato kanë tejkaluar të rejat.

Sipas bizneseve që merren me shitjen dhe përdorimin e veturave elektrike, interesimi i qytetarëve lidhet kryesisht me koston më të ulët të përdorimit dhe mirëmbajtjes. Modelet kineze, veçanërisht ato të prodhuesit BYD, po kërkohen gjithnjë e më shumë.

Megjithatë, veturat elektrike ende përbëjnë një pjesë të vogël të tregut. Nga janari deri në gusht të vitit 2026, në Kosovë janë importuar mbi 25 mijë vetura gjithsej, me vlerë mbi 309 milionë euro. Veturat elektrike përbëjnë vetëm 780 prej tyre, me vlerë rreth 11.5 milionë euro.

Aktualisht, veturat elektrike nuk kanë trajtim të veçantë në import. Për to paguhet 10 për qind taksë doganore dhe 18 për qind TVSH, ndërsa për veturat e përdorura aplikohet edhe akciza, nga 400 deri në 700 euro, varësisht nga vjetërsia.

Për 780 veturat elektrike të importuara në tetë muajt e parë të vitit janë paguar rreth 1.2 milionë euro taksa doganore.

Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar heqjen e taksës doganore për veturat elektrike dhe uljen e TVSH-së nga 18 në 8 për qind, me arsyetimin se këto masa do të nxisnin përdorimin e automjeteve elektrike.

Strategjia e Energjisë 2022–2031 parasheh që deri në vitin 2031 në Kosovë të ketë rreth 15 mijë vetura elektrike.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar heqjen e taksës doganore prej 10 për qind për veturat e importuara nga Bashkimi Evropian, nëse plotësohen kushtet përkatëse të origjinës.

Pavarësisht rritjes së shpejtë, veturat elektrike ende mbeten një pjesë e vogël e tregut kosovar të automjeteve.

Rama: Vlora Hyseni ka hyrë në një borxh të madh moral me këtë vend

0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama reagoi ndaj kërkesave të opozitës për të dhënë shpjegime mbi emërimin e Vlora Hysenit në krye të Shërbimit të Inteligjencës Shqiptare. Rama tha në një mesazh nga aeroporti “Nënë Tereza” se emërimi i Hysenit në drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit ishte bërë edhe në bazë të vlerësimeve dhe referencave që, sipas tij, ajo kishte marrë nga partnerët ndërkombëtarë.

“Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit janë detyrë ekskluzive e drejtësisë, ndërsa mbrojtja e SHISH është detyrë e shtetit”, u shpreh Rama, duke shtuar se Këshilli i Sigurisë Kombëtare është institucioni ku duhet të diskutohen raste kur drejtuesit apo anëtarët e institucioneve të sigurisë bëhen subjekt hetimi.

Rama tha se e kishte vlerësuar punën e Hysenit dhe se ajo fillimisht kishte punuar pranë tij si këshilltare për sigurinë. Sipas kryeministrit, më pas ajo u emërua në krye të SHISH, bazuar në referencat që ai i cilësoi si “të shkëlqyera” nga partnerët ndërkombëtarë.

“Vlora Hyseni ka hyrë në një borxh të madh moral me këtë vend”, deklaroi Rama.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit i takojnë ekskluzivisht drejtësisë, ndërsa mbrojtja e SHISH nga çdo pasojë e mundshme është përgjegjësi e shtetit. Në një mesazh nga Rinasi, Rama kërkoi që çështja të trajtohet në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, të thirrur nga Presidenti.

“Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit është detyrë ekskluzive e drejtësisë, kjo nuk ka diskutim. Mbrojtja e SHISH nga çdo dëm kolateral të mundshëm është detyrë e gjithë shtetit”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se ndarja e pushteteve nuk duhet të nënkuptojë ndarje nga përgjegjësia shtetërore, duke e cilësuar Këshillin e Sigurisë si forum për diskutimin e garancive që duhet të mbrojnë institucionet.

“Ka ardhur koha ta trajtojmë bashkërisht dhe seriozisht. Këshilli i Sigurisë, thirrur njëherësh nga Presidenti, është vendi i duhur për të reflektuar dhe diskutuar mbi garancitë që duhet t’i mbrojnë institucionet tona, kur drejtuesit apo punonjësit rrëshqasin nga binarët dhe bëhen subjekt i një hetimi penal”, deklaroi Rama.

Rama e cilësoi ekstreme masën e marrë nga SPAK ndaj kreu të SHISH.

“Sapo jam kthyer nga New York ku siç e dini përfaqësova Shqipërinë në OKB. Vendosa të drejtohem menjëherë nga aeroporti ‘Nënë Tereza’. Zhvillimet e fundit, pas vendosjes së masës të arrestit shtëpie për ish-drejtuesen e SHISH, kërkojnë adresim të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë. Ishte pa diskutim një masë ekstreme po të mbajmë parasysh se bëhet fjalë për ekspozimin e një institucioni të veçantë. Unë s’kam të drejtën të ndërhyj në përmbajtjen e dosjes dhe çfarë e ka çuar gjykatën ta bëjë. S’e kam bërë më parë dhe as nuk do ta bëj. Çdo dyshim duhet të hetohet deri në fund. Çdo akuzë duhet të rrëzohet ose të provohet përmes një procesi të paanshëm. ur puna sjell që hetimi të zgjidhet deri te kreu, nuk është problemi i një shteti të pavarur, por i krejt shtetit.  I ka lënë pa fjalë partnerët tanë”, tha Rama.

Mesazhi i kryeministrit vjen pas hetimeve të SPAK për drejtoreshën e shkarkuar të Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, e cila dyshohet se i ka dorëzuar informacione sekrete biznesmenit Ergys Agasi.

Evakuim dhe alarm në Britani, arrestime pranë bazës ajrore britanike të përdorur nga SHBA-ja në luftën me Iranin

0

Policia britanike ka arrestuar disa persona nën dyshimin për vepra penale që lidhen me eksplozivë afër një baze ajrore që përdoret nga forcat e Shteteve të Bashkuara, duke nxitur evakuimin e banorëve që jetojnë në afërsi.

Policia e shpalli si “incident të madh” më 27 shtator këtë ngjarje afër bazës RAF Fairford në Gloucestershire, në perëndim të Anglisë, dhe tha se ekspertët ushtarakë të bombave po hetojnë disa makina.

Baza ajrore RAF Fairford përore nga Forcat Ajrore të SHBA-së dhe është përdorur për operacione ushtarake amerikane kundër Iranit.

Disa banorë në një fshat aty pranë u evakuuan dhe ata u dërguan në një qendër lokale rekreative, tha policia.

Policë të armatosur u panë duke bllokuar hyrjen në portën kryesore të bazës, sipas Reuters.

Në mars, Britania i dha Shteteve të Bashkuara leje për të përdorur RAF Fairford dhe një bazë tjetër britanike lidhur me ato që Qeveria e përshkroi si veprime specifike dhe të kufizuara mbrojtëse kundër objekteve iraniane të raketave. Leja më vonë u zgjerua edhe për objektet dhe kapacitetet raketore që kërcënojnë transportin detar në Ngushticën e Hormuzit.

Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit paralajmëruan në korrik se çdo bazë e përdorur për sulme kundër Iranit do të konsiderohej objektiv legjitim, sipas agjencisë Reuters.

Nuk pati menjëherë ndonjë tregues se arrestimet ishin të lidhura me Iranin ose me ndonjë qeveri të huaj.

Nuk ka pasur ndonjë tregues të menjëhershëm se arrestimet janë të lidhura me Iranin ose me ndonjë qeveri të huaj.

Forcat Ajrore të SHBA-së thanë se janë vigjilente dhe do të marrin masat e duhura për të mbrojtur personelin amerikan, civilët, kontraktorët dhe familjet e tyre, raportoi Reuters.

Autoritetet britanike kanë paralajmëruar po ashtu muajt e fundit për kërcënimin e aktiviteteve armiqësore dhe të sabotimit të mundshëm nga aktorë shtetërorë, përfshirë Rusinë. Qeveria britanike ka thënë se nuk komenton për kërcënime specifike të inteligjencës apo të sigurisë.

Policia britanike tha se beson se incidenti është nën kontroll.

Muzika xhaz kineze vibroi energjike në Tiranë

0

Muzika xhaz kineze mbushi me energji sallën e koncerteve “Tonin Harapi”, në Tiranë, në një mbrëmje të veçantë muzikore.

Grupi “Xu Quintet” solli një eksperiencë unike, ku tradita e pasur e muzikës kineze u ndërthur me energjinë, ritmet dhe improvizimin e xhazit bashkëkohor.

Grupi, i formuar nga vëllezërit binjakë Zhihan Xu dhe Zhitong Xu, bashkoi muzikantë dhe kompozitorë të njohur të skenës së xhazit kinez dhe ndërkombëtar, me një përvojë të gjerë artistike dhe akademike në skena europiane dhe aziatike.

Ambasadorja e Kinës në Shqipëri Pang Chunxue me grupin kinez Xu Quintet, në koncertin e xhazit në Tiranë/Foto nga CMG)

Kjo mbrëmje zbuloi një tjetër dimension të kulturës bashkëkohore kineze përmes muzikës dhe përcolli takimin mes dy traditave të ndryshme, të bashkuara nga gjuha universale e xhazit.

Të pranishëm në këtë event ishin edhe ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, si dhe muzikantë shqiptarë dhe artdashës të xhazit.

Ky koncert ishte pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Xhazit, që solli në Tiranë performues edhe nga Spanja, Austria, Italia, Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

Qytetarët mblidhen në Shkup, nis marshimi “Jo në emrin tim!”, protestë kundër vendimit të Gjykatës Speciale

0

Ka nisur në Shkup marshi i thirrur në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Pjesëmarrësit janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, nga ku po zhvillohet marshimi, përcjell TV21.

Marshi është organizuar pas aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje të qetë dhe dinjitoze. Në marsh marrin pjesë qytetarë, familjarë të dëshmorëve, veteranë, të rinj, studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Vjedhje misterioze në Çair! Hynë në bankë, zyre të MPB-së dhe në stacionin teknik, por morën vetëm një pajisje!

0

Një vjedhje e pazakontë është raportuar në një stacion për kontroll teknik në Çair, përcjell TV21. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në intervalin nga ora 15:00 e 26 shtatorit deri në orën 02:42 të 27 shtatorit. Persona ende të pa njohur kanë hyrë me forcë në objektin në rrugën “Aleksandar Urdarevski” dhe nga zyra e drejtuesit kanë marrë vetëm një pajisje – resiverin e sistemit të video-mbikëqyrjes. Por, brenda të njëjtit objekt, autorët kanë hyrë me forcë edhe në një ekspoziturë bankare dhe në zyrën e MPB-së. Nga këto dy hapësira, sipas policisë, nuk është marrë asgjë.

“Më 27.09.2026, në orën 02:42, në SPB Shkup është raportuar se në periudhën nga ora 15:00 e datës 26.09.2026 deri në momentin e raportimit, me forcë është hyrë në objektin e një stacioni për kontroll teknik në rrugën “Aleksandar Urdarevski”, në zonën e Çairit, dhe nga zyra e drejtuesit është marrë pajisja marrëse e sistemit të video-mbikëqyrjes. Nëpunësit policorë kanë dalë në vendngjarje, ku është konstatuar se me forcë është hyrë edhe në një ekspoziturë të një banke, si dhe në zyrën e MPB-së, të cilat ndodhen në kuadër të objektit, por nuk është marrë asgjë. Është kryer këqyrja në vendngjarje dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, thonë nga MPB.

Kongresisti republikan i kërkon Partisë Popullore Evropiane t’i ndërpresë lidhjet me partinë e Vuçiqit

0

Kongresisti republikan amerikan, Joe Wilson, i bëri thirrje Partisë Popullore Evropiane (PPE) që t’ia heqë statusin e anëtarit të asociuar Partisë Përparimtare Serbe (SNS), duke thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe “partia e tij e korruptuar autoritare” janë kundër qytetërimit perëndimor.

Në një letër drejtuar presidentit të PPE-së, Manfred Weber, Wilson tha se është thelbësore që një vendim i tillë të merret para zgjedhjeve parlamentare në Serbi, më 25 tetor 2026, “në mënyrë që SNS-ja të mos mund ta pastrojë imazhin e saj duke përdorur emrin e mirë të PPE-së”.

PPE-ja njoftoi në shtator të vitit të kaluar se kishte nisur një hetim të brendshëm për veprimtarinë e SNS-së, e cila në këtë parti konservatore evropiane ka statusin e anëtarit të asociuar që nga viti 2016. Në letrën e tij, kongresisti amerikan përshëndeti nisjen e këtij procesi dhe theksoi se “ndërprerja e të gjitha lidhjeve me SNS-në është përgjigjja e vetme e duhur”.

Republikani Wilson, i cili është ndër nismëtarët e masave ndaj Serbisë në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se “Evropa duhet të zgjohet lidhur me manipulimin e zgjedhjeve nga Vuçiqi dhe të këmbëngulë për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Serbi”.

Bashkëkryesuesi i Grupit të Kongresit për Bashkimin Evropian tha se SNS-ja ka treguar prej kohësh se nuk është e përkushtuar ndaj demokracisë dhe se nuk është e interesuar të jetë pjesë e qytetërimit perëndimor.

“Si parti në pushtet në Serbi nën Vuçiqin, ajo ka keqpërdorur vazhdimisht burimet shtetërore dhe shërbimet e sigurisë për të manipuluar zgjedhjet”, tha Wilson, duke iu referuar faktit se Zyra e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka thënë se zgjedhjet parlamentare të vitit 2023 u mbajtën në “kushte të padrejta”.

Duke theksuar se asnjë nga rekomandimet e ODIHR-it nuk është zbatuar, Wilson tha se gjithçka tregon se Vuçiqi dhe “partnerja e tij, Rusia, tashmë po punojnë për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2026”, gjë që, sipas tij, shihet përmes konsolidimit të mediave në Serbi, raportimit të transmetuesit publik, i cili i kushtoi 96 për qind të kohës Vuçiqit, përkundër katër për qind opozitës, si dhe përmes përdorimit të paligjshëm të softuerit për mbikëqyrje të fshehtë të studentëve dhe opozitës.

“SNS-ja në shumë aspekte i ngjan partisë së kriminelit të luftës Putin, Rusia e Bashkuar, dhe qeveriset në të njëjtën mënyrë kleptokratike. Partia është shndërruar në instrument të korrupsionit dhe klientelizmit, gjë që gjithashtu e mban nën kontroll të rreptë Vuçiqin”, tha Uilson, duke theksuar se kjo, sipas tij, u dëshmua në mënyrë të qartë me vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.

“Ata vjedhin gjithçka që nuk është e gozhduar në dysheme dhe ua shesin armiqve të Perëndimit”, theksoi Wilson, duke shtuar se “kur nuk e plaçkit shtetin, SNS-ja i madhëron kriminelët e luftës, siç bëri me Ratko Mlladiqin”.

Duke vlerësuar se SNS-ja nuk i ndan vlerat perëndimore, Wilson iu referua bashkëpunimit të autoriteteve serbe me Kinën dhe Partinë Komuniste atje, si dhe faktit se partia e Vuçiqit dërgoi “një delegacion në funeralin e terroristit [ajatollah Ali] Khameneit”.

Wilson po ashtu theksoi se populli serb dëshiron prosperitet, paqe dhe sundim të ligjit dhe se do ta zgjidhte këtë “nëse do t’i jepej mundësia në zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Lavrov: Sistemi S-400 në Turqi mund të transferohen në një shtet tjetër, por Moska ka kushte!

0

Rusia po e lë të hapur mundësinë që sistemet e mbrojtjes ajrore S-400, të blera nga Turqia, të transferohen në një vend tjetër, por vetëm me miratimin e Moskës dhe nëse plotësohen disa kushte.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u shpreh për këtë çështje gjatë një takimi me gazetarë në Nju Jork, në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

I pyetur nëse Rusia do të pranonte transferimin e sistemeve S-400 nga Turqia te një shtet i tretë, Lavrov tha se Moska do t’i shqyrtojë propozimet, duke lënë të hapur këtë mundësi.

“Ne do t’i shqyrtojmë të gjitha ofertat. Nuk do të komentoj për momentin, por po, është e mundur”, deklaroi Lavrov.

Megjithatë, ministri rus theksoi se Turqia nuk mund t’i transferojë sistemet pa marrë më parë miratimin e Rusisë.

Sipas Lavrovit, një nga kushtet kryesore është që vendi që do të marrë sistemet S-400 të ketë marrëdhënie miqësore me Rusinë dhe të japë garanci se nuk do t’ia transferojë ato më tej një shteti tjetër.

Moska kërkon kështu të shmangë mundësinë që sistemet ruse të përfundojnë në duart e një vendi tjetër pa pëlqimin e saj. Lavrov përmendi raste të mëparshme ku armë të blera nga vende të treta, sipas tij, më pas kanë përfunduar në Ukrainë.

“Free Xhaka” në Shkup, tifozët zviceranë kërkojnë rikthimin e kapitenit

0

Zvicra e mposhti bindshëm Maqedoninë e Veriut me rezultatin 3-0, pavarësisht mungesës së kapitenit Granit Xhaka. Por, edhe pse kombëtarja zvicerane tregoi se mund të funksionojë pa liderin e saj në fushë, tifozët nuk e harruan për asnjë moment mesfushorin shqiptar.

Pas situatës së krijuar rreth Xhakës, kapiteni i Zvicrës do të mungojë në tri ndeshjet e ardhshme të ekipit në Ligën e Kombeve.

Në duelin e së shtunës në Shkup, Zvicra zhvilloi një paraqitje të fortë dhe siguroi një fitore të pastër 3-0. Në vendin e Xhakës në mesfushë, Ardon Jashari pati një paraqitje të mirë dhe e menaxhoi me sukses repartin qendror.

Megjithatë, mungesa e Xhakës u ndje. Jo vetëm nga tifozët, por edhe nga bashkëlojtarët e tij.

“Për Granitin nuk ka nevojë të flasim. Ai nuk mund të zëvendësohet. Shpresojmë që Graniti të rikthehet sa më shpejt dhe që situata të zgjidhet”, deklaroi Remo Freuler pas ndeshjes për SRF.

Edhe tifozët zviceranë në tribunat e stadiumit në Shkup treguan mbështetjen e tyre për kapitenin. Pak minuta pas fillimit të ndeshjes, nga sektori i tifozëve nisën thirrjet: “Granit Xhaka! Granit Xhaka!”.

Thirrjet për kapitenin u dëgjuan edhe gjatë pjesës së parë, ndërsa në tribuna u shfaq edhe një pankartë me mesazhin e qartë: “Free Xhaka”.

Edhe pse Granit Xhaka nuk ishte i pranishëm në Shkup, emri i tij ishte padyshim një nga më të përmendurit gjatë mbrëmjes. Kapiteni mungoi në fushë, por mbështetja për të nga tifozët zviceranë ishte e dukshme./Telegrafi

Rezultatet e para të takimit Trump-Xi në Uashington, Kina dërgon dy panda në Atlanta

0

Dy panda të rritura, Ping Ping dhe Fu Shuang, janë nisur nga Çengdu i Kinës drejt shtëpisë së tyre të re në kopshtin zoologjik të Atlantës, në kuadër të marrëveshjes mes SHBA-së dhe Kinës, përcjell TV21. Pandat do të qëndrojnë në Atlanta për 10 vjet, ndërsa qyteti kishte mbetur pa panda që nga viti 2024.

Dërgimi i tyre vjen menjëherë pas samitit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping në Uashington. Xi e cilësoi programin e huazimit të pandave si shembull të “miqësisë kino-amerikane”. Kina prej kohësh përdor huazimin e pandave si pjesë të diplomacisë së saj ndërkombëtare.