Muzika xhaz kineze vibroi energjike në Tiranë

0

Muzika xhaz kineze mbushi me energji sallën e koncerteve “Tonin Harapi”, në Tiranë, në një mbrëmje të veçantë muzikore.

Grupi “Xu Quintet” solli një eksperiencë unike, ku tradita e pasur e muzikës kineze u ndërthur me energjinë, ritmet dhe improvizimin e xhazit bashkëkohor.

Grupi, i formuar nga vëllezërit binjakë Zhihan Xu dhe Zhitong Xu, bashkoi muzikantë dhe kompozitorë të njohur të skenës së xhazit kinez dhe ndërkombëtar, me një përvojë të gjerë artistike dhe akademike në skena europiane dhe aziatike.

Ambasadorja e Kinës në Shqipëri Pang Chunxue me grupin kinez Xu Quintet, në koncertin e xhazit në Tiranë/Foto nga CMG)

Kjo mbrëmje zbuloi një tjetër dimension të kulturës bashkëkohore kineze përmes muzikës dhe përcolli takimin mes dy traditave të ndryshme, të bashkuara nga gjuha universale e xhazit.

Të pranishëm në këtë event ishin edhe ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, si dhe muzikantë shqiptarë dhe artdashës të xhazit.

Ky koncert ishte pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Xhazit, që solli në Tiranë performues edhe nga Spanja, Austria, Italia, Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

Qytetarët mblidhen në Shkup, nis marshimi “Jo në emrin tim!”, protestë kundër vendimit të Gjykatës Speciale

0

Ka nisur në Shkup marshi i thirrur në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Pjesëmarrësit janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, nga ku po zhvillohet marshimi, përcjell TV21.

Marshi është organizuar pas aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje të qetë dhe dinjitoze. Në marsh marrin pjesë qytetarë, familjarë të dëshmorëve, veteranë, të rinj, studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Vjedhje misterioze në Çair! Hynë në bankë, zyre të MPB-së dhe në stacionin teknik, por morën vetëm një pajisje!

0

Një vjedhje e pazakontë është raportuar në një stacion për kontroll teknik në Çair, përcjell TV21. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në intervalin nga ora 15:00 e 26 shtatorit deri në orën 02:42 të 27 shtatorit. Persona ende të pa njohur kanë hyrë me forcë në objektin në rrugën “Aleksandar Urdarevski” dhe nga zyra e drejtuesit kanë marrë vetëm një pajisje – resiverin e sistemit të video-mbikëqyrjes. Por, brenda të njëjtit objekt, autorët kanë hyrë me forcë edhe në një ekspoziturë bankare dhe në zyrën e MPB-së. Nga këto dy hapësira, sipas policisë, nuk është marrë asgjë.

“Më 27.09.2026, në orën 02:42, në SPB Shkup është raportuar se në periudhën nga ora 15:00 e datës 26.09.2026 deri në momentin e raportimit, me forcë është hyrë në objektin e një stacioni për kontroll teknik në rrugën “Aleksandar Urdarevski”, në zonën e Çairit, dhe nga zyra e drejtuesit është marrë pajisja marrëse e sistemit të video-mbikëqyrjes. Nëpunësit policorë kanë dalë në vendngjarje, ku është konstatuar se me forcë është hyrë edhe në një ekspoziturë të një banke, si dhe në zyrën e MPB-së, të cilat ndodhen në kuadër të objektit, por nuk është marrë asgjë. Është kryer këqyrja në vendngjarje dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, thonë nga MPB.

Kongresisti republikan i kërkon Partisë Popullore Evropiane t’i ndërpresë lidhjet me partinë e Vuçiqit

0

Kongresisti republikan amerikan, Joe Wilson, i bëri thirrje Partisë Popullore Evropiane (PPE) që t’ia heqë statusin e anëtarit të asociuar Partisë Përparimtare Serbe (SNS), duke thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe “partia e tij e korruptuar autoritare” janë kundër qytetërimit perëndimor.

Në një letër drejtuar presidentit të PPE-së, Manfred Weber, Wilson tha se është thelbësore që një vendim i tillë të merret para zgjedhjeve parlamentare në Serbi, më 25 tetor 2026, “në mënyrë që SNS-ja të mos mund ta pastrojë imazhin e saj duke përdorur emrin e mirë të PPE-së”.

PPE-ja njoftoi në shtator të vitit të kaluar se kishte nisur një hetim të brendshëm për veprimtarinë e SNS-së, e cila në këtë parti konservatore evropiane ka statusin e anëtarit të asociuar që nga viti 2016. Në letrën e tij, kongresisti amerikan përshëndeti nisjen e këtij procesi dhe theksoi se “ndërprerja e të gjitha lidhjeve me SNS-në është përgjigjja e vetme e duhur”.

Republikani Wilson, i cili është ndër nismëtarët e masave ndaj Serbisë në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se “Evropa duhet të zgjohet lidhur me manipulimin e zgjedhjeve nga Vuçiqi dhe të këmbëngulë për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Serbi”.

Bashkëkryesuesi i Grupit të Kongresit për Bashkimin Evropian tha se SNS-ja ka treguar prej kohësh se nuk është e përkushtuar ndaj demokracisë dhe se nuk është e interesuar të jetë pjesë e qytetërimit perëndimor.

“Si parti në pushtet në Serbi nën Vuçiqin, ajo ka keqpërdorur vazhdimisht burimet shtetërore dhe shërbimet e sigurisë për të manipuluar zgjedhjet”, tha Wilson, duke iu referuar faktit se Zyra e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka thënë se zgjedhjet parlamentare të vitit 2023 u mbajtën në “kushte të padrejta”.

Duke theksuar se asnjë nga rekomandimet e ODIHR-it nuk është zbatuar, Wilson tha se gjithçka tregon se Vuçiqi dhe “partnerja e tij, Rusia, tashmë po punojnë për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2026”, gjë që, sipas tij, shihet përmes konsolidimit të mediave në Serbi, raportimit të transmetuesit publik, i cili i kushtoi 96 për qind të kohës Vuçiqit, përkundër katër për qind opozitës, si dhe përmes përdorimit të paligjshëm të softuerit për mbikëqyrje të fshehtë të studentëve dhe opozitës.

“SNS-ja në shumë aspekte i ngjan partisë së kriminelit të luftës Putin, Rusia e Bashkuar, dhe qeveriset në të njëjtën mënyrë kleptokratike. Partia është shndërruar në instrument të korrupsionit dhe klientelizmit, gjë që gjithashtu e mban nën kontroll të rreptë Vuçiqin”, tha Uilson, duke theksuar se kjo, sipas tij, u dëshmua në mënyrë të qartë me vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.

“Ata vjedhin gjithçka që nuk është e gozhduar në dysheme dhe ua shesin armiqve të Perëndimit”, theksoi Wilson, duke shtuar se “kur nuk e plaçkit shtetin, SNS-ja i madhëron kriminelët e luftës, siç bëri me Ratko Mlladiqin”.

Duke vlerësuar se SNS-ja nuk i ndan vlerat perëndimore, Wilson iu referua bashkëpunimit të autoriteteve serbe me Kinën dhe Partinë Komuniste atje, si dhe faktit se partia e Vuçiqit dërgoi “një delegacion në funeralin e terroristit [ajatollah Ali] Khameneit”.

Wilson po ashtu theksoi se populli serb dëshiron prosperitet, paqe dhe sundim të ligjit dhe se do ta zgjidhte këtë “nëse do t’i jepej mundësia në zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Lavrov: Sistemi S-400 në Turqi mund të transferohen në një shtet tjetër, por Moska ka kushte!

0

Rusia po e lë të hapur mundësinë që sistemet e mbrojtjes ajrore S-400, të blera nga Turqia, të transferohen në një vend tjetër, por vetëm me miratimin e Moskës dhe nëse plotësohen disa kushte.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u shpreh për këtë çështje gjatë një takimi me gazetarë në Nju Jork, në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

I pyetur nëse Rusia do të pranonte transferimin e sistemeve S-400 nga Turqia te një shtet i tretë, Lavrov tha se Moska do t’i shqyrtojë propozimet, duke lënë të hapur këtë mundësi.

“Ne do t’i shqyrtojmë të gjitha ofertat. Nuk do të komentoj për momentin, por po, është e mundur”, deklaroi Lavrov.

Megjithatë, ministri rus theksoi se Turqia nuk mund t’i transferojë sistemet pa marrë më parë miratimin e Rusisë.

Sipas Lavrovit, një nga kushtet kryesore është që vendi që do të marrë sistemet S-400 të ketë marrëdhënie miqësore me Rusinë dhe të japë garanci se nuk do t’ia transferojë ato më tej një shteti tjetër.

Moska kërkon kështu të shmangë mundësinë që sistemet ruse të përfundojnë në duart e një vendi tjetër pa pëlqimin e saj. Lavrov përmendi raste të mëparshme ku armë të blera nga vende të treta, sipas tij, më pas kanë përfunduar në Ukrainë.

“Free Xhaka” në Shkup, tifozët zviceranë kërkojnë rikthimin e kapitenit

0

Zvicra e mposhti bindshëm Maqedoninë e Veriut me rezultatin 3-0, pavarësisht mungesës së kapitenit Granit Xhaka. Por, edhe pse kombëtarja zvicerane tregoi se mund të funksionojë pa liderin e saj në fushë, tifozët nuk e harruan për asnjë moment mesfushorin shqiptar.

Pas situatës së krijuar rreth Xhakës, kapiteni i Zvicrës do të mungojë në tri ndeshjet e ardhshme të ekipit në Ligën e Kombeve.

Në duelin e së shtunës në Shkup, Zvicra zhvilloi një paraqitje të fortë dhe siguroi një fitore të pastër 3-0. Në vendin e Xhakës në mesfushë, Ardon Jashari pati një paraqitje të mirë dhe e menaxhoi me sukses repartin qendror.

Megjithatë, mungesa e Xhakës u ndje. Jo vetëm nga tifozët, por edhe nga bashkëlojtarët e tij.

“Për Granitin nuk ka nevojë të flasim. Ai nuk mund të zëvendësohet. Shpresojmë që Graniti të rikthehet sa më shpejt dhe që situata të zgjidhet”, deklaroi Remo Freuler pas ndeshjes për SRF.

Edhe tifozët zviceranë në tribunat e stadiumit në Shkup treguan mbështetjen e tyre për kapitenin. Pak minuta pas fillimit të ndeshjes, nga sektori i tifozëve nisën thirrjet: “Granit Xhaka! Granit Xhaka!”.

Thirrjet për kapitenin u dëgjuan edhe gjatë pjesës së parë, ndërsa në tribuna u shfaq edhe një pankartë me mesazhin e qartë: “Free Xhaka”.

Edhe pse Granit Xhaka nuk ishte i pranishëm në Shkup, emri i tij ishte padyshim një nga më të përmendurit gjatë mbrëmjes. Kapiteni mungoi në fushë, por mbështetja për të nga tifozët zviceranë ishte e dukshme./Telegrafi

Rezultatet e para të takimit Trump-Xi në Uashington, Kina dërgon dy panda në Atlanta

0

Dy panda të rritura, Ping Ping dhe Fu Shuang, janë nisur nga Çengdu i Kinës drejt shtëpisë së tyre të re në kopshtin zoologjik të Atlantës, në kuadër të marrëveshjes mes SHBA-së dhe Kinës, përcjell TV21. Pandat do të qëndrojnë në Atlanta për 10 vjet, ndërsa qyteti kishte mbetur pa panda që nga viti 2024.

Dërgimi i tyre vjen menjëherë pas samitit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping në Uashington. Xi e cilësoi programin e huazimit të pandave si shembull të “miqësisë kino-amerikane”. Kina prej kohësh përdor huazimin e pandave si pjesë të diplomacisë së saj ndërkombëtare.

741,446 turistë vizituan Maqedoninë në 7 muajt e parë të vitit!

0

Në shtatë muajt e parë të vitit 2026, Maqedoninë e Veriut e kanë vizituar gjithsej 741.446 turistë, njoftoi Ministria e Kulturës dhe Turizmit, me rastin e Ditës Botërore të Turizmit – 27 Shtatori, përcjell TV21. Nga Ministria theksojnë se është shënuar rritje e numrit të turistëve të huaj. Ndër vizitorët më të shumtë nga jashtë janë turistët nga Turqia, Gjermania, Serbia, Rumania dhe Shqipëria.

Ministria thotë se zhvillimi i turizmit do të fokusohet në promovimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, përmirësimin e shërbimeve dhe përdorimin e digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale. Tema e këtij viti për Ditën Botërore të Turizmit është: “Agjenda digjitale dhe inteligjenca artificiale për ridizajnimin e turizmit”.

“Jo në emrin tim!”, sot në Shkup mbahet marshi protestues kundër vendimit të Speciales për çlirimtarët

0

Sot në Shkup do të zhvillohet marsh protestues me moton “Jo në emrin tim!”, lidhur me zhvillimet dhe proceset gjyqësore ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Marshi do të nisë në ora 14:00 nga Sheshi “Skënderbeu”. Organizatorët u kanë bërë thirrje partive politike shqiptare, familjeve të dëshmorëve, veteranëve, studentëve, profesorëve, intelektualëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës.

Sipas Këshillit Organizativ, marshi do të jetë paqësor dhe qytetar, ndërsa pjesëmarrësve u është bërë thirrje për qetësi dhe respekt të rendit publik.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë dënoi ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, me dënime nga 13 deri në 25 vjet burgim për krime lufte. Vendimi është bërë objekt reagimesh dhe qëndrimesh të ndryshme politike.

Goditet grupi që shpërndante drogë nëpër gjimnazet e Tiranës

0

Detaje të reja janë zbardhur nga goditja e grupit kriminal që funksiononte në të gjitha zonat e Tiranës për shpërndarjen e drogës.  

Lënda narkotike shpërndahej në disa gjimnaze të Tiranës si “Qemal Stafa”, “Sami Frashëri”, “Ismail Qemali”, “Çajupi” dhe gjimnazi profesional Ekonomik. Shpërndarësit në këto gjimnaze shpërndanin lëndë narkotike te të miturit.

Ferit Xhani (Luzi) kishte rolin e furnizuesit. Ai është i njohur për policinë pasi është me precedent penal për drogë dhe plagosje.

Rol të rëndësishëm në këto grupe kishte edhe ish-efektivi i policisë, Engrid Henaj, i përjashtuar përpara disa viteve nga uniformat blu pasi u arrestuar për vjedhje.

Sipas Policisë, gjatë hetimeve janë identifikuar 52 persona, të cilët dyshohet se vepronin të veçuar ose në grupe në shpërndarjen e lëndëve narkotike. Për 31 prej tyre janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”; konkretisht për Genti Jaupi, Endrit Balla, Eduart Oleff, Bledar Kasa, Erlind Vlashi, Denis Shoti, Armando Koçi, Ernest Hamollari, Janaq Nakuçi, Shpëtim Çiçiku, Engrid Henaj, Enis Maliqaj, Franci Papajani, Klement Metallari, Ram Tafaj, Klajdi Malaj, Isuf Dine, Ferit Xhani, Bestar Malaj, Igli Avxhi, Arnold Lila, Sefer Allushi, Elton Tola, Arbias Prenga, Vilson Mete, Durim Matja, Eljado Prendaj, Nikolla Shkarpa, Armando Kuqi, Taulant Alstafa, Volf Ramadani.

Ndërsa 14 persona të tjerë janë shpallur në kërkim; Ksainel Caka, Gezim Muhameti, Zhuljan Prenci, Erald Tafani, Darlin Shahinas, Donaldo Frate, Marin Tabaku. Gjatë fazës hetimore janë arrestuar edhe 7 shtetas të tjerë.

Në kuadër të hetimit dhe gjatë ekzekutimit të masave të sigurisë janë sekuestruar 1 kilogram e 75 gramë heroinë, 1 kilogram e 265 gramë kokainë dhe 685 gramë Cannabis Sativa.

Gjithashtu, policia ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë, 90 fishekë, dy peshore elektronike, 12 automjete dhe 35 telefona celularë, së bashku me sende të tjera të kundërligjshme.

Nga hetimet dyshohet se grupet përdornin mënyra të ndryshme për të shmangur vëmendjen e policisë gjatë shpërndarjes së drogës. Në disa raste, lënda narkotike transportohej përmes monopatinave, taksive dhe shërbimeve delivery. 14 personat e tjerë të identifikuar nga hetimet janë shpallur në kërkim, ndërsa policia deklaron se puna vijon për kapjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.