Kina dominon tregun e veturave elektrike në Kosovë! 780 vetura elektrike u importuan në Kosovë, 665 nga Kina

TË FUNDIT

Importi i veturave elektrike në Kosovë është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, ndërsa Kina është bërë burimi kryesor i tyre, shkruan Radio Evropa e Lirë. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, nga janari deri në gusht të vitit 2026 janë importuar 780 vetura elektrike, prej të cilave 665 kanë ardhur nga Kina. Në vitin 2022, nga Kina ishin importuar vetëm 13 vetura elektrike.

Në të njëjtën periudhë, Gjermania ka humbur primatin. Në vitin 2022, nga Gjermania ishin importuar 49 vetura elektrike, duke qenë burimi kryesor i këtij lloji automjetesh.

Edhe vlera e importeve është rritur. Në tetë muajt e parë të vitit 2026, veturat elektrike të importuara kanë pasur vlerë prej më shumë se 11.5 milionë euro, rreth 500 mijë euro më shumë se gjatë gjithë vitit 2025. Krahasuar me vitin 2022, vlera e importeve është më shumë se dyfishuar.

Ndryshim ka pasur edhe në raportin mes veturave të reja dhe të përdorura. Në vitin 2022 u importuan 145 vetura elektrike të reja dhe vetëm 20 të përdorura, ndërsa në vitet e fundit kërkesa për vetura të përdorura është rritur dhe ato kanë tejkaluar të rejat.

Sipas bizneseve që merren me shitjen dhe përdorimin e veturave elektrike, interesimi i qytetarëve lidhet kryesisht me koston më të ulët të përdorimit dhe mirëmbajtjes. Modelet kineze, veçanërisht ato të prodhuesit BYD, po kërkohen gjithnjë e më shumë.

Megjithatë, veturat elektrike ende përbëjnë një pjesë të vogël të tregut. Nga janari deri në gusht të vitit 2026, në Kosovë janë importuar mbi 25 mijë vetura gjithsej, me vlerë mbi 309 milionë euro. Veturat elektrike përbëjnë vetëm 780 prej tyre, me vlerë rreth 11.5 milionë euro.

Aktualisht, veturat elektrike nuk kanë trajtim të veçantë në import. Për to paguhet 10 për qind taksë doganore dhe 18 për qind TVSH, ndërsa për veturat e përdorura aplikohet edhe akciza, nga 400 deri në 700 euro, varësisht nga vjetërsia.

Për 780 veturat elektrike të importuara në tetë muajt e parë të vitit janë paguar rreth 1.2 milionë euro taksa doganore.

Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar heqjen e taksës doganore për veturat elektrike dhe uljen e TVSH-së nga 18 në 8 për qind, me arsyetimin se këto masa do të nxisnin përdorimin e automjeteve elektrike.

Strategjia e Energjisë 2022–2031 parasheh që deri në vitin 2031 në Kosovë të ketë rreth 15 mijë vetura elektrike.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar heqjen e taksës doganore prej 10 për qind për veturat e importuara nga Bashkimi Evropian, nëse plotësohen kushtet përkatëse të origjinës.

Pavarësisht rritjes së shpejtë, veturat elektrike ende mbeten një pjesë e vogël e tregut kosovar të automjeteve.