Si zhdoganohet një veturë në Kosovë?

0

Për veturën e importuar, klienti duhet të paraqitet në Doganën e Kosovës me Deklarimin doganor, Faturën tregtare dhe Certifikatën e origjinës së veturës…
Një vendim i Qeverisë së Kosovës, i marsit të këtij viti për heqjen e kufizimit në importin e veturave, pavarësisht vjetërisë, ka bërë që të rritet dukshëm numri i veturave të vjetra që hyjnë në Kosovë. Për vetëm 5 muaj janë importuar 6 mijë vetura të vjetra, nga të cilat shteti ka përfituar 14 milionë euro, ndërsa vetura të reja janë importuar vetëm 466 sosh, që i kanë sjellë fitime vendit për 1.7 milionë euro.
Por cila është procedura që duhet ndjekur për ta zhdoganuar dhe regjistruar një veturë që hyn në Kosovë?

Zhdoganimi, vetëm për dy ditë?

Sipas zyrtarëve të Doganës së Kosovës rregullimi i dokumentacionit për zhdoganim të autoveturave në administratën e kësaj dogane, është efikas dhe kjo mund të kryhet më së shumti për dy ditë, në qendrat administrative (terminalet) e të gjitha pikave doganore të Kosovës.
Për veturën e importuar klienti duhet të paraqitet në Doganën e Kosovës me Deklarimin doganor, Faturën tregtare dhe Certifikatën e origjinës së veturës.
Vetura e importuar pas kalimit të Doganës, duhet të regjistrohet në Departamentin e Transportit në Ministrinë e Infrastrukturës, ku duhet të paguhet taksa rrugore 40 euro për automjetet deri në 3.5 tonë dhe 90 euro për automjete përmbi këtë peshë.
Më pas veturat duhet të sigurohen nga një kompani sigurimi në Kosovë dhe pastaj të gjitha dokumentet dorëzohen në Qendrën Komunale për Regjistrimin e Veturave (Ministria e Punëve të Brendshme), ku regjistrohen të dhënat për modelin dhe vitin e veturës, vjetërsinë, kilometrat etj.
Bekim Bajrami nga kompania e sigurimeve ELSIG, dega në Prishtinë, tha për albinfo.ch se heqja e kufizimit të importit të veturave pavarësisht vjetërsisë, ka bërë që të rritet numri i makinave të importuara kryesisht nga vendet e Evropës Perëndimore. Sipas tij, kjo në një farë dore ka ndikuar edhe në mirëqenien ekonomike të qytetarëve të Kosovës, pasi që ata tani më lehtë mund ta blejnë një veturë për nevoja të tyre.
Regjistrimi i automjeteve në Kosovë bëhet në Qendrat për Regjistrim Automjeteve të cilat funksionojnë në kuadër të Agjencisë për Regjistrim Civil të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në bazë të vendbanimit apo vendqëndrimit të pronarit.

Ndryshime nga komuna në komunë

Për ta regjistruar një makinë klientët duhet të kenë këto dokumente: Dëshminë mbi pronësinë e automjetit; Faturën e prodhuesit – shitësit të automjetit; Dokumenti origjinal të shtetit përkatës; Dokumenti i identifikimit të lëshuar nga organet e Kosovës; Policën e sigurimit e cila nuk duhet të jetë më e vjetër se 15 ditë nga dita e lëshimit; Dokumentin unik doganor, në raste të veçanta edhe Vendimin doganor.
Po ashtu klienti duhet të ketë Dëshminë mbi pagesën e taksës; Dëshminë mbi pagesën e taksës rrugore dhe ekologjike për automjetin dhe Certifikatën e kontrollit teknik të automjetit të lëshuar nga subjekti i licencuar nga organi kompetent, e cila nuk duhet të jetë më e vjetër 15 ditë nga dita e lëshimit, kurse për regjistrimin e automjetit për herë të parë në Kosovë nevojitet edhe Certifikata e homologimit.
Por, megjithatë, Qendrat Komunale për Regjistrimin e Veturave nga komuna në komunë kanë disa ndryshime procedurale.
Ka disa komuna ku nuk mund ta regjistrosh veturën nëse nuk e keni të paguar Tatimin në Pronë, siç është rasti me Suharekën, por në Prishtinë mund ta regjistrosh veturën edhe nëse nuk jeni pagues i rregullt i Tatimit në Pronë.
Bahri Zogaj nga fshati Lladroviq i komunës së Malishevës, me punë të përkohshme në Itali, të hënën po priste para sportelit të Terminalit Doganor në Prishtinë për ta zhdoganuar veturën tij “Fiat Stilo” e viti të prodhimit 2005, me kapacitet me 1800 metër kub.

Mërgimtarët, të kënaqur me dy masat e fundit

“Ne mërgimtarët jemi shumë të kënaqur me vendimin e qeverisë për heqjen e kufizimit në importin e veturave, pavarësisht vjetërsisë, si dhe në lirimin përgjysmë të çmimit të policave kufitare”, tha për albinfo.ch, Bahri Zogaj.
Ndryshe, për vite me radhë Doganat e Kosovës nuk i zhdoganonin veturat më të vjetra se 13 vjet, por ky vendim u shfuqizua në fillim të muajit mars të këtij viti dhe tani më nuk ka kufizim në importin e veturave, pavarësisht vjetërsisë.
Sipas arsyetimit të Qeverisë ky vendim është marrë me qëllim të heqjes së kufizimit në importin e veturave, pavarësisht vjetërsisë, me kusht që ato vetura t’i përmbushin kërkesat ambientaliste për emetim të gazrave sipas standardeve të Bashkimit Evropian (BE).

Akcizat që duhet paguar sipas kapacitetit të veturës

Për veturat me kapacitet deri në 2000 metër kub, normat e akcizës nisin prej 400 deri në 1.500 euro, varësisht prej viteve të amortizuara. Për veturat me kapacitet deri në 2000 metër kub, normat e akcizës – deri në 8 vjet amortizim – do të jenë deri në 400 euro; deri në 9 vjet – 600 euro; deri në 10 vjet – 700 euro, e kështu me radhë.
Për veturat me kapacitet nga 2100 deri në 3000 metër kub, normat e akcizës nisin prej 300 – të paregjistruara deri në 2.200 euro, varësisht prej viteve të amortizuara. Për veturat me kapacitet 2100 deri në 3000 metër kub, normat e akcizës do të jenë: për veturat e reja të paregjistruara – 300 euro; deri në 8 vjet të amortizuara – 400 euro; deri në 9 vjet – 600 euro; deri në 10 vjet – 800 euro, deri në 11 vjet – 1000 euro, e kështu me radhë. Për veturat me kapacitet mbi 3000 metër kub normat e akcizës nisin prej 800 euro, të paregjistruara deri në 3.900 euro, varësisht prej viteve të amortizuara.

Më së shumti vetura nga Gjermania dhe Zvicra

Të dhënat statistikore nga Dogana e Kosovës thonë se brenda vitit 2014 janë importuar gjithsej 5,233 vetura, nga to 338 vetura kanë qenë të reja, kurse 4,895 vetura jo më të vjetra se 13 vjet. Po sipas këtyre shënimeve vlera e përgjithshme e këtyre veturave ishte 28 milionë euro, kurse taksat e paguara për këtë periudhë ishin 11.6 milionë euro.
Tregu kosovar i autoveturave varet nga veturat që kryesisht importohen nga Gjermania dhe Zvicra dhe të vetura të prodhimeve gjermane, italiane, franceze dhe japoneze

27 të vdekur nga sulmi ajror në Damask

0

Në sulmin ajror të forcave besnike ndaj Bashar al-Assadit në rajonin e Dumës në Damask, të cilën e kontrollojnë kryengritësit janë vrarë 27 persona dhe janë plagosur rreth 100 të tjerë, raporton Anadolu Agency (AA).

Informacionin për sulmin me pasoja vdekjeprurëse e ka konfirmuar zyrtari i një spitali të improvizuar në Duma. Ai tha se forcat ajrore të ushtrisë së regjimit të Bashar al-Assadit kanë kryer sulmin ndaj tregut në Duma, si pasojë e të cilit u vranë 27 persona, dhe u plagosën 100 njerëz. Ai ka pohuar se të gjithë të plagosurit janë në gjendje të rëndë dhe se ekziston frika se numri i viktimave mund të jetë më i madhe dhe mund rritet në vazhdim.

Vendbanimi Duma ndodhet në kuadër të Gutës Lindore e cila është nën kontrollin e opozitës siriane. Burimet lokale të Gutës Lindore herët në mëngjesin e sotëm kanë njoftuar se forcat e regjimit kanë kryer sulmet ajrore në vendbanimet Sekba, Kafr Batna, Hamuriye dhe Duma. Nga sulmet u shkaktuan dëme të madhe materiale në objekte banimi dhe pune. Burimet gjithashtu njoftuan se një sulm u krye edhe ndaj tregut në Duma ku ndodhej numri i madh i civilëve.

Forcat e regjimit shpesh sulmojnë vendbanimet të Gutës Lindore, pjesës së Damaskut i cili prej kohësh ndodhet nën kontrollin e opozitës. Për shkak të bllokadës së tërë rajonit qytetarët nuk mund të sigurojnë produktet bazë. Uji dhe furnizimi me energji elektrike në atë rajon janë të ndërprerë, në këtë mënyrë popullsia lokalë ujin e nxjerrë nga puset.

Gjermania nëpërmjet Facebookut “frikëson” azilkërkuesit

0

Gjermania ka vendosur që nëpërmjet një fushate në rrjetin social, Fejsbuk, e cila do të zgjatë një javë, t’iu bëjë të qartë banorëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor që mos t’ia mësyjnë Gjermanisë, ngase gjasat e tyre për të marr azil janë minimale.
Nëpërmjet rrjetit social Fejsbuk të frikësojë njerëzit nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, respektivisht që me anë të një fushate ti bind ata që të heqin dorë nga synimi për tu nisur për në Gjermani, për të kërkuar aty azil.
Ky shërbim për një javë me radhë për shfrytëzuesit e Fejsbukut në rajon do të publikojë informata për gjasat minimale që kanë ata për të marrë azil në Gjermani. Kjo fushatë është paraparë që të ndikojë në uljen e numrit të kërkesave për azil në Gjermani.
Shefi i Shërbimit Federativ për Refugjatë dhe Migracion, Manfred Shmit, deklaroi se kërkesat për azil nga Serbia, Bosnja, Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi nuk ka pothuajse fare gjasa që të miratohen dhe shtoi se 99.8 për qind të kërkesave për azil janë dorëzuar nga imigrantët që vijnë nga këto shtete.
Më herët, Shërbimi Federativ për Refugjatë dhe Migracion paralajmëroi se 94 mijë azilkërkues do të kthehen në Ballkan dhe se atyre më pas do t’iu ndalohet hyrja në Gjermani.
Krahas kësaj, Ministria e Brendshme e Gjermanisë po përpiqet që me anë të shpalljeve në gjashtë gazetat më të mëdha në Shqipëri të ndal valën e azilkërkuesve dhe t’iu tërheq vërejtjen se në Gjermani nuk mund të marrin azil, vetëm për shkak se janë të varfër në vendin e tyre.
“Vetëm ata, të cilët mund të dëshmojnë se janë të përndjekur politikisht në vendin e tyre, kanë të drejtë për mbrojtje dhe qëndrim në Gjermani”, thuhet në një tekst drejtuar shqiptarëve që po kërkojnë fatin në Gjermani dhe aty u nënvizua se ata nuk mund të llogarisin në azil ekonomik./21 Media

Kriza e imigrantëve nuk mund të zgjidhet me para

0

Autoritetet në qytetin francez, Kale, kanë kritikuar ashpër Kryeministrin e Britanisë, Dejvid Kameron, duke theksuar se ai vetëm po tenton të pastrojë ndërgjegjen e tij, me ngritjen e një rrethoje në afërsi të tunelit që lidh Britaninë dhe Francën, për të pamundësuar hyrjen e imigrantëve në territorin britanik dhe shtuan se rrethoja nuk mund të zgjidh problemin.
Zëvendës-prefekti i qytetit Kale në Francë, Fillip Minjonet, theksoi se kriza e imigrantëve në këtë qytet nuk mund të zgjidhet me ndihma financiare dhe shtoi se Britania ka një qëndrim dyfytyrësh ndaj imigrantëve.
Përkundër faktit se Bashkimi Evropian ka ndarë 600 milionë euro për Britaninë dhe Francën, për të zgjidhur problemin me refugjatet, Minjone është i mendimit se paratë nuk janë zgjidhje,
Ai është i mendimit se kriza në Kale duhet të shikohet në kontekst të gjerë dhe se për të zgjidhur krizën, duhet të vlerësohen rrënjët e problemit, në veçanti arsyet se pse njerëzit po ikin nga shtëpitë e tyre dhe po vijnë në Evropë.
Minjonet shtoi se qëndrimi i Britanisë është dyfytyrësh, pasi që Londra përgjegjësinë po e bart në zonën e Shengenit, respektivisht mbi Francën.
Ai më tutje shtoi se Kale është një qytet i varfër dhe se kriza me refugjatët po dëmton reputacionin e qytetit dhe po dëbon investuesit.
Sipas fjalëve të Minjonetit, Kryeministri i Britanisë, Dejvid Kameron, vetëm sa po pastron ndërgjegjen e tij me financimin e rrethojës në Kale, në hyrjen e tunelit që lidh Francën dhe Britaninë, duke nënvizuar se rrethoja nuk mund të zgjidh problemin.
Rreth 4 mijë imigrantë jetojnë në kampin afër Kalesë dhe për çdo ditë tentojnë që nëpërmjet tunelit nën Lamansh të kalojnë në Britani./ 21 Media

Hyseni: “Rreziku më i madh – injorimi i problemeve"

0

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Skender Hyseni, gjatë ditës së sotme ka vizituar komunën e Deçanit dhe Gjakovës. Fillimisht, ministri Hyseni u prit nga kryetari i komunës së Deçanit, z. Rasim Selmanaj, ku u diskutua lidhur me çështjen e sigurisë në përgjithësi në komunën e Deçanit, përfshirë radikalizmin e shoqërisë, migrimin ilegal dhe çështjet e ndërhyrjes emergjente nga shërbimi i zjarrfikësve.

Kryetari i Deçanit, z. Rasim Selmanaj, bëri të ditur se kryesisht nuk ka ndonjë shqetësim për deçanasit lidhur me çështjen e sigurisë.
Sa i përket temës lidhur me ekstremizmin fetar, në këtë takim, u tha se në përgjithësi banorët e kësaj ane nuk janë të radikalizuar.

Ministri Skender Hyseni gjithashtu takoi edhe përfaqësuesit e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi të kësaj komune.

Pas vizitës në Deçan, ministri Hyseni vazhdoi vizitën e tij për në komunën e Gjakovës.
Gjithashtu, edhe në këtë komunë u vlerësua se gjendja e sigurisë është e qetë. Të dy palët u dakorduan që të kenë një bashkëpunim edhe me të ngushtë në mes të komunës së Gjakovës dhe institucioneve të sigurisë, me qëllim të ofrimit të sigurisë për qytetarët.

“Rreziku më i madh që i kanoset këtij vendi është injorimi i problemeve dhe përpjekja për t’i kamufluar ato. Duhet më shumë punë nga të gjithë ne, në mënyrë që të konsolidojmë shtetin”, deklaroi ministri Hyseni në këtë takim.

Gjatë vizitës në Gjakovë, ministri Hyseni u takua me Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi, ku nga përfaqësuesit e këtij Këshilli kërkoi që të jenë sa më të vëmendshëm në adresimin e shqetësimeve të ndryshme që mund të kenë komunitetet e ndryshme në këtë komunë, duke pohuar së më mirë është të parandalohen sesa të luftohen pasojat.

Hillari Klinton i dorëzon serverin privat hetuesve të FBI-së

0

Ish-sekretarja amerikane e shtetit dhe kandidatja e favorizuar e demokratëve për zgjedhjet presidenciale vitin e ardhshëm, ka vendosur që hetuesve të FBI-së ti dorëzojë serverin e e-mejllit të saj provat, pas kritikave se ka përdorur postën e saj private elektronike, gjatë kohës sa ka qenë në funksion.

Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, është pajtuar që ti dorëzojë hetuesve të FBI-së serverin e e-mejllit të saj privat, të cilin e ka përdorur gjatë kohës sa ka qenë në funksion.
Shfrytëzimi i e-mejllit privat gjatë kohës sa ka qenë sekretare e shtetit ka nxitur kritika të ashpra në adresë të saj, në momentin kur Klinton ka filluar fushatën e saj për zgjedhjet presidenciale.
Kritikët thonë se e-mejlli i saj privat nuk ka qenë i sigurt dhe se kjo bie ndesh me politikën e qeverisë për të mbrojtur komunikimet e zyrtarëve të lartë.
FBI po heton se a janë përcjellë informata të klasifikuara nëpërmjet adresës private të e-mejllit që ka shfrytëzuar Klinton.
Fillimish, Klinton i kishte dorëzuar Stejt departamentit amerikan me mijëra faqe të e-mejllave të saj, por jo edhe serverin.
Përdorimi i adresës private elektronike nga ana e Klinton është shndërruar në çështje gjatë fushatës zgjedhore.
Në bazë të ligjeve amerikane, korrespondencat e zyrtarëve të lartë shtetëror konsiderohen si pronë e qeverisë.
Të punësuarit në qeveri nxitën që të përdorin adresat e tyre zyrtare qeveritare të e-mejllave, përkundër faktit se shumë zyrtarë të lartë edhe në të kaluarën kanë përdorur adresat e tyre private./ 21 Media

Avokati i Popullit i pajton Ragip Begajn dhe Fetah Rudin

0

Avokati i Popullit, në pajtim me nenin 16, paragrafi 11, të Ligjit për Avokatin e Popullit, ka ndërmjetësuar midis Fetah Rudi dhe kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe e ka përmbyllur këtë rast me një aktpajtim formal juridik.

“Fetah Rudi, i është drejtuar me ankesë Avokatit të Popullit lidhur me deklaratën publike të Ragip Begaj, i cili, në cilësinë e funksionit që kryen, duke aluduar në aftësitë e kufizuara në lëvizje të Rudi, është shprehur se: ‘Për shkak të problemeve shëndetësore Fetahu nuk mund ta ushtroj funksionin e nënkryetarit’. Kjo deklaratë, me të drejtë, është konsideruar diskriminuese nga Rudi:, thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit ka propozuar ndërmjetësimin si mekanizëm juridik për çështjen e ngritur, për të cilën janë pajtuar të dyja palët dhe pas takimit me përfaqësuesit e Avokatit të Popullit është arritur marrëveshja . Duke marrë parasysh gjithë rrethanat në të cilat ka ndodhur deklarimi, ashtu siç edhe respektin e ndërsjellë që Begaj dhe Rudi kanë shfaqur për njëri tjetrin, në takimet e ndara me ta, është realizuar një takim i përbashkët, me ç’rast kryetari i Komunës së Malishevës ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar pas deklaratës së tij, të dhënë pa qëllim diskriminimi, për të cilën gjithashtu ka bërë edhe sqarim publik. Ai ka kërkuar falje për shqetësimin e krijuar me këtë rast, gjë që është vlerësuar dhe është mirëpritur nga Fetah Rudi, si formë e satisfaksionit moral.

Turqi: Arrestohen pjesëtarë të dyshuar të IS-it

0

Policia turke ka ndërmarrë aksione në disa qytete të ndryshme, me ç’rast ka arrestuar së paku 12 pjesëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik. Bastisje ka pasur në Ankara, Stamboll dhe në provincën Hataj, në kufi me Sirinë.
Në disa aksione të ndara, të ndërmarra sot nga policia turke, janë arrestuar së paku 12 pjesëtarë të dyshuar të organizatës ekstremiste, Shteti Islamik.
Bastisjet u ndërmorën në Ankara, stamboll, në provincën Hataj, në afërsi të kufirit me Sirinë, si dhe në provincën Kirikale, ka njoftuar agjencia e lajmeve, Anadollia. Siç u theksua më tutje, policia është duke kërkuar edhe katër të dyshuar tjerë.
Të martën, autoritetet turke njoftuan se kanë arrestuar 23 shtetas të huaj, në mesin e tyre edhe gra dhe fëmijë, të cilët kishin tentuar të hynin në Siri, për t’iu bashkuar luftëtarëve të shtetit Islamik.
Bëhet fjalë për shtetas nga Kina, Indonezia, Rusia dhe Ukraina. Turqia muajin e kaluar filloi sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik në Siri dhe kundër kryengritësve kurdë në veri të Irakut./ 21 Media

Kuçi: Një doracak i duhur për gjyqtarët dhe prokurorët që integrohen nga Gjykata Themelore e Mitrovicës(Video)

0

Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e publikimit të Doracakut për Procedurën Penale dhe Kontestimore, të organizuar nga USAID-i dhe Instituti Gjyqësor i Kosovës – IGJK. Në fjalën e tij para të pranishmëve, Ministri Kuçi ka theksuar rëndësinë e këtij Doracaku. “Sot besoj që është një lajm i mirë për drejtësinë në Kosovë, për gjyqtarët, e në veçanti për ata që merren me çështjet penale, si dhe për ata që merren me çështje kontestimore. / 21 Media

Pak të rinj të interesuar për Ditën e Rinisë

0

Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, sot Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë organizuar një sërë aktivitetesh në Parkun e Gërmisë, për të shënuar këtë ditë.

Edhe pse ishte Dita Ndërkombëtare e Rinisë shumë pak të rinj merrnin pjesë në aktivitetet e shumta që kishte organizuar komuna e Prishtinës.

Këto aktivitete kanë filluar qysh në mëngjes, me nisjen e çiklistëve nga lagje të ndryshme të Prishtinës, për të shkuar pastaj në Parkun e Gërmisë. Aktivitet tjera të organizuara veçanërisht për këtë ditë kanë qenë edhe caktimi I grupeve të gjakut, aktivitete në pikado, shigjetari, shah, pikturë, vaterpolo etj.

Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci, me këtë rast tha se Drejtoria të cilën ajo drejton, ka organizuar aktivitete të shumta për të shënuar këtë ditë. Ajo po ashtu tha se po punojnë që të rinjve t’iu jepet sa më shumë hapësirë për aktivitetet e tyre.

Kurse Rreze Kurti, aktiviste e cila po merret me matjen e tensionit, caktimin e grupit te gjakut dhe matjen e sheqerit, tha se ky aktivitet është shënuar falas për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.

E, kryetari I klubit Atom, Berat Mavriqaj, u shpreh I pakënaqur me punën që po kryejnë institucionet e vendit në mbështetje të rinisë. Sipas tij, rinia ka nevojë për më shumë mbështetje dhe më shumë subvencione.

Aktivitetet e ditës së sotme do të përmbyllen në orën 21, me një koncert në Gërmi.

Përfaqësuesit komunal, me këtë rast ftuan të rinjtë që të shkojnë të argëtohen në Parkun e Gërmisë për nder të ditës së tyre dhe të zbaviten me aktivitetet që ka organizuar komuna